Politikë për qytetarët apo politikë për pushtetarët?

Politikë për qytetarët apo politikë për pushtetarët?

Ermira Danaj

Debati mbi zgjedhjet e shkuara të 28 qershorit vazhdon të mbizotërojë skenën politike dhe qytetare në Shqipëri. Opozita kërkon përgjigje për kërkesat e saj dhe deri sa këto të mos plotësohen do bojkotojë gjithcka, pozita bën ndonjë deklaratë sa për të thënë dhe vazhdon të merret me programin e saj e pashqetësuar fare për veprimet që bën, sepse dhe në parlament vazhdon të jetë e vetme. Në morinë e lajmeve të tjera në dukje dytësore, po shumë më të rëndësishme se sa ato që serviren si të tilla, më bëri përshtypje lajmi për ndryshimin tek taksat e pushtetit vendor. Duke qenë një ndër shumë e shumë lajme të tjera, nuk i kushtova dhe aq shumë rëndësi derisa rasti e solli të flisja me një përfaqësues të pushtetit vendor i cili më shpjegoi se si do të uleshin të ardhurat për pushtetin vendor pas masave të fundit që ka propozuar qeveria. Në rradhë të parë propozimi për të ulur pragun e ndarjes midis biznesit të madhe dhe të vogël, është një masë që godet direkt pushtetin vendor, sepse taksat e biznesit të vogël janë një ndër burimet kryesore të të ardhurave për pushtetin vendor. Gjithashtu e ka zvogëluar në 10% taksën që duhet ti paguajnë bizneset pushtetit vendor. Masa tjetër që ka propozuar qeveria është ulja e përqindjes që i shkon pushtetit vendor nga taksa e legalizimeve (për infrastrukturën). Në vend të 2% që merrte pushteti vendor nga kjo taksë, tani e tutje propozohet të marrë vetëm 0.5%. Përsëri pra ka një ulje të të ardhurave të bashkisë, që do të ndikojë direkt në investimet që pushteti vendor bën në njësinë vendore përkatëse. Ndërkohë, qeveria thotë se nuk po i zvogëlon aspak të ardhurat e pushtetit vendor sepse bashkitë mund të aplikojnë për grante në një fond të vecantë për infrastrukturën të centralizuar. Kjo do të thotë që shumë bashki mund të aplikojnë me projekte infrastrukturore në fondin e sipërpërmendur, i cili ngrihet nga të ardhurat e të gjitha bashkive, por vetëm disa mund të fitojnë projekte, ndërsa disa të tjerë jo. Nëse japim pra një shembull fare të thjeshtë, mund të ndodhë që me të ardhurat e Bashkisë Pogradec do të financohen projektet infrastrukturore të Bashkisë Sarandë, apo me të ardhurat e bashkisë Kukës ato të Bashkisë Lezhë. Nëse do të qëndronim vetëm në një nivel teorik të kësaj skeme, ndoshta nuk do kishte asgjë të keqe nëse projektet do ti fitonte bashkia që kishte vërtet projektin më të mirë. Por, këtu bëhet fjalë për situatë reale në një vend që sapo doli nga një palë zgjedhje te kontestuara, dhe përgatitet për një palë zgjedhje lokale në më pak se një vit e gjysëm. Ndërsa përfaqësuesi i pushtetit vendor më shpjegonte këtë skemë të re në lidhje me të ardhurat e bashkive, kuptova një gjë, që fushata elektorale për zgjedhjet lokale paska filluar tashmë. Qeveria ka filluar tashmë përgatitjen për këto zgjedhje, pikërisht duke zvogëluar të ardhurat e bashkive, me qëllimin e qartë goditjen e bashkive të mëdha shumica dërrmuese e të cilave drejtohen nga përfaqësuesit socialistë. E gjithë kjo skemë nuk ka të bëjë fare me qëllimin e menaxhimit më të mirë të të ardhurave, por është vetëm një lëvizje e llogaritur e kryeministrit Berisha, i cili mesa duket ka filluar që tani të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Zvogëlimi i të ardhurave të bashkive do të ndjehet më shumë vitin e ardhshëm, i cili është një vit paraelektoral, dhe gjatë të cilit, bashkitë nuk do të mund të bëjnë shumë investime (përfshirë edhe investimet elektorale). Dhe do të jenë pikërisht bashkitë socialiste që do të vuajnë më shumë nga ky zvogëlim i buxhetit, përsa kohë granti i projekteve infrastrukturore varet nga qeveria dhe ajo mund tia japë kujt bashkie të dojë. Pra, kemi një situatë ku në vend të zhvillimit të politikave për qytetarin, ajo që duket se ka prioritet është politika për pushtetarin, për fitimin e zgjedhjeve lokale. Nga një anë flasim për decentralizim, dhe nga ana tjetër e shkëpusim gjithnjë e më shumë qeverisjen vendore nga mundësia për të zhvilluar politikat dhë shërbimet për qytetarët e tyre. Dhe gjithnjë qëllimi i vetëm është ardhja në pushtet. Të gjitha gjoja propozimet për politika mbështetëse për qytetarin nga ana e qeverisë Berisha nuk janë vecse mashtrime dhe një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga ajo që ndodh në të vërtetë në Shqipëri, që nuk ka aspak në fokus interesat e qytetarëve por interesat e pushtetarëve. Përkrah synimit qartësisht elektoral të kësaj lëvizjeje të qeverisë Berisha, ajo që më shqetësoi, ndoshta më shumë, ishte “heshtja” e opozitës rreth kësaj cështjeje. Po e vendos në thonjëza fjalën heshtje sepse dua ta sqaroj pak më shumë. Është e vërtetë që kryetarët e bashkive socialiste kanë protestuar për këtë cështje, por lajmi 30 sekondësh që jepet në një edicion lajmesh nuk ka mundur ta sqarojë dot se për cfarë bëhet fjalë, e jo më të ngrerë opinionin publik në këmbë. Përvec kësaj, opozita sot përbën lajm vetëm sepse bojkoton zgjedhjet, sepse i bën mbledhjet me dyer të mbyllura, dhe sepse vazhdon të merret ekskluzivisht vetëm me zgjedhjet e 28 qershorit. Berisha ka filluar lëvizjet e forta përgatitore për zgjedhjet lokale të 2011, ndërsa Rama vazhdon të fokusohet vetëm te zgjedhjet e 28 qershorit. Nga njëra anë kemi politikanin që mendon se si me cdo mënyrë të fitojë një palë zgjedhje, ndërsa nga ana tjetër kemi politikanin që nuk do absolutisht të quhet humbës i një palë zgjedhjeve dhe për këtë arsye nuk po bën atë që duhet të bëjë opozita duke i hequr Partisë Socialiste edhe një nga pikat më të forta të saj, opozitarizmin. Sot, Partia Socialiste do të duhej ta kishte ngritur në këmbë opinionin publik për atë që në fund të fundit ka të bëjë direkt me interesin e qytetarëve, reduktimin e buxhetit të qeverisjes vendore. Partia Socialiste, e cila gjatë zgjedhjeve arrinte të organizonte emisione të posacme televizive për të promovuar përfaqësuesit e saj, nuk mundet që sot të mos arrijë dot të ndërgjegjësojë opinionin publik për cështje që kanë të bëjnë direkt me të. Në fund të fundit ky është misioni i opozitës, ti bëjë të njohur, ti “hapë sytë” opinionit publik për cëshjte të cilat në sipërfaqe duken si “të pafajshme” dhe bashkë me këtë opinion të bëjë opozitën. Ndërsa opozita sot në vend që të tërheqë vëmendjen e qytetarëve rreth cështjeve madhore, vazhdon të mbetet cështja në gojë të qytetarëve. Ndërgjegjësimi dhe ngritja e opinionit qytetar nuk mund të bëhet vetëm nëpërmjet konferencave për shtyp të cilat sado të mira që mund të jenë shkojnë tek qytetari vetëm nëpërmjet 30 sekondave (në më të mirën e rasteve). A nuk do të mundej dot Partia Socialiste apo partitë aleate të saj që të bënin një fushatë denoncuese të kësaj që po ndodh me pushtetin vendor? Absolutisht që po, por mesa duket kjo cështje nuk është bërë akoma prioritet i Partisë Socialiste, e cila ndërkohë fut në axhendën e saj politike cështjen e Mediut dhe të Bashës, cështje më të cilat dështoi plotësisht para zgjedhjeve të 28 qershorit sikundër dështoi edhe me cështjen e Gërdecit. Në vend që të merret me shqetësimet e qytetarëve, ti bëjë ato prioritet të punës së saj, të ngrerë dhe të bashkohet me opinion qytetar në mbrojtje të interesave të tyre, opozita vazhdon me disa pseudoprotesta, vetëm e vetëm për të mospranuar humbjen në 28 qershor. Duket sikur udhëheqjet e dy partive më të mëdha i bashkon mbrojtja e interesit të tyre vetjak dhe e pushtetit, dhe aspak interesi i qytetarit. Ndërkaq listat në dyqane shtohen, kopshtet dhe cerdhet vjetërohen dhe nuk ka fonde për të ndërtuar të reja. Ndërkaq varfëria reale shtohet, ndërsa varfëria zyrtare zvogëlohet. Ndërkaq qytetari humbet përditë e më tepër shpresën sepse as feja dhe as politika nuk synojnë ta mbajnë gjallë një gjë të tillë. Akoma tek ne, feja synon jo besimin por thjesht ritet, ndërsa politika synon vetëm pushtetarin dhe jo qytetarin. Në Shqipëri hendeku midis politikanit dhe qytetarit sa vjen e po thellohet. Politikanit i duhet vetëm sistemi dhe mekanizmi se si të vijë në pushtet. Ndërsa qytetarit i duhet sistemi që rrit mirëqenien e tij materiale dhe shpirtërore.

3 Komente

Mos valle kjo levizje per 'ekonomi tregu' ne politike, qe premton konkurence te se lire mes njesive vendore por duket te jete subvencionim perzgjedhes me qellime zgjedhore, eshte nje levizje 'e majte' nga qeveria Berisha? Ky spekullim i imi bazohet mbi hamendesimin qe njesite vendore te drejtuara nga opozita jane me mire ekonomikisht, qe te varfrit votojne akoma 'djathtas'.

Shaka. Bravo Mira qe ngre ceshtje te tilla praktike dhe largpamese, sepse na mbyti filozofia e madhe dhe 28 qershori 2009.

Po qe ta mbyll ne anekdote, meqe ma kujtoi Mira me kopshtet dhe cerdhet ne juridiksion te njesive vendore, eshte nje cerdhe ne laprake e gerryer nga myku (gati sa nuk e mbylli kontrolli i higjenes), qe jo vetem fonde nuk merr nga asnje lloj niveli qeverises, por i eshte zaptuar gjysma e godines nga njesia bashkiake.

Bashkia e Tiranes keto 9 vite ka patur dhe vazhdon te kete buxhet marramendes. Sic tregojne edhe te dhenat historike, investimet e bera jane shume te ulta ne raport me buxhetin.

Bashkia e Tiranes i ka zhvatur bizneset e vogla dhe qytetaret e tiranes duke shpikur lloj-lloj detyrimesh dhe besoj se qytetaret e Tiranes do ishin shume te kenaqur qe kjo zhvatje te minimizohej.

Vihet re nje paralizim i punes ne qytetin e Tiranes, me kryetarin qe mungon per 4 vjet ne zyren e tij.

Ndërsa përfaqësuesi i pushtetit vendor më shpjegonte këtë skemë të re në lidhje me të ardhurat e bashkive, kuptova një gjë, që fushata elektorale për zgjedhjet lokale paska filluar tashmë.

Eh moj vajze, ai vend eshte gjithmone ne fushate... Kjo puna e te ardhurave vendore dhe "granteve per te cilat mund te aplikosh" (bej cudi kush do te jete kriteri xhanem ????) bie shume ere dhe eshte nje gje per te cilen qytetaret duhet te shqetesohen seriozisht.

lase, ke qeru ndonjerin keto kohet e fundit? smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).