Përse ta bëj shkollën kur e di që do të vritem...

Gjakmarrje apo biznes gjaku


Nga Flutura Açka

Në verën e vitit të shkuar, një regjisor holandez më kërkoi ta shoqëroja për një dokumentar televiziv që ai këmbëngulte të bënte mbi fëmijët e ngujuar dhe ndikimin e sotëm të Kanunit në Shqipëri. Si shkrimtare që i kisha kushtuar një prej romaneve të mi kësaj teme, “Kryqi i harresës” i botuar në vitin 2004, isha shumë e interesuar të dija ç’po ndodhte ende me “personazhet” e mi dhe a kishte ndryshuar diçka nga koha kur e kisha publikuar veprën time, vepër e thukët e që ve gishtin mbi këtë plagë shumë të rëndë.
Në disa prej familjeve të ngujuara ku hymë, varfëria ishte aq e dukshme, sa ishe i detyruar të refuzoje edhe kafenë e zakonshme të zezë. I ruajmë paratë, ato të pakta para nga pensionet e pleqve, të ndihmave nga miq e shoqata, për të paguar Pajtuesit e gjakut. Pajtuesit e gjakut tashmë janë shtuar shumë në zonat me probleme si këto, disa madje prej tyre kanë krijuar edhe kupola, kanë ndihmësa e sekretarë për punërat e tyre, me një fjalë, kanë krijuar me kinse “bizneset” e tyre të pajtimit. Përveç një pjese shumë të nderuar dhe që vërtet janë vullnetarë dhe bëjnë një mision human dhe duhen dalluar, emrat e të cilëve njerëzit i përmendin me respekt, pjesa tjetër merren “biznesin e gjakut” në vend të pajtimit të gjakmarrjeve.
Njërin prej tyre rastisëm ta takonim edhe ne. Emri nuk më kujtohet, por dukej shumë i njohur në zonën e Shkodrës. Ne trokitëm në shtëpinë e tij dhe na u desh të prisnim në oborr nga shihej një vilë e bukur, e ndërtuar rishtas, me ballkone, dritë e pemë. Nga jashtë ti e kuptoje se kamja aty kishte dukë. Më në fund, pajtimtari erdhi dhe unë, ndryshe nga regjisori që ishte i interesuar për çështje statistikash e moshash, vërejta me hollësi portretin e tij. I veshur shik i gjithi me të bardha, madje edhe këpucët, i mbajtur mirë dhe me shëndet që tregonte mirëqenie, ai erdhi duke ngarë një motor. Kishte qenë për të takuar ca miq te Kafja e Madhe. Ishte shumë “i zënë” me gjaqet, gjë që na e shpjegoi duke shfletuar një dosje të madhe ku kishte gjithfarë dokumentesh të ngujuarish e fëmijësh të kërcënuar.
-A ka ndonjë rast nga ajo dosje, apo nga dosjet e pajtuesve të tjerë si ai, të denoncuar në polici?
Kjo ishte pyetja që i bëmë dhe që do ta bënte kushdo që do të qe aty. Jo. Këto nuk janë punë për shtetin, me Shtet nuk zgjidhet gjë, kemi vetëm punë burrash. Ka raste kur “burrat” nuk i bindin dot “burrat” e krahut tjetër, dhe gjaqet zgjasin me vite. Këto janë çështje shumë të vështira dhe i zgjidh vetëm Kanuni, ndaj Kanuni na duhet, pata dëgjuar të thoshte një prej drejtuesve të këtij sekti pajtimtarësh, që mbahet me fonde që Evropa na sjell për të na shpejtuar integrimin në të.
Në konfidencë njëri prej njerëzve që na shoqëronte, na shpjegoi të gjithë procedurën e pajtimit, se si shtroheshin dreka e darka për burrat dhe se si pajtuesi, në varësi të “fuqisë pajtuese” të tij, paguhej deri në 1000 lekë ora (!) Ma do mendja se këtë pagë do ta kishin zili edhe interpretët më të mirë në Tiranë, me gjithë përvojën dhe shkollimin e tyre. Dhe familja që dëshiron ta mbyllë gjakun, paguan se kërkon të shpëtojë një herë e mirë nga e keqja që e ka zënë. Nëse nuk kanë para, marrin hua, pajtuesi edhe pse “vullnetar”, duhet paguar. Dhe fëmijët, pas portave të anuara në kthinat e tjera, presin duke luajtur, pa e ditur se burrat e mbledhur matanë po vendosin fatin e tyre.
