Pikërisht pse flasim për terren shqiptar …

Pikërisht pse flasim për terren shqiptar …

Legalizimi i kultivimit të kanabisit në vendin tonë do të mund ta shndërronte Shqipërinë në një lloj Afganistani në Europë

ARBËR SHTËMBARI

Kohët e fundit janë shtuar zërat, se u dashka suprimuar ligji që ndalon kultivimin e kanabisit (hashashit)! Dhe sillet si “argument” fakti, se ligji i miratuar kohë më parë jo vetëm që nuk ka pasur efekt, por, sipas këtyre zërave, ka bërë të kundërtën. Kështu, ndërsa analizohet zbatimi i ligjit që ndalon kultivimin e kanabisit, bëhet analogji me atë që ndalon pirjen e duhanit në mjedise publike, duke arritur deri aty, sa ndokush del fare hapur kundër ligjit ekzistues, duke u shprehur, se në terrenin shqiptar (ky ligj – i ndalimit të pirjes së duhanit në mjedise publike, shënimi im) është bërë për t’u hedhur në plehëra, sepse kurrkund nuk zbatohet!

Dihet, se bota ka ecur përpara pikërisht falë zbatimit me korrektësi të ligjeve që ka miratuar, por ama dihet edhe tjetra, se këto ligje nuk e kanë pasur të lehtë rrugën për t’u vënë në jetë. Sepse një ligj miratohet pikërisht për të çarë një rrugë, drejt së cilës nuk ecet dot me moralizim. Ligji për të ndaluar pirjen e duhanit në mjedise publike apo në zyrat shtetërore u miratua si nevojë e forcimit të shëndetit të njerëzve. Ai nuk ndalon njerëzit të thithin tym duhani (po të arrihej kjo do të ishte një gjë shumë e mirë, por është krejt e pamundur), por ndalon pronarët që t’i shfrytëzojnë lokalet e tyre për duhanpirësit në dëm të atyre që nuk përdorin cigare. Pra, ligji mbron të drejtën e joduhanpirësve, një e drejtë që u shkelet nga duhanpirësit për shkak të fitimeve që dëshiron të sigurojë pronari i një lokali. Dhe, në rastin konkret, objekt i veprimit të ligjit bëhet pikërisht pronari, apo titullari i një administrate etj. Në qoftë se ky ligj nuk po zbatohet, fajin nuk e ka ligji si i tillë, por të ngarkuarit me zbatimin e tij. Dhe prej këtej logjika ta thotë, se nuk duhet suprimuar ligji, por duhet forcuar ai përmes të gjitha mekanizmave. Është absurde të mendosh, se duhet suprimuar ligji nga që duhet të fitojnë pronarët (!), paçka se dëmtohet shëndeti i shumicës së klientëve!

Dhe tani le të zbresim në temën me të cilin e nisëm këtë shkrim:
Zërat që flasin për lejimin e kultivimit të kanabisit sjellin dhjetëra argumente në dobi të suprimimit të ligjit që ndalon kultivimin e kësaj bime të dëmshme, por, ndërkohë, ka qindra argumente të tjera që mund të sillen për të kundërtën. Përvoja e deritanishme ka treguar, se nuk ka pasur vullnet politik e juridik për ta luftuar dukurinë e të kultivuarit të kanabisit. Pra, është bërë sikur gjoja është punuar për zbatimin e ligjit, por në fakt i është krijuar terren sabotimit të tij. Aq bajate është bërë kjo, sa Lazarati i bën karshillëk deri edhe qeverisë! Shteti nuk ka mundësi e fuqi të hyjë në fshat (!), por ka filluar të krijojë postëblloqe jashtë fshatit për të ndaluar autobotet që dërgojnë ujë për të ujitur bimët e kanabisit!!! Pra, shteti është mposhtur! Pas kësaj, është e vështirë të bësh ndonjë koment.

Duke lejuar kultivimin e kanabisit, dëgjohet prej disave, arrihet të ulet niveli i fitimprurjes së atyre që e kultivojnë! Ky mendim meriton të diskutohet shumë seriozisht. Në qoftë se sot fitokan shumë, ta zemë, disa dhjetëra njerëz, nesër, po t’u lejoka, do të mund të fitojnë nga pak mijëra të tjerë! Pra, Shqipëria, kësisoj, do t’u ktheka në një farë Afganistani në Europë. Sepse është fakt, se serrat me perime, për vet kushtet e pafavorshme të tregut brenda vendit, do të vijnë duke u zhdukur, për të lulëzuar në tërë Shqipërinë ngastrat me kanabis, për të cilin ka nevojë “tregu” ballkanik e ai europian. Dhe mendo, pastaj, se çfarë ekonomie e kriminalizuar do ta mbante në këmbë vendin tonë!

