Protestuesit kanë të drejtë, Rama ende jo

Protestuesit kanë të drejtë, Rama ende jo

Arbër Zaimi

Situata e ditëve të fundit ka nxjerrë në pah edhe një herë konfliktet politike në Shqipëri, konflikte që brenda një kohe shumë të shkurtër janë projektuar në të gjitha nivelet shoqërore, duke filluar që nga "baza" me mitingjet e me komentet prej tifozësh në kafene e në forume virtuale, e deri tek "elita" e pushtetit që e përdor tribunën e Parlamentit si program paparacësh, duke lëshuar sharje e spekulime, ajo "elitë" e të dyja krahëve që e përdor median si tavolinë pingpongu për batutat e radhës.

Kjo situatë, e etiketuar prej disa opinionistëve e publicistëve si e pazakontë, e rrezikshme dhe destruktive, paraqitet rëndom si produkt i radikalizimit të Partisë Socialiste dhe liderit të saj Edi Rama, fjalët dhe qëndrimet e të cilit ndaj qeverisë dhe kryesisht ndaj vetë Berishës e familjes së tij janë ashpërsuar gjatë muajve të fundit.

Por a është radikal Rama - dhe bashkë me të Partia Socialiste - e nëse është radikal, mbi cilën vlerë a sistem vlerash bazohet ky qëndrim i tij politik? Koncepti i "Radikalizmit Politik" është një nga ato koncepte lehtësisht të keqkuptueshme për popkulturën që vazhdimisht përdoret si argument (shkarje logjike në fakt) nga ata që duan të sulmojnë, e s‘dinë si të sulmojnë. Radikalizimi Politik s‘është gjë tjetër veçse qëndrimi i shprehur për të ndryshuar rrënjësisht sistemin në një a më shumë dimensione të tij. Duke marrë parasysh dimensionin që kërkohet të ndryshohet dhe objektivin e ndryshimit, atëherë termit "Radikalizëm Politik" i shtohet edhe cilësuesi "i majtë", "i djathtë", "liberal", "reformist" etj. Duhet sqaruar menjëherë që radikalizmi nuk është e njëjta gjë me ekstremizmin politik, pasi ky i fundit ka për synim ndryshimin e shoqërisë dhe të sistemit në të gjitha dimensionet e saj. Mbi baza të këtij përkufizimi le të analizojmë "radikalizimin" e Edi Ramës dhe të gjithë situatës provokative që ndërtohet mbi të.

Gjithë sherri është ngritur mbi kutitë, mbi një dëshirë të shprehur për transparencë që lë të nënkuptohet dyshimin se brenda në kuti ekziston i fshehur një realitet tjetër, që nuk do ta lejonte Berishën të ruante pushtetin. Shkurt, krerët socialistë dyshojnë se janë vjedhur, dhe duan të kontrollojnë kutitë - tingëllon kërkesë më se legjitime. Mirëpo sistemi i demokracisë përfaqësuese shqiptare, në ndërtimin e të cilit ata kanë marrë pjesë aktive, tashmë e ka garantuar mundësinë e kontrollit dhe pjesëmarrjes në procesin zgjedhor, numërim dhe verifikim të votave të dy partive më të mëdha, që janë respektivisht demokratë e socialistë, madje garantohet dhe kontestimi në mënyrë institucionale (mënyrë që ende nuk është ezauruar nga politikanët socialistë që dëshmojnë mosbesim ndaj sistemit që ngritën vetë). Në të gjitha nivelet e këtij procesi kanë qenë prezentë përfaqësues të po këtyre socialistëve që sot nxisin popullin në protestë. Çfarë ka ndodhur, si ka mundësi që edhe pse kanë kontrolluar në detaj zgjedhjet me njerëzit e tyre, socialistët pretendojnë që janë vjedhur? Mos vallë - siç më tregon dhe një prej deputetëve rishtarë socialistë - vendosja në lista e kandidatëve që nuk njihnin as zonën as komisionerët, bëri që këta të fundit të dalin pakëz jashtë kontrolli, mos vallë strategjia e çuditshme e Ramës me listat po jep frutet e veta? Megjithatë kjo është një tjetër bisedë...