Këto ditë në kronikat televizive njëri prej drejtuesve të policisë në Shkodër tha se nuk ka denoncime të rasteve të tilla të ngujimit të fëmijëve. Pavarësisht kësaj, jashtë atij Nderi (atij farë Nderi të shëmtuar kanunor që kërkon të lajë kokë me kokë, që ngujon gra e fëmijë!), shteti e ka fare të lehtë t’i evidentojë rastet. Ka një tjetër ligj, ai i arsimit të detyruar, me të cilin drejtuesit dhe policia në Shkodër e gjetkë, mund të veprojë, të kërkojë ku janë këta fëmijë nëse vërtet i ka të regjistruar ata dhe t’i detyrojë të shkollohen. Nëse jo, ne do të rrisim një brez mes urrejtjesh, të paarsimuar, të ngarkuar me faje të paqenë dhe që rrezikon t’i kthejë vetë ata nesër në vrasës, pikërisht për shkak të këtij ngujimi të gjatë. Askush nuk mund të thotë një shifër të saktë se sa fëmijë të ngujuar ka në Shqipëri. Pajtuesit thonë se fëmijët e ngujuar janë shumë (shumë!). Ky është fundja interesi i tyre, puna e tyre. Specialistët e së drejtës zakonore dhe ata që hartojnë draftet e udhës për në Evropë, thonë se janë pak (pak!). Por, sado që të jetë numri i tyre, ngujimi i fëmijëve dhe të privuarit qoftë dhe nga drita e diellit, është një njollë e errët barbarie e një shoqëri si jona, që kërkon të jetë pjesë e qytetërimit.
E në fakt, kush merret me rastet e fëmijëve të ngujuar? Të ashtuquajturat shoqata të drejtash të njeriut, të drejtave dhe shansesh të barabarta, të të drejtave të grave dhe fëmijëve, të tilla ka shumë, nuk e kanë realisht objekt të tyre këtë problem. Unë nuk di të ketë ndonjë shkelje më të madhe të së drejtës, se sa e drejta për të jetuar, nga e cila ata janë të privuar. Të vetmin njeri që gjeta të shqetësuar për këta fëmijë, që bariste sa në një shtëpi e ngujuar te tjetra, duke u dhënë “besë” familjeve, duke i mbledhur dhe marrë një pjesë të tyre nën kujdes për shkollimin e tyre në Qendrën e fëmijëve të ngujuar në Poliçan, ishte një mësuese dukagjinase, Liljana Luani. Sot dhe gjithë ditën kam dëshirë të besoj se ajo vërtet është e përkushtuar në misionin e saj. Dhe do të besoj sa kohë askush nuk më provon të kundërtën. Edhe fakti se ajo ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme grabitjen e fondeve të rikonstruktimin e Qendrës, ngritjen e shoqatave paralele fëmijësh në Poliçan, duke rendur nëpër shoqata humanitare për t’u siguruar bukën e përditshme atyre fëmijëve, më thotë se ajo nuk ka ndonjë pikë të errët, përtej dëshirës së saj për t’i parë ata fëmijë, të cilët i ka kuruar vetë, të realizuar, të gëzuar dhe larg barbarisë me të cilën i ka mallkuar fati. Por duket se Liljana Luanit, i gjithë përkushtimi i saj, mund t’i kthehet në bumerang. Sepse ajo ka kurajën të denoncojë pushtetarë që duket se janë hallka të një zinxhiri partiak. Duar që lajnë njëra-tjetrën dhe bashkë lajnë fytyrën. Madje aq partiak duket ky zinxhir, sa edhe drejtuesit e rinj të qendrës parapëlqejnë t’i emërojnë sërish partiakë, si për të paragjykuar faktin se ai vend duhet të jetë një post (jo detyrë humane!) për t’u vjelë. Nga gjithë ky teatër që vazhdon prej vitesh dalin shumë pyetje, që kërkojnë përgjigje nga njerëz që kanë bërë skenarin dhe lojën në të. Madje edhe ne spektatorët nuk mund të jemi më shpërfillës. Kur regjisori holandez, i cili për të plotësuar dokumentarin e tij, e ndoqi fatin e fëmijëve deri në Poliçan, u kthye nga andej, ishte i tronditur. Në ato kushte, tha, edhe kafshët refuzojnë të jetojnë. Djali pesëmbëdhjetë vjeçar i familjes Ndrevataj, i kishte thënë: Përse ta bëj shkollën, kur e di se do të vritem! Unë do të vritem për gjakun, unë jam më i madhi i fëmijëve, është radha ime.

