Pas vizitës në Mauthausen

Ku humbën bjondet?
Veçanërisht bjondet e rreme,
Fletët e flokëve si luleshurdha,
Dëshirat parashuta
Që era i merr për dore të lehta,
T’i mbjellë në tokat djerrë të të tjerëve,
Bjondet e rreme me përkushtime të vërteta,
Mençuritë brune nën L’Oreal,
Thekët mbuluar me pjalmin frëng,
Bjondet allafranga, humbja e parë:
Pas Mauthausenit me thinja të murrme,
Të verdhën botanike s’po shquaja dot më.

Asaman moj luleverdhë, luleshurdhë, luleverbër…
Ku humbën bjondet?
Kuqset, ku?
Të vërtetat kuqse qukse…

E kuqja, erotike, politike,
Shpëlarë nga sfungjerët e qulltë të retinës
Lulëkuqet mbi mure, lulëkuqet mbi fusha,
Lulëkuqet mbi fasho ushtari dhe pezmin
E PMS-it fisnik me bukuri prej dimri,
E kuqja dhe gjaku u prishën për vdekje,
Ngjyrë myshku plagët mbi gurët dorikë,
Aksidentet nga filmi i fundit “Crash”
Do spërkasin gjak ngjyrë autobahni.
Me L’Oreal kohe hirnosur gurët,
As turpi nuk skuq, as opiumi përhinjur,
As ethet ngjyrë gri mbi ballin përthinjur,
Si TV daltonik, me miza konfuze
Me sinjal të dobët prej antenës klandestine.

E merr pa ngjyra! thërret gjitoni
Me apartament të blerë në kujtesën time.

Kërkoj pak blu me shpresë, por qielli
S’ndihmon, as Danubi, me gjithë atë Walzer,
Dhe as qyteti megjithë atë emër
Të fshatit rrëzë Dajtit me raki marèje,
Kujtime shqopash
Dhe djerse tiranase,
Nga sqetullat pellazge ngjyrë argjile të njomë,
Mesdita ngjan si mëngjesi steril
Pas natës vrastare me seks shterrues,
Ku mashkulli poroz u shtrydh nga limfa
Dhe gërshëra femërore nuk njohu mëshirë;
Ngjyrat i thithi vrima e zezë Mautahusen,
Me grinë e errët, ku e bardha e thyer
Ish shpresa e fundit e botës në theqafje.

Gërmat gotike ngjajnë si me plagë,
Tabelat në sheshe si orare kampi,
S-të dyfishe si SS mbi strasse,
Gasthaus bëhet vetiu Gasthausen
“Shtëpi gazi” o fantazmash,
Por bujtësish kurrësesi,
Schnitzel-i vjen si nga krematoriumi,
Dhe Klaudia, tirolezja, që bën shoqëri
Merr një hije gardianeje të hershme.

Fund.

Post Scriptum:

“I could kiss you, but not kill you”
Fraza hyrëse nuk vrau askënd
Veç ftohtësisë së saj që mbaronte me “ung”
Si fjala “tung” që s’e shqiptova dot kurrë;
Në mbaresën e puthjes saksone
Dy SS u ngritën, u ngrinë
Gatitu si dy “l”, krongjij të akullt
Nën pullazet e së dashunës botës sanë,
Në vdekje një rrokëshe teksa Mauthausen
Përpinte diellin në perëndimin pa zë
Të Austrisë së Sipërme si një umlaut
Me dy yje trist përmbi…

12 Komente

kjo poezi me duket si himn i bukur per çdo gje unike.

rrofsh Çim.

En, flm!

Kur dola nga kampi, vertet qe bota te dukej gri. Dhe kjo vazhdoi per nja dy-tri dite keshtu. Ai qyteti qe them aty eshte Linz-i. Nuk di a do i rekomandoja dikujt te vizitonte Mauthausenin, por ne "long run" te jep nje perspektive me te qarte per gjerat.

Kur dola nga kampi, vertet qe bota te dukej gri.

qeke plak plako  smiley

ndersa poezia tepër e bukur !

Mos u mer me vajzat bjonde/se ato jane bakabonde ( ishalla Zanfi eshte brunesmiley

ishalla Zanfi eshte brune:

Mo brune se kaq ?

http://www.zemrashqiptare.net/images/articles/2008_06/3511/u2_jozefina_topalli.jpg

Syt e tu, syt e tu  ....smiley (me fal Em per devijancat por  do vij me nje koment eskluziv per poezine e cila do filloje me shprehjen: Well.Sot kam ngrene kos dhe kur une ha kos nuk bej asnje kompromis me ndergjejgen time kritike ...smiley

...  smiley  po nuk me vrave, nder ke me me bo...   smiley   

S'po zihemi duke u kapur pas kuptimit te vargjeve  smiley por nje krahasim i SUPERGJETUR per te pershkruar gjendjen pas vizites ndoshta me shkelqyer se kaq nuk do ta perfytyroja KURRE.

.teksa Mauthausen
Përpinte diellin në perëndimin pa zë .

Asaman moj luleverdhë, luleshurdhë, luleverbër…
Ku humbën bjondet?
Kuqset, ku?
Të vërtetat kuqse qukse…

-----------------------------------

EM,kudo qe shkon s'harron te na japesh nga nje "tave dheu" ne,e di ti qe atje eshte lezeti smiley

..., as Danubi, me gjithe ate  Waltzer.  

Emigrant, mos ke pasur parasysh ate "Alles Walzer!" ?

Sinteza  e perceptimeve, e perjetimeve, e mendimit  tek vargu yt (dhe jo vetem ketu),  eshte kaq lart, sa qe mund ta quash vetem me nje fjale: TALENT.

Megjithate,  ne se do pranoje verejtje...., nje te thene, nje te bere:

Them se ketu,  nuk shkon fare  "fshati rreze Dajtit", apo "djerset tiranase nga sqetullat pellazge..", kur dihet qe Mauthauzen ka qene vrima e zeze e Europes mbare...  Dhe tjetra: Poezia nuk mund te marri  "post sckriptum".

       Nga qitapi i Mondes kam nxjerre nje tekst kenge popullore per bjondet dhe kuqet:

                  C´e kshtu shoke me mua?

                  Leshkuqne nuke dua,

                  Lshverdha si venediku,

                  Po dil, moj dil se te do miku,

                  Prapa shtepise te fiku,

                  Mu te fiku, mu te bliri,

                  Prishe djemte nga fiqiri,

                  Nga fiqiri gjith`i prishe,

                  Nje drehem i katandise.

Xhen, pershendetje!

@Mecua: pranoj verejtje qe c'ke me ate pune! Ja psh, nga ty pashe qe kam germezu gabim fjalen Walzer (i kom fut nje T pa dashje). Dhe tamam per valset qe thua ti  flitet aty, "An der schoenen blauen Donau". Danubi (te pakten ne ate rrethinen e atjeshme) nuk mahet mend ndonjehere te kete qene blu, sikunder thote valsi i Shtrausit.

Linzi, si qytet, kishte dicka qe te kujtonte Tiranen, pasi kishe pare tere ate aristokraci ne Viene dhe Salcburg. Ka qene ne fakt "qyteti model" i Hitlerit. Marr vesh qe nuk kam arrit me dhene pritshmerine qe ka njeriu nga Linzi, qe duket me shume "si dora jone", duke nisur qe nga emri (Linz, fshati afer Dajtit, ke vertet kam provu nje tave dheje kur qesh heren e fundit).

Flm sinqerisht per leximin dhe mendimet.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).