Përpara drejt feudalizmit

Përpara drejt feudalizmit


Albin Kurti


Miti më i ri i kapitalizmit - ai i të qenit të tij i globalizuar - ka pasur shumë sukses në Kosovë. Nga izolimi i gjatë dhe i dhunshëm, qytetarët e Kosovës e dëshironin dëshpërueshëm bërjen e tyre pjesë të botës. Globalizimi u përfytyrua si neutralitet botëror gjithëpërfshirës, duke u shpërfillur fakti se ai ka hierarki, dhe se integrimi në kapitalizmin global bëhet nga poshtë. Meqenëse Kosova ishte tërësisht e varur nga UNMIK-u, qytetarët e saj nuk u integruan në globalizëm si shtet, por më parë si individë. Ata nuk u lejuan të shkojnë në botë (përveçse si refugjatë), ndërkaq bota erdhi tek ata (si sundimtare). Ishte shumë e vështirë për vendasit të dilnin nga Kosova si njerëz ose mallra, porse ishte fare e lehtë për të tjerët që të hyjnë në Kosovë, qoftë si njerëz apo si mallra. Politika fiskale privilegjonte tregtarët e huaj dhe shtypte prodhuesit e paktë vendas. Produktet finale të Serbisë nuk paguanin 10% taksë doganore kur hynin në Kosovë për dallim prej lëndës së parë kur ajo importohej nga ndërmarrësit kosovarë. Deficiti i jashtëzakonshëm tregtar dhe investimet e pakta direkte, dhe atë kryesisht në sektorin bankar, vazhdojnë të jenë tiparet dominuese edhe të Kosovës së pavarur.

Të gjithë e dimë se ShBA-ja, BE-ja dhe shtetet e fuqishme apo perandoritë e tjera e mbështesin me ngulm bujqësinë e tyre vendore, por tek ne ato nuk e kanë lejuar këtë gjë. Në vend se të mbrohet prodhimi vendor, na kanë thënë që duhet të orientohemi në eksport. Të tillë vazhdojmë ta kemi politikën fiskale edhe sot e kësaj dite. Liberalizimi gjithsesi ndodhi para privatizimit. Dhe, liberalizëm vetëm në njërën kahje, natyrisht. Kreditë bankare që iu ofruan njerëzve (edhe në Kosovë, anipse me kamata të larta) kishin synimin e tyre tradicional që mbiprodhimi i vendeve të zhvilluara të zbutet me mbikonsum (edhe në Kosovë, anipse nuk jemi akoma as vend në zhvillim).

Privatizimi gjithsesi nuk ka qenë i drejtuar vetëm tek ndërmarrjet joeficiente, por tek të gjitha ndërmarrjet. E gjithë strategjia ishte kronostrategji: kur do të privatizohet (sepse teknikisht s’ishte e mundur të privatizohen të gjitha përnjëherë) dhe jo çka ose si të privatizohet. Fuqia e lirë punëtore (për shkak të papunësisë së madhe dhe mosorganizimit të punëtorëve), mungesa e shqetësimeve për ambientin, sigurinë në punë dhe kujdesin shëndetësor, u interpretuan me pëshpëritje si përparësi jona. Besohej se kjo na bën më joshës. Privatizimi i këtillë nuk e shndërroi pronën në kapital, por më parë ndodhi e kundërta: kapitali u shndërrua në pronë. Pasi i rreckosën mirë e mirë fabrikat, privatizimi i transformoi ato në qendra tregtare dhe hymë në fazën e kapitalistëve pa kapitalizëm - një emër tjetër ky për feudalët. Një pjesë e madhe e prodhimit edhe ashtu të vogël nuk bëhej për tregun (kapitalizmi), por për vetveten (feudalizmi). Mediat u vërshuan nga propaganda për nevojën e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, që nuk mund të zhvillojnë sindikata të fuqishme për shkak të numrit të vogël të punëtorëve, që nuk kanë kurrfarë shanse në garë me korporatat, që s’do të merren me mineralet dhe energjinë, pra, me pasuritë e mëdha të Kosovës, e të cilat planifikohet t’i eksploatojnë pikërisht korporatat e huaja në këto dy vitet në vijim. Pikëvështrimi rajonal i Brukselit dhe Washingtonit mbi Ballkanin perëndimor u përkthye në agjendë të brendshme të Kosovës, që sundohej nga vetë misionet e këtyre te ne, duke e futur, kështu, Kosovën në garë me shtetet e rajonit për ta lënë atë tërësisht të shfrytëzuar si më e dobët që është.

