Qeveria e fortë si alibi

Qeveria e fortë si alibi

Andi Kananaj

Periudha pas zgjedhore është koha ideale për të riparë me sy kritik atë çka lidhet me mirëfunksionimin e shtetit. Duke përfituar nga kjo mundësi, mund të flasim (edhe me ndonjë dozë tymnaje të diktuar nga rrethanat) mbi rëndësinë që patën ndryshimet kushtetuese, duke përfshirë procesin e hartimit dhe dinamikat që shoqëruan krijimin e kodit të elektoral Berisha-Rama. A ishte kaq i domosdoshëm ky ndryshim që pritej të ndikonte drejtpërsëdrejti në jetën politike të vendit? Nëse ishte kaq i rëndësishëm cilat ishin arsyet e ideimit dhe hedhjes në zbatim në kohë rekord aq sa të përjashtoheshin përpikmërisht destinatarët e këtyre ndryshimeve duke anashkaluar njëkohësisht procesin e diskutimit dhe filtrimit të pikëpyetjeve të rastit?

Këmbëngulja e politikëbërësve për të prezantuar çdo katër vjet receta të reja elektorale të përfaqësimit në Kuvend, dëshmon qartësisht paqëndrueshmërinë e ideve që ata kanë për demokracinë. Situata aktuale pas zgjedhore ngre vetiu dyshime legjitime mbi dobinë e vënies së aparatit shtetëror tërësisht në funksion të lajtmotivit të fushatës elektorale 2009, “një Qeveri e fortë qeverisëse”!

Për më tepër, mbetet akoma e panjohur dhe për t’u vërtetuar formula kushtetuese e forcimit të Qeverisë kundrejt tkurrjes së institucionit arbitër të sistemit, Presidentit të Republikës. Zgjedhja e Presidentit sot për sot, i është besuar, në thelb, 71 votave të një mazhorance të thjeshtë parlamentare, duke e pagëzuar institucionin (teorikisht) neutral të Presidentit me petkun njëngjyrësh të përkatësisë partiake, larg kritereve kushtetuese për konsensus të gjerë të forcave politike në funksion të mbarëvajtjes së ekuilibrit të sistemit.

Në këtë mënyrë, kemi shkuar me hap të sigurt drejt anullimit të garancive që ish-funksioni i arbitrit të krizave institucionale i siguronte shtetit si aparat. Deri në 28 qershor, debati politik mbeti prerogativë e militantëve partiakë, të cilët, morën përsipër barrën e rëndë të shpjegimit të detajeve teknike po aq sa sipërfaqësore. Tashmë që bashkë me zgjedhjet u lanë në harresë edhe iluzionet e favoreve të bipartitizmit ashtu si shpresat për realizimin e një sistemi të kurdisur posaçërisht për orën e lumturisë së gjithëpritur qytetare, është rasti të rithirren në kujtesë parimet e funksionimit të një shoqërie në kushtet e demokracisë. E thënë ndryshe, ku sistemi politik përfaqëson asgjë më shumë se sa një mjet në funksion të qëllimeve të kësaj shoqërie.
Kodi elektoral u ndryshua, ndër të tjera, me pretendimin e uniformimit dykahësh të Kuvendit shqiptar. Përtej qëllimit tashmë transparent për pushtet të centralizuar të kryetarëve të dy kryepartive, PD dhe PS, opinioni publik u saturua (jo vetëm mediatikisht) më frikën aspak reale të nevojës për të forcuar Qeverinë e brishtë shqiptare. Sidoqoftë e kaluara jo e largët e përpjekjeve tona për instalim të demokracisë, ka dëshmuar pikërisht të kundërtën. Praktikat e pakta të dorëheqjeve të qeverive shqiptarë (tre praktika qeverish të kryesuara nga kryeministri Nano) nuk kanë pasur asnjë ndikim nga formulat e kodit elektoral.

Nevoja për pluralitet partiak në garën për qeverisje është i padiskutueshëm. Ndër arsyet primare të kësaj domosdoshmërie është fakti se partitë përfaqësojnë instrumenta demokratikë në dispozicion të qytetarëve që këta të fundit të mund të kontribuojnë në orientimin dhe përcaktimin e linjës politike të vendit. Liria e shprehjes, e drejta për t’u organizuar, e drejta për informim, janë premisa të panegociueshme të demokracisë po aq sa pluralizmi i mendimit, veprimit dhe përfaqësimit. Reduktimi i këtyre premisave dëshmon sistematikisht brishtësinë e sistemit përballë demagogjisë.