Supozojmë që zgjedhjet janë vjedhur, dhe që në kutitë e votave fshihet një tjetër rezultat (madje unë personalisht jam më se i sigurt që ka pasur vjedhje masive nga partitë e mëdha në kurriz të partive të vogla). Edi Rama dhe krerët e PS-së marrin si kalë beteje transparencën për të ruajtur legjitimitetin brenda partisë. Mund të thuhet që transparenca është një vlerë e një objektiv i vlefshëm për t‘u bërë radikal. E vërtetë është kjo, do të qe radikale paradigma që do të synonte transparencën e pakufizuar të çdo procesi politik, por do të duhej në radhë të parë konsistencë logjike në sjelljen e tyre politike, e në radhë të dytë strukturimi ideologjik popullor që vërtet paradigma të merrte formë radikale. Vetë Rama ka një histori jo shumë të mirë me transparencën, miku i tij i orëve të fundit, Spartak Ngjela, ka qenë ai që e ka akuzuar si manipulues të zgjedhjeve lokale, akuza të cilat ende nuk kanë gjetur ndonjë përgjigje transparente. Po ashtu, ende nuk kanë kaluar dy vjet nga momenti kur partive të vogla iu mohua prezenca në komisione elektorale (pra transparenca në sensin përfaqësues), me arrogancën e votave të PS e PD. Dhe më së fundi, ende nuk është i qartë (dhe transparent) gjithë procesi që përfundoi në ngadhënjimin e Edit mbi të urtin Maqo. Dukshëm, Edi Ramës i mungon konsistenca në vullnetin e tij politik për transparencë, dhe për këtë arsye, ai nuk mund të quhet atlet i transparencës, apo radikal në lidhje me këtë vlerë. Radikalizimi i Ramës është trendi i radhës, një radikalizim momental, një ashpërsim vitrinash i cili kryesisht përcillet nëpërmjet mediave në popull, duke krijuar një gjendje emocionale. Por qëndrimi i tij politik nuk premton ndonjë ndryshim, Rama dhe socialistët e tjerë janë konfuzë në atë që kërkojnë e në atë që synojnë, por gjithsesi theksojnë respektin e tyre ndaj "ndërkombëtarëve", ndaj "demokracisë", ndaj "integrimit" dhe klisheve të tjera që pak kanë të bëjnë me "radikalizimin e transparencës", përkundrazi dëshmojnë pajtim me aktualitetin të cilit duan t‘i ndërrojnë vetëm kokën. Nëse do t‘i shkonte një etiketë këtij qëndrimi politik, krerët socialistë do të quheshin "Radikalë Shik", sipas termit të krijuar në vitet 1970 nga Tom Wolfe, term që denoncon përqafimin sipërfaqësor të qëndrimit radikal vetëm e vetëm për të justifikuar komplekset dhe dëshirën për pushtet të një individi apo një grupi të vogël individësh. Radikalët Shik janë ata që e veshin rrobën e radikalit vetëm nëse kjo i ngjit personalisht një hap më lart në konjukturat e pushtetit, dhe e zhveshin menjëherë kur kjo i pengon. Pikërisht si qëndrimet e fundit të Edi Ramës, një radikalizim kopertinash, jokonsistent dhe pa paradigmë.

Dikush me të drejtë mund të pyesë, me ç‘të drejtë unë paragjykoj njëqind mijë protestuesit që ditë më parë mbushën bulevardin për të protestuar bashkë me Ramën. Në fakt nuk i paragjykoj aspak, jam i bindur që ata kanë të drejtë. Por le ta shqyrtojmë pak sjelljen dhe kërkesat e protestuesve. Nuk jam i sigurt nëse ata protestues do të dilnin në shesh nëse do t‘i kishin thirrur mikrokryetarët e mikropartive të pabosht që Rama i mban nën sqetull. Nuk mendoj se do të kishin dalë në shesh njëqind mijë njerëz për t‘u kërkuar ndihmë ndërkombëtarëve, apo për të shprehur respektin ndaj institucioneve demokratike e të tjera broçkulla pa kuptim. Nuk besoj se ata njëqind mijë njerëz ishin aty sepse, siç thotë Rama, kanë një dëshirë për të parë ç‘kanë brenda kutitë, dhe asnjë paragjykim tjetër. Jo! Ata njerëz e bënë të qartë se përse ndodheshin aty me brohorimat e tyre. Aty ndodheshin njëqind mijë njerëz që janë lodhur nga varfëria, nga kushtet ekonomike, sociale e urbane kudo që jetojnë, janë lodhur nga shfaqje makabre si ajo e Sali Berishës në podiumin e Kuvendit Popullor, janë lodhur nga presioni që vjen nga treshja mafia-biznes-politikë, janë lodhur nga premtimet për viza apo për parajsë diku andej në Europë. Ata njerëz kërkojnë ndryshim real, ndryshim të shprehur qartë të gjendjes së tyre jetësore, dhe ky ndryshim, bëhet mirë të kuptohet që nuk arrihet vetëm duke hequr Berishën. Po këta njerëz janë ngritur në mitingje po kaq të mëdha për të hequr Fatos Nanon (sërish me të drejtë), dhe zëvendësimi i tij me Berishën u pa se ç‘ndryshim solli. Të zëvendësosh tani Berishën me një tjetër politikan që për paradigmë të vetme ka egoizmin arrogant, dhe që nuk e njeh konsistencën politike, nuk do të qe veçse një përsëritje e filmit të mërzitshëm të tranzicionit. Voltaire në një moment thotë te Candide "...nëse nuk mund të ketë përmirësim, të paktën të ketë ndryshim!", por në këtë rast nuk po premtohet ndonjë ndryshim veç ndryshimit të fytyrave. Me një fjalë, natyrisht që njerëzit kanë të drejtë në kërkesat e tyre, dhe natyrisht që mënyra e qeverisjes dhe drejtimi politik i saj duhet të ndryshojë urgjentisht, por që ky ndryshim i shumëpritur të zërë vend real në zhvillimin shoqëror e politik të Shqipërisë, po aq urgjentisht duhet të ndryshojë vetë Edi Rama. Kryetari i PS-së duhet ta distancojë veten nga mediokriteti i liderëve të mikropartive, dhe të fillojë të faktorizojë figurat përfaqësuese të partisë së vet, që është më e madhja në vend (pa pasur frikë konkurrencën siç ka bërë deri më tani). Edi Rama duhet të zhvishet nga hipokrizia e marketingut politik që e ka shtyrë drejt qendrës, apo drejt liberalizmit ekonomik, duhet të largohet nga lobet e biznesmenëve që sponsorizojnë në mënyrë të padiskriminuar çdo parti, duke garantuar korrupsionin e mëvonshëm. Ai duhet të shprehë ato çka një lider i majtë duhet t‘i shprehë një populli të varfër, të premtojë mirëqenie, ngushtim të hendekut midis shoqërisë dhe individit, ngushtim të hendekut mes manjatëve të pasur dhe varfanjakëve të pastrehë, një ekonomi më të balancuar mes sferës private dhe asaj publike, dhe objektiva të qarta zhvillimi, ndryshe nga këto që premton Berisha. Kështu do të meritonte të quhej një lider radikal, dhe vetëm në këtë mënyrë, pa pasur nevojë për revolucion e për përmbysje si në ‘97, Rama do të bënte një shërbim për zhvillimin e vendit e për politikën që më në fund do të futej në termat e diskutimit të alternativave, e jo të fytyrave.

2 Komente

E shef qe s'ta pat ezauruar idene Kajsiu? Shume me dakord jam me kete lloj arsyetimi se sa me soritet e Kajsiut. Ky eshte shqetesim perfaqesimi, ajo ishte kafshate aq e madhe sa qe s'kaperdihej. Ky eshte argument, ai ishte gjest.

Tashti eshte edhe kjo tjetra, per te cilen nuk jam i bindur plotesisht. Hic, po hic fare, nuk kishin dale aty ata njerez per transparencen e institucioneve dhe proceseve demokratike dhe per te tjera "brockulla pa kuptim" si keto? Nese ata njerez kane dale per te kerkuar nje ndryshim real, mireqenie me te larte, viza, etj, dhe ne qofte se ky ndryshim real nuk arrihet duke hequr Berishen, duke nderruar fytyrat dhe duke nderruar maskat, atehere si arrihet ky ndryshim real? Transparenca e institucioneve dhe proceseve demokratike, hic, po hic fare, nuk eshte rruge qe te con drejt ketij ndryshimi real? Vetem transparenca e proceseve ideologjike ne institucione demokratike si partite qe do votojme ka rendesi? Fakti qe standardet e larta te mireqenies jane te shoqeruara pothuajse kudo me transparencen e proceseve dhe institucioneve demokratike, thua te jete aq kontigjent sa kerkesen per kete transparence t'a konsiderojme brockull pa kuptim? Nuk e di.

Per mendimin tim protestuesit kane te drejte ne rradhe te pare se bashku per kerkesen per transparence, dhe ne rradhe te dyte secili per mireqenien dhe vizen e vet. Kjo sepse mireqenia eshte dhe do jete gjithmone relative, nderkohe qe transparenca e institucioneve demokratike nuk eshte brockull, por mjet absolutisht i nevojshem per te arritur kete mireqenie.

Transparenca, ne kushtet e ambientit te sotem informativ e propagandistik eshte thuajse gjithnje e cenuar dhe e inflacionuar. Pastaj eshte disi e guximshme t'i kerkosh hajdutit transparence, nese Berisha ka vjedhur nuk ka kuptim t'i kerkosh hapje kutish. Plus qe institucionalisht Rama ka menyra te tjera per te kerkuar transparencen, nga parlamenti. Po keto jane muhabete te tjera, njerezit te siguroj qe ne perqindje derrmuese kane dale prej varferise, papunesise, pakenaqesise, se barku, mireqenia, dinjiteti vijne perpara ne listen e prioriteteve, pastaj vjen deshira per te ditur...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).