Privatizimi u bë në një kohë kur Kosova e porsadalur nga lufta nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë. Zyrtarja e lartë e AKM-së, Marie Fucci, e pat bllokuar procesin e privatizimit për shkak të politikave operacionale (gjë që e bëri më të dëshirueshëm privatizimin duke ngjallur iluzione se ai është shpëtimi). Në fakt, ankesat e Serbisë në zyren ligjore në Nju Jork ishin sfidimi i suksesshëm bllokues. Meqenëse popullit të Kosovës nuk i ishte pranuar e drejta për vetëvendosje, për pasojë, nuk ndodhi dekolonizimi para privatizimit. Ndërmarrjet shoqërore deri në vitin 1989, kur u suprimua autonomia e Kosovës, ishin prona të qytetarëve të Kosovës, që për titullar prone kishin komunat përkatëse. Mirëpo, përgjatë viteve të ’90-ta regjimi i Milosheviqit i shndërroi këto ndërmarrje të Kosovës në degë të ndërmarrjeve të ndryshme të Serbisë dhe ua nënshtroi ato një privatizimi të pjesshëm nga i cili përfituan ndërmarrësit privatë nga Serbia, që i kontrollonte vetë regjimi, si dhe kompani të huaja, kryesisht greke e italiane. Në mungesë të vetëvendosjes, në thelb të së cilës ndodhet dekolonizimi si korrigjim historik i tjetërsimit të pronës dhe resurseve natyrore të vendasve, edhe sot e kësaj dite fondi i privatizimit me mbi 450 milionë euro mbahet i bllokuar jashtë Kosovës, me ç’rast edhe Serbia e kreditorët e jashtëm kërkojnë hise aty. Sikur të ishte bërë dekolonizimi, nuk do të bëhej fjalë që borxhet e ndërmarrjeve të Kosovës gjatë viteve të ’90-ta t’i paguajë Kosova por Serbia, dhe vetëm ajo - si okupatore dhe shfrytëzuese që ishte.

Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK-u, vepronte në kundërshtim me parimet e OKB-së edhe në sferën e ekonomisë dhe pasurive. Në Rezolutën 1803 (XVII) të Asamblesë së Përgjithshme, Kombet e Bashkuara kanë deklaruar “të drejtën e popujve dhe kombeve për sovranitet të përhershëm mbi pasuritë dhe resurset natyrore” (Kësisoj thuhet edhe në Kartën mbi të drejtat Ekonomike dhe Obligimet e Shteteve, GA Rez. 3291 (XXIX)), ndërsa Konventat Ndërkombëtare mbi të Drejtat Humane, në Nenin 1(2) afirmojnë të drejtën e popujve “për të disponuar lirisht me pasuritë dhe resurset natyrore”. Mohimi i kontrollit me resurset natyrore është mohim i vetëvendosjes, ndërsa eksploatimi nga ana e kompanive të huaja është tipar themelor i neokolonializmit.

Përkundër mosshfrytëzimit të fondit të privatizimit të deritanishëm duket qartë që privatizimi i mëtutjeshëm, mu në trajtën neokolonialiste, vetëm sa do të përshpejtohet. Synimi i radhës, mbase tani që u bëmë të pavarur (sic.), është përqendruar mu te ndërmarrjet më të suksesshme apo tek ato që posedojnë pasuritë kryesore të Kosovës: PTK, Trepça, KEK-u, Aeroporti i Prishtinës etj. Jo vetëm që s’pati dhe nuk lejohet referendumi si mjet demokratik lidhur me privatizimet, por madje nuk pati dhe as nuk ka debate publike. Në këtë aspekt, thjesht, asgjë s’ka ndryshuar që prej shpalljes së pavarësisë: vendimet merren në zyra me pak veta dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës janë soditës të zakonshëm sikurse të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës, kurse vetes i thonë përfaqësues të popullit.

