Pse jo?

Pse jo?

Sokol Shameti

Po prostitucioni, armëmbajtja, tortura, aborti madje edhe eutanazia? Është e mrekullueshme se ç’mund të bëjë urgjenca për të gjetur justifikim për të pajustifikueshmen. Prej disa javësh, teksa opinioni publik në Shqipëri vlon nga debati i sikletshëm rreth proklamatës së kryeministrit Berisha për legalizimin e martesave gay, veprimtarë të pashërueshëm të së djathtës po mundohen ta përshtasin këtë thagmë të paparë për çdo formacion politik të pavijonit të tyre me ndonjë logjikë, boll që ajo të mos duket ashtu siç është, domethënë, pa pikë logjike.

Shtypi po njeh këto ditë përpjekje të lavdërueshme për të mbuluar diellin me shoshë dhe për të gjetur ndonjë arsye përse martesa e burrit me një burrë tjetër s’bie ndesh me vlerat e familjes, traditën, kanunin, librat e shenjtë, atdheun, folkun, tregun e egjër, ligjin e xhunglës, shtetin e dobët, individualizmin dhe secilin nga gjithë ato avantazhet që na sjell ne njerëzve të thjeshtë mendimi i djathtë. Ndërsa militantët i kanë dhënë karar si përherë duke mos i vënë asnjë pikëpyetje vendimit të prijësit, një gjetje gjeniale që mund të haset sot rëndom në tryezat ku kritikë të djathtë e të majtë nuk shmangen dot pa ndeshur brirët, është edhe përgjigja: pse jo? Pse jo nëse tregu e kërkon këtë? Pse jo nëse këtë e kërkon shoqëria e cila në axhendën e vet tërësisht të pavarur nga mefshtësia e shtetit të hyrë në ujë, e ka legalizuar me kohë e vakt dukurinë në fjalë? A nuk ka në Shqipëri tashmë me shumicë homoseksualë të deklaruar? A nuk bashkëjetojnë ata në shumë raste në formë çiftesh të cilat s’hasin më madje as çudinë e dikurshme ndër fqinjët e tyre? Pse të mos pranohet fakti i kryer dhe të legalizohen pra edhe ata, ashtu siç u bë edhe me ndërtimet pa leje në Bathore të cilat e sfiduan aq kokëfortësisht shtetin sa që në një moment u shndërruan në një realitet të paneglizhueshëm me të cilin shteti deshi s’deshi e më në fund “u martua”? Madje, pse jo, shtyhen më tej më të pashërueshmit e sindromës së neoliberalizmit, pse të mos legalizohet edhe hashashi sipas po këtij principi?

Dhe është ky tamam momenti kur duhet përsëritur edhe një herë pyetja me të cilën zë fill ky shkrim: po prostitucioni, armëmbajtja, tortura, aborti madje edhe eutanazia? Pse jo? Imagjinoni pak tani këtë skenar që është vënë në lëvizje me t’u kurdisur mekanizmi i logjikës së mësipërme. A nuk është edhe prostitucioni një realitet i paneglizhueshëm në Shqipëri? Pse të mos legalizohet edhe ai, në qoftë se hashashi, kultivimi dhe tregtimi i tij mund të luftohen duke u formalizuar brenda tregut? Pse të mos i hiqet policisë barra e rëndë e gjurmimit të kodoshëve dhe shtëpive publike ilegale në mënyrë që oficerët të merren me gjëra më të rëndësishme? Pse të mos hapen fronte pune për vashat me cilësi të posaçme, nga të cilat shteti do të mblidhte taksa dhe nga të cilat Shqipëria do të fitonte brenda vitit famën e parajsës së seksit duke u shndërruar në ndonjë lloj “tigri turistik të Adriatikut”? Po armët, pse jo? A nuk janë ato të përhapura mjaftueshëm në duart e kriminelëve për t’u quajtur të paneglizhueshme? Pse të mos ligjërohen tërësisht, në mënyrë që ato të kenë të drejtë t’i vringëlljnë pa problem edhe qytetarët e ndershëm të cilët hë për hë konsiderojnë si armë Policinë (e cila – duhet pranuar - jo përherë “shkrep” në shenjë)? Kur të gjithë supozohohet se kanë armë, a nuk e ruan frika e përgjithshme vreshtin e rendit publik? Pse të mos jetë një vend çapajevësh si Shqipëria, Miçigani i Europës? Ç’është ky dënimi absurd për armëmbajtje pa leje? Pse të merret policia me këtë stres të përditshëm dhe të mos fokusohet aty ku vërtet duhej ta shkrinte tërë talentin e vet: domethënë në menaxhimin e trafikut rrugor dhe në parandalimin e zjarreve? Po për torturën? A nuk të rreh policia sa i dhemb dora nëse i bie në dorë? Pse të mos e formalizojmë me një ligj tërë këtë mishmashin: jo ushtrim dhune- jopo shkelje të drejtash? Po aborti pastaj? Kur dihet se të gjithë e bëjnë, pse të mos njihet dhe financohet nga shteti? Pse çiftet e varfra t’i flakin fshehurazi foshnjet e padëshiruara në kazanë plehërash? Po eutanazia apo vrasja klinike? Pse të mos u jepet dorë e lirë doktorëve dhe farmacistëve të të ujdisin ndonjë hape lehtësuese për t’i dhënë lamtumirën jetës e për të ngritur patkonjtë pa pengesa në momentin më të parë që do kesh ndonjë dilemë a përshtypjen se kjo botë s’është për ty, se lekët për kredinë s’mjaftojnë, se punë s’ka, se gruaja s’të do, se fëmijët s’të njohin dhe se vizë për jashtë shtetit s’merr dot? A nuk shitet lirshëm këtu fostoksina për po të njëjtat arsye? A nuk i japin fund halleve shqiptarët pa shumë formalitete nëpër plevica në cep të litarëve apo nëpër skuta duke shkumëzuar nga efekti i barit të miut?

