Pikëpyetjet mbi cilësinë e arsimit shqiptar - Tekstet

Pikëpyetjet mbi cilësinë e arsimit shqiptar - Tekstet

Albana Rexhepaj

Çfare cilësie kanë tekstet që ju jepen për përdorim studentëve në universitetet shqiptare?

Gazetari Andi Tela, në debatin e organizuar nga Televizioni Klan me ministrin e arsimit zotin Fatos Beja, tregon para kamerës një libër atlasi të studentëve të gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Në të, emërtimet janë akoma ato të kohës së komunizmit; rasti më flagrant ai i qytetit të Kuçovës: në atlas ai figuron si Qyteti Stalin. Në një tekst tjetër, botuar në vitin 2007 nga një grup profesorësh dhe pedagogësh të Universitetit të Tiranës, i njëjti gazetar lexon një paragraf që të kujton statistikat komuniste. Studentët që i studiojnë këto tekste janë rreth 19 - 20 vjecarë, menjëfjalë, i përkasin një brezi që ka lindur në prag të ndryshimit të sistemit politik.

Zoti Beja, pas momentit të çudisë, u perpoq ta kalonte këtë episod me vërejtjen, se gabime ndodhin jo vetëm në librat që botohen në Shqipëri, por edhe në librat që botohen jashtë Shqipërisë. E vërtetë, gabime ndodhin, por rastet e evidentuara nga gazetari në fjalë i kalojnë kufijtë e një gabimi: ato janë pjesë e një dukurie. Tekste të vjetër, të dalë jashtë aktualitetit politik shqiptar, jashtë aktualitetit të teknologjisë apo dijes së sotme, gjenden në përdorim në shumë degë; si në universitete private ashtu edhe atë publik. Diku, në një universitet privat në Tiranë, studentët e arkitekturës studiojnë akoma tekste të viteve '80, dhe mësojne teknologji ndërtimi të aplikuara atëbote. Një studenti shqiptar të inxhinierise, diku në një universitet zviceran, i sygjerohet nga profesori i lëndës që të harrojë cka mësuar në Universitetin e Tiranës në këtë lëndë sepse dija e marrë është tashmë e arkivuar.

E kuptoj zotin Beja kur, një moment më vonë, thotë që cilësia e një universiteti matet nga produkti i tij; cilësia e diplomës që prodhon. Por, elementi me i rëndesishëm që çon tek një diplomë cilësore është cilësia e dijes që jep institucioni i universitetit e, si rrjedhim, edhe cilësia e teksteve.

Por, le të shikojmë pak më tutje. Përveç dukurisë së përdorimit të teksteve të vjetra, në universitetet shqiptare kemi edhe një dukuri tjetër që ndeshet rëndom: shumë nga tekstet që blihen dhe përdoren nga studentët kanë për autorë vetë pedagogët e lëndës. Një vështrim në këto tekste të bën të qartë, se në një pjesë të mirë të tyre, edhe kur nuk janë plagjiatura të pastra, tekstet notojnë në plagjiaturë: grafikët dhe figurat ilustruese, ashiqare të marrë nga libra të huaj, nuk citohen se çfarë autoresie kanë e nga janë marrë; në to mungojnë referencat e literatures që është përdorur për të hartuar tekstin.

Lind pyetja: Kush e kontrollon cilësinë e teksteve që përdoren në universitetet shqiptare? Kush ua jep apo njeh autoritetin për të shkruar një tekst këtyre pedagogëve, profesorëve?

Eksperienca perëndimore, së cilës i referohemi rëndom, tregon se autoritetin për të qënë autor (apo njëri prej autorëve) të një teksti mësimor universitar profesorit nuk ja jep vetëm liria akademike por, mbi të gjitha, kontributi dhe vizioni i tij i shquar në një fushë të caktuar të shkencës; kontribut dhe vizion i pranuar e njohur nga komuniteti i studiesve të kësaj fushe. Eshtë ky komunitet që e integron në procesin mësimor këtë libër.

Po, edhe në perëndim profesorët e lëndeve mund të shkruajnë „nje tekst“ të tyrin; por këtu bëhet fjalë rëndom për një tekst në nivelin dhe cilesinë e dispencës, që synon reduktimin e informacionit të tekstit bazë mësimor në një skelet orientues, dhe/ose përmban njohuri shtesë nga kërkimi shkencor i profesorit që e jep këtë lëndë.

