Qingj bunkeri (pjesa I)

Heshtja prishej nga mbllaçitjet, nga thithjet e kockave për të krijuar trysninë negative të nevojshme që palcat të linin çdo kthinë brendakockore, nga thithjet midisdhëmbëshe për të hequr që andej pejzat e bezdisura rrasur mes muresh zmalti si pyka te goditura nga varè dhëmballësh, nga thyerje-shqyerjet e ligamenteve për të nxjerrë në dritë fijëzat më të holla e të fshehta të mishit, nga daltat e dhëmbëve të parë brejtës...
Mishi pjekur në një tavë drejtkëndore - tablo artistike në kornizë. Tava qe vjedhur para shumë vitesh nga kuzhina e kampit të punëtorëve të Pogradecit ose Sarandës. Përdorur rrallë e më rrallë, objekt muzeal, me një shenjtëri që e kish vetëm kazani i rakisë, i cili gjithashtu përdorej rrallë, një herë në vit, vetëm në vjeshtë.

Burrat nuk flisnin. Lëvizjet e nofullave nuk krijonin fjalë, ato kafshonin. Kishin ngrënë me gjasë copat e rëna të suvasë, cepat e një mbulese tryeze që nuk dallohej mirë ç’ish, plastike apo beze, kishin bluar tërësisht në mënyrë të pakthyeshme pirunjtë, kafshuar pa shumë sukses skeletin e drunjtë të dritares dhe një pjesë dere ku shquheshin qartë gjurmët çatalle të nguljes së dhëmbëve, dhe pasi kishin bërë këto, i qenë sulur kolektivisht mishit në tavën kënddrejtë të vjedhur nga kampi i punëtorëve të Korçës ose Divjakës. Kockat e ngrëna me kujdes dhe sistem, thithur dhe pastruar nga çdo pejzë apo fije delli, filluan të shpërndahen mbi tryeze. Reflekse Afrike me luanë e tigra që shqyenin copëra gazele erdhën për disa çaste nga një ekran i shuar televizori, pas të cilit llambat digjnin ende me tym kandili emisionin “bota rreth nesh”. Televizori ish i vjetër, emri nuk i dallohej mirë pasi gërmat ishin shuar nga koha, shquhej qartë vetëm “R”-ja dhe “A”-ja, të tjerat ishin me gjasë pjesë “U”-je po aq sa dhe “H”-je apo “N”-je. Televizori ish orendi rreziku, mundësi gabimi politik, bartte borgjezen, mutacionin vdekjeprurës të festivalit të 11-të në RTV. Sidoqoftë, rreziku zbutej nga fakti që televizori i kish mbuluar shpenzimet e tij me gjithë çmimin pabesueshmërisht të lartë, e kish larë veten po të shumëzoje filmat që kish shfaqur çdo mbrëmje me 20 lekë biletën. Kjo e bënte të pranueshëm pasi nuk rëndonte asnjë buxhet, përkundrazi. Televizori ishte e vetmja orvatje e teknologjisë në dhomën me burra ngrënës. Çdo gjë tjetër, duke filluar nga një varg hudhrash varur në një gozhdë trari ngulur në mur, ishte shumë baritore. Prej tavës së tkurrur para lakmisë mashkullore u duk sikur erdhi një blegërimë e frikësuar. Askush nga ngrënësit e parruar nuk e dëgjoi, megjithë heshtjen prej rituali, heshtje bluajtëse me enzima pështymore të pafuqishme para proteinave që s’donin të epeshin, ishujve me inde inerte dhjamore, mureve qelizore me lipide të mezitretshme, heshtje arkimede që kish gjetur një pikë mbështetëse, vendlidhjen çerniere të nofullës së poshtëme të lëvizshme me të epërmen e shtangët si këmishë kushinete, dhe tani qe gati të tundte botën. Kjo sevda e djalërisë, kjo sevda, tund themelet e shtëpisë, kjo sevda. Sevdaja qe pjekur dhe kish lëshuar poshtë një lëng ngjyrerrët, ku ngjyheshin kafshata të mëdha buke me përdëllim pothuaj fetar. Mrekullim zbulese. Vetëdije e pafund për shenjtërine e çastit. Po hahej një qingj!

