Objektiviteti dhe Liria e Munguar - Media Alternative

Objektiviteti dhe Liria e Munguar - Media Alternative



Arbër Zaimi

Sistemi mediatik në Shqipëri po ndjek pashmangshmërisht rrugën e bekuar të "Perëndimit", rrugë që po e çon drejt zhvillimeve teknologjike që rrisin ndjeshëm cilësinë, por që nga ana tjetër, gjithnjë e më tepër po e kthejnë këtë sistem mediatik në mjet kontrolli, që shpesh shërben për të tjetërsuar logjikën sociale në interes të pronarëve. Janë tre televizionet me liçensë kombëtare në Shqipëri, në pronësi të shtetit, apo të kompanive private. Janë tre platformat dixhitale, dhe këto në pronësi të biznesit (të lidhur tepër ngushtë, në mënyrë krejtësisht të natyrshme me politikën). Janë vetëm dy gazeta që shesin më tepër se 10.000 kopje në tregun shqiptar. Ndërkohë që dhe pjesa e mbetur e tregut, gazetat e vogla, apo televizionet lokale e radiot janë gjithashtu pronë private e ndonjë biznesmeni që i përdor për të bërë shantazh në rast se nuk i realizohen pritshmëritë ekonomike, apo të ndonjë force politike që përpiqet të rregullojë imazhin e përlyer nga vjedhje e abuzime.

Të gjitha këto media, të futura tashmë në garën e pandalshme dhe të pambarimtë për të kapur një share sa më të madh në publik janë në proçes të vazhdueshëm për të përshtatur programacionin e tyre me shijet e zakonet e publikut, si dhe për të konformuar bindjet dhe personalitetet e publikut në atë çka i intereson vetë këtyre mediave, a më mirë pronarëve të tyre. Ky është komerçializmi mediatik, përshtatja me tregun e në të njëjtën kohë shformimi i mendësive të tregut sipas interesave ekonomiko-politikë. Pas disa vjetësh "demokratizimi mediatik" sot mund të flitet për një komerçializim full-scale të edukimit, kulturës, artit apo sportit, ngjarje këto që e kanë humbur dimensionin social, dhe shndërrohen gjithnjë e më tepër në mjete dhune, shantazhi apo trafiku të interesit, përderisa pjesëmarrja publike është gjithnjë e më tepër e kufizuar, dhe vendimmarrja mbi to, mbi mënyrat, objektivat e target-groups-et është ekskluzivisht e pronarëve të mediave, apo bordeve të ngushta të "këshilltarëve politikë dhe ekonomikë". Nocionet dhe konceptet e shërbimit publik tashmë janë zhdukur nga diskursi për median (e cila mbetet publike në emërtim). Liria e fjalës së gazetarit apo opinionistit është gjithnjë e më tepër e kufizuar, e shkelur apo e abuzuar rëndë, por tashmë jemi mësuar me këtë fakt, duke qenë se median e shohim si bahçe të pronarit të vet, që herë mbjell qepë, e herë domate, për të bërë sallatën e shtëpisë së vet (shpeshherë vihet re fenomeni i autocensurës tek gazetarët, në një ambient totalisht të pasigurt dhe abuziv). Eshtë e kuptueshme që liria e gazetarit, apo objektiviteti i lajmit do të vihen gjithnjë në diskutim sa herë që lajmi apo mendimi të ketë konflikt me interesat e pronësisë. Publiku nuk merret parasysh. E megjithatë asnjë media moderne nuk mund të ekzistojë pa publikun, këtë element sa të rëndësishëm, aq edhe të diskriminuar në ndërtimin e këtyre kompanive gjigande që ushtrojnë pushtet të pakontrolluar.

Pasi kanë studiuar marrëdhëniet e medias me shoqërinë, konjukturat e brendshme dhe të jashtme të këtij sistemi, jo pak studiues kanë nxjerrë përfundime kritike për sa i përket rolit të medias si përcjellës i lajmit, apo ndërtues i debatit publik (Hermann, Chomsky, Althusser etj.). Një ndërgjegjësim publik ka filluar të ekzistojë vitet e fundit, dhe nuk janë pak lëvizjet aktive sociale ose politike që kërkojnë një reformim të medias, në shoqëritë perëndimore. Por në Shqipëri nuk ndodh kështu. Deri më sot nuk ka një diskurs publik për reformim të medias, mbajtjes nën kontroll të komerçializimit, apo detyrimit për të ushtruar rolin edukativ, a për të ofruar mundësinë e pjesëmarrjes të grupeve të ndryshëm në diskurset publike. Reformat në Shqipëri diskutohen vetëm kur i ka bërë gjithë bota, dhe ne i ndjekim verbërisht, me instinktin e tufës. Argumenti luan një rol krejt të parëndësishëm.

