POEMA JO TEPËR ORIGJINALE E FRIKËS

POEMA JO TEPËR ORIGJINALE E FRIKËS

(1960)

Alexandre O’Neill (Poet portugez, themelues i Lëvizjes Surrealiste të Lisbonës. I cmuar për poezitë e tij, por edhe për antifazhizmin dhe rezistencën e vazhdueshme ndaj Estado Novo të Salazarit)

Frika ka për të pasur gjithçka

këmbët

ambulancat

dhe luksin e blinduar

të ndonjë automobili

Do të ketë sy që s’i sheh kush

doçka të kujdesshme

plane të pafajshme pothuajse

veshë, jo vetëm nëpër mure

po edhe në dysheme

në çati

në gurgullimën e qyngjeve të shiut

dhe ndoshta ndonjëherë (kujdes!)

veshë në veshët e tu

*

Frika ka për të pasur gjithçka

fantazmat nëpër opera

seanca të vazhdueshme spiritualizmi

mrekullitë

kortezhet

fjalët guximtare

vajzat shembullore

fajdexhinjtë e ndershëm

të pandershmet bordello

konferenca të ndryshme

kongrese plot

punë të shkëlqyera

poema origjinale

dhe poema si kjo

tepër të ndyra projekte

heronj

(frika ka për të pasur heronj!)

rrobaqepës realë dhe irealë

punëtorë

(pak a shumë)

zyrtarë

(plot)

intelektualë

(pse ç’kujton)

ndonjëherë zërin tënd

ndonjëherë timin

e padyshim zërat e tyre

*

Ka për të pasur kryeqytete

Shtete

dyshime si gjithë bota

miq të panumërt

puthje

dashnorë të bleruar

sevdallinj

të heshtur

e të merakosur

*

Ah frika ka për të pasur gjithçka

gjithçka

*

(Mendoj se ç’ka për të pasur frika

dhe trembem

që është pikërisht

çka frika do)

*

Frika ka për të pasur gjithçka

thuajse gjithçka

dhe të gjithë në rrugën e tyre

kanë për t’u shndërruar

thuajse të gjithë

në minj

*

Po

në minj

Përktheu Arbër Zaimi

4 Komente

Bukur, Arber. Kjo poezi permbledh qartazi nje mentalitet e botkuptim te tere njerezor, perfshi dhe ate shqiptar.

p.s. shpresoj qe ky autor te mos kete qene fashist si Ezra Paund, e pastaj te kete nderruar mendje per poezine qe ka shkruar ne "nje cast, kur i kishte hik menia" smiley

Shume,shume,shume e bukur Arber. Gjetje fantastike se aty ben pjese dhe realiteti Shqiptar.Bravo.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).