Për shpirt të Fjalës

Nuk mjafton të flasësh

…nuk ka më kuptim, fshehur në këtë xhep të ngushtë kohe
të flasim akoma gjepura. Kur të them se ëndrrat që shoh
kanë medoemos një kuptim mistik, të thellë
kur më thua se çka do mbetet pas nesh,
nuk do jetë një grusht kockash të bardha
ose një poçe hiri;
nuk ka kuptim të gënjehemi, siç gjithë këto kohë
kemi bërë me dëshirë, me zell të përkorë,
ndonëse në dhjetra funerale kemi shkuar
e mërmëritur kemi lamtumira simbolike. Fill pas kësaj
mbuluar jemi, nga përçmimi dhe neveria per veten
…për gjithë thelbin tonë hipokrit.

Më mirë më shih në sy, por pa ngecur
në rrethin e të zezës dhe në cirkat e shndritshme të bebzës,
hyr thellë aty, ku dhe rrezja ka frikë dhe kthehet mbrapsht
Le të jesh ti i pari, që ma thua hapur,
pa u përdredhur nga hithrat e mirësjelljes dhe keqardhjes
se brenda tyre një dallgë dështimi ngrihet, tërbohet
e verber si terri i Hadit, fryn në fyellin e grykës sime fjalë
nga më të erretat, më të pazbërthyeshmet
shenja ose të një çmendurie të paplasur ose të një jete të shkuar
në të dyja rastet, krejt e pashpresë për të shijuar flladin
e një mbrëmje vjeshte
a një kënge dasme…
Sa i ngushtë ky xhep kohe,
e tepërt çdo gjë ndihet,
e huaj…

zot, si na zuri kështu sëmundja e fjalëve...
si po vdesim përditë prej kësaj kolere….

Diçka pa lidhje për gjërat e trishtuara

Nganjëherë, nëpër gjumë ti zgjat dorën
të më prekësh diku nën sqetull.
Të dy trishtohemi
për arsye krejt të ndryshme.
Ti për friken mos ka mbirë ndonjë flatër,
unë me tmerrin mos ndonjë gjëndërr
shfaqet dhe ma kthen në hi, ngjitjen.
Çdo gjë bëhet njësh atë çast,
udhët dhe parqet, kullat dhe ujrat,
bëhen fije dhe gjilpërë që qepin grykën
e një thesi të zi.
Ty të dhemb dhembja jote dhe vazhdon
të trishtohesh, të më thuash
se në vend të zemrës kam një copë gur,
se nëpër gjumin dhe ëndrrat e mia,
përqesh trishtimin tënd.

Nuk di ç'të them asgjë për keto,
pa lidhje tani mendimi për gruan e çalë
çala si ngjala, këndojnë ende
tek mejhanet e vjetra,
dhe zhduken fjalët, si hijet mëngjesit
Vrapojnë.Fluturojnë. Huh, jo.
...Ky s'është fluturim. Kjo orë mbi tryezë
tepër të shkurtër e ka njërën këmbë.

Për shpirt të Fjalës
(gjuhës amë)

...shemben përditë -
buzëqeshje të djegura,
rrokullisen si lotë dashurie,
të nxehtë, të hidhur.
Fjalët!

I ndjekim me sy si largohen prej nesh
si vrapojnë... si rrëzohen
arrati e mbushur me pengje
sfungjerë që fryhen e shfryhen
udhëve emërhumbura...

...Oh, po vjen ai muzg
kur ngjyrat do mblidhen lëmsh
pa e bërë më kurrë ylberin,
pikën e smeraldtë të vesës
mbi fijen e barit...
unë e di se atëherë
ti do më betohesh
për shpirt të atyre Fjalëve!