Lejimi i kultivimit të kanabisit, flitet deri edhe në mjedise intelektualësh, do të mund t’i kontribuonte edhe turizmit, duke e bërë Shqipërinë të vizitueshme nga rinia evropiane. Është vështirë të pranohet nga kushdo fakti, se do të mund të kishim më shumë turizëm falë kultivimit të një lloj droge, siç është kanabisi. Askush nuk do ta dëshironte, që rinia europiane të nxitej për të ardhur në Shqipëri pikërisht për t’u kënaqur me këtë lloj bime narkotike! Shqipëria ka të tjera burime të shkëlqyera për turizëm. Të mendosh shfrytëzimin e kanabisit si mundësi turizmi, kjo do të ishte një lloj fatkeqësie për vendin tonë.

Ka nga ata që mendojnë, se legalizimi i kultivimit të kanabisit bën që të çlirohet edhe Policia e Drejtësia nga një detyrë shtesë mbi detyrat e mirëfillta që ka! (Sepse po del, që punonjësit e Policisë, krahas pistoletës, u dashkan të aftësohen mirë edhe për përdorimin e kosës). Një përceptim i tillë i problemit është tepër mekanicist. Sipas kësaj logjike del, se duhet të bëjmë sa më pak ligje, me merakun se mos rëndojmë struktura të veçanta të shtetit! Mirëpo, e kundërta duhet të ndodh. Sa më shumë ligje, aq më mirë. Ligj do të thotë kodifikim i kulturës qytetare. Askush nuk duhet të trembet nga ligji. Përkundrazi, ligji formon, kulturon, edukon.

Partizanët e mendimit, se u dashka lejuar kultivimi i kababisit sjellin si “argument” edhe faktin, se disa shtete e paskan lejuar kultivimin e kësaj bime të dëmshme. Mirëpo, në rastin konkret nuk mbahet parasysh një fakt domethënës: Shtetet europiane kanë tjetër terren ligjor. E njohin ligjin me shekuj dhe është kjo arsyeja që qytetarët e këtyre vendeve nuk e kuptojnë dot jetën jashtë zbatimit të ligjeve. Ato kontrollojnë kufijtë e tyre. Ato kanë struktura tepër speciale për të pasur nën kontroll trafikantët e të gjitha llojeve të drogave. Krejt ndryshe është terreni shqiptar. Të legalizosh kultivimin e kanabisit do të thotë t’u hapësh rrugë të lirë për të ardhur këtu edhe trafikantë të huaj, për ta shndërruar ekonominë shqiptare në një bartëse të rrezikshme të krimit.
Pra, bëhet fjalë për terren tipik shqiptar, ku nuk ushqehet respekt për ligjin, për të cilin lipset të punojnë të gjithë. Dhe jo vetëm Policia e Drejtësia.

13 Komente

Partizanët e mendimit, se u dashka lejuar kultivimi i kababisit sjellin si “argument” edhe faktin, se disa shtete e paskan lejuar kultivimin e kësaj bime të dëmshme.

Jam dakord me sa shkruan ne pergjigje te atyre qe thone se do te kete nje boom turistik per shkak te kanabisit (sepse ata qe vijne per te tymosur nuk jane shtresa e turisteve qe hedhin lek te madh sic ia do nevoja Shqiperise).

Por ka nga ata qe argumentojne se kanabis nuk eshte me i demshem per shendetin sesa gjapi dhe as me i rrezikshem per shoqerine sesa rakia apo bixhozi. Perpara se te diskutojme pse nuk duhet lejuar duhet te kuptojme pse eshte ndaluar?

Kur vjen puna te kultivimi mendoj se debati ka kapercyer. Dekriminalizimi i perdorimit dhe kultivimi ne mase jane dy gjera te ndryshme.

 

Nje nga argumentet pse duhen ndaluar bimet narkotike eshte se perdorimi i tyre cenon vullnetin e lire te perdoruesve. Mirepo a nuk eshte ndalimi i perdorimit te tyre ne nje fare menyre cenim i vullnetit te lire te njerezve ne emer te vullnetit te tyre te lire? 

Ndoshta lejimi i tymosjes se cigares me duhan apo me marijuane duhet bere ne mjedise te kontrolluara. C'faj kane joduhan/marijuane piresit te vuajne nga tymi i tjetrit qe do te tymose?

Mor po kanabisi ne Shqypni nuk o per konsum te mrenshem, po e lejove haptaz kultivimin te vjen BE-u e ta shkul veshin.

Arber,

me pelqeu shume kendveshtrimi yt dhe me vjen keq qe ky artikull nuk ka terhequr vemendjen qe meriton. Mund ta kishe zgjeruar duke trajtuar edhe problematiken e parazitizmit qe sjell me vete lejimi i kultivimit te kanabisit ne nje vend ku nuk ka alternativa punesimi dhe as moral pune; por edhe problematiken e konsumimit te kanabisit nga nje rini qe jeton ne nje vend pa alternativa dhe pa perspektiva per te ardhmen.