Ky skenar anarkie të përgjithshme që sigurisht nuk ekziston as në imagjinatën më të çartur të çdo të djathti me taban është arsyeja pse janë kaq të dëshpëruara dhe pa sens përpjekjet për të marrë në mbrojtje vrullin revolucionar të një kryeministri të djathtë që zë e legalizon martesa gay dhe që kërcënon “borgjezinë” me fushata ndëshkimore. Kjo orvatje për justifikim është devijanca nga ideologjia për llogari të militantizmit, për të pranuar qorrazi çdo direktivë partiake a më keq akoma çdo vullnet të supozuar të udhëheqësit që në dalldinë e vet gjatë kalërimit të lirë majë pushtetit s’e vret shumë mendjen për liberalizmin, Keynes-in, laissez fair-in e limitime të tjera teorike.

Kjo është gjithashtu përpjekja për t’i hedhur velin e një mendjelehtësie argëtuese, një të vërtete trishtuese. Martesat gay nuk janë gjë tjetër veçse një faturë. Ato nuk kanë lidhje me ndonjë krizë të papritur emancipimi të Shqipërisë a kryeministrit të saj. Ato nuk janë gjithashtu as ndonjë krismë në drejtim të kundërt për të larguar vëmendjen e opinionit prej andej nga me të vërtetë po ndodh diçka që meriton vigjilencë.

Paaftësia për të qeverisur me dinjitet dhe për ta merituar integrimin në NATO a BE, e bën pushtetin në këtë vend të jetë i gatshëm për çdo koncension sado turpërues qoftë ai. Kjo është arsyeja pse me këtë rast Greqia s’e ka të vështirë ta shtyjë kufirin e saj detar deri në brigjet shqiptare dhe të instalojë kryqe varresh në territore betejash inekzistente në zemër të vendit. Kjo është arsyeja pse kompani të lidhura me zona gri të pushtetit në SHBA, Turqi, Francë a Hollandë fitojnë si me magji tenderat kryesorë ku shpenzohen shumica e milionave të buxhetit të shqiptarëve. Kjo është edhe arsyeja përse Shqipëria jo vetëm i thotë “po” pa mëdyshje marrëveshjeve të ripaketimit të emigrantëve klandestinë, por teksa mijëra shqiptarë në Britani, Belgjikë e gjetkë në Europë autodeklarohen nga halli si gay për të fituar strehim, gjejeni se çfarë bën qeveria shqiptare? Legalizon martesat gay. Por fundja, pse jo? A nuk e kërkon këtë tregu europian i punës? Sikur Shqipëria tok me andrallat e saj befas të mos ekzistonte, atëherë Europa brenda natës do ta shpikte atë nga e para.

26 Komente

Ok, konteksti eshte pikerisht ky qe pershkruhet, qeveria pikerisht ajo. Ka vertet nje problem ketu dhe eshte shume mire qe adresohet.

Por qe te futesh ne te njejtin thes legalizimin e martesave mes homoselsualesh, abortin, legalizimin e prostitucionit, tortures dhe armembajtjes pa leje (dmth te mos kete nevoje per leje), kjo eshte te besh budallain. Te saksionosh lirite e njeriut nuk eshte njesoj si te sanksionosh dhunen, dhe barazimi qe u behet ketyre per hater te argumentit nuk i tolerohet nje mendjeje te shkathet. Kur problemi eshte evident dhe flagrant, nuk ka asfare nevoje per te shtuar e stolisur, per me teper me gjera te dyshimta.

