Partitë Politike si OJF-të

Partitë Politike si OJF-të


Leart Kola


Para disa kohësh në faqet e shtypit shqiptar Blendi Kajsiu u përpoq të hapte një debat sa i perket rolit të Shoqërisë Civile në Shqipëri, por mbi të gjitha (merak i kahershem ky i zotit Kajsiu), mbi pikëpyetjen se kë perfaqeson ky grup njerezish që janë në shumicën e rasteve të vetëshpallur “shoqëri civile”. Ky debat si shumica e debateve që duan të diskutojnë një parim përtej thashethemit kaloi gati në heshtje të plotë, pavarësisht rëndësisë që ka përkufizimi i qartë i institucioneve në një vend ku pozicionet e protagonistëve ndërrohen me një shpejtësi të jashtëzakonshme.

Problemi i mospërfaqësimit është një fenomen që përherë e më shumë po kthehet në një gangrenë të jetës politiko-sociale të vendit. Gradualisht po i hiqet e drejta e përfaqësimit grupeve solidare dhe përfaqësuese që kanë identitete të forta (Shqipërisë nuk i mungojne këto grupe). Mjafton të përmendim invalidët e punës, apo shoqatën e të verbërve, individë që pavarësisht kushteve çnjerezore në të cilat shteti i ka katandisur kanë arritur të organizohen për të bërë që zëri i tyre të dëgjohet. Por zëri i tyre nuk është dëgjuar aspak nga politika, fatkeqësisht as nga njerëzit që vajtojnë nëpër gazeta “mungesën e grupeve identitare dhe përfaqësuese”. Sindikatat në Shqipëri janë në nivel foshnjor, por janë ende përfaqësuese ndaj atij grupi punëtorësh (që kryesisht jetojnë në zonat rurale). Mungesa e “mediatizimit” të tyre (dhe për faktin që në krye zakonisht nuk kanë ndonjë PhD, por njerëz të thjeshtë që kanë vështirësi artikulimi), i ka lënë jashtë vëmendjes së opinionit dhe politikës, e për fat të keq, jashtë vëmendjes së atyre që kërkojnë të stabilizohen këto grupe interesi, të qarta dhe të drejtperdrejta në rolin e tyre përfaqësues. Por problemi nuk qëndron vetëm te fakti që këto organizma alienohen sot nga opinioni publik, çështja është që po ndërtohet gradualisht një politikë jo-përfaqësuese edhe brenda partive politike shqiptare.

Para disa ditësh në një debat televiziv, e pyetur për rolin e KOP në zgjedhjet e 2005, Znj. Jozefina Topalli njeriu i dytë në hierarkinë e Shtetit dhe në atë të PD deklaroi me krenari se “KOP ishte një lëvizje e zgjuar e Z.Berisha!!!”. Kjo na drejton në logjikën që ndërtimi i OJF-ve, grupeve apo institucioneve të ndryshme ka thjesht një funksion PR, i cili është aq jetëgjatë sa interesat momentale. As për së largu nuk i kishte shkuar në mend (në rastin tonë PD) që të ndërtonte një komitet orientues politikash që të ndërtonte strategjinë e Partisë që më pas mori pushtetin. OJF-të apo grupimet e ngjashme kanë një rol edukues, e një rol gjenerimi debatesh, kësisoj qofshin këto debate tendencioze, të programuara ose jo, çështjet që përfaqësojnë janë sërish minimale dhe shumë të diskutueshme. Vetë ndërtimi i tyre nuk eshte ka bazë përfaqësuese, kjo rezulton jo vetëm prej mënyrës së financimit të tyre, edhe pse debati në Shqipëri bëhet përherë e më shumë në nivelin “në emër të popullit, pavarësisht interesave të popullit.”

Rreziku më i madh vjen pikërisht nga ato institucione që nuk i përkasin këtij debati, pra debatit të përfaqësimit. Shpeshherë në punën time disa vjeçare në shoqërinë civile, jam hasur me frazen “ju s’keni të drejtë të kundershtoni, se partitë janë institucione të votuara dhe përfaqësuese”. Ky është një këndvështrim që sigurisht në logjikën formale qëndron, por për fat të keq naiviteti është afatshkurtër dhe një njeriu që mendon e lexon i vijnë në kokë disa pikëpyetje shumë serioze mbi çka përfaqësojnë partitë tona politike.

