O njeri, më duhet një lugë.

O njeri, më duhet një lugë.

Andi Kananaj

Mendja është një instrument i çuditshëm. Të bën shaka herë pas here që ti vetë nuk do t’i dëshiroje. Ja, psh. unë jam i majtë i vet-shpikur, e i vet-shprehur në të gjitha mënyrat që njoh tek të njohurit e mi pa asnjë përjashtim ideologjik. Po atehere pse vallë nuk po bie dakort me slloganin “taksa e votës”. Dua, po nuk po mundem të kaloj në anën e duhur… ndoshta për mizantropi akute.

Dimri për fat nuk ishte i gjatë, por kriza duket sikur ftoh dëshirat e shqiptarëve për të blerë ndonjë gje-send më shumë. Thithin ajër me beton-pluhur, se tjetër nuk ka. Shpojnë shtyllat e elektrikut me tela të varur rënde rënde, se ndryshe nuk do të mund të shohin në lajme, që janë të varfër. Ahh… më duket se jam “i vetmi” që mendoj se një shqiptar që s’ka të hajë, është më i varfër se një shqiptar që nuk voton dot. Duhej një parathenie letrare apo jo, se kush jam unë që të shkruaj pa parathënie me fjalë të përzgjedhura.

Një miku im më ftoi të shkoja e të mësoja salsa. Unë, si qenie e kompleksuar nga vrulli i të tjerëve refuzova. U ula dhe duke tentuar të bëja një refleksion mbi veten, fillova të shoh lajmet. Sipas radhës, renditeshin familje të varfra që nuk mund të blinin dot kartën e identitetit. Nëse punon gazetar, të mësojnë që një njeri i varfër, për arsyen e vetme që është i varfër nuk mund të jetë lajm. Ka shumë të tillë. I shohim perditë dhe nëse rrotullojmë kokën pa itinerar nga mosdashja. Duhet një detaj që ta bëjë të rëndësishëm. Cinike. Cinike gjithashtu që një qytetar në ditë të hallit (i njejti) por që nuk mund të votojë për shkak të kartës së identitetit, me çmim 1200 lekë (aq sa buka e 20 ditëve), merr “vlerë” dhe del disa herë në të njëjtin edicion. Ka kokën e lajmit, ka titrat, ka intonacionin e duhur, dhe si pa të keq ka në dispozicion një staf me të gjithë kohën e dritave që ai vetë “i merr hua” nga shtylla. Po ku ishin dje televizionet, që sot po qajnë për të? Politikani që del më pas, ku ishte një ditë më parë? Po sikur me kartë në dorë, në atë derexhe të sëmuret, kush do paguajë? Nëse me kartë në dorë do t’u duhet të paguajnë për fletoret e fëmijëve që duhet të shkojnë dhe në shkollë, do kujtohet njeri? Aty kur uria e kap në mes të natës, do ketë titra, apo i duhet të presë datën 28 qershor, që të jetë pjesë e ndonjë ndryshimi për të cilin s’ka informacionin më të vogël? Sa shumë ngjajnë këta njerëz me një kategori mëkatarësh të detyruar të paguajnë për një zot që i ka harruar përfundimisht. Grekët kishin zotin e tyre të mençurisë e të luftës, zotin e detit, zotin e dashurisë... Neve pas-ilirëve do na mjaftonte Zoti i Politikës. Një Zeus gjëmues, për ÇDO DËSHIRË. Duhet ta mbajnë shpirtin gjallë deri në zgjedhje, që të paktën fajet e djeshme t’u falen.

...

Opozitarët po presin me optimizëm të sinqertë, gati në përcëllim ndjenjash. Shpresat me vektor nga Pozita i humbën, e sytë i kanë të drejtuar me entuziazëm të sinqertë nga qielli, dhe se kryetari i kësaj here është tepër i gjatë.

Beso ç’të të thotë zemra,

...nuk ka garanci nga qielli.

Nuk ka prishje qejfesh, se fjalët e piktorit duken fjalë të dala nga zemra. Nuk ka pse të vihet në dyshim, që ka një program 1000 fletësh. Një parti me 50 mijë anëtarë mund të bëjë dhe më shumë. Kaç Myftaraj (autor fantapolitike), po qe se duhen shembuj, mund ta kish shkruar i vetem. Sikur vetëm thashethemet e oborrit të partise të traskriptonin, do ndertohej nga e para një bibliotekë kombëtare. Po ku janë premtimet, që si kuran po presim me aq ankth? Me siguri po redaktohen, që ne ta lexojme pa gabime drejtshkrimore, me “ë” dhe “ç”, siç i ka hije një populli që do bëjë hapin e madh, përtej tranzicionit. Jam i bindur që plani i madh 4 vjeçar, që do të na transportojë në vitin 1405 (fundi i mesjetës sipas historianëve) do të jetë më i miri i të gjithë kohërave. Dua ta lexoj me një frymë si nxënës i zellshëm. Se do na duhet ta lexojmë të gjithë, apo jo? Se do na duhet të gjithëve të bëjmë pjesën tonë, kur dielli të agojë, deri nën shkëlqimin e rubintë të yjeve në ditët e “post-zgjedhjeve”. Duhet të jemi të gjithë të përfshirë, e nëse jo...

Veç po qe plani kaq gjenial, që si një perpetuum mobile, të auto-realizohet, e nga lart të vijë mrekullia aq e pritur. Ndoshta me pak vullnet do na zevendesojnë me “Nordike”sa barbarë, aq dhe punëtorë, meqë një thënie e vjetër ka profetizuar se nuk mund të bëhet Shqipëria nga shqiptarët. Pra të kalohet me elegancë nga një idiotësi... në realitetin magjik. E nëse ka një plan të tillë kaq të menduar, do na duhet të presim për programin një mijë faqesh, të paktën derisa të na e perkthejnë nga Gjermanishtja si dikur librat e Remarkut. Sa të bukur librat e Remarkut. Kot nuk nisa të mësoja salsa, ndoshta bija pak në peshë.

...

Program

Nga malet e larta e fushat e gjera, fati po u sjell shqiptarëve plot ushqime të mira. Bukë misri të ngrohtë me misër kanadez, peshk te tymosur nga deti ynë por të peshkuara nga peshkarexha italiane, tranguj e domate në kuti ndihmash, mish nga argjentina të pa klasifikueshëm, patëllxhane dhe patate të modifikuara nga shkencëtarë të huaj.

Një politikan serioz: do qëndroni këtu, do hani çdo thërrime të kartës së identitetit, pastaj do largoheni ku të doni.

Një qytetar: Po spitale do ketë?

Një politikan serioz: Ti do që të them po...?

Nje qytetar: Po

Politika na ka mësuar se asnjë premtim nuk është i turpshëm. Asnjë pozicionim nuk është i gabuar nëse në fund fiton. Lëre mendjen të jetë një strukturë neuronesh që hallakatet në mendime, por gjithmonë me zë të ulët. Vetë, duam s’duam jemi pengje të rrotës se fatit. Duhet ti bindemi vullnetit të politikanëve. Duhet të durojmë, të përdridhemi si tinguj gajdeje, të jemi kurdoherë modestë dhe të pafuqishëm. Nëse natyra jote është fikur dhe kur të vjen të ndezësh boten, atëherë bëhu gati për suksesin.

2 Komente

Dua, po nuk po mundem të kaloj në anën e duhur… ndoshta për mizantropi akute.

Me duket se ke nevoje te kalosh "pertej te majtes dhe te djathes" ose te synosh te pakten nje certifikate ne ngjitjen e Murit Kinez, qe te biesh rehat.

P.S. Kur te kalosh murin kujdes se mos bie nga ana e Mongolise se do maresh veten me qafe.

Kemi vite qe ngopemi me luge te zbrazet ne. Po me mire te kishim zgjedhur pirunj se te pakten, do t'ia kishim vene fajin mjetit ushqyes qe s'e mban hajen, ( dihet, corba jone e perditshme s'hahet me pirun) se sa vete hajes qe s'ekziston hic. Lum ata qe, tani ne prag zgjedhjesh, mendojne te ngjeshin lugen ne brez se pas zgjedhjeve do te behet deti kos  e do hane te gjithe me luge te florinjte!

P.S. ku ishte kjo shkolla e salses, se me intereson... smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).