Te thuash se ky ligj eshte turperues tregon edhe nje rryme te nendheshme te shkrimit, e cila nuk adresohet.

Kam pershtypjen se Tropizma & Blendi Salaj kane gabuar pak me shenjestren. S'lexova kund neper shkrim se ligji eshte turperues. Lexova ne te kundert, nje kritike ndaj logjikes sipas se ciles ketij ligji po kerkohet t'i jepet nje substrat neo-liberal i djathte. Dhe nese kjo logjike do te funksiononte, atehere pse te mos funksionoje po kjo logjike edhe per ceshtje te tjera kontroversiale per te cilat e djathta (ku ben pjese kryeministri) deklarohet zakonisht kunder? Ta lexosh shkrimin ne nje menyre kaq te percipte sa te dalesh ne konluzionin se qellimi i tij ishte diskreditimi i ligjit (qe ne fakt ishte propozim) per legalizimin e martesave gay, kjo eshte ne fakt te besh budallain.

Mbase ke te drejte ti Pa_Nick. Gjithesesi mua me duket se duke pyetur "Pse jo?" vetevetiu hiqet nje paralele midis legalizimit te ketyre martesave dhe prostitucionit, tortures, armebajtjes pa leje (kjo e fundit eshte fare absurde)...

Ndoshta une e kam lexuar "si syte e mi" por mendoj se mesazhi nuk eshte ndihmuar nga krahasimet qe jane bere, perkundrazi.

Ndoshta "Pse jo" ka qene ironike. Por tani qe po e shoh edhe une me syte e tu, po zbuloj se vertet s'eshte ndihmuar nga krahasimet (sidomos ajo e armembajtjes pa leje qe edhe mua me duket fare pa vend, por qe kushedi se cfare i ka shkrepur autorit ne koke ne ate moment). Por nejse.

shkrimi vjen nga nje blog qe e etiketon vetveten si "politikisht jokorrekt". Keshtu qe nuk ka nevoje te behen analiza te teperta per te zbuluar qe shkrimet jane politikisht jokorrekte, e deklarojme vete.

dhe shkrimi mua me duket se kerkon reflektim pak me teper mbi fenomenet qe shoqerojne miratimin apo diskutimin e ketyre "propozimeve ligjore".

Edhe sikur te propozohej dhenia e 1 milion dollareve per koke cdo qytetari shqiptar, serish ngelet per t'u kritikuar i njejti fenomen. Vendosja e ligjeve pa u pyetur njerezit te cilet do te preken nga keto ligje. Kjo eshte ajo cka do te thote autori, qe mungesa e diskutimit eshte shenje diktati. Dhe diktati, sipas meje te pakten, eshte i demshem si parim. Eshte i demshem diktati, dhe kur sherben per gjera te mira, dhe kur sherben per gjera te keqija. Madje diktati per vendosjen e nismave pozitive eshte negativ, pasi i meson njerezit qe ta pranojne si metode normale te ushtrimit te pushtetit - duke squllur dhe ate berthame rezistence ne karakteret e tyre...

mendoj une gjithsesi, pa u imponuar.

ka gjithmone nje ndryshim te rendesishem midis asaj qe do te thote autori dhe asaj qe thote autori. ketu lexohet cilesia e shkrimit.

aty ku racionalja shihet si shije dhe shija shitet si zgjedhje e menduar lulezon bishtberja.

Man is ready to die for an idea, provided that idea is not quite clear to him.

Qellimi i shkrimit eshte i mire, flet per mungese koherence dhe deshire per turbullim nga ana e qeverise. Por shkrimi vete, ne nxitimin qe ka per te argumentuar se ka te drejte, perzien gjera qe s'duhen perzjere (ne komentet me poshte kjo eshte shpjeguar mire), dhe ben komente anesore te rrezikshme. Ja ku e ke ne shkrim turpin e ligjit:

Paaftësia për të qeverisur me dinjitet dhe për ta merituar integrimin në NATO a BE, e bën pushtetin në këtë vend të jetë i gatshëm për çdo koncension sado turpërues qoftë ai.

Blendi, nuk mendoj se paralelizmi mes ceshtjeve behet vetvetiu prej titullit, ai eshte i shkruajtur qarte ne artikull.

"Paaftësia për të qeverisur me dinjitet dhe për ta merituar integrimin në NATO a BE, e bën pushtetin në këtë vend të jetë i gatshëm për çdo koncension sado turpërues qoftë ai."

