Porta e pakalueshme për në “Parajsë”

Porta e pakalueshme për në “Parajsë”
Ardi Stefa
E shtunë. Është ora 03.30 e mëngjesit. Mbi 500 vetë në një radhë rreth 300 metra të gjatë. Zbrita Khalidin nga makina dhe u nisa të gjeja vend të parkoja. Ndërkohë me dhjetëra të tjerë vinin të zinin radhën për të depozituar dokumentat në Drejtorinë e Të Huajve (Alodapon, siç jemi mësuar t’i themi) në rrugën Petru Ralli.
Koha e keqe; shiu sa vjen e shtohet dhe lagështira të shpon kockat. Me dhjetëra të tjerë në grupe katër apo pesë vetë vijnë vazhdimisht, me këmbë, me biçikleta, motorra...
Me xhupe të mbërthyera deri në grykë, me shalle apo kapele mbi sy, me çadra të prishura nga era e fortë...
Deri në orët e para të së shtunës, kur hapet dera e “Allodhapon”, numri i tyre sëhtë rritur jashtëzakonisht shumë.
Janë emigrantë aziatikë, afrikanë, apo nga vendet arabe, që kërkojnë një mundësi për të hyrë të ligjshëm në “Parajsë”.
Shumë prej tyre qëndrojnë në radh. Me dhjetëra të tjerë qëndrojnë në rrugën përballë, në trotuaret e Salaminias. Drejtoria e Policisë së të Huajve në Petru Ralli, është i vetmi vend kur klandestinët mund të bëjnë kërkesa për të marrë strehim politik.
Nga 500 vetë vetëm 100-150 vetë do të mund të marrin numrin për takimin me burokracinë.
Të tjerëve do u duhet të vijnë përsëri e përsëri, derisa të kenë fatin e mbyljes së një takimi.
Por mbas këtij takimi, çfarë? Në tetë muajt e parë të vitit 2008, përqindja e kerkesave të miratuara për strehim politik ishte 0.03%!
Nuk është vetëm mundimi dhe pritja e pafundme e emigrantëve. Në rrugën Salaminias, atje ku grumbullohen në pritje klandestinët azistikë e afrikanë (homogjenët nga Shqipëria, janë disi më të privilegjuar), në muajin tetor dy persona humbën jetën. Mbi 15 janë plagosur, nga të cilët njëri kurohet në gjendje kome. Rrahjet dhe goditjet e policëve janë fenomen i zakonshëm.
“Nuk kuptojnë asgjë çfarë u themi”,- pretendojnë policët.
Hajde përgënjeshtroi. Emigrantët po mundohen. Kujt i prishet punë? Përsëri do të vijnë të kërkojnë njëtakim për të hyrë në polici dhe të depozitojnë kërkesën për strehim politik.
Ata që do të jenë me fat do të marrin një vulë të vlefshme për tre ose gjashtë muaj, derisa kërkesa e tyre të mos miratohet.
Por përsëri emigrantët aziatikë dhe afrikanë, që nuk e dinë gjuhën, do të vijnë të paraqesin kërkesën e tyre që u është hedhur poshtë dhe që i detyron të largohen nga Greqia brenda dy muajve.
Për fat të keq nuk e dinë gjuhën...
Përsëri do të rrihen e do të ndiqen nga policët, në përpjekjen e tyre për të shqyer portën e “parajsës greke”!...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).