Në 2005 e djathta erdhi në pushtet në një koalicion me Partinë Republikane, e cila pretendon që përfaqëson edhe pjesën e ish-pronarëve. Partia Republikane mori aq vota sa çdo lëvizje e saj mund të rrezikonte qeverinë. Politika e parë e ndërmarrë prej Berishës ishte një nga reformat më të mëdha agrare që ky vend kishte parë që nga koha e vendosjes së diktaturës. Pa i hyrë debatit a ishte politikë e mirë apo e keqe, (s’do mend që veç politikë e djathtë nuk ishte), e minonte përfundimisht bazën e aleatëve kryesorë, pra Partisë Republikane. Ky akt jo vetëm që nuk ndodhi por u kalua pa asnjë debat brenda mazhorancës. Ata që s’janë naivë e kuptojnë që kjo parti nuk i përfaqëson aspak këto kategori. Po ta shohim dhe nga terminologjia e përdorur gjatë qeverisjes së djathtë, nuk munguan shprehjet e të majtës ekstreme si “do t’i shkulim vaskat e floririt” etj. Partia Demokratike sot është në një konflikt të hapur me pronarët, me biznesin e mbi të gjitha me ish të përndjekurit, që teorikisht (por edhe nga çfarë vetë lideri i kësaj partie ka deklaruar), përbëjnë grupet parësore të interesit, pra përfaqësimin. Sot Berisha vazhdon të flasë për investime e për ndihmë ndaj biznesit dhe çudia ndodh që pikërisht nga keto grupe ai nuk merr vota. Më shumë vota merr nga zonat rurale, që përgjithësisht as nuk permenden nga kjo parti nëpër deklaratat e tyre publike.

E majta për fat të keq ndodhet në të njëjtin batak, pas 8 vjetësh qeverisje. Z.Nano, rrëshqiti gradualisht në krijimin e një kaste (ashtu si dhe sot PD) jopërfaqësuese e që kishte një interes vetjak shumë të ngushtë (arsyeja siç thonë dhe socialistët e sotëm për të cilën humbën zgjedhjet). Me ardhjen e Z. Rama, mund të jetë përmirësuar situata në menaxhim por në identitet mbetet jashtëzakonisht problematike. Z. Rama vetëdeklarohet përfaqësues i të gjithëve, për gjithçka, deklaratë kjo jo vetëm populiste por edhe e rrezikshme, sepse përfaqësimi i të gjitha shtresave të popullsise pa mbajtur një pozicion të qartë s’është gjë tjetër veçse të mos përfaqësosh asnjë prej tyre. Rama para disa ditësh doli urgjent në media për t’ju përgjigjur akuzave të maxhorances (siç e quajti ai) për rritjen e taksave. Në një Shqipëri ku tashmë është krijuar një kastë shumë e pasur biznesmenesh, detyra e një partie të majtë është pikërisht të bëjë një politike fiskale që garanton rishpërndarje të pasurisë në mënyrë që të krijojë një shtet social (të domosdoshëm për një vend ku gati 20% e popullsisë nuk ka të garantuar as bukën e gojës). PS nuk mban një qëndrim të qartë nëse është pro apo kundra ambientalistëve sa i përket industrializimit të bregdetit shqiptar, e kjo do ishte shumë e thjeshtë (par definition) për te majtën.

E verteta është që grupet identitare ekzistojnë në Shqiperi, shpesh herë shumë pak ose aspak të organizuara, por me një vetëdije shumë të fortë, kjo edhe për faktin që këto grupe në Shqipëri nuk e kanë luksin të jenë të ndara, sepse iu rrezikohet ekzistenca çdo ditë që kalon. Skenën tashmë e kanë uzurpuar një grusht politikanësh biznesmenë që janë e vetmja ofertë në treg, aspekti social-mediatik, po kthehet çdo moment në një trushplarës për realitetin shqiptar. Dy minuta kronike e një proteste apo deklarate çfaredo të pjesës jashtë politikës bombardohet me 200 minuta të politikanëve që në kushtet e krijuara nuk kanë më pse të përfaqësojnë kënd. Qytetari shqiptar çdo ditë pëson me orë të tëra programe, kronika dhe sondazhe ku nuk flitet për çfarë kanë nevojë, por nëse do zgjedhin Ramen apo Berishen. Faqet e gazetave janë të mbushura me analiza mbi batuta “kine” apo “kashari” që Rama apo Berisha, në një moment çtensionimi deklarojnë. Është një politikë thashethemesh dhe si e tillë ndan skuadrat duke ia paracaktuar nevojat nga ekrani i vogel e jo nga tryeza shpesh herë boshe.

Sistemi që kemi ndërtuar është jo vetëm diabolik por edhe i kalbur, e si i tillë ka premisa të forta që të mos jetë funksional. Çështja është a do të tregohemi të matur ta reformojme pa pësuar shkundje të mëdha që do ishin ogur i keq për vendin? Reformimi ndodh vetëm nëse grupet më të shëndetshme qofshin këto intelektualë, media apo “shoqëri civile” do të kthejnë sytë nga grupet komunitare, që politika ose tenton t’i alienoje ose t’i shkatërrojë duke i futur në kastën e vet. Vetëm kjo luftë mund të na vendosë në kushtet e një demokracie që kaq shumë po e kerkojmë gjatë këtyre viteve. Mbështetja dhe organizimi në grupe interesi mbetet e vetmja shpresë që politika në të ardhmen të bëhet përfaqësuese, e të mos detyrohet të shpenzojë miliona në reklamim të NATO, miliona që u hoqen nga risku i pjesës më të varfër të Shqipërise, miliona në kurriz të investimeve publike.

1 Komente

"...Skenën tashmë e kanë uzurpuar një grusht politikanësh biznesmenë që janë e vetmja ofertë në treg, aspekti social-mediatik, po kthehet çdo moment në një trushplarës për realitetin shqiptar...."  

Mese e vertete, dhe fatkeqesi per ate vend. Artikulli me pelqeu.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).