 

"cdo koncesion" nuk do te thote domosdoshmerisht "kete ligj".

"cdo koncesion" perfaqeson po aq qartesisht turline e leshimeve ne mos nismave te materializuara nga kjo qeveri pergjate legjislatures se shkuar, te cilat pak ose aspak kane te bejne me perfaqesimin e nevojave te shoqerise shqiptare.

p.s edhe sikur te behej fjale vetem per kete ligj, eshte konteksti (dhe jo ideja, qe perndryshe, ligji do te permbushte liberalo-perendimisht), ai qe deformon cdo perpjekje mirekuptimi.

kol, si perhere, bravo.

Jam me tropizmen. S'me duket se argumenti ngjit duke i futur te gjitha ne nje thes.

Une nuk jam per martesat homo por jam per legalizimin e marijuanes.

Nuk jam per prostitucionin por jam per armembajtjen (me leje).

Nuk jam per torturen por jam per eutanazine.

Dua te them qe keto ceshtje jane komplekse, dhe te perbashket kane vetem kalsifikimin si "kontroverciale".

Perse duhet qe artikullshkruesi ta ktheje ne nje ceshtje politike? Une nuk jam me Berishen, por jam dakort me ligjin.

Besoj se kjo teme u ezaurua njeher ketu, apo do rihapet sa here kerkohet te mos kete debat te gjere ne teme tjeter, si psh ajo tema per varret e ushtareve grek ne shqiperi?

Padiskutim qe ke te drejte, Blendi dhe Llukani jane agjeente te asfalise, ndersa Penari eshte poliagjent i sherbimit kanadez dhe atij kinez. Publikimi i shkrimeve ketu ndjek nje linje okulte te ndikuar nga agjentura e huaj e ulur kembekryq te peshku

Padiskutim qe ke te drejte, Blendi dhe Llukani jane agjeente te asfalise, ndersa Penari eshte poliagjent i sherbimit kanadez dhe atij kinez. Publikimi i shkrimeve ketu ndjek nje linje okulte te ndikuar nga agjentura e huaj e ulur kembekryq te peshku

 

Jo per ato mund te kesh te drejte ti, se ti po i thua, une as nuk i thash, as nuk i mendova.

Ti ne fakt jeton ne Angli dhe nuk e shef Portokalline, po atje eshte nje tip, Qatip quhet, qe thote gjithmone "une s'thashe gje, ti the". 

Aman mo, ende eshte mister nga e nxorri Berisha ceshtjen e martesave gay... Eshte thene e sterthene 100 here qe cfare i kerkoi "shoqnia civile", ishte aprovimi i ligjit kundra-diskriminimit per minoritetet, ku hyjne dhe minoritetet seksuale... lejimi i martesave gay nuk mund te parashikohet me ligjin kundra diskriminimit por me nderhyrje ne Kodin e Familjes... Ka pasur interest politik per te ngaterruar/corientuar opinion publik por gjeneza nuk dihet... ta kete pasur per te fituar kredenciale jashte vendit e per ti treguar botes qe po ben dicka per te permiresuar situaten e te drejtave te njeriut? Apo thjeshte per te hequr vemendjen nga zgjedhjet dhe mos perfitimi nga liberalizimi i vizave?  

 

Qe nje hall eka patur Sala e ka patur qe ja plasi qeverise me ket lloj propozimi aq sa i habiti e i shkriu ministrat e vet ( pervec Lulit), diku ka per tdale kjo pune...po nderkohe me habit ne shkrim cilesimi disa here kryeministri i djathte a thua se po flitej per ndonje lloj politike apo ideje djathtiste, nejse mo...

sa per ata agjentet e poliagjentet, u knaqa pa mase, ngordh per i cik spiuna...

Me eshte dukur disi me i ekuilibruar nga gjithe te tjeret Shameti, por ne kete shkrim me duket shume idhnak dhe me mllef, jo me logjike te ftohte. Qe ai ligji i martesave gay, edhe atyre te PD-se u eshte dukur si rrufe ne qiell te kalter, kjo nuk diskutohet, dhe ne kete pike Shameti ka te drejte, qe ata e kaperdine, sepse keshtu ka thene "I madhi", por krahasimet me te tjerat nuk jane fort me vend.

Keto lloj krahasimesh mund t'i thote nje njeri i thjeshte, i revoltuar nga ky lloj ligji, i cili me duket absurd per vendin tone, sepse dhe ne u miratofte me ligj, opinioni ne Shqiperi eshte aq shkaterrimtar, sa mund te jene me kokrra ata gay qe do te rendin drejt marteses.