Desha te permend se duhet bere dallimi midis kanabiseve. Sepse i vetmi kanabis qe perdoret si droge eshte ai Sativa.. kurse kultivimi i kanabiseve te tjere, nqs edhe ky kultivim eshte i ndaluar me ligj (ai industrial).. ai perkundrazi, eshte nje alternative punesimi.

jam kurioz, ligji e specifikon se ndalon vetem kultivimin e kanabis SATIVA, apo c'do lloj kanabisi?

kerpi (quhet ai industrial) eshte kultivu me kohe

"I kemi mor ligjet, shumë të mira i kemi, po kush i zbaton?" më tha dikur një prokuror. Nuk shoh si legalizimi i marijuanës do të ndihmojë në respektimin e ligjeve shqiptare.

as une nuk shoh se si te hash 5 fruta ne dite mund te te parandaloj prej marrjes se sides... por ja qe te hash 5 fruta ne dite eshte mire.

I'm being rhetorical.

"Pra, ligji mbron të drejtën e joduhanpirësve, një e drejtë që u shkelet nga duhanpirësit për shkak të fitimeve që dëshiron të sigurojë pronari i një lokali."

 

ne te njejten linje logjike e argumentimi, mund te thuhet se duhet edhe nje ligj per "mbrotjen e te drejtes se gjithe kembesoreve te thithin ajer pa dioksid karboni... nje e drejte qe u shkelet nga gjithe shoferat e automjet-perdoruesve per shkak te fitimeve qe deshiron te siguroje industria e naftes."

 

apo jo?

Me Salaj-n jam ne nje mendim. Tjeter eshte te pish alkool e tjeter te prodhosh alkool. Tjeter te tymosesh duhan e tjeter gje te kultivosh dhe prodhosh duke paketuar dhe shitur.

Nese prodhimi i alkolit ka qene gjithmone i kontrolluar nga shtetet nepermjet taksimit, pasi ka kaluar edhe nepermjet betejave me arme( historia e wiskit ne Skoci), duhani  eshte komanduar nga truste te medha dhe ka ardhur sot ne kontroll truste-qeveri.

Disa shtete kane lejuar pirjen e mariuanes ne Europe, nepermjet kontrollit te shperndarjes, por askush nuk flet per oaze kultivimi. Do te ishte nje goditje fatale per Shqiperine. Edhe Turqia qe ka nje perqindje te madhe te trasheguar te prodhimit, sot kerkon ta kete nen kontroll te rrepte, dhe Turqia e dime sa shtet ka.

Loja qe ben sot qeveria shqiptare qe gjija denon kryetare komunash qe jane ne dijeni si dhe nxjerrja e pliceve per te korrur me kosa, eshte kamuflim karagjozesh qe Europa e kupton aq mire sa ne nuk kuptojme ate tjetren sa e lejon ose sa e kontrollon.

Lejimi i kanabisit ne Shqiperi do te conte edhe ne fitime, dhe punim e shitje blerje te tokave per kete qellim, por do te shikonim edhe perleshje ala-meksiko, dhe me pas nuk do flitej me per kufij te hapur  integrimi e etj. sepse duhet t`i integronim ne te tjetret ne kete specialitet.

Duket bota nuk eshte gati per kultivim e hajde tua propozojme, mbase do te na ndihmonin edhe ne cilesine e farerave!!

Legazimi kerkon dhe nje treg te ligjshem .. Perdersa ku treg i ligjshem nuk eziston jashte Shqiperise do detyrohemi """Me forcat tona "" ta konsumojme per mireqenien e popullit ne tregun e brendshem ...

Shitet  byrek me spinaq  pse jo  dhe bytek me kanapisativa .... Mos u cuditni ..Ne Afganistan familje te tera hane gjelle hashashi ne  mengjes qe te marrin fuqi per punet e dites prandaj e kane moshen mesatare te jetgjatsise 38 vjec ...

 Problemi eshte delikat, sepse ketu futen interesat e fshatarve (qe e prodhojne), interesat e tregtarve (qe fitojne shume dhe blejne sende te kushtueshme, gje qe eshte ne interesin e ekonomise), interesat e qeverise (qe e llogarit kete xhiro si nje ndihmese te PBB/GDP),  e duke e pare nen kete prizem, sheh se shum shtete ndonse e ndalojne me ligj, perpiqen qe kete prodhim e treg  ta disiplinojne e kontrrollojne sa me mire, sipas interesit te ekonomise dhe mentalitetit te shoqerise. 

Persa i perket ligjit te duhanit ne lokale, une bashkohem me autorin se nje disiplinim me i rrepte i ligjit neper kafenera, do te beje qe te mblidhen me shum gjoba .  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).