Për artifikimin e shoqërisë sonë

Për artifikimin e shoqërisë sonë

ARBER SHTEMBARI

Arti, edhe atëherë kur krijohet dhe shfaqjet në format e tij më befasuese, ai i përgjigjet një pritjeje të caktuar të shoqërisë. Arti i shërben imazhit që riprodhohet në shoqërinë që është përgjegjëse ndaj kohës : mbartëse e së shkuarës, e ndërgjegjshme e së tashmes dhe arkitekte e së ardhmes. Por arti nuk është i vetmi që e luan këtë rol. Politika jo rrallë herë ka treguar që mund të jetë Art, në vend që të jetë thjesht estetike.

Është prodhuar Art, gjithmonë në gjirin e një shoqërie. Paradoksalisht, Arti nuk e bashkon një shoqëri, por e diversifikon, e shmang, e rikrijon, e godet, e përpunon, përveç rastit kur ai zhvillohet në gjirin e një diktature e cila imponon limite të përcaktuar estetik. Gjatë komunizmit në Shqipëri, Arti duke qëndruar pranë pushtetit si një armë e tij, u bë i pushtetshëm. Por në thelb, arti, kur ai shfaqet në forma të palimituara nga Shteti, ai punon “kundër” Shtetit dhe mbi të gjitha tenton drejt papërsëritshmërise. Duke krijuar forma të reja paraqitjesh, ai bëhet më pak i mërzitshëm.

Në fakt njëfarë diktature masash ekziston dhe në shtetet liberale. Ka një konsensus të përgjithshëm mbi nocionin e Artit, konsensus që kodifikohet nga ata që krijojnë shijet për konsum, ndaj dhe arti underground konceptohet si një kërcënim ndaj shoqërisë së gjerë. Deri para pak viteve tek ne, (dhe vazhdon ende sot), kultura punk stigmatizohej si kultura « e të droguarve”. Në çastin që norma e krijuar prej atij konsensusit të përgjithshëm mbi artin prishej nga ndonjë « flokëgjatë i veshur me një t-shirt Iron Maiden », personi në fjalë konsiderohej si anormal dhe shpesh anashkalohej nga shoqëria, izolohej.

Kalimi nga arti real-socialist në artin e çliruar nga çdo formë totalitare, kërkon një kohë çartifikimi. Por në këtë kohë pas-komuniste, çdo nismë që synoi analizimin e sistemit komunist, u bë në mënyre kaotike, përçart. Pati përçartifikim ! ndaj dhe sot, gati dy dekata pas rënies së komunizmit, shija ndaj artit real-socialist vazhdon të mbetet po aq e fortë sa dhe më parë.

Është për tu habitur, por gjatë gjithë kësaj fushate, konstatojmë, se nuk ka pasur asnjë prononcim të vetëm mbi kulturën. Premtimet kryesore kufizohen mbi zhvillimin ekonomik, energjitik, mbi zhvillimin e infrastrukturës, qoftë dhe diçka mbi arsimin, por për kulturën, asnjë fjalë të vetme. Kjo tregon qartë që asnjë forcë politike nuk ka asnjë projekt mbi këtë fushë. Nuk ka asnjë habi, që sot për sot, artistët më të mirë shqiptarë e zhvillojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit. Dhe kjo nuk lidhet vetëm me arsye të thjeshta financiare, por mbi të gjitha kjo lidhet me kushtet e punës që një shtet tjetër ja siguron një artisti shqiptar, kurse shteti ynë jo. Politikanë, duhen dëgjuar artistët ! Janë ata që krijojnë finesën në këtë kopsht teknologjik që ndajmë sëbashku. Janë ata që krijojnë Ndryshimin, veçantinë, krijojnë markën shqiptare, që përcjellin emrin, famën e Shqipërisë në botë duke u bërë ambasadorë të saj. Më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të krijojmë këtë hark mbi ndërgjegjet tona, ky hark që do të lidh politikën me artin, e më pas do të lidh artin me njerëzit, e më pas do të lidh shqiptarët më pjesën tjetër të botës. Dëgjojini artistët !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).