Nga të hollat që kishte pasur në xhep, holandezi i prekur nga gjendja aty, kishte dhënë njëqind euro dhe fëmijët e Qendrës atë natë kishin bërë festë. Kanë kaluar disa muaj nga ajo kohë. Viti i ri shkollor, që nuk mund të quhet më i ri, e ka mbyllur semestrin e parë dhe fëmijët e Qendrës janë ende pa libra. Në një nga programet televizive të ditëve të fundit, drejtorin e punëve dhe çështjeve sociale në Ministrinë me të njëjtin emër, nga varet tashmë qendra, e dëgjova të thoshte se kishin bërë prej kohësh gjithçka për mirëmbajtjen e Qendrës së fëmijëve të ngujuar. Unë, si dhe çdo shqiptar, nuk e di se cilën nga këto të vërteta të besojë. Gjithsesi, prokurorët e çështjes në fjalë, edhe pse ca ngadalë, do të arrijnë në përfundimet e tyre, shpresojmë të pandikuar nga asnjë presion politik, për ta “shfajësuar” sadopak shoqërinë shqiptare nga një prej mëkateve të saj: shpërfilljen ndaj fëmijëve të ngujuar… të Poliçanit… dhe jo vetëm të tij.

Marre nga Gazeta Shqiptare

9 Komente

Jo me larg se dy dite me pare kam ndjekur nje emision ne TCH, drejtuar nga A. Dudushi. Nuk kisha pare kurre gje me te hidhur ne nje tv. Ishte historia e 22 femijeve qe pas shume peripecish te shemtuara me bashkine e Policanit dhe Ministrine perkatese,  ne fund ie kane lene qendren e perbashket ku jetonin e shkolloheshin per t'u kthyer ne shtepite e tyre e per tu ngujuar serish. F.Acka e permend diku si episod kete ne shkrimin e saj. Ishte e tmerrshme te degjoje replikat e te ftuarve, faktet dhe akuzat e renda qe hidhnin ne tavoline per shoshoqin. Per here te pare, pislliqet e pushtetareve e gafat e tyre me jane dukur krejt te paperfillshme perballe kesaj ngjarjeje, qe eshte vetem maja e nje ajsbergu gjaku. Per here te pare Shqiperia me eshte dukur e FRIKSHME. Qofsha gabim, uroj te jem gabim...

 

Qehajajt e  gjakut!! Kanuni komercializuar.  Kjo eshte e reja qe mesova nga ky artikull.Biznes me gjakun-Turp. Historite e tjera per ate burrneshen "humane" te cilen kjo Acka na e glorifikon jane profka. L.Luain kur e pash ne TV-Top Show-aq agresive,  me tonet e ashpra akuzatore mendova :mejere femijet ! Po si mund te jete menaxhere e nje qendre sociale per femijet nje delirante  qe pretendon  se ka ne dore  tapine  per mbrojtjen e femijeve te veriut ??

 

Avocado, flm per keta artikuj qe ve ne blogun tend, dhe qe i lexojme dhe ne ketu tek Peshku, midis morive te artikujve politike. smiley

 

Por, sado që të jetë numri i tyre, ngujimi i fëmijëve dhe të privuarit qoftë dhe nga drita e diellit, është një njollë e errët barbarie e një shoqëri si jona, që kërkon të jetë pjesë e qytetërimit.

Pikerisht. Turp te kene, qe nga shteti, qeveria lokale, dhe gjithe shpurrat qe e neglizhojne kete problem, ose bejne biznes me vuajtjet e fatkeqeve!

Shpresoj te kete me shume fokus per ceshtje te tilla, dhe mbase detyrohen te bejne dicka, te pakten nga turpi. Na mbyten prononcimet ne media te VIP-ave politike dhe "jo-politike", ca per progresin dhe ca per problemet e shqiptareve, ku keto perdoren si flamuj betejash politike per pushtet. Ndersa per ceshtje te tilla qe jane tragjedi dhe turp i mirfillte, por qe s'kane shume benefite politike dhe jane larg territorit dhe vemendjes se Bllokmeneve te rinj, nuk para flet njeri, as skenderbenjte qe e kane bere Shqiperine euro-atlantike, as shpetimtaret e Gjon hidraulikeve, dhe as anal-istet dhe "specialistet" e shumte. 

Une spo bej asgje, Xhib, thjesht selektoj cfare me duket e forte dhe qe do vemendje. Falenderimi i takon autores se shkrimit.