Kjo nuk do të thotë që problemi i medias mainstream, e cila kontrollohet politikisht dhe ekonomikisht nuk ndihet tek ne. Përkundrazi, i gjithë ky degjenerim i gazetarisë, i fjalës së lirë, i sensit kritik apo vlerësues – që vjen nga skllavërimi i punonjësit të medias (që mund te pushohet nga puna pa një pa dy në rast se s'mban qëndrimin e duhur) ka sjellë një reagim publik, të heshtur por të qenësishëm. Në vitet e fundit me dhjetëra shqiptarë, kryesisht studentë e intelektualë kanë zgjedhur të përdorin median alternative. Kryesisht bëhet fjalë për blogjet, a për faqet e internetit. Për aktivizëm mediatik disa kanë zgjedhur të përdorin dhe hapësira virtuale si Facebook apo Twitter, të cilat edhe pse të mbytura nga marketingu ekonomik apo politik, si dhe nga injoranca masive e provokuar nga komercializmi, ofrojnë një marrëdhënie të lehtë me publikun, karakterizuar nga publikimi i shpejtë e i thjeshtë i materialeve (shkrime, video a foto), si dhe një shpërndarje efektive. Problemi i këtyre hapësirave nga ana tjetër qëndron tek masivizmi që shpie në ulje të cilësisë dhe në prodhimin e një efekti të lodhjes tek lexuesit. Media alternative më pak e përhapur në Shqipëri është radiotelevizioni i pavarur, në të vërtetë ekzistojnë fare pak përpjekje për të prodhuar transmetim pa qëllime përfitimi apo politike (rtv joqeveritare ose jofitimprurëse). Deri më tash përpjekjet e tilla janë fare pak, një radio në Tiranë dhe një televizion në Prishtinë, të dyja me status krejt lokal sa i përket shpërndarjes. Mjet edhe më i kufizuar në përdorim janë botimet e gazetave alternative, që zor se gjejnë hapësirë në këtë treg konfuz të mbytur nga 60 tituj gazetash të mbushura me palaçollëqe e me djallëzi.

Në një analizë që mund t'i bëjmë hapësirës më të përshtatshme që ka gjetur aktivizmi mediatik shqipfolës (përjashtohen qëllimet thjesht artistike apo ekzibicioniste), pra blogut aktivist, mund të vëmë re në përgjithësi dy fenomene kryesore, mungesën e konstruktivizmit si dhe shkëputjen nga dimensionet e jetës jovirtuale. Mungesa e konstruktivizmit shfaqet së pari në individualizmin e bloggerave, me të vërtetë shumica e blogjeve janë të menaxhuara a të kontrolluara nga një person i vetëm. Blogjet kolektive janë të rralla e mund të numërohen me gishta. Janë edhe më të rrallë blogjet kolektive të karakterizuara nga një vijë mendimi, qoftë kjo sociale, kulturore, apo politike. Individualizmi shpesh përkthehet në konfuzion, në panoramën e përgjithshme të blogjeve shqip, të cilat jo rrallëherë janë kontradiktore me njëra-tjetrën, si edhe me vetveten. Kjo lë të kuptohet që shumicës së autorëve të këtyre blogjeve i mungon një platformë e qartë e cilësdo natyrë, dhe në të vërtetë i kanë hapur blogjet thjesht për të përcjellë mendime a ide të rastit, në funksion të momentit e të vetvetes e jo dhe aq të publikut (që nuk është i vogël). Pjesë tjetër e rëndësishme e natyrës së një pjese të mirë të blogjeve është kritika dhe skepticizmi, i cili është krejtësisht pozitiv në kushtet e një shoqërie problematike si ajo perëndimore, apo defiçiente në përmbushjen e funksioneve të veta, si ajo shqiptare. Mirëpo ky skepticizëm mbetet destruktiv për sa kohë nuk propozohen alternativa apo zgjidhje, e për sa kohe nuk indikohen persona apo fenomene të denoncuar (mbetet i çuditshëm fakti që edhe pse virtualiteti të garanton anonimitetin, ky anonimitet shpesh shfrytëzohet për t'u tallur, e krejt rrallë për të thënë të vërteta mbi faje e mbi fajtorë, pra sërish ka një lloj autocensure). Më sipër përmenda edhe shkëputjen nga dimensionet e jetës jovirtuale, një fenomen i përhapur nëpër autorë blogjesh (edhe i kuptueshëm ç'është e vërteta, duke qenë se në përgjithësi strehë tek virtualja kërkohet kur të ka zhgënjyer realja). Kjo shkëputje demonstrohet hera-herës tek krijimi i diskurseve të kota, sipërfaqësore apo jo relevante. Përshembull në momentet kur atdheu përballet me rreziqet e neokolonializmit global, e kur shqiptari po zhvishet nga pronësia e po detyrohet të shkojë argat jashtështetit këto blogje e shpërqendrojnë fokusin tek atdhetarizma skënderbeiane. Në momentet kur vendi ka nevojë për njerëz aktivë shoqërisht e politikisht për të penguar shitjen dhe tjetërsimin e njerëzve e të kapitalit, personat që janë të aftë ta bëjnë këtë rezistencë zgjedhin të bëjnë punën e historianit, punë për të cilën jo rrallë herë nuk e kanë haberin. Një shembull tjetër do të ishte anatemimi që i bëhet analistëve dhe gazetarëve të mediave mainstream nëpër blogjet alternative. Në vend se të analizojnë më thellë problemet e përditshme, mungesën e lirisë, opresionin që ushtrohet nga politika e nga biznesi, bloggersat merren me viktimat, analistët e opinionistët që nxjerrin bukën e gojës duke folur në emër të shefit, ashtu siç marangozi sharron për të prodhuar dollapin që do të shesë, e jo të tijin. Megjithatë shtimi i numrit të blogjeve e të atyre që i lexojnë është një shenjë që nuk mund të keqkuptohet sa i përket trendit mediatik në Shqipëri. Nuk janë të pakta gazetat zulmëmëdha që në fakt kanë më pak lexues se sa disa prej blogjeve. Arsyeja është e kuptueshme, blogjet i kanë rezistuar presionit politik, apo atij të biznesit. Por sërish Shqipëria mbetet një vend me akses të kufizuar në internet (me gjithë moshën virtuale elektronike të kryeministrit). E vetmja mënyrë efektive që ndërgjegjësimi, lajmi dhe edukimi të përhapet në masat e gjera do të ishte bashkimi i përpjekjeve të aktivistëve të medias alternative (bazuar tek platformat e tek bindjet e përbashkëta), e realizimi i produkteve më të arritshme për grupet e ndryshme që mund të jenë në fokus.