Privatizimi në Kosovë nuk e ka bërë kalimin e thjeshtë nga socializmi në kapitalizëm, por në një lloj të veçantë të kapitalizmit: në neoliberalizëm. Në vitin 1999 ka ndodhur abstraktimi i dyfishtë: abstraktimi i mundësive tjera jashtë kapitalizimit dhe abstraktimi i mundësive tjera brenda kapitalizmit (përveç atij neoliberal). Prandaj, Kosova nuk u shndërrua në një komb-shtet, që do të ishte tipik për kapitalizmin e epokës moderne, pra, industrializmin, por si kthim në feudalizëm me dallimin që as bujqësi me tamam s’kemi. Teknologjia informative dhe komunikuese në formën e laptop-ëve dhe celularëve pati efekt maskues: kosovarëve u dukej se janë në hap me botën, porse marrëdhëniet ekonomike, shoqërore dhe politike vazhdojnë t’i ngjajnë shumë më tepër feudalizmit. Aq shumë gjëra tregojnë andej: nuk kemi industri, lulëzon nepotizmi, është zvogëluar shkrim-leximi dhe është rritur analfabetizmi, ka gjithnjë e më pak para kesh dhe është shtuar shkëbimi mall me mall, etnia (si eufemizëm për fisin nga periudha e kolonializmit) është bërë cilësia kategorizuese dhe jo kombi, kryeqyteti Prishtina është rritur së tepërmi jo si pasojë e industrializmit, por e burokratizimit me zyra të perandorive, kemi më pak ujë dhe drita në sistemin furnizues publik dhe më shumë puse dhe gjeneratorë privatë, kultura nuk përdoret për ta përkufizuar njësinë politike por për ta mirëmbajtur ndarjen hierarkike qytetar-fshatar, zbatohet decentralizimi që e shkatërron shtetin, duke krijuar regjione autonome të dobëta përballë perandorive të fuqishme, lokalizmi krahinor i partive politike me liderë prej bajraktarësh, biznesmenë feudalë rreth tyre që janë bërë pronarë tokash afër magjistraleve, aeroportit apo aty ku do të jenë minierat e ardhshme, dhe mbi të gjithë këta – mbreti dhe mbretëresha e Kosovës: Pieter Feith dhe Tina Kaidanow. Sigurisht që nuk e duan një ecje normale të Kosovës si një shtet solid të tipit shtet-komb evropian, e me ekonomi nacionale. Sepse, nuk e duan kapitalizmin e llojit menaxherial ku do të vinte në shprehje kolektivja, mirëqenia, punësimi dhe barazia që i referohet meritave a nevojave. Pra, asnjëherë nuk e duan një kapitalizëm që, pikësëpari, e mbron ekonominë kombëtare prej konkurrencës ndërkombëtare, siç e kemi pasur rastin p.sh. me Slloveninë. Në vend të kësaj, qysh prej fillimit, kishim instalimin e kapitalizmit neoliberal ku theksohej individualizmi, zgjedhja (që u bë zgjedhje jopolitike: njerëzit zgjedhin veçse pastën e dhëmbëve, destinacionet turistike ose kanalet televizive), liria (si liri e tregut dhe jo e njerëzve), barazia (si barazi e mundësive që realisht është e pamundur), dhe ekspozimi flagrant i ekonomisë kombëtare ndaj konkurrencës ndërkombëtare gjë që, në rastin e Kosovës, as nuk e la të lindte ekonominë e vendit. Duke e mbajtur një shtet të dobët të Kosovës, shtet sa për sy e faqe, e kanë pamundësuar ridistribuimin e të mirave materiale si dhe ndërhyrjen në akumulimin e kapitalit. Kosova është avangardë botërore, shembull pararendës i derregullimit para rregullimit – derregullim pa pasur rregullim paraprakisht. Mbase duan edhe ta eliminojnë shtetin dhe kombin si kategori politike moderne. Në vend të këtyre e duan perandorinë dhe teknokratët e burokratët e pushtetit, në njërën anë, dhe regjionet e etnitë që bëhen identifikuese për grupet, në anën tjetër.

Megjithëkëtë, shteti i dobët (vendor) nuk do të thotë edhe pushteti i dobët (ndërkombëtar). Përkundrazi. Stabiliteti brenda në Kosovë, tash 10 vjet, mbahet me forcë, në mënyrë që depërtimi i kapitalit dhe mallrave nga jashtë të bëhet pa forcë. Policia, gjyqësia dhe ushtria e bëjnë shtypjen e popullit, ndërkaq politika, mediat, shkollimi dhe analistët - menaxhimin e publikut. Këto gjithsesi janë dy anët e së njëjtës medalje që Louis Althusser i quan Aparatet Represive Shtetërore dhe Aparatet Ideologjike Shtetërore. Regjimi ndërkombëtar dhe Qeveria e Kosovës, në njërën anë e thellojnë dallimin midis të pasurve e të varfërve me politikat e tyre, e në anën tjetër, kërkojnë stabilitet. Ai s’mund të jetë tjetërfare përpos i dhunshëm.

Përgjithësisht, ardhja e kapitalizmit në Kosovë i përngjan më shumë modelit rus sesa atij kinez: janë shkatërruar institucionet e vjetra duke u synuar një rend i ri shoqëror e politik në shërbim të privatizimit masiv. Ky privatizim bëhet për hir të parimit, për hir të vetvetes, sikur të ishte një e vërtetë shkencore. Kurrfarë boom-i ekonomik nuk mund të ngjajë asnjëherë në Kosovë siç ëndërrojnë zgjuar ministrat e saj, sepse koordinatat e Kosovës janë po ato të Rusisë së Boris Jelcinit. Edhe pasojat do të përputhen (ndonëse jo në përmasat sasiore ruse): kontrabanda, krimi i organizuar, politikanë super të pasur dhe ekonomi e zënë peng nga mafia. Kina e ka zgjedhur rrugën e vet drejt kapitalizmit, ndërkaq Kosovës (sikurse Rusisë) ia kanë zgjedhur. Sigurisht që nuk mund të thuhet se Kina është bërë kopsht me lule, por, me po të njëjtën siguri mund të thuhet që Kosovën e kanë bërë kopsht me plehëra.

Kosova ka nevojë për kalimin prej qytetarit të reduktuar në individ që ka pronë, tek qytetari në shoqëri që ka shërbime të mira publike. Nga qytetari të cilit ia kanë mbjellur në kokë që të drejtat t’i perceptojë si mbrojtje prej nacionalizimit të pronës që mund ta bëjë shteti, tek qytetari i cili i sheh të drejtat e tij si mbrojtje të obligueshme që duhet t’ia ofrojë shteti. Pra, nga shteti që i jep prioritet mbrojtjes së pronës me çdo kusht, te shteti që siguron të drejtën e punës dhe minimumin e mirëqenies për qytetarët. Për këtë qëllim, para së gjithash, lypet ndërrim i paradigmës: nga ekonomizimi i politikës - te politizimi i ekonomisë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).