Rrathët e urrejtjes

Edhe urrejtja ka rrathët e saj.
Si spirale avulli na mbështjellin
kurmin e mardhur, kur bien brymat e vjetra.
Rrathë qe i kemi gdhendur bukur gjatë,
dashurisht, çmendurisht, me një ethe
te pakuptueshme, por, Qiell i Madh, kush ndonjëherë
mundi t’i gjykoje drejt ndjesitë?
Sa shumë zota, sa pak shenjtëri.
Nëse ti m’i kthen te gjitha tokat, të vdekurit me
gjithë gurët e varreve, ngashërimin pangushëllim,
gjithçka qe është shkaku i ketij akulli përjetësisht të pashkrirë…
Nëse unë t’i kthej tempujt e djegur,
këmbanoret e hedhura në erë,
dashuritë e përbashkëta të fshehta,
pikëllimin e arrative…
Do mundemi t’i vëmë prag urrejtjes?
Do mund t’i shthurim rrathët e saj si trikon
që prej kohësh ka humbur shkëlqimin?
Do e çelim më në fund deriçkën që lidh
kopshtet tona, a më mirë të shembim gardhin që i ndan?
njëlloj gjelbëron bari nën këmbët e fëmijeve tanë,
që si në tym kanë degjuar diçka
për detin e të vdekurve që uturin midis…shpesh numërojnë
e flasin në gjuhën e njëri tjetrit. Por është e tmerrshme:
Sa herë këmbehem me ty, në vend të syve më bëhet se ke
dy zgavra si lugje te ujta, ku fytyra ime
reflektohet e përmbysur

Sonte nuk vjen askush…

Sonte nuk vjen askush …tryeza rri shtruar,
një pirg me rroba të palara dergjet më tutje… ka ditë.
Rrëmuja ime, kontribut modest
në kaosin e përbotshëm…mendoj
dhe tinëzisht ia kthej shpinën.
Siddharthën* vështroj tani,
gozhduar në fletë standarde, brenda
një ndërtese standarde këtu në North America…
shkrep si e zeza mbi të bardhë,
pelin mbi plagët në kokën time…
flokë sensitivë, lëkurë nervoze,
ka muaj që ju pres të shëroheni,
gërricur, gjakosur, përtharë,
më ktheni në dashnore të vetvetes,
më mbani lidhur më të
si në zinxhir martesor,
falë saj, pak e kam vrarë mendjen
pse në mes të gjashtë miliardë të gjallëve,
Sizifi është çfarë dua,
Mos dil nga legjenda… i lutem
dhe shkëmbi i mbetet në shpinë,
se dashuria… jo se na mban në jetë,
por drejt vdekjes s’na hedh,
pikërisht nga ajo majë mali
ku ti arrin çdo mbrëmje, me shkëmbin, që pastaj
vetë e rrëzon drejt zemrës…

*Siddhartha- veper e Herman Hesse

Shkurtohen udhët

...shkurtohen udhët.
Si zemra ime mblidhet
e pashëruar prej habisë,
Dashuria...
Nga një cep i dritares
sheh si sfiliten,
gratë dhe burrat e vegjël,
tek shtyjnë portat e rënda
te madhështisë...

nga "Nje udhe per ne shtepi"- 2007

14 Komente

zot, si na zuri kështu sëmundja e fjalëve...
si po vdesim përditë prej kësaj kolere….

 

Ti lexoj tjerat ma vone avash - avash   ...ooo çpaskam per tu knaq. leksion, leksion ke dhone ti Av smiley

Klas m'vete!

 

Mbyllja e poezise se pare te le pa fjale (nuk ka më kuptim, fshehur në këtë xhep të ngushtë kohe-të flasim akoma gjepura smiley

 

Sizifi është çfarë dua,
Mos dil nga legjenda… i lutem
dhe shkëmbi i mbetet në shpinë,
se dashuria… jo se na mban në jetë,
por drejt vdekjes s’na hedh,
pikërisht nga ajo majë mali
ku ti arrin çdo mbrëmje, me shkëmbin, që pastaj
vetë e rrëzon drejt zemrës…

Te imet mullinjte e mendimit AV, te imet.

ardhsh me shpesh smiley

 Avokados, i pashe sa po dilja dhe thashe ti lexoj me qejf. Rrofsh qe i solle. 

shume bukur.