41 Komente

Shiko Arber,

Objektiviteti i munguar nuk gjen dot hapesire ne asnje media alternative. Kur mungon, ai mungon, dhe kaq! Mund te ndodhe qe media mainstream nuk e perballon dot per nje mije e nje arsye objektivitetin. Ne kete rast personit qe i eshte mohuar objektiviteti nuk i mungon ai; thjesht i censurohet. Dhe nepermjet persertijes se saj, ai meson shkelqyer te vetecensurohet....dhe te perfundoje tek "alternativa".

Arsye perse media ne Shqiperi nuk funksionin ne rolin e saj mire-informues (e ta harrojme ate edukativin), ka sa te duash; duke filluar qe nga pergatitja e cale qe marrin studentet ne fakultet, tek braktisja ne perfundim te tij (qe perkon per ironi me fillimin e ushtrimit te profesionit); calon sa te duash menyra e drejtimit ne media (po kjo eshte totalisht e lidhur me politikat dhe interesat redaksionale e financiare)etj, etj, etj....e ka nje amatorizem qe ne ngjizje e deri ne perceptimin mediatik.

Ti e ke shume mire idene e bashkimit te përpjekjeve të medias alternative bazuar tek platformat e tek bindjet e përbashkëta, por kjo i perket asaj botes qe ti ke sjelle shpesh ne shkrim si reference, e qe nuk i ben medias shqiptare. As aktoreve, faktoreve e konsumatoreve te saj.  

Por ti ben shume mire qe e ngre si shqetesim!

 

Arber,

ide e mire dhe mund te provohet nese krijohet nje berthame e sinqerte.

Kothi *

Qe e ka shtepine ke lagjia e skraparllinjve

:@:@:@:@:@:@

T-Red.

Une bej nje dallim midis mainstream-medias, e cila jo vetem ketu, por kudo eshte e kontrolluar, dhe funksionon sipas skemave te filtrimit, dhe medias alternative, e cila ofron liri me te madhe, por e cila shpeshhere shperdorohet, ose nuk trajtohet konstruktivisht ne funksion te rolit shoqeror qe duhet te kete media, ne nje shoqeri te shendoshe(e megjithate kjo media alternative po rritet, e po fiton nje rol shoqeror te rendesishem, me ngadale). Eshte e vertete qe problemet jane te shumta, dhe shoqeria jone eshte larg te qenit e shendoshe, per arsye globale, rajonale, por edhe kombetare. Por kjo nuk pengon realizimin e projekteve te perbashketa, ne te mire te shoqerise, nga njerez qe jane te ndergjegjesuar, dhe qe pranojne te sakrifikojne qofte dhe pak kohe ne funksion te arritjes se qellimeve krejtesisht te realizueshme (perderisa jane realizuar gjetiu projekte te tilla, pse jo ne shqiperi?). Vetem common sense dhe vullnet duhet (me duket se sapo i dhashe pergjigje pyetjes "pse jo ne shqiperi" smiley )

