Pushteti i manipulimit

Presidenti ktheu mbrapsht kodin e konsensusit më të madh parlamentar; Ilir Meta ka ftuar për bisedime Edi Ramën; Edi Rama flet për ftesat e Metës, Berishës e kujtdo që mund t’i sigurojë pushtet zgjedhjet e ardhshme; Topi iku në Itali e Berluskoni erdhi në Shqipëri, hodhi shtatë, dhjetë apo shtatëdhjetë firma për ca gjoja investime që do ikin andej nga do vijnë; Karaburuni, Llogorja, Fieri, Durrësi e gjithë Shqipëri u vunë në ankand për një euro, që s’dolën as për të blerë viza në konsullatat dhe ambasadat italiane të numrave me 0900; Eulexi erdhi në Kosovë; Basha nuk ka vajtur akoma në prokurori; Topalli s’është dakord as publikisht me Topin për asgjë; në zgjedhjet e Komitetit Olimpik Shqiptar pati grusht të klasit të parë; Skënderbeu po ç’mitizohet që nga rrënjët; 8 Dhjetori solli Bajram e festa rinie bashkë; në revoltat e Greqisë për herë të parë nuk është i përfshirë ndonjë shqiptar; po dy të tillë u vranë në Shkodër “për motive të dobëta”; kryeministri del në ekran të paktën një herë në orë; kandidati për kryeministër nuk del aq shpesh, se akoma nuk e nxë ekrani; kandidati tjetër për kryeministër po shqyrton sondazhet që sapo kanë filluar për të treguar fituesit e mundshëm në zgjedhjet e ardhshme, dhe vëren se partisë së tij do t’i duhet dyfishi i votave për të fituar një deputet, në krahasim me partitë e tjera më të vockla, por aleate me më të mëdhatë.

Shumë i ngarkuar Dhjetori. Dhe akoma nuk ka shkuar në gjysmë të rrugës.

Ndër të gjitha tërheq vëmendjen loja me reklamat hipnotizuese për Shqipërinë që po ndryshon apo për Tiranën e gjelbër. Duket sikur konsensusi politik është më i gjerë sesa ai që duket për miratimin e Kodit Zgjedhor. Me kaq shumë informacion për një jetë të begatë, të lumtur, të ndriçuar, të paqtë, të sigurtë, të qetë e të gjelbër, nuk e kishim dëgjuar që nga koha kur besonim pa asnjë fije të vetme dyshimi se “Shqipëria ishte vendi më i lumtur në botë”. Manipulimi me publikun është shfaqur i njëjtë javët e fundit. Fjalët dhe shifrat e fryra depërtojnë në ekranin e çdo shtëpie duke indoktrinuar teza e iluzione abuzuese, që e fusin individin e familjen shqiptare edhe më thellë në terrin e dezinformimit.

Manipulimi dhe mungesa e transparencës janë dy nga çështjet më shqetësuese që kanë mbërthyer keq sot ekzistencën dhe natyrën e të mbijetuarit në politikën shqiptare.
Manipulimi nuk është asgjë tjetër veçse fryrja artificiale e së vërtetës; kurse mungesa e transparencës është e kundërta e saj, pra minimizimi deri në fshehje të ndërgjegjshme i të njëjtës të vërtetë.

A iu ka rënë rruga nga Shqipëria manipulimit dhe mungesës së transparencës këtë dhjetor? Duket se po, përderisa në njëri kah kemi reklama që rreken të na mbushin mendjen se Shqipëria po ndryshon aq sa as nuk jemi në gjendje ta njohim as vetë; e nga kahu tjetër, asnjë detaj nuk jepet për miliardat që u tha se do vijnë nga Agrigento (një ndër qytetet me potencial investues më të vogël në Sicili).

Sa Shqipëri ka sot? Se duket sikur udhëheqja e saj jeton në një Shqipëri ndryshe nga ajo e ftohta, pa drita, e papuna, e nëpërkëmbura mjedisisht, e abuzuara politikisht, e përbuzura europianisht.
Shqipëria në NATO, e Shqipëria pa ushtri. Shqipëria me mullinj ere e me Don Kishotë sicilianë. Shqipëria me kryeqytet të gjelbër e me beton bojë-bari. Me festë studentësh Dhjetori e kode të çuditshëm jo vetëm zgjedhorë. Shqipëri Bajramesh e Krishtlindjesh, këtë vit të dyja në Dhjetor.

Po ecën më mirë nga ç’mund ta kenë parashikuar orkestruesit e saj krijimi i imazhit të turbullt për Shqipërinë. Sa më gjatë të jetosh në të, aq më pak e kupton. E aq më shumë të lind dëshira të jesh në gjendje t’i bashkohesh shakave të kryeministrit për mos-pranimin e Edi Ramës në PD-në që ai krijoi akoma pa dalë nga PPSH-ja; të kesh guximin e ministrit për të mos i kushtuar vëmendje prokurorisë; të kesh bindjen e të majtëve se urtësia opozitare është virtyt e gatishmërinë e së djathtës për t’i besuar edhe vetë përrallat e saj.

Sa më shumë afron fundi i vitit kalendarik në këtë Dhjetor të mbushur me festa, aq më shumë të lindin edhe dyshimet për parajsën e vendit ku kriza financiare nuk ka trokitur, por bankave të huaja u bëhet thirrje të mos i refuzojnë kreditë; ku kompromiset tashmë janë masterizuar e masterat bëhen të gjitha me kompromis; ku rrugët kafshojnë sa një luan në buxhet e ku arsimi është kthyer në brejtës të papërfillshëm të tij; ku ka emisione, analiza e opinione në çdo ditë të javës e ku ke shansin më të mirë të manipulohesh pa e kuptuar aspak sa shumë dhe si.

Ka akoma edhe të tjera ditë Dhjetori. Kur të fillojë përmbledhja e arritjeve dhe listimi i sukseseve, do të jemi patjetër aq të bindur, sa mungesa e transparencës do na duket një andrallë e dalë mode. Njëlloj si dëshira për të mos e pasur vërdallë në këtë Dhjetor të mbingarkuar me manipulim.

5 Komente

Dhjetori, muaji kunder erozionit.

Muaji i pyllëzimit (me 20milionë ullinj?!)

Dhjetori ,muaji i 5000 lek-shit shtese qe u jipet pensionisteve ,dhurate nga qeveria!

Dhjetor 2008,

muaji i fundit i nje viti te nje gazetarie idiote

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).