Odë për Poetin

Ja, ky na qenkësh poet…

Kërren nëpër copëra letrash

shkronja të buhavitura me dhembje,

fjalë të shtangura, ngrirë në letër,

kokërdhokë alienë sysh

që tjetër gjë duan të thonë

lakonikisht,

keqkuptimisht…

~

Mirë, s`prishemi për kaq gjë,

m`thuaj çfarë do,

të të them që s`bëhet,

zbehet, zhbëhet;

bën fir fjala,

përmbyllet mendimi

si qepalla

mbi kokërdhok.

~

Por ti shkruaj, shkruaj.

Secili e ka nje qoshk

me kolonë piedestali rrëzuar

në brinjë (natyrisht, rëndë dëmtuar),

një qoshk ku fletët, poemthat e shkresat

harresa i rreshk si pergamenë – E dylltë është pritja,

kaq delikate, e ndjeshme dhe e bindur,

kur unë (ose ti) e gërric

pak me thua, kot.

~

Të gjithë jemi poetë

që vetveten kemi braktisur.

Nga pika A, tek B-ja rrëxosemi në prozë,

porozë,

plot qoshka harrese si hojëza

blete, - gumëzhijmë prozaikisht

me nënqeshje,

ne,

papoetët çpoetizuar lakonikisht,

në kërkim të një përkthimi, botimi, komunikimi.

~

Më mirë të (ri)mësojmë gjuhën tënde,

poet.

3 Komente

Kështu foli Losti!

....dhe ne bëmë mirë që dëgjuam.

Je i modh plako! rrofsh për kënaqsinë.

falemnderit cuna!

Eshte e vjeter kjo, por meqe po bej ca ndryshime ne blog, thashe mos ta lej bosh fare dhe lashe kete.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).