Arbër, ashtu siç nuk je i detyruar që të shikosh televizionet komerçiale dhe gazetat e mbushura "me djallëzira", po ashtu mund të evitosh të ndjekësh edhe blogosferën smiley

Unë nuk kam ndërmënd të bëj këshilluesin apo rekomanduesin se në cilat blogje mund të gjesh reagime ndaj këtyre argumenteve që trajton ti, por jam i sigurtë që, edhe ndonjë blog që mund të rekomandoje ti... nuk është se bën kushedi se çfarë më shumë se të tjerët smiley

E, nuk eshte ceshtja ne zgjedhjen per te ndjekur ose jo median mainstream apo blogjet, ceshtja eshte se sa keto institucione te domosdoshme per shoqerine ne kushtet e sotme te dinamizmit interaktiv, luajne rolin e tyre social, pra ate te perhapjes se lajmit, te ndergjegjesimit, te informimit, te hapjes se diskursit mbi ceshtje me relevance sociale etj. Kjo qe thua ti eshte si me thene qe politikanet jane abuzues, e ti te pergjigjesh qe pse nuk zgjedh te tjere, ne dore e ke...eshte sistemi kulturor e politik qe shkakton problemin tek secili individ, por edhe tek strukturat qe krijojne keta individe. Puna eshte te gjejme nje zgjidhje.

Dhe po me ate shkelje syri po te pergjigjem qe nuk po sugjeroj asnje blog (mos me zhgenje, se kam besim qe ti nuk je pjese e paranojave dhe e kulturave te teorive te komplotit universal dhe gjitheperfshires). Idene e mora nga nje aleance bloggerash te majte britanike, qe kane krijuar nje koalicion goxha funksional ne ndergjegjesim, advokim e lobim per probleme te ndryshme...

Puna eshte te gjejme nje zgjidhje...

Vallahi unë jam me atë zgjidhjen e vjetër Sol... dikur e qujshin Revolucion smiley

Në një kohë që politka nuk pyet as për drejtësinë, ç'kujton ti, se do t'i bjerë ndërmënd se ç'thotë Merua, blogeri apo të gjithë së bashku???

Daiii, na mbetet të shpresojmë vetëm në frymën e shenjtë... se mbase i prek ndonjë çikë në sedër politikanët tanë... dhe kur kjo "shpresë" në një mrekulli të vjen prej një ateisti, imagjino se sa i bindur jam tek mundësia e realizimit të saj smiley.

Ndoshta shprehja e lirise se fjales ne kushtet e nje lirie virtuale (blogje, forume etj) jane nje menyre perverse e sistemit per te shtypur fjalen e lire dhe zhvillimin e saj ne boten reale?!

Shume interesant shkrimi. 

Mundet, por ne te vertete une me media alternative nenkuptoj dicka qe eshte pjese e botes reale, madje me te njejtat forma (shtyp, televizion) por ndryshon pronesia (nuk eshte politika dhe korporata) si dhe ndryshojne mekanizmat e kontrollit dhe te balancimit te pronesise (nuk jane me rrathe te mbyllur, por ka pjesemarrje dhe perfaqesim te komuniteteve te ndryshme te interesuara)

Ky do te ishte demokratizim i medias (reforma te propozuara tashme ne disa vende) - ndryshe nga oligopolet mediatike qe sot per sot jane te kudondodhura...

Hmm nuk e kuptoj insistimin per media 'me te njejtat forma' kur format e reja mund te jene me efikase (si nga kostoja, si nga perhapja).

Por kuptoj dhe jam shume dakort me idene e bashkimit/konglomerimit, qofte ne nivelin blog, qofte ne nivelin 'gazeta te vogla me tirash 200', qofte ne organizma te tjere jomediatike qe nuk ekzistojne tek ne.

Megjithese e kuptoj qe ka bezdi, dembelizem, ndanjehere edhe neveri per grupime, kete ia toleroj shume me shume brezit te vjeter por jo 20-30 vjecareve.

Patjeter qe (b)llogjojme te perhumbur dhe ne rrathe - dhe nuk duhet te presim qe efektin subliminal kjo ngritje ligjeruese ta jape dikur, diku, dhe me efekt ne PBB.

Arbër(a), fakti që autorët edhe në botën virtuale, në të cilën mund të shpreheshin nën mburojën e një nick-u, nuk arrijnë t'i përcjellin lexuesit një mesazh (nga ata që i pëlqejnë Solnoxit dhe mua?! smiley) do të thotë që nuk janë fajtorë vetëm mediat dhe pronarët e tyre, por niveli i ulët i gazetarëve... që më shpesh shkruajnë vetëm për të siguruar një vënd në panoramën e protagonistëve të ditës.