Zoti Beja, jo pa një lloj krenarie, tregoi për një iniciativë të re të institucionit të tij: Futjen në ciklin nëntëvjecar të teksteve shkollore të huaja, të perkthyera në shqip; tekste kryesisht të lëndëve ekzakte. Duam që dija bashkëkohore të arrijë edhe nxënësin shqiptar, – tha zoti Beja, – duam që të shtojmë edhe një alternativë tjetër në tregun e librit shkollor. Unë jam shumë dakort me të: dija bashkëkohore nga e cila Shqipëria u izolua për gati gjysëm shekulli duhet patjetër të hyjë jo vetëm në ciklin nëntëvjecar, por gjithkund: në të gjitha nivelet e sistemit arsimor shqiptar, edhe në universitete, private apo publike qofshin ato.

Një projekt i disa viteve më parë, me ndërmjetësinë e Ministrisë së Arsimit, bëri të mundur që të hapej një fond prej miliona lekësh dhe të botoheshin tekstet e sipërpërfolur të pedagogëve dhe profesorëve shqiptarë. Ndoshta ka ardhur koha që Ministria e Arsimit të ndërmjetësojë, ashtu si edhe për ciklin nëntëvjeçar, për të hapur fonde edhe për përkthimin (ose edhe thjesht blerjen) e librave cilësore të nivelit universitar. Cilado zgjidhje të preferohet, perfitimi do ishte shumë i madh jo vetëm për studentët, për cilësinë e universiteteve dhe të diplomave të tyre por, mbi të gjitha, për vetë të ardhmen e këtij vendi.

3 Komente

Jo vetëm shkencat egzakte, por edhe gjeografinë dhe historinë duhet t'i përkthejnë... të gjitha lëndët le t'i përkthejë kush të dojë, ama historinë duhet t'ja japin më të madhit (dmth përkthyesit të vitit/shekullit).

Jane te besueshme shkollat tona ?

Sepse me sa di ne nivelet e ciklit te ulet  ne Tirane ,besueshmeria eshte e ulet.Atje trupi pedagogjik ,mesuesi, mesuesja ,drejtori, jane te gjithe te ardhur,dhe me nivele te ulta ose mesatare profesionale .

Te gjithe mesuesit e fshatrave qe ngelen pa pune zevendesuan ,mesuesit e qyteteve ,vecanrisht ne Tirane,dhe mesuesit e qyteteve , ose jane larguar ne emigracion ,ose jane marre me politike dhe kane zene poste te rendesishme shteterore !!!

Partia(PD) mbi te gjitha !!

Ne Tirane sipas te thenave ,mesuesit e fshatrave te Tropojes ,Kuksit Lezhes ,Skraparit japim mesim nxenesve te Tiranes ,te Tropojes ,te Kuksit ,te Lezhes ,te Skraparit ,Fierit, te cilet banojne ne Tirane.Keshtu qe keta mesues ,duke qene  te ardhur kane edhe preferencat e tyre,krahinore,nje nxenes nga Tirana diskriminohet nga nje mesues  nga Tropoja,duke i thene"ju tiranasit nuk jeni te shkathet dhe ne te Tropojes jemi me te shkathet"...sigurisht jo me fjale ,por me vlersime te nje aneshme .

Ka nje injorance ne mesuesine e Tiranes,sepse atje shikohet shume mentaliteti jo qytetar ,sic ka qene dikur...ka korrupsion edhe ne arsim ,jo nme ne ate te lartin por edhe ne ciklin e ulet.

Ku te punon babi ty xhan ?--- e pyet mesyesja nxensin...(nuk po merem me pergjigjen, me mjafton kjo).

Nga kjo pyetje mund te mesosh shume se cfare behet me arsimin ,kjo eshte nje ane ,por arsimi ka shume ane ,shume kende ..si puna e prizmit mo!!.

 

 

 

 

 

 

Qe sistemi arsimor shqipetar eshte nen nivelin zero, nuk ka asnje dyshim; nje pseudo-elite e ndryshkur intelektuale ka ozurpuar sistemin arsimor dhe s'lejon te rinjte e afte qe te prosperojne. Nje shenim tjeter qe duhet bere ketu eshte dhe strukturat e sistemit arsimor shqipetar ose me mire kaosi i tyre. Nevojitet nje riorganizim i plote. Mirepo qe te riorganizosh mungojne ekspertet pedagogjike dhe didaktike te cilet poashtu te jene te pajisur me diplloma ne fusha specifike. Pra, ne Shqiperi nuk gjen ligjerues qe ka nje kombinim te tyre.

E natyrisht, ndonje individ naiv dhe plot ideale do te kontribuoje ne memebalte dhe kthehet(qofte dhe per ca jave) te jape ligjerata shembuj ku ekspertizat e mesiperme kombinohen. Kjo me rezultatin qe pas pak muajsh merr vesh qe tekstet e shkruara nga vete ky individ perdoren nga'ligjeruesit' shqipo pa asnje reference autoret. Logjikisht mendimi vijues eshte'le te kalben ne plehrat e tyre mendore pasi aty ndihen me mire'.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).