Ky eshte KRIM SHTETEROR. Nuk ka cfare bejne as OJF e as iniciativa te shkeputura njerezish me zemer. Vetem Ligji qe duhet zbatuar fort, e sidomos nxjerrja se pari jashte ligji, cdo lloj mufke qe vjen nga ai fare Kanuni.

nganjehere me behet sikur eshte fjala per nje toke tjeter, e jo tonen... jam kurioze, a ka ndonje program partie qe i ze ne goje keto probleme, meqe jane dhe para zgjedhjeve.... apo varja, thuaj, ata femije per tu vrare e per tu vrare kane, mos sot, neser, ceshtje kohe....

Jetojme ne kohet e informacionit; gjerat marin rendesi ne varesi jo te ceshtjes vetiake, po sa shume ose pak (ose aspak) dihet dhe flitet per to. Bravo asaj qe beri shkrimin padyshim, po dhe ti e vure ne bllog/shperndave. Une s'do ta kisha lexuar ndryshe p.sh.

Me shtetin fillon dhe mbaron cdo gje padyshim, sidomos kur flitet per zbatim ligjesh dhe ceshtje te tilla. Po te gjithe kane pergjegjsite e tyre, se dhe ata pushtetaret lokale aty emerohen dhe paguhen per keto pune, dhe keto morite e OJF-rave dhe anal-isteve qe na shurdhojne veshet si masha politike te padroneve te tyre, dhe keta kane ne dore te hedhin drite mbi gjera te tilla, ose ti injorojne dhe te nene-Feride-zohen dhe te uzurpojne arenen e debateve kombetare me "skandale" dhe "bema" te politikaneve.

se dhe ata pushtetaret lokale aty emerohen dhe paguhen per keto pune, dhe keto morite e OJF-rave dhe anal-isteve qe na shurdhojne veshet si masha politike te padroneve te tyre, dhe keta kane ne dore te hedhin drite mbi gjera te tilla, ose ti injorojne dhe te nene-Feride-zohen dhe te uzurpojne arenen e debateve kombetare me "skandale" dhe "bema" te politikaneve

ja se jane nje cike te zene tani me do pune te lashtesise e te leshtesise, pa do ti shohesh pastaj...

Shiko KETU...nga minuta 14:00 e deri ne fund te episodit...just for info.

Shtypin e ndjek pjeserisht, programet televizive s'i ndjek fare, dhe mbase kane folur per kete. Kete episodin qe solle e pashe tani. Pozitive eshte qe ata kane folur per gjakmarrjen padyshim, megjithese do ishte me pozitive te fokusohen tek c'ka po (duhet te) behet per kete problem, dhe me ata qe e kane per detyre te merren me zgjidhjen e problemit.

Po te kete fokus te vazhdueshem mbase dicka behet, qofte dhe duke perfituar nga fakti qe eshte kohe zgjedhjesh. Mbase detyrohen pushtlitikanet ta perfshijne kete ceshtje ne platformat e tyre. 

Skandali i ngujimit të fëmijëve, implikohen zyrtarë
03/02/2009  Akuza e mohimit për Kosta Barkën

TIRANE- Skandali i qendrës së ngujimit të fëmijëve në Poliçan implikoi dje pasdite edhe ish-ministrin e Punës, Kosta Barka, si dhe ish-drejtoreshën e Qendrës së Ngujimit në Poliçan Liljana Luani. Sakaq, lajmi për hetimin e ish-ministrit Barka konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, teksa Prokuroria e rrethit të Beratit thotë se s’ka dijeni për një fakt të tillë, por Barka hetohet për një tjetër çështje. Shkak për fillimin e hetimeve ka qenë shpërdorimi i fondeve, që akordoheshin për mirëmbajtjen e godinës së ngujimit dhe trajtim-ushqimin e 25 fëmijëve të ngujuar. Mësohet se shifra e abuzimit kap vlerën prej rreth 300 mijë euro. Ndërkohë që organi i akuzës së Beratit, ka pushuar akuzat për kryetarin e Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka, pasi sipas burimeve ai nuk ishte i implikuar në këtë aferë korruptive. Hetimi ka filluar pas një kallëzimi të bërë nga një shoqatë që kujdeset për mbrojtjen e fëmijëve të ngujuar. Menjëherë pas këtij momenti akuza ka mundur të mbledhë prova, dhe më pas dosja i është kaluar Prokurorisë së Përgjithshme.

Metropol

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).