Ore, po shoqata e gay-ve ka reaguar ndaj ketij ligji, se me thene te drejten, une i kam shpall lufte gazetave dhe tv, pervecse ketyre qe lexoj ne PPU.

Po aborti a nuk eshte i ligjeruar? Kam pare plot reklama te klinikave gjinekologjike qe e reklamojne me te madhe.

Edhe une jam pro eutanazise, por kunder armembajtjes e te tjerave.

Me eshte dukur disi me i ekuilibruar nga gjithe te tjeret Shameti...

Te tjeret te falenderojne perzemersisht per konsideraten

Ideja se duhet lene e lire dicka qe nuk ka qene perpara masive por ka fryme liberale( martesa homoseksi, prostitucion tj.)dhe pastaj formuluar e aprovuar me tej me ligj, kerkojne nje analize paraprake.

Edhe fenomeni i zgjeruar (kanabis, armembajtje, etj.)dhe me pas dhenia me detyrim ligj-lejimi kerkon analizen se, a vjen si kondicion, dhe pse duhet.... e si duhet me pas.

Autori shkruan per te goditur nje vendim dhe i jep forme ekstreme zgjidhjes, duke vendosur hinken e madhe, ndersa e di mire qe uji me vajin nuk e kane tretjen ne gjendje te ftohte. Keshtu qe askush se tret kete shkrim.

Edhe mendimet kontroverse te Blendit  kerkojne zbatim/kontroll dhe duan tradite/mbeshtetje sociale.

Nese do te lejoje armmbajtjen, do te kerkohej nje zbatimi rrepte i mosperdorimit te tyre, ligje te pafundeme preventivuese te perdorimit, qe shkojne deri tek denimi i diskutueshem i denimit me vdekje. Shteti duhej te ishte mese i forte, sistemi gjyqesor i rrepte, dhe te kishte kontroll te plote te blerjes dhe ruajtjes. Duhet te kerkojme ndonje shtet te SHBA-ve tani?

Gjithashtu, edhe lejimi i prostitucionit kerkon nje kontroll te shumfishte te shtetit si dhe te organizmave te tjere sociale, per problematiken e tij te madhe te skllaverise se individit, respektit ndaj femres, perhapjes se semundjeve veneriane, kontrollit te zonave te caktuara te vendosjes,( jo si lojrat e fatit) etj etj. A e kemi?

Mariuana, do te ishte nen kontroll me konsumimin, ose do te shkohej drejt nje kontrolli te kultivimit, me masa te rrepta te nje denimi vertikal dhe horizontal, ku shteti nuk nxjerr me fshatare te veshur si police me kosa per te korrur ate, por individet jashte kontrollit pesonin denime qe do te shkonin deri ne ato 15- 20 vjecare dhe sekuestrime publike te pasurive te paluajteshme. A e bejme dot?

Ndersa eutanazia ketu nuk njihet akoma si problematike sociale, nuk eshte nevoja ta eksportojme prej vendeve qe jane te avancuara ne drejtim mbrojtjes sociale-familjare-fetare.

Le ta pjekim ate mishin bio edhe ca kohe ne hell, e mos te mendojme per qiqrat!

 

ate te armembajtjes pa leje e ka futur vete ai per te thyer monotonine e pergjigjeve.

Me fjaline "Është e mrekullueshme se ç’mund të bëjë urgjenca për të gjetur justifikim për të pajustifikueshmen" me ngjan se autori merr te mireqene se nisma per legalizimin e martesave gay iu imponua qeverise nga jashte.  Eshte e vertete qe kryeministri donte ta paraqiste te tille, eshte gjithmone e lehte si menyre justifijkimi ndaj qytetareve e ketu i jap te drejte Sokolit, por sic eshte fakt qe te gjitha vendet qe aspriojne per integrim ne BE qeverisen nga kushtet qe u vendosin strukturat europiane (EU conditionality), per adoptimin e ketij ligj nuk pati asnje lloj presioni nga jashte. Inicitiva ishte nga brenda (qeverise, e kryeministrit personalisht) debati publik mungonte, masa kritike nuk ishte aty... Shkrimi (me veshtiresi) synon te tregoje qe fenomeni i "legalizimit te martesave gay" mbart nje problem parimor ,qe ka te beje me rreziqet se sjellin imponimet legjislative pa diskutim dhe debat publik... (Sa per pjesen e faturave financiare, nuk di te kemi pasur nje ligj, strategji apo plan aksioni te shoqeruar me nje fature financiare te mirellogaritur).

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).