 

p.s. have you heard Hendrix - all along the watchtower?

 

p.s.s. isha ne nje funeral te premten dhe 10 min pasi kishte filluar ceremonia hyn nje cift tek 45-50 ne kishe. I shoh e me ben pershtypje, ne mendje me vjen shprehja "being late at one's funeral". Femra me sheh dhe ben me gjest gjasme eshte faji i mashkullit. Kalojne 15 minuta dhe prifti a famullitari thot "ne jemi mbledhur ketu te festojme jeten e Bella-s" (shkurt per Isabella), ne kete moment cifti i ardhur me vonese shohin nj-tj me syte e zgurdulluar dhe vrapojne jashte.

 Avokados, lexova dy te parat dhe refuzoj te shkoj me tutje. Shpresoj qe ka qene vetem nje bad mood kur i ke shkruar, dhe jo nje gjendje shpirterore. Nuk ka fare rendesi nese jane te bukura apo jo...

Te uroj gjithe te mirat

bashkohem me PF, vecse une i shkova gjer ne fund ..........

 

Me kishte marre malli per ty, per te te lexuar!

Per shpirt te fjales, te dua aq shume......dmth vargun tend(mos keqkuptohen disa)

Une dehem,trishtohem,mrekullohem gjer ne piken e fundit te poezise tende. Dreqin, me copetove fare....

me paska marre malli. mire se u ktheve! 

u ba kohe pa ty ne keto vise, e shkretia qe e madhe. tashma fushat e letersise jane vadite me vargjet e tua, e marrin jete perseri.

ardhsh e lumtur.

nganjehre poezite e trishta tregojne se njerezit duan te jene te lumtur. mendoj se te duash te jesh i lumtur nuk asht keq.

zot sa me trishtuan keto, me mire te mos i kisha lexuar

Ti për friken mos ka mbirë ndonjë flatër,
unë me tmerrin mos ndonjë gjëndërr

Ti i ben nder ketij vendi!

I pashe dje kalimthi poezite (jo te gjitha, nuk kisha kohe), por qe te e para kuptova qe nuk behej llaf per prurje "normale" ku lihet nje koment "normal".

Shme falemnderit qe i ndan me ne ne rradhe te pare.

Jam perpjek t'i ndaj poezite nga autorja si person dhe i shijova si poezi me nje doze brilante trishtimi, do thoja.

Dikush ( e di nickun, por nuk e them) komentoi nje here qe eshte mekat qe ju nuk shkruani me shume. Nuk e di sa do ruhej cilesia e prurjeve po te benit nje gje te tille, por nqse po, a nuk eshte vertet mekat?

Nuk kam kohe te ndjek nga afer, por po pate botuar gje, na thuaj.

Respekte te vazhdueshme!

Cimi

Kjo vecmas per Artan Gjyzelin, po qe se e lexon ende Peshkun:

Tan, poezia e pare eshte komplementi i nudos ne plazh nga autorja, qe ti me kortezi e ke sjelle dikur ketu.

S'di si mendon. Mua ashtu me duken.

Ju falenderoj shume te gjitheve, se pari per kohen dhe me tej per mendimet dhe fjalet e ngrohta. Madje po ndiej nje si gjendje faji se ndoshta ne kete perzgjedhje, doza e erret ose trishtimi, jane pak me teper sec duhen per nje cikel modest. Jane poezi te shkuara, shkruar disa vite me pare, permbledhur ne nje vellim botuar ne 2007 "nje udhe per ne shtepi". Mbase dhe prandaj duke qene vete disi e ftohur prej tyre, nuk e kapa qe ne fillim kete ndjesi. sorry guys, really. Ju falenderoj edhe nje here...

 

A ke kopje plus?

Nqse jo, a e ke ne pdf?

E marr une si do qe te jete. Edhe 6-en mach ne pdf e kemi... s'do me thene gje smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).