Reaksioni si normë e politikës

Reaksioni si normë e politikës

Agon Hamza

Alain Badiou thotë se si filozof, ai nuk e pranon realitetin ashtu siç është, vetëm pse ai është ashtu siç është. Ai niset nga premisa se kapitalizmi nuk duhet të pranohet vetëm se është rend aktual, vetëm pse nuk mund të jetojmë jashtë kapitalizmit si realiteti i vetëm shoqëroro–politik. Sepse është e vërtetë se kapitalizmi është realiteti ynë aktual e objektiv. Por, vetëm ekzistenca e realitetit si i tillë, nuk e bën atë të pranueshëm dhe të domosdoshëm.
Ideologjia zyrtare në Kosovë e koncepton realitetin si diçka që është këtu për të qëndruar përgjithmonë. Realiteti konceptohet si realitet statik, si diçka e dhënë, normative dhe e pandryshueshme në koordinatat e saj kryesore politike. Na thonë se realiteti është ky dhe pastaj pasojnë kualifikimet mbi “realitetin e ri” dhe atë të “vjetër”, me realitetin e dekadës së kaluar, etj. Kësisoji, realiteti fillon e na shfaqet si pengesë, si kufizim arbitrar i dialektikës, si ligj i zhvillimit të vet realitetit. Kjo nënkupton që realiteti, i tillë çfarë është, nuk bën as të kritikohet në themelet e tij.
Në anën tjetër, analistët medial dhe intelektualët institucionalë janë të zënë me arsyetimin dhe racionalizimin e së tanishmes. Krejt çka na thonë ata është se koordinatat bazike të strukturave duhet të ruhen, problemi i Kosovës nuk është problem sistemik, por ajo që ne duhet bërë është ndryshimi i disa njerëzve të korruptuar, të padijshëm, etj. Problemi i Kosovës nuk është problemi i njërit apo tjetrit politikan; sistemi ekzistues politik i riprodhon këta njerëz, të cilët e mirëmbajnë dhe e reprodukojnë atë.
Na thonë se kjo çfarë kemi është më e mira, vetëm se na duhet të punojmë më tepër për ta realizuar dhe materializuar tërësisht sistemin politik; thënë në Hegeliançe, për t’u realizuar mirëqenia shoqërore, realiteti duhet ta arrijë nocionin e vet, që nënkupton realizimin e p.sh. Planit të Ahtisaarit në tërësi, etj. Gabimi i parë është se jeniçerët e neoliberalizmit në çdo argumentim të tyre, si pikënisje e marrin realitetin ekzistues, dhe operojnë mbi këtë premisë. Sepse na thonë që realiteti ekzistues është ajo që ka rëndësi – pragmatizmi brutal është korniza në të cilën ata operojnë.
Në njërën nga ligjëratat e tij, studentët e akuzuan Hegelin se ajo çka ka thënë është tërësisht kundër fakteve. Përgjigja e Hegelit është briliante: mjerë faktet. Dhe ne duhet të bëhemi Hegelian, t’iu themi se nuk na interesojnë faktet mbi të cilat ndërtohet ky realitet. Sepse ky realitet nuk është i yni. Ky realitet, i ndërtuar mbi premisat politike të Planit të Ahtisaarit dhe dizajnerëve të tjerë politik. Rrjedhimisht, ky realitet iu takon atyre dhe natyrisht, kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit. Dhe me shumë dëshirë ne ua falim atyre realitetin që nuk na takon neve.
Realiteti i Kosovës, në strukturimin e tij shoqëror e politik, është reaksionar. Shumë shokë më kritikojnë për shfrytëzimin e koncepteve si reaksionar, renegat, armik, etj – i konsiderojnë ato si të dala mode, si shumë të ashpra, të kontestueshme, etj. Në rregull, por si mund t’i quani ndryshe, përveç se reaksionare, të gjithë këto forca progresive të vendit, të sublimuara në të ashtuquajturën shoqëri civile (me OJQ-të, mediat dhe institutet si biznese të saj). Shihni aktivitetet e fundit të forcave progresive të vendit në kohën kur vendimi për Kosovën C (e Re) dhe për privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha publike është marrë: ndalimi i përdorimit të qeseve të plastikës, peticioni për të ashtuquajturën liri të shprehjes, etj. Na thonë se me heqjen nga përdorimi të qeseve të plastikës, e ndihmojnë ruajtjen dhe pastërtinë e ambientit. Shumë në rregull, por pasi jemi te ambienti pse nuk luftojnë kundër Kosovës C (të Re) e cila do të jetë ndotësi më i madh i ambientit në Kosovë? Pse nuk luftojnë kundër ndotjes nga termocentralet ekzistuese, kundër copave të hekurit që flutorojnë mbi Drenas nga Ferronikeli (i privatizuar), etj? Rasti i angazhimit kundër qeseve të plastikës është shembull par excellence i reaksionit mikroborgjez.
Rehabilitimi i koncepteve e nocioneve nuk duhet të bëhet vetëm për hir të rehabilitimit të tyre – rehabilitimi i koncepteve si reaksionarë, disiplinë, rend kolektiv, renegat, etj është i domosdoshmëm për ta interpretuar realitetin shoqëroro–politik të Kosovës. Sepse ky realitet shfaqet në formë të dyfishtë: në njërën anë ai është përplot reaksionarë, renegatë, oportunistë, etj, e në anën tjetër nuk ka aspak rend kolektiv, disiplinë, sakrificë, etj. Është shumë e mundur që nëpërmjet kësaj dikotomie realiteti i Kosovës të ndahet në dysh, ashtu siç edhe duhet të jetë: i çarë, jokonsistent, i papërfunduar, etj. Kjo është tipike për kapitalizmin. Ky është edhe problemi i shoqërisë kapitaliste. Megjithë shpirtëmirësinë e progresistëve liberalë, të cilët tentojnë të na e paraqesin shoqërinë si një organizim unik, një totalitet organik i cili na ekziston si Një, megjithatë shoqëria kapitaliste nuk është universale në kuptimin e vlerave që i ajo i përfaqëson, në kuptimin e rishpërndarjes shoqërore të të ardhurave, punës, prodhimit, konsumit, etj.
Të kthehem kthehem tek i ashtuquajturi “realitet i ri” i cili për mua nuk është ndryshe i konfiguruar përveçse si reaksionar. Ky realitet ka një shënjues, i cili e mirëmbanë atë përbrenda: kryeministrin e Kosovës. Në nivelin subjektiv gjendja e Kosovës mund të përkufizohet si: konfuzion i brendshëm; dezorientimit mendor e politik, që prodhon impotencë politike e shoqërore; ardhja e lirive të reja nënkupton servilitet absolut; pasurim të mëtutjeshëm për të pasurit dhe “poshtë të varfërit”. Në librin e tij të fundit “Kuptimi i Sarkozy-së”, Badiou thotë se Sarkozy nuk shënjon një erë të re në politikën franceze, por ai është vazhdimësi e njërës nga dy historitë e Francës – vazhdimësi e Francës reaksionare e për më tepër, vazhdimësi e denjë e Pétainismit. Këtë prezencë të Pétain-it në politikën e sotme franceze, Badiou e quan “transcedentalja e Francës – Pétainismi”. Transcedentalja sipas Badiousë, është një diçka, e cila pa u shfaqur në sipërfaqe, e rregullon hapësirën nga largë dhe mekanizmit kolektiv i jep rend dhe ligj. Pétain i Kosovës së re padyshim se është Ibrahim Rugova. Transcedentalja e Kosovës – Rugovizmi – vazhdon të jetë politika zyrtare e Kosovës. Zgjedhja e Thaçit si kryeministër i Kosovës nuk shënjon një erë të re në politikën e Kosovës: kujtoni premtimet e tij parazgjedhore. Na premtonte lidership të fuqishëm, luftim të korrupcionit dhe “dukurive të tjera negative”, etj. Luante me letrën e frikës dhe rivendosjen e moralit. Loja me moralin, etninë, gjakun, historinë janë gjithnjë të rrezikshme sepse janë reksionare. Janë reaksionare sepse janë të padrejta. Janë të padrejta sepse nuk janë të sakta: të gjitha këto kategori janë të shfrytëzueshme në ato kohë kur hapësira shoqërore është ose e dezintegruar, ose shkon drejtë dezintegrimit – rrjedhimisht është i domosdoshëm një shënjues i cili do ta mobilizonte shoqërinë, do ta konstituonte atë, e kështu me radhë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është mënyra se si e kuptojnë sot shoqërinë. Shoqëria nuk ekziston si diçka unike, si një tërësi, si Një. Konceptimi i shoqërisë si Një, si e Tërë është reaksionare, sepse shoqëria ekziston si produkt i luftës klasore përbrenda saj. Nuk mundet një krah politik ta përfaqësojë popullin, shoqërinë: ajo mund ta përfaqësojë një klasë shoqërore. Sigurisht se Hashim Thaçi nuk më përfaqëson mua dhe shumë struktura të tjera shoqërore që unë i di. Pa dyshim se ne nuk e kemi lutur atë të jetë kryeministri ynë. As të varfërit, punëtorët, të papunët, fshatarët, etj. Ai është përfaqëues i denjë i nouveau riche, kompradorëve dhe mikroborgjezëve. Do të ishte shumë më e ndershme sikur qeveria ta merrte këtë pozicion edhe publikisht. Monopoli mbi popullin/shoqërinë është i papranueshëm.
Koalicioni PDK–LDK po i jep formë të prerë rrymës reaksionare të historisë sonë politike. Qeveria e Kosovës thotë se qëndron si qeveri e progresit, suksesit, etj. Sigurisht se ka sukses në një fushë: ajo suksesshëm po e perfeksionon atë që Badiou e quan “diktatura e tregut”. Domethënë qeveria është shumë e suksesshme në degradimin e mëtutjeshëm të jetës shoqërore. Çështjet ushtarake i takojnë NATO–s, ekonomia i takon spekulantëve financiarë (korporatave që sapo nuk kanë ardhur), neve na takon ajo që nuk e kemi: zhvillimi kulturor, arsimi, etj. Dhe kjo është shumë simptomatike: kultura e arti janë tërësisht të integruara në sistem, nuk ekziston asnjë rrymë alternative e vërtetë në art, film, muzikë. Nuk ekziston as minimumi i rebelizmit emancipues në art. Sindikatat dhe organizimet e punëtorëve janë tërësisht të korruptuara. Në gjithë furtunën e privatizimeve të mëdha, ata janë tërësisht të heshtura, si duket vetëm reflektojnë mbi diktaturën e tregut dhe harrojnë se detyra primare e tyre tani është luftimi i po këtij privatizimi. Korruptimi i brendshëm i sindikatave, i studentëve të UP-së është vetëm sinjal se aleanca ndërmjet punëtorëve dhe studentëve (Maji i 68-tës) është jo shumë premtues. Andaj, në një hapësirë thelbësisht reaksionare si realiteti politik e shoqëror i Kosovës, “subjektet revolucionare” duhet jo vetëm të rizbulohen, por nëpërmjet rizbulimit dhe krijimit të tyre, të krijohet hapësirë e re politike në të cilën këto subjekte mund të veprojnë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).