<b>Numerologjia e

Numerologjia e 12-tës në kronikën e një dite normale

Krenar Zejno 

Sot më 12 dhjetor 2009 gazetat kanë shfaqur në kronikat e tyre një duzinë ngjarjesh me një larmi të pakrahasueshme e që po i përmbledhim, por edhe shtjellojmë disi numerologjikisht, rreshtuar në 12 pika:

1- Më 12 dhjetor 543 vjet më parë Papa i Romës paska pritur në audiencën e Selisë së Shenjtë Skënderbeun, të cilin disa shekuj më pas e ngriti me gjithë kalë në një monument me pllakën e dedikimit si kalorës i paepur i qytetërimit: “impavido difensore della civilta occidentale”, vendosur në njërën nga piacat kryesore të kryeqytetit italian, themeluar 743 a. c., aty ku prej konsujve të perandorisë lindën 12 tavolat e ligjeve të së Drejtës Romake.

2- Sot më 12 dhjetor Papa Benedikti i XVI pret në Vatikan nën kupolën e 12 apostujve kreun e shtetit shqiptar të shqiptarëve të Shqipërisë – Shqipërisë, pjesë e pavarur e vendit të shqiptarëve qysh prej vitit të 12 të shekullit të shkuar. Kreu i shtetit ende të pakryer tërësisht të shqiptarëve, në emër të shtetit i bën ftesë zyrtare Papës të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm me rastin e 100 vjetorit të ditës së lindjes së nënë Terezës. Ndërkaq në vatan më 12 Dhjetor kanë ndodhur ndodhitë e zakonshme zakonore qysh prej 543 vitesh.

3- Përkujtohen katër djemtë e vrarë në kufi më 12 dhjetor 1990 të cilët tentuan të kalonin klonin dhe pas një gjysmë duzine vitesh nga vdekja e tyre shpallen më 1996 me dekret “martirë të demokracisë” dhe sot jubilari i fatit të zi të tyre sillet në kujtesën e vendit, teksa shumë prej njerëzve me memorie historike mendojnë paevitueshmërisht edhe eksodet biblike që patën ndodhur gjer 12 shekuj përpara apo dhe mizoria nëpër 120 ditët e sodomës…

4- Mësohet se më 12 dhjetor një nënministër me mbiemër faunistik ekzotik, përgjegjës për infrastrukturën zgjedhore, si: kartat e identitetit, transparencën e kutive plastike të tejdukshme dhe survejimin e numërimin e këtyre, kërkon të ngrehë padi mbi 12 çështje të domosdoshme e të mjaftueshme për shkarkimin e kreut të palës opozitare, mbiemri i të cilit, që nga ana e vet sapo ka ngrehur 12 padi, gjashtë civile dhe gjashtë penale ndaj kreut të qeverisë për fyerje dhe shpifje, është i njëjtë me atë të atësisë së këtij të fundit, shkruar sipas rregullit të identitetit të plotë në dosjen e padisë.

5- Njoftohet suksesi i operacionit të koduar “24 orë”, që lë të kuptohet se është kryer i tëri brenda të njëjtës datë 12 dhjetor, që si çdo ditë jet’ e mot është e ndarë në dy pjesë me nga 12 orë. Ky operacion është kryer natën, fill pas një ngjarje horror, në mes të ditës, nga gjashtë autorë, e që përfundoi me vënien në pranga të këtyre, të cilët në bashkëpunim dhe nën drejtimin e një polici kanë torturuar primitivisht si dhe i kanë prerë gishtat një qenieje që nuk pat shlyer dot borxhin prej 1200 euro ndaj policit. Ndërsa ky nga e tij cilësohet si koleg i atyre që i hodhën prangat, teksa të tjerët, me prejardhje të ndryshme e të larmishme nga skaje të vendit dhe banues mu në “Tiranën e Re”, pa asnjë precedent penal, quhen autorë. A thua, se është gati t’u lindë e drejta të kërkojnë të drejtën e autorit për ekzekutimin e paprecedent qysh prej ligjeve arkaike të Sollonit mbi shpagimin me prerje gjymtyrësh. E meqë kaluam nga filotortura në filologji, bashkësia e tyre cilësohet bashkëpunëtorë dhe aksioni – bashkëpunim, duke e çuar gjer në katastrofë edhe kuptimësinë e termit punë.

6- Regjistrohet në gjykatën ndërkombëtare dosja e genocidit ndaj popullsisë çame prej përmbajtjes të së cilës është vënë në thonjëza dëshmia e kujtesës së një të moshuari që e dëshmon kështu kohën e masakrave zerviste kur ai ishte 12 vjeç: “ …grave u çanin barkun me thikë, pasi nuk përdornin plumba, dhe u lëshonin mace nëpër çitjane për t’i torturuar”; dhe bëhet e qartë se është fjala për torturë makabre ndaj rropullive njerëzore gjer dhe përtej vdekjes.

7- Digjet prej një bombe makina e diplomatit shqiptar në Selanik. Mund të jetë një veprim normal i anarkistëve ndaj ndërkombëtarëve, por po hetohet edhe pista e qëllimshmërisë lidhur me automjetin në fjalë ose me vetë njësinë diplomatike shqiptare, nëmos edhe me tërë Shqipërinë.