Jo vetëm që nuk janë në gjëndje të zhvillojnë një gazetari investiguese, por nuk kanë as nivelin e nevojshëm kulturor për të shkruajtur me një cilësi të bazuar në njohuri të kompletuara rreth argumenteve të cilat trajtojnë në shkrimet e tyre.... dhe ngelemi gjithmonë duke diskutuar "hartime", ku më shpesh vlerësohet gjetja e batutës së rradhës nga autori se sa mundësia  që ai të ketë trajtuar një argument ashtu si duhet.

gershetimi i interesave ekonomike me ato politike e mediatike eshte nje fenomen qe prek te gjithe eliten pushtetare te shqiperise, dhe ndarja e kesaj elite ne te majte e ne te djathte nuk funksionon, per arsye qe i kam argumentuar dhe me pare. Kemi nje elite elementet e te ciles jane te ndervarur nga njeri tjetri (pra jo te pavarur) - dhe objektivi politik i kesaj elite eshte thjesht dominimi mbi shtresat e tjera, vjedhja e pushtetit nga qytetaret, abuzimi me pushtetin si dhe propaganda me sukses e trushplarjes. Media eshte nje mjet ne duart e kesaj elite, dhe ndihmon per kete gje.

Eshte e vertete ajo qe thua ti, qe gazetaret shpeshhere nuk kane nivelin e pritur ne diskurs. Por per kete fenomen serish faji i bie menaxhuesve te mediave, dhe pronareve. Nuk mendoj qe kane ndonje gje ne dore gazetaret per te reformuar mediat, per te rritur kapacitetet e tyre etj. Jane thjesht rrogetare (shpeshhere militante) qe kane ankthin e madh te fitimit te jetes. Si analogji, shpeshhere thuhet qe fajin per qeverisjen e keqe e ka populli (fajin per gazetat e keqija e kane gazetaret). Une nuk jam dakord. Fajin per qeverisjen e keqe e kane elitat e qeverisjes me se tepermi, qe abuzojne me popullin. Ka faj dhe populli qe nuk ndergjegjesohet e nuk organizohet, po ky eshte faj amorf, faji me se tepermi bie tek ata qe e dine se c'bejne. Tek gazetat, fajin e kane menaxheret, pronaret, drejtuesit. Jane ata qe i lidhin marreveshjet, jane ata qe bejne politikat redaksionale, jane ata qe kastrojne punen e gazetarit...

Ca dore qe ke edhe ti Ed smiley

Pse s'merr nje shtepi andej nga lagjia e Kothit : P

Ky Soli ndonjëherë më duket se më lexon mendimet mua...

Kjo temë është shumë e gjerë për ta diskutuar, megjithatë po përqëndrohem te ajo pjesa nga fundi... ku flet për blogerat. Në fakt te Soli po lexohet ankthi i një të majti (që është pak a shumë në ADN të çdo të mëngjërismiley) për tu organizuar...

Nuk është e nevojshme të organizohet interneti sipas një vije mendimi. Madje do thosha se është e pamundur, për vetë karakterin individualist të çdo blogeri POR, ajo që mund të bëhet është referencimi, marrëdhënia e lidhur dhe e ndërvarur ideore me njeri tjetrin nëpër blogosferë. 

Çfarë kuptoj me këtë? Në rast se idetë, temat dhe problematika e blogersave janë të një niveli të tillë të lartë, pa dyshim ndikojnë në shoqëri. Ju jap disa shembuj nga Greqia si mund të arrihet kjo.

- Ka qënë një blogerist me emrin "picirikos" (kalamani është përkthimi), i cituar nga gazetat se realizonte satirën më të mirë në të gjithë mediat.

- Ka qënë rasti i një vajze topalle me një këmbë, që nëpërmjet internetit përshkruante situatën e saj dhe sa vështirë ishte të trajtohej njerëzisht prej doktorëve për shkak të problemit që kishte. Ky rast u bë i njohur nëpër mediat e shkruara dhe vizive pikërisht falë internetit.

- Rasti i fundit ishte me trazirat e mesdhjetorit ku shumë blogeristë thjesht duke shprehur mendimin e tyre personal, kuptuan se nuk ishin të vetmit që e shikonin situatën në të njëjtën mënyrë. Kjo gjendje pati një impakt të jashtëzakonshëm në vetë trazirat në jetën reale.

***

Thjesht duke shfrytëzuar lirinë e të shprehurit, duke u lexuar dhe duke menduar, komunikimi nëpërmjet internetit merr përmasa të mëdha. Madje do guxoja të thosha se kjo gjendje është revolucion për gjithë sferën e mediave.

Thjesht mendoni këtë:

- Çfarë do të thoshte rreth para 10 vjetësh të dilje në tv qoftë dhe për arsyen më banale të mundshme dhe çfarë do të thotë e njëjta gjë sot? Për mua sot nuk do të thotë praktikisht ASGJË! Para 10 vjetësh ishte eveniment smiley

 

Keto ke pergatitur per provim ti? : D

Mendoja se do ta merrnit pak me shume seriozisht kete teme.Mbase arsyeja eshte sepse, kemi debatuar aq shume shkrime, per terminologjine, Media e Shitur,sa ska me fjale per koment.

 

 

Gjithsesi , bloget jane me te vertet, nje forme shume e arrire e te shprehurit, edhe indipendente. Mbase edhe puntoret e gazetaret ( bie fjala tek gazeta Shekulli ) , flasin neper bloge, me lirshem.

 

 

Arber, nderkohe kemi filluar apo jo. Qofte ne boten virtuale, qofte ne ate reale. Tani, meqe shkrimi yt me gezoi pa mase po them eja te leme ndonje orar kete fundjave, mbledhim ca nga keta cunat persembari (patjeter ndonje birre) dhe ta pleqerojme. Te merkuren pata nje bisede ne keto vija me nje mikun tone te perbashket... ka hapsira, let's do it.

 

Tropizma, format virtuale i kemi provuar dhe deri me tani kane patur nje sukses relativ (me modesti), mendoj se duhet te kalohet edhe ne format e tjera, Print dhe Radio (sic po bejme tashme - por jo per veshet e tu tradhetare smiley ). Po te kishim hapsirat teknologjike si ne perendim do isha krejt me ty qe format e reja dalin dhe teprojne, por ceshtja eshte tek masat qe nuk kane mundesine te lexojne fjalet e mencura te X apo Y bloggeri aktivist.

 

PS. Trop: Ke mbyll telefonin? Me bej zile, ose me mire, eja dhe ti kur te takohena me Arbrin dhe t'tjeret.

...mbledhim ca nga keta cunat persembari (patjeter ndonje birre) dhe ta pleqerojme.

 

Blendo, duhet me thirr dhe ca nga gocat persembari - jo per barazi numerike, as per feminizem letrash, po a) se kane blogje cilesore dhe b) cka drjecin (si katolik gjakove e kam thane ket drjecin) do bejme vetem meshkuj, do pime e do zihemi? smiley

Me pelqen shume ngjashmeria e ftesave me prishjet selektive ne Jale smiley

Ti rregullo telefonin tend njehere, para se te akuzosh tropizmen smiley

si eshte ky muhabeti i prishjeve selektive ne jale? se e lashe fare, nuk vij smiley

Po ne Jale ca ndertesa u prishen, ca jo. Si t'i donte zemra atyre qe moren ne dore Jalen.

Edhe Blendit i ka vajtur mendja per birre edhe si i zoti i idese qe qenka, ndjek te njejten logjike ftesash si me siper : P

aaaa, se me trembe me ket muhabetin e prishjes selektive, s po me shkonte mendja te ndertesat smiley

Nuk e di une si e ka muhabetin e Jales ajo se ne nuk jina t'korruptum si Banka Botrore, ne jina pa konflikt interesi si Aqif Kopertoni...nejse.

Une nuk e kisha me perjashtu gocat mo jo se s'jom per sausage party. Po kur thash "cunat" i kisha perfshi ne gocat mren, si amerikont qe thone "guys" ose taljont "ragazzi" per grupet e perzime... Quhet? smiley

Ikni ore se u pendova. Bejeni partyn vetem smileysmiley

Pse me duket mua kjo , Si ftese per Gjah?

 

smiley

Sol:Idene e mora nga nje aleance bloggerash te majte britanike, qe kane krijuar nje koalicion goxha funksional ne ndergjegjesim, advokim e lobim per probleme te ndryshme...

Sol kjo eshte ide interesante dhe ja vlen per ta marre ne konsiderate.

Na hidh pak me shume drite se si e kane materializuar kete ide inglizet.Sepse ideja me entuziazmon por entuziazmi zbehet sapo sjell nder mend tre arsye:

-A mund ti besh bashke protagonistet e disa blogsferave pa patur friken e semundjes shkeullore  shqiptare : une jame i pari ne bajrakun tim dhe dua te jem i pari edhe ne Keshillin e bajraqeve!

-Cdo nisem qe synon te trondisi boten (shqiptare) dhe te promovohet si alternative e shtypit te kapur nga oligarkia financiare(pushtet & biznes) ka nje kosto financiare dhe kjo me kujtoi shkrimin e Chri Chri -se ne vitet 30: Nje botues shpalli kredon e tij se do bente namin ne qendrimin kritik ndaj qeveriase dhe fenomeneve negative te asaj kohe. Por...s kaluan disa kohe dhe po ndjente falimentin ....dhe ....i kerkoi financim Qeverise.!!

-e treta dhe me e rendesishmja: Vertet mendon se kjo toke ka qa trima zullumqare sa qe te mos fshihen pas nick name dhe te dalin me emer ne nje fletushke te shtypur kur dihen dy gjera:  

-qe liria e te shprehurit, ne nje mjedis qe lirine e ka fasade, eshte vetem ender e nje nate me  pub. 

-qe kurojoja civile jo gjithmone shoqerohet me pavaresine ekonomike.

 NO MORE HEROES I DASHUR SOL.

(Na thuaj si funksionon rastiN anglez)

A mund ti besh bashke protagonistet e disa blogsferave pa patur friken e semundjes shkeullore  shqiptare : une jame i pari ne bajrakun tim dhe dua te jem i pari edhe ne Keshillin e bajraqeve!

Vertet mendon se kjo toke ka qa trima zullumqare sa qe te mos fshihen pas nick name dhe te dalin me emer ne nje fletushke te shtypur kur dihen dy gjera:

 

Good points, spiritus. Mua me duket se Saktivista vete eshte nje shembull i tille bllogu.

Ne rastin anglez jane nje grup prej 10 blogjesh te profilit te majte politik, dhe kryesisht bloggerat jane njerez te akademise, por ne te njejten kohe dhe aktiviste. Kane rende dakord per disa qendrime politike dhe tema, dhe i trajtojne ato se bashku neper blogjet e tyre te vecanta. Gjithashtu kane filluar te nxjerrn nje gazete (e njejta gje ka ndodhur dhe ne slloveni - me gazeten reartikulacija).

Gjithsesi, sa per punen e kryebajraktarit, ne rastin e platformave me bindje te perbashketa te majta, gjerat presupozohet qe vendosen me diskutim e me debat, dhe jo me kryebajraktar.

Sa per financat, eshte teper e veshtire, por jo e pamundur, duhet me e diskutu me gjate se si e se qysh (ideja eshte qe dhe ky publikimi do jete dicka lowcost).

Sa per kurajon, ne momentin qe behet nje grup i cili merr hapesire publike dhe vemendje, asgje nuk ndodh. Represioni ndodh vetem kur je vetem.

 

Self: Good points, spiritus. Mua me duket se Saktivista vete eshte nje shembull i tille bllogu.

E di dhe i pergezoj SMR ...por..

....o moter them:

pranvera me nje lule, jooo nuk vjen smiley

Spiritus tek blogu saktivista autoret e kane zgjedhur rrugen e tyre. Shkrimet botohen me emer dhe mbiemer. Kurajo civile ekziston kur jeton me etike, me moral, me nje panoptik mbi jeten politike dhe jo ngushtesive personale.  

Duhet nje risk asiessment As para se me i dhene jete nje nisme. Kjo eshte ajo qe sugjeroj.Entuziazmi eshte shtyse e mire por jo gjithcka.(Skepticizmi eshte mendja e kalit.Entuziazmi eshte mendja e kalorsit smiley

Risk assessment behet gjithnje, dhe ne fund natyrisht qe vendimi merret ne perputhje me rrezikun qe mbart. Por duke qene media alternative, ofrohen dhe mundesite e anonimitetit, pseudonimit etj.

Spiritus, nese autoret kane vendosur te kritikojne hapur, ne menyre direkte dhe pa asnje medyshje sistemin hibrid te instaluar tek ne, kjo do te thote qe vleresimi i situates, si ne menyre sasiore ashtu dhe cilesore, eshte bere nga autoret! Le te jemi stoik!

Sol, As & tutti qe kerkojne ti bashkengjiten kesaj nisme - uroj me zemer te realizohet.Nuk po bej Kasandren smiley

Reziku dhe ndikimi shkojne ne perpjestim te drejte. Do thoja, po te ishte dicka pa rezik, do ishte gjithashtu nje gje e rendomte qe askujt nuk do i hynte ne pune. Sa per baraktarizmin, them se ka ca kokrra ketu verdalle qe i kane egot top me shendet. I kane pas mundesite te ngrefosen ne menyre permanente neper studio televizive sic bejne ca kokepallaska, analusha qe i kemi qujt "invalide mendimesh" dhe nuk e kane bere, per respekt te vetes. Duhet te kesh komplekse te jashtezakonshme te duash te flasesh vetem ti, gjithe kohes per cdo gje, edhe pse je nje hajvan injorant, nje kokerr qe as lexon, as nxe... Une i irrituar? Jooo! smiley

Duhet te flasin cunat dhe gocat, dhe gocat se na mbyten zarat.

Thënia e Ditës

Sa per bajraktarizmin, them se ka ca kokrra ketu verdalle qe i kane egot top me shendet. I kane pas mundesite te ngrefosen ne menyre permanente neper studio televizive sic bejne ca kokepallaska, analusha qe i kemi qujt "invalide mendimesh" dhe nuk e kane bere, per respekt te vetes. Duhet te kesh komplekse te jashtezakonshme te duash te flasesh vetem ti, gjithe kohes per cdo gje, edhe pse je nje hajvan injorant, nje kokerr qe as lexon, as nxe...

sapo degjova nje emision surprize tek televizioni i ilir metes, ora 24, ku fred peza kish thirr muc nanon, andre stefanin, mero bazen dhe luan ramen. flitej per punen e objektivitetit dhe nevojes per opinioniste dhe komentatore te ngjarjeve.

Duke qene se une i perkas pjeses qe mendon se gjithnje ka nevoje per analiste, komentatore dhe opinioniste qe kane aftesite intelektuale per te analizuar fenomene, per te sintetizuar analiza dhe per te nxjerre perfundime logjike, merrem me objektivitetin.

Muc nanua tha qe e paska bere si amerikanet, e paska deklaru qe eshte me ramen, se eshte mire te iki berisha. stefani tha qe eshte mire te iki berisha, po meqe dhe rama eshte diktator, le te vije meta. ketu qendron nderhyrja ime modeste, me abstragim. nderkohe qe eshte e vertete qe nuk ekzistojne njerezit e papozicionuar mbi ceshtje, (pra kur vjen puna per taksat, njeriu sipas pozicionit social dhe ndergjegjesimit ose deshiron te rriten, ose deshiron te ulen, ose deshiron te zhduken), ky pozicionim gjithmone duhet te behet mbi baze te parimeve logjike, e jo mbi baze te etiketave siperfaqesore.

Psh, une jam i majte. pra vetiu nuk jam me berishen, as me mediun, as me mbretin, as me te tjeret. Jam kunder politikave te djathta ne koncept dhe ne parim, dhe jam kunder tregut te lire, qe eshte provuar se prodhon klasa dominuese, dhe klasa te paafta per t'i rezistuar dominimit. kjo eshte bindja ime.

Por kjo nuk me ben dot me ramen, i cili e spostoi ps-ne haptazi drejt qendres (jo drejt qendres se majte, po drejt qendres pa ngjyre, asaj te mesit fare). Nuk me ben dot me ramen i cili nuk eshte madje as per keynesian welfarisme, ai sot sapo permendi kapitalizmin qe u dashka ndertuar ne fshat (ne vend se te fliste per bashkepunimin ne sipermarrje sociale - sic do i takonte nje te majte pak sociale dhe shume demokrate, ekstra te moderuar). Nuk me ben dot me ramen, i cili mohon parimet demokratike te pjesemarrjes dhe te bashkepunimit, dhe nuk ka arritur te ndertoje nje parti ku te kete liri fjale (me perjashtim te erjon braces qe e shperdoron lirine e fjales, ose te ben blushit qe do me u bo kryetar vete).

Kjo nuk me ben dot as me meten, i cili kohet e fundit ka filluar te shperndaje ne menyre subversive lajmin qe po iu desh, do beje aleance dhe me berishen. nuk me ben dot me meten se eshte njeri qe ka abuzuar me pushtetin, duke vjedhur por edhe duke ndertuar nje lloj fashizmi qeveritar ne kohen e vet, ku vendimet kalonin te gjitha nga ai (pak a shume sic ben tani te partia). nuk me ben dot me meten, sepse ai e trajton partine si biznes, c do bente me shtetin? nuk me ben dot me meten sepse ka ndertuar nje formu reaksionar, ku ka nje qendrim te hapur e te shpallur antiintelektualist.

e nuk me ben dot me asnjeren prej partive "te majta", qe ende nuk kane mundur te filtrojne letyrat e korruptuara deri ne fyt qe u ka dale boja publikisht. Ende nuk kane folur nje fjale per shtresat ne nevoje. Ende nuk kane treguar se si do te punohet per mireqenien sociale. Ende nuk kane deshmuar se si dine ta respektojne median e lirine. Pra jane i njejti soj me berishen qe shajne.

Nuk mund te sillesh ketu si anglosaksonet qe endorsin njerin prej kandidateve. Sepse ketu kandidatet nuk kane qendrim parimor, dhe ende diskutohet nese dine apo s'dine te jene qytetare qe zbatojne ligjet, e lere me qeveritare.

Prandaj duhet rezistenca dhe denoncimi!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).