Indoktrinimi i ankthit abstrakt të mungesës së një Qeverie të fortë, jashtë çdo linje argumenti dhe transparence, i largon institucionet përgjegjëse nga funksioni primar i qeverisjes në shërbim të shtetasve. Fakt është që kodi elektoral u hartua në kushtet e errësirës informative dhe i tillë mbeti deri në ezaurimin e funksioneve të tij edhe për vetë ata që supozohej se duhej ta zbatonin atë. Ky largim i politikës nga qëllimi i ekzistencës së saj, krijon kushte vetëm për forcimin e pozitave personale të kryetarëve partiakë të cilët nuk po duan të kujtojnë detyrimin që i ngarkon me përgjegjësi për të shpjeguar dhe motivuar arsyet e ndërhyrjes në sistemin që na prek të gjithëve.

Paqartësia mbi korridoret e komunikimit mes sistemit elektoral, istitucioneve dhe funksionit të tyre social, ngre pikëpyetje mbi kushtet që po krijohen për aneksimin e sistemit politik-kushtetues të kërkuar me pasion në fillim të viteve ‘90.
...

Kushtetuta e Shqipërisë shprehet për të drejtën e qytetarëve që të organizohen lirisht në parti politike, që do të thotë se garantohet e drejta e çdo qytetari për të mos mbetur peng i votes së dhënë nën presionin elektoral një herë në 4 vjet. Duke u organizuar në parti politike, procesi i pjesëmarrjes zhvillohet në të gjitha fazat e tij, sipas një formati aktiv dhe të përhershëm në përcaktimin e kursit të jetës politike të vendit.

Duke përdorur logjikën e nevojës së Qeverisjes së fortë, partitë e mëdha realizuan me vullnet të plotë, nëpërmjet votimit “demokratik” në Kuvend dhe, në kundërshtim të hapur me frymën kushtetuese, nxjerrjen nga gara të të ngjashmëve të tyre më të vegjël. Që bipartitizmi të mund të interpretohet si pluralizëm, kërkon së paku përdorimin e zhdërvjellët në mos strikt të kategorive gjuhësore – letrare. Logjika ta do që uniformizimi në dy grupe të mëdha vështirë se arrin të garantojë çështje të artikuluara si ato që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, etninë, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike dhe sociale, apo përkatësia prindërore.
Shmangia e kategorive reale dhe e diferencave jo vetëm kulturore, nëpërmjet njehsimit social, zbeh atë që është thelbi i pluralizmit. Duke mos u përfaqësuar, grupet sociale humbasin mundësinë për të vijuar rezistencën ndaj unifikimit total. Partitë politike bëhen kësisoj zëdhënëse të transformimit social duke zhdukur qëllimisht diversitetin e grupeve. Ky transformim forcon idenë e domosdoshmërisë së partive sipas këtij formati vicioz, të cilat paraqiten të mëdha numerikisht, po aq sa të varfra në llojshmëri të përfaqësimit dhe të kërkesave.

Të përshtatur sipas këtij kallëpi të ri, anëtarët e partive bëhen pre e demagogjisë dhe forcës së liderave karizmatikë. Në zgjedhjet e kaluara pamë se si u ul sipari i Parlamentit demokratik ku lindnin dhe “vdisnin” qeveritë. Tani duke e humbur funksionin e përfaqësimit, partitë, të disiplinuara si formacione ushtarake, do të votojnë për Qeverinë e fortë. Do të votojnë sa herë të kenë mundësi. Me rënien e Qeverisë së fortë do të humbasë kuptimin Parlamenti që e bëri të dobët. Do të shkohet në zgjedhje sa për të larë duart me deputetë rebelë dhe për të rivendosur kushtet për qeverisje të qëndrueshme. Me kodin e ri është e mundur. Pozicioni në listë, autoriteti i padiskutueshëm i kryetarit të partisë, janë kushtet për të qënë në Parlament. Sistemi i ndërtuar për të patur një kryeministër të fortë na bën që të gjendemi para skenarit të diskutueshëm demokratik, të partive të udhëhequra nga Diktatorë të iluminuar, të vetmit të përfaqësuar realisht në Parlament.

Duke ndjekur dinamikën e zhvillimeve të vendit nga vitet ’90 e në vijim, duket se problemi, më shumë se sa në partitë e vogla, qëndron në mungesën e vizionit në procesin e krijimit të shtetit (të mbetur akoma në tentativë), arsye për të cilën fshihemi pas fustanit të një Qeverie të fortë, duke istaluar diktatura të cilat thjesht alternohen plot mirëkuptim në kohë zgjedhjesh.

(Ky shkrim do të publikohet në të përjavashmen GAZETA, numri i parë i së cilës del në treg të mërkurën, më 16 shtator)

1 Komente

E mora vesht  se gazeta del te merkuren, po ky ku ka dashte me dale me kete artikull , se mora vesht?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).