8- Babë e bir e bijë bien nga ura e Shtrezës, ku vdekja e radhës kësaj radhe e ka zënë pusinë jo në pus, por poshtë në lumë. Biri i babës do të martohej të nesërmen e 12 dhjetorit dhe bash më 12 dhjetor bashkë me të atin dhe motrën me emër floreal- Lule, parukiere në Kukës, po mbërrinin në kilometrat e fundit për në Shishtavec, me gjithë vellon dhe pajisjet që motra kish përgatitur për të gatitur nusen që të nesërmen do të nusëronte. Fotografia që realisht shoqëron kronikën, paraqet lumin që ka ndaluar rrjedhën në çastin e shkrepjes si dhe rrotat përpjetë të një karkase traktor ose zetor, por mund edhe të ngatërrohet, prej ngarkesave të kujtesës, me trajektoren fatale të një desanti ajror.

Përshkrimi, pak a shumë: Udhëtonin në ditën e 12 dhjetorit të gdhirë në dëborë, mbi një traktor me 12 goma për ditë feste dhe jo me llokma të përshtatshme për të rrugëtuar në borë. Traktori, i pavarur më nga drejtuesi i mjetit që vetëm shkul leshrat nën panik sapo vëren qëllimin e kthesës së mjetit të paudhë, thyen barrierat prej shkarpe dhe bie në rënie të lirë në lumin i cili është po ai i plot ngjarjeve të tjera që kanë rrjedhur në të, pavarësisht se s’është asnjëherë e njëjta rrjedhë.

Kronika e kësaj mortjeje sikurmigjeniane shpall se gabimi i aksidentit ishte bora dhe ngarkesa jashtë kapacitetit me persona, si dhe kapaciteti i pamjaftueshëm i personit që drejtonte mjetin në rastin e caktuar. Gjëra që rrëmbejnë brenda ngjarjes pak nga gjithë çka ngjet në këtë vend me kroje e lumenj dhe ura pasarela 12 shekullore që mezi mbahen më hava, si kronika pasarele.

9- Ndërkohë, paralel me këtë ditë 12 dhjetori këtu në vatan, përtej e matanë detit ku përfundojnë gjithë lumenjtë, kreu që drejton shtetin tëhú, humbet kontrollin po sot më 12 dhjetor në Vatikan; dhe prej panikut se mos mbetet pas Skënderbeut synon edhe titullin “Atlet i Krishtit” edhe një herë, 543 vjet më vonë, duke bërë një paraqitje sportive përgjatë 12 muajve të vitit që po fundon dhe rezultateve të performancës atletike mbi Murin e Madh Kinez dhe notimin për 123 minuta në detin Jon, sipas imitimit të modelit Mao Ce Dun në lumin Jance.

10- Si sot, më 12 dhjetor, një duzinë e gjysmë vite përpara, është themeluar Partia Demokratike e Shqipërisë, që solli lirinë dhe demokratizimin e kësaj të fundit, por sot, në këtë jubilar të saj, është harruar të festohet kjo ditë, pasi kreu, sipas edhe kronikës së mëparshme, është në pritje të shpalljes “atlet” dhe duke mos qenë prezent për t’ua kujtuar atyre që e themeluan, festa nuk ka sesi të ndodhë. Nga njëra anë, sepse nuk janë më prezent as ata vetë që e themeluan partinë demokratike, por edhe ngase në do të ndodhte festa, kreu i saj do detyrohej ta përshëndeste nga selia e shenjtë dhe kjo nuk shkon. Nuk është fjala për implikime e komplikime religjoze, porse një mesazh i tillë nga jashtë mund të sillte në kujtesën e njerëzisë përshëndetjen asokohe, kur në një fjalim, 12 ditë pas themelimit, kreu i sotëm do ta ofronte veten për së jashtmi si “…mik i Partisë Demokratike” gjë që shpreh drejtpërsëdrejti miqësinë ndaj saj, por jo qenësinë në themelinë e saj.  

11- Deputetët e majtë luajnë rolin e policisë private të kapitalit dhe bëjnë dezhurn te ruspa e të djathtëve që ajo të mos dëmtojë kapitalizmin, duke u angazhuar seriozisht për punë që normalisht duhet ta kishin së pari për xhins drejtuesit e kësaj të fundit, fadromës, e cila shfaqet papritur dhe synon të shkatërrojë kapitalin 12 katësh të kapitalistit, duke sekuestruar kështu edhe misionet politike të palës në vendroje që kjo të mos ndodhë, në këtë vend ku ndodhitë e ndodhura janë një hibrid mes ligësisë, ligjshmërisë, mërisë, ligjërimit, plot vetëgjyqësi dhe elegji, që tashmë përfshijnë në gji të eposit modern vargje me fadroma, fantoma, ruspa e ruspie demokracie.

12 – Në suplementin “Ndryshe” të gazetës, ku paraqiten kronikat e të ndryshmëve nga bota dhe universi, faqen e parë e zë rasti i një fëmije 12 vjeçar i cili pranohet në Universitