Politikë në zinxhirë dhe me zinxhirë

Politikë  në zinxhirë dhe me zinxhirë 

Ermira Danaj 

Në Shqipëri nuk mund të jesh i sëmurë, më saktë nuk duhet të jesh i sëmurë. Një djalë që vuan nga një sëmundje mendore jeton prej shumë vitesh i lidhur me zinxhirë. Lajm sensacional në media, kush e kush ta japë i pari. Ndodhkan këto gjëra edhe në Shqipëri, kaq afër nesh!!! Ne kishim parë vetëm rastet e tmerrshme të Austrisë ku babai kish dhunuar vajzën e tij duke e mbajtur edhe të mbyllur për shumë e shumë vite. Por, pas dy ditësh del dhe një rast tjetër, tashmë i dy motrave të cilat gjithashtu vuajnë nga sëmundje mendore, të cilat gjithashtu kanë jetuar të lidhura me zinxhirë në familjet e tyre. Dhe gazetat folën edhe për një rast tjetër, dhe jam e sigurt se të tjera raste mund të ketë. Shumëkush hidhet të thotë i pari “Cfarë familjesh përbindëshe,” etj. Është gjëja më e lehtë për tu thënë, është shumë e thjeshtë të fajësojmë atë që duket sikur ka faj, babain, nënën, familjen. Madje ndonjë forcë politike e përdor edhe për të atakuar qeverinë, kushedi se mos përfiton politikisht nga kjo. Ndërkohë që këto 19 vjet në Shqipëri vetëm dy forca politike e kanë qeverisur vendin, dhe kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla që kanë të bëjnë me funksionimin e themeltë të shtetit, asnjëra nuk është “e larë”, sepse ky shtet i sotëm është produkt i këtyre dy forcave. 

Në fakt edhe ne, opinioni publik, që bëmë sikur u cuditëm në  ngjarjen e parë, pasi kaluan ca ditë dhe pasi dolën dhe ca raste të tjera, u kthyem prapë në ambjentin tonë mikrosocial. Edhe ne, opinioni publik,në fakt këto raste i kemi ditur dhe më parë. Ndoshta nuk kemi ditur se në filan fshat është filan djalë i lidhur me zinxhirë (gjë të cilën e kanë ditur banorët e fshatit), ose që në filan fshat tjetër janë dy motra (gjë të cilën gjithashtu e kanë ditur banorët e atij fshati), ose që në një fshat në Lushnjë është një djalë shumë agresiv që ka nevojë për kurim nga shteti (ky i fundit fundit duket togfjalëshi me qesharak në ditët e sotme), por ndërkohë vazhdon të bëjë dëme në komunitetin ku jeton. Shumëkush nga ne këto raste specifike i ka mësuar nga media. Por, ne e kemi ditur shumë mirë që në Shqipëri sëmundjet mendore janë konsideruar dhe konsiderohen turp për familjen dhe shoqërinë, dhe mundësisht duhen mbajtur të fshehura, brenda familjes ose komunitetit të ngushtë. Ne e kemi ditur shumë mirë që në Shqipëri nuk ka vend për të sëmurë, nëse je i sëmurë, këtu nuk ke shpëtim, sepse këtu duket sikur mund të jetojnë vetëm ata që janë të shëndoshë dhe të aftë për të mbijetuar. Sa herë e dëgjojmë në shprehjen “mos të zëntë halli” (dhe kjo i referohet cdo lloj halli)? Sepse këtu po të zuri halli, vështirë se ke shpëtim. Ne, opinioni publik e dimë shumë mirë se shteti jonë e ka ditur dhe e di shumë mirë se disa qytetarë të tij, pikërisht ata më të dobtit, ata të cilët kanë më shumë nevojë për të, kanë jetuar me vite të tëra me zinxhirë, por nga ana tjetër, përsa kohë me to merret familja (në mënyrën e vet, mes halleve dhe mjerimit) gjithcka është ok. Përsa kohë nuk flitet për ta prapë gjithcka është ok. Madje edhe pse u përmendën disa raste, pasi kaluan pak ditë, prapë nuk po flitet më për ta. Nuk flitet më për ta sepse përfaqësuesit e qytetarëve shqiptarë (me një fjalë përfaqësuesit tanë) me sa duket kanë cështje shumë më të mëdha se sa fati dhe mirëqenia jonë. Një ndër këto halle është përmbajtja e kutive të votimit të 28 qershorit. Duket sikur sot e gjithë jeta jonë në Shqipëri po rrotullohet rreth këtyre kutive, dhe cdo gjë tjetër është e eklipsuar. Dhe kur them cdo gjë tjetër e kam fjalën për shtrenjtësinë e jetës, për kushtet në shkolla, për varfërinë e tejskajshme, për kushtet në spitale, (e s’po flas për ato psikiatrike sepse dikush e quajti një ndër spitalet psikiatrike në Shqipëri “më keq se Aushvici!!), për dhunën ndaj fëmijëve dhe grave, për fëmijët që shesin mu nën hundën e pushtetarëve shqiptarë të cilët kanë firmosur konventa kundër punës të të miturve, etj etj. Por të gjitha këto duket sikur janë pjesë e normalitetit në Shqipëri, dhe jo pjesë e prioritetit. E kur vjen puna tek përfaqësuesit tanë politikë, një pjesë nuk i prek sepse është në pushtet dhe mirëqenia jonë nuk hyn tek prioritetet, tek të cilat ndërkohë hyjnë plotësimet e shumë letrave, kontrolli i kufijve, pashaportat biometrike (por jo buka e gojës), përfaqësimi i denjë në Nato (por jo qytetarët e sëmurë fizikisht dhe mendërisht), etj etj. Ndërsa pjesa tjetër, opozita politike, ia arriti më në fund që tashmë të identifikohet vetëm me ca kuti, duke e minimizuar rolin e saj përfaqësues deri në zero, duke harruar se dhe ajo ka ca prioritete dhe këto prioritete janë interesat e qytetarëve. Ajo që ndodh sot në Shqipëri është që pala në pushtet punon shumë e qetë në drejtim të disa objektivave (fushatë elektorale për zgjedhjet lokale duke ndërtuar rrugë, plasje të ndonjë skandali të vogël me të cilin të merret opozita për ca muaj, përmbushje e interesave vetjakë, përmbushje e ndonje iniciative sociale sa për të arnuar ndonjë pjesë të vogël të shtetit tonë minimalist, premtime për rritje rrogash që shoqërohen me rritje cmimesh, e kështu me rradhë). Ndërsa pala në opozitë në vend që të veprojë sipas platformës së vet ideore e cila ka në qendër mirëqenien dhe fatin e qytetarit shqiptar, vazhdon të merret vetëm dhe vetëm ekskluzivisht me persona të përvecëm të palës në pushtet, me ngjarje të vecuara, dhe aspak me atë që ne të gjithëve na intereson, funksionimin e institucioneve të shtetit shqiptar. E vetmja gjë që po bën opozita sot është të inflacionojë problemet, duke i kthyer vetëm në sulme ndaj qeverisë, duke u përpjekur të gjejë ndonjë problem brenda problemit, a thua se nuk është e gjithë jeta jonë pasyrë e asaj që nuk funksionon në Shqipëri. Arritën deri aty sa dhe rastet e mësipërme të qytetarëve shqiptarë të lidhur me zinxhirë ti trajtojnë si diskriminim ndaj grave dhe vajzave. Jo, jo. Këto janë raste diskriminimi  ndaj të gjithë ne, qytetarëve shqiptarë, burra dhe gra. Dhe jo diskriminim nga familja respektive e cila është detyruar ti mbajë të lidhur me zinxhirë, po diskriminim nga e gjitha klasa e pushtetarëve shqiptarë në vite, të cilët kanë dhe vazhdojnë të merren me një cështje vetëm kur ajo shkon në ekstrem. Madje edhe atëherë, duke shfrytëzuar në maksimum mundësitë e rrugëve të informacionit, arrijnë ta heqin vëmendjen nga fati jonë, duke u marrë vec me interesat e tyre. Ka vetëm pak ditë që u bënë publike rastet e të sëmurëve mendorë të lidhur me zinxhirë, që u bë publik dështimi i plotë i shtetit shqiptar në vite për tu kujdesur për qytetarët e tij më të nevojshëm. Por ama sot për përfaqësuesit tanë, të kujtdo kahu qofshin, historitë e dhimbshme të shqiptarëve nuk përbëjnë objekt interesant përplasjeje midis politikanëve. Një pjesë e tyre madje as nuk denjojnë të në përfaqësojnë pa u hapur ca kuti, a thua se pasi të hapen kutitë mirëqenia jonë do ndryshojë, sistemi jonë arsimor do përmirësohet, të sëmurët mendorë do mund të kurohen në institucione të denja, cmimi i energjisë nuk do rritet, etj, etj. Dhe shprehja “mos të zëntë halli” vazhdon të përdoret gjithnjë e më shumë tek ne. Sepse nëse do kesh një hall, përvec se të familja apo miqtë e tu, nuk ke se ku të përplasesh tjetër, sepse shteti shqiptar ka prioritete shumë më të rëndësishme se sa fati dhe mirëqenia jonë, duke mos e kuptuar se misioni i një shteti dhe misioni i politikës është të mbrojë dhe përfaqësojë interesat e qytetarëve të tij.

4 Komente

Dhe kur them cdo gjë tjetër e kam fjalën për shtrenjtësinë e jetës, për kushtet në shkolla, për varfërinë e tejskajshme, për kushtet në spitale, (e s’po flas për ato psikiatrike sepse dikush e quajti një ndër spitalet psikiatrike në Shqipëri “më keq se Aushvici!!), për dhunën ndaj fëmijëve dhe grave, për fëmijët që shesin mu nën hundën e pushtetarëve shqiptarë të cilët kanë firmosur konventa kundër punës të të miturve, etj etj.

 

Jam kurioze te di kush i ka dhene 5* dhe pse.

pse? do e rrahesh ate qe i ka dhene 5 ? smiley nese po, shko tek "kaprico" per kesi punesh smiley

Jo, s'jam e dhunshme smiley U trembe ti?

Doja te di çfare kishte artikulli per tu pelqyer kaq shume, ça kishte ndryshe nga artikujt e tjere qe perdorin çdo gje per te folur kunder qeverise, dhe cila ishte pjesa qe tregonte qe kjo qe ka shkruar artikullin i ka me perzemer shqiptaret sesa politikanet ne pergjithesi smiley (ose ndonje gje tjeter qe une s'kam vene re si e limituar qe jam)

p.s: ça eshte "kapriço"?? Lokal, forum, blog apo tip kick-boxing? smiley

ehe smiley

po nuk ia kam vendosur une 5-en

kapricio eshte vendi legjendar ku u rrah baze

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).