Po hahej një qingj i ndaluar! Qingj i paligjshëm, i fajshëm megjithë pafajsinë e tij proverbiale, si një fëmijë jashtë martese. Herezi në tavë, që shkonte kundër ungjijve të kohës, pjekur fshehurazi, brenda, nën avujt e vet me trysni, entalpi, entropi, energji të lirë të Gibsit, të gjitha të mbytura në salcë ilegaliteti, erëza rebelimi, lëng folklorik me kaçakë, dënime, trimërira me rrezik, kënaqsi blasfemuese, çenikllëk ideopolitik me pasoja gastro-kulinare... qingj, o qingj, s’të tufëzova, dhjamë e dyllë të pikova, por dot besën s’ta ndërrova...

Zjarri nuk e ndihmoi specien tonë nëpërmjet shkrirjes së metaleve; ajo përralla e gurëve-minerale pranë tij që filluan të shkrijnë nga nxehtësia, edhe pse jo e pamundur, duket shumë e pagjasë. Zjarri u bë Zjarr vetëm ngaqë poqi mish. Me gjasë Zotat në Olimp, në ato orgjitë e famshme, i gëzoheshin shumë faktit që hanin gjëra që vdekatarët e thjeshtë atje poshtë as që e kishin idenë qe ekzistonin. Gjithfarë qebapësh e gjirosh me aroma kullotash qiellore. Ndaj dhe u zemëruan aq shumë me tradhtinë e zjarrit, saqë tradhëtorit copa copë ia bënë mëlçinë... edhe zëmrënë. Ngrënia e mishit ishte aksioni i parë demokratik që i pruri njerëzit një hap më pranë me shefat atje lart, apo anasjelltas, i zbriti shefat atje lart një çikë më poshtë drejt tokës. Nuk ishte vetëm punë shije. Më shumë se gjuha prej shijes se re, u habitën nofullat ngaqë nuk u lodhën aspak me ushqimin e ri. Habia nofullore hapi gojën për të nxjerrë klithmën e gëzuar “ngrrokhngk” ose “nguahpmnj” që në paranjerëzishte do të thoshte edhe “sa mirë”, edhe “dua prapë”. Energjia e papërdorur nga nofullat, si avulli i nxehtë, u ngjit pak më lart kafkës, te një masë e squllët, aspak sportive e muskulore, e zbardhëllyer si për mëshirë, e lënë pas dore si jetim, ngordhalaqe si një mashkull omega. Ish aerobia e parë e një plluqi prepubertar. Çast oksidues me shkëndija muskujsh. Qullaci më pas do bëhej Shvarceneger... por ndërkaq... ç’brofte ashtu nga lënda (e drurit) që të ngrohte, por edhe digjte, që e shihje, por s’e prekje dot, që e ndjeje, por që dot s’e kapje, q’arratisej duke lënë pas veç pak hi sa për shenjë, a nuk ish shpirt ajo brofje e ndritshme? Që këtej deri te shenjtëria, s’shtrihej veç një hap i vockël.
Fe e re, mitologji, çarje në akullnajën e kohës, farfurimë metali dhe forcash brutale, teknologji, gjithë ç’erdhën më pas lanë në harresë atë prushin parak ku natyra shnatyrohet në thelbin e vet proteinik. Mardhënia me mishin e pjekur vazhdoi problemore, doktrinare dhe fetishe, si ndodh me çdo gjë të madhe dhe specieformuese; judat, skizmat, herezia, dhe mosmirënjohja nuk munguan dhe kjo e fundit e çante rrugën e vet përmes harresave. Fitorja e vërtetë, ajo e para me prushin e me kërkushin, që habitej se si gjaku zhdukej me magji dhe ngjyra e kuqe bronxohej me cërritje erëmirë, u harrua shpejt. E shpallën mishin e pjekur (tash që e shtinë në dorë) kryearmik, krijuan sekte vegjetarianësh me joshje emrash të medhenj si Tolstoi apo McCartney, mishi i kuq – ajo brendia-zemër e një thele të trashë që ende zjen cërr në vete – thanë që është vdekjeprurës, të sklerozon, të bën impotent (ah, djalli di ku godet), e amplifikuan rrezikun me dambllara shpendësh e gripe derrash, shkuan deri atje sa i çmendën lopët dhe fëminitë na i mbushën me frikën e gjithfarë shiritash me fytyra skëterre, me thonj llahtar e gremça të përbindshëm parazitë që mezi ç’prisnin të nguleshin në brenditë e buta e të dlira të zorrëve tona. Sallam i derrit, harram i Ferrit! Zhapat e shijshme të pulave, ato kuintesenca shijesh e pothuaj qëllim jete, na i bënë të frikshme si t’ishin mantel kentauri e jo zhapa pule; një Kol, Kol, dhe një Sterol, emra rimues si binjakë homozigotë, të bënin gjëmën si patrullë SS. Sieg – heil! Po hahej një qingj.
Dukej Zotat po hakmerreshin vonë, që të fitonin distancën e humbur me vdekatarët poshtë. Me të pamishtit e vjetër.
Psikologjia nuk i ka renditur komplekset ndaj mishit tek ato të mëdhatë fare, tek bashkomplekset. Gërmojnë psikën e njeriut, zbulojnë dëshira e shtysa të fshehta nga më të pabesueshmet, nga ato që askush vetëmevehte nuk i merr të njëmendta, por i pranon faqeza vetëm për të mos u bërë vërtet deviant i nënndergjegjeve burleske si dhe prej tërheqje-adhurimit të natyrshëm prej shkencave jo ekzakte, dhe nuk shkoqitën goditjet neurale të bashkësisë njerëzore nga mishi, miliarda të uritur që panë ëndrra llahtari me biftekë cërritës e suxhuqe pëlcitës me mish të mallkuar a të shenjtë, pak rëndësi ka. Ëndrrat me mish janë përbashkuese si “Ëndrra e emigrantëve” që përmend Kundera.
Po hahej një qingj i ndaluar. Me fe, me ideologji, me profet, me herezi, me kërcënim, shkishërim, blasfemi, me moral, me ekonomi politike, me luftë klasash, me manifesto, po hahej një qingj ideologjikisht i papranueshëm, edhe pse nga pikpamja veterinare ish brenda normave të lejueshme, po hahej një përçor i ardhshëm, përçues i kolerës dhe epidemisë skllavëruese, një qingj që sillte zvarrë vargonj metali të rëndë, që u bë padashur kafshë e ndaluar, blegtori mëkatare, edhe pse gjetiu vlerësohej si mish “hallall”. Nje harrammish ndërgjegjeprishës.

Nuk kishte qenë i lehtë vendimi për të mbajtur një qingj të ndaluar. Përkundrazi, ai kishte torturuar me dilemat tipike të konvertimit të fesë. Myfiti ishte njeri i parimit. Edhe kur nuk e kuptonte parimin, dinte t’a ndalte kureshtjen e tepërt, pserat e dëmshme. E gjitha kish filluar herët, një dite të kurrfartë, pa datë, pa muaj, me re pa formë, pa bordura, kurrë lehona me një bubullimë a vetëtimë, pa le më me ylber, një ditë nga ato që janë paracaktuar për harrim.
Prona private pjell çdo ditë, çdo orë, çdo minutë kapitalizëm. Kur u tha kjo? Ku? S’ish në gjendje t’a thosh, ama zërin dhe intonacionin e çdo rrokje e mbante mend mirë. ... pjell çdo ditë, çdo orë, çdo minutë kapitalizmin. Zëri i sekretarit linte të kuptoje që të paktën ai vetë e dinte pse ndodhte kjo. Kapitalizmi ishte bërë kaherë si zgjebja, askush nuk pyet pse është e keqe zgjebja, por me vrap shkon dhe merr squfurin. Kështu dhe ai, me vrap kish marrë sqeparin dhe me gjithë lutjet e përlotura të gruas, aman se do na lëç fëmin’ iftiaç për një kokërr vezë, me ç’ti nis mëngjeseve për në shkollë etj etj, nuk e kish zgjatur, por ua kish prerë kokat pulave të tij me goditje njëshe, të vendosura, mbi një trung të vjetër ulliri në fund të bahçes. Dung! Goditje e shurdhër mbi dru, spërkatje e rrethinës me spërka të reja gjaku, ndërsa koka e prerë e shpendit fluturonte anash sipas rezultantes së vektorit të dy forcave, asaj pingule të sqeparit dhe kundërgoditjes horizontale të trungut. Dung!
Në fund, kur i kishte prerë të gjitha kokat, në vend të lehtësimit të njohur prej komformizmit, kishte ndjerë një moskuptim më të shurdhët se goditjet e sqeparit mbi cung. Nuk e kishte dhënë vehten, kishte marrë pamjen e zakonshme të njeriut që di ç’bën, me nofullat e shtangëta që rrezatonin siguri, ndjekur nga sytë e hutuar frikshëm të fëmijëve. Ndër ta, vetëm Agroni nuk shfaqi frikë ngaqë ende nuk kuptonte ç’bëhej. Ai i mori kokat e prera të pulave, të shpërndara andej këtej nëpër truallin rreth trungut dhe i grumbulloi bashkë. I kapte nga sqepi, u shikonte sytë e mbyllur dhe i vinte një e nga një në një pirg që rritej pas çdo koke të hedhur në të. Ngadalë grumbulli mori formë piramide.
Myfiti lau duart në muslluk. Ndjente nga pas shikimin ankimtar të së shoqes si një curril ajri të ftohtë që e bezdiste. Nuk vonuan të dëgjoheshin qartaz edhe shfryrjet e saj në ecejaket oborr-shtëpi. Çdo goditje sqepari dhe kokë pule e flakëruar tutje kish ushqyer mllefin e saj të padukshëm, si një numërim mbrapsht në shpërthimin e një mine. Edhe fjalët e saj, drejtuar askujt, erdhën të rralla në fillim, një tani e një pastaj, si pikat fillestare të rrebeshit, që me kalimin e kohës dendësohet për t’u bërë litar. Vetëtimthi Myfitit i shkoi ndër mend që ashtu llafazanër ishin të gjithë nga soi i saj. Kur ndonjë nga djemtë dërdëlliste shumë pa kryer punë, Myfiti i thosh “ke ngjarë andej”. Në fakt çdo gjë jo të mbarë djemtë e bënin ngaqë kishin ngjarë “andej”. Toidhjo! Bjemë një peshqir, i thirri rëndë të shoqes, duke shkundur duart e lagura përtokë. E shoqja erdhi tërë hundë e buzë, dhe duke i dhënë peshqirin mallkoi përsëri e vazhdoi me zërin që nuk i drejtohej askujt: “tani t’na i gjejë Shemsedini vezët”. Shemsedini ishte sekretari i organizatës bazë. Myfitit iu duk se kupa u mbush e u derdh. Me një goditje të prerë, një “mbrapsht”, me kurriz të dorës, e goditi të shoqen në fytyrë. Kish dorë të rëndë. Edhe kafshët që therte ngordhnin në vend nga goditja e tij. Nuk përpëliteshin. Jepnin shpirt aty për aty. Nuk kish nevojë as të ngulte thikën në tokë, siç ish zakoni, që t’u përshpejtonte kafshëve të therura daljen e... shpirtit. Goditja në fytyrën e gruas pati tjetër tingull nga ai i sqeparit në trung. Dang! Gjaku i saj spërkati truallin e oborrit fare pranë gjakut të pulave. Fëmijet vazhdonin të shikonin të nemitur. Bardhyli që ishte mbi Agronin, filloi të qante me të madhe. Friksi! Kish ngjarë “andej”. Toidhjo! Kur gruaja u fut brenda, ai pa me bisht të syrit gjakun e saj dhe vuri re që ishte më i çelët se ai i shpendëve. Procesi i oksidimit, përgjegjës për nuancën e të kuqes, kërkon kohën e vet. Me kohë do erreshin gjithë gjakrat dhe toka do i përpinte në mënyrë të mistershme, siç i bën gjërat vetem ajo. Ky ishte kurban i një diçkaje të madhe, mendoi. E shoqja nuk i kuptonte këto gjëra. Dava vezësh. Që mos u hëngshin! Po errej. Dha urdhër që fëmijët të futeshin brenda. Thirri të shoqen që u shfaq si meit. Merri këto, i tha, duke treguar me gisht trupat pa jetë të pulave. Merri dhe gatuaji! Nata ra shpejt. Një kazan i zi mbiu nga terri dhe uji në të po vlonte me një zhurmë si prej sere. E shoqja, gjithnjë dyll’ e verdhë në fytyrë, hodhi brenda trupat e pulave, të cilët pasi e ndërprenë për pak çaste zierjen ziftore te kazanit, u duk sikur e ringjallën edhe më të fortë llukllukun e vlimit. Nën zjarrin e shqopës ai ngjante si kazan shtrigani.
Myfiti ndezi nje cigare që iu duk shumë e hidhët.
Gjithçka ishte kaq e pavërtetë, si e marrë borxh nga një tjetër botë dhe një tjetër jetë. Ndërsa e shoqja kishte shkulur puplat e shpendëve që binin mbi tokë duke përthithur në rënie rregëtimat rastësore të hënës, atij iu duk sikur pa një borë që s’kish rënë kurrë. Një borë puplore si e përgjakur në sqetulla. Trupat e rrjepur të pulave ishin po ashtu si të ardhur nga tjetër botë. Gjymtyrët dhe qafat e cunguara - ëndrra të prera brutalisht prej zhurma çizmesh mbi kalldrëme të vjetër. Pak më tej hëna gjeti një të çarë mes degëve të kumbullës dhe hodhi një rreze të zbehtë si të penduar vonë mbi truallin e sheshuar prej territ. Piramida me kokat e prera reflektonte një dritë të padurueshme. Sytë e mbyllur prej kapakëve të vdekjes kanë shikimin më të rëndë. Edhe kur jane sy shpendësh. Qysh tani piramida kish filluar të kalbëzohej. Insektet e para, pararoja e bzzzz-eve të mëvonshëm mbi kalbëzimin dhe kutërbimin e pashmangshëm duhej të kishin mbrritur ndërkaq.

3 Komente

Edhe une kam nje histori me Ajuton dhe Hellpin . Jam i sqiur une !

Ishin te dy nen varesine e Hurit , i cili kara-akterizohej nga nje mendim i thelle analo-kritik dhe sidomos parashikues per te ardhmen e ndertimit te veprave njerezore. I mbledh te dy nje dite prej diteve dhe u thote :

Do tu coj ne nje pyll te mblidhni vrima ! Po t'ju dale arusha para cfare do te beni Ju ?

Do ta gjuajme me vrima - thane te dy ne nje goje .

U nisen ajutua me hellpin dhe mblidh e mblidh vrima sa qe u bene me shumice e nuk i mbanin dot . U kthyen ne baze tek mendjendrituri Hu dhe me shqetesim i thane se "nuk mund te mbledhim me".

Huri me nje nenqeshje te lehte i ftoi ta ndiqnin dhe pasi mori nje kamion shkuan tek vendi i shumevrimave dhe filloi mbledhjen nje nga nje . Ndihej krenar per misionin por ja dhe nje veshtiresi e paparashikuar . Nje vrime e Madhe . Shume e rende nuk ngrihej dot . Duhej afruar makina sa me prane . E beri kete veprim dhe pasi doli gjith krenari se me se fundi vrima s'kish se nga te shpetonte , u nis per ta marre . Por erresire ...kishte rene ne vrime ! Ne vrime po ziheshin fasule dhe aty pasi u rehatua nxorri kalemin dhe filloi te hidhte mendimet e tij kritike ne forme perallash po gjithsesi me individualitet te qarte prej HURI !

Edi mor xhan qe me njeh nga veglat ...si soi  Huri , te vetmin gjuhe njohjeje qe ke jane veglat . Per marshalla dhe ti s'je i Vogel se ndryshe do te thonin Hajdar.

Tani e kuptoj perse qahej ai miku im per te birin qe po i reshqiste ....

"Ta kisha bere nje cope Dru  do ngrohesha per gjith dimrin . Fati i keq e deshi te me dilte Hu i shtrember . As halene nuk pastron dot me te " " Hajde here pas here me pralla , pasi te hash fasule !

Emo te kerkoj ndjese por jo dhe shume se me kete rast jemi brenda temes duke me frymezuar per krijimtari fasuloresh .

Falem . Ritmi i zakonte ..tokmak...ndersa ideja e fundit me duket e huazuar nga filmi i "buke lepurushit " kur "kulaku " i jepte grure qeve ...." Hani , me mire Ju se Ata " Mundet edhe te perpunohet pak me letrarisht smiley .Shollohovi me plakun Shukar si shume aktiv eshte nje shembull mjaft domethenes. Kuptohet jo me si rryme e si shprehi ne raport me JU !Respekte !

 

Ziko, falemnderit!

Kjo eshte thjesht pjesa e pare. Do e perdor natyrisht limen qe thua. Edhe ndonje vegel tjeter me agresive ndoshta. Te kronike ne gur, IK ka nje shprehje: "militarizimi i kurvave", po qe se e mban mend. Keta qingjat qe u rriten fshehur neper bunkere, dhe qe u hengren gjithashtu fshehur, mbase do perftonin shprehjen "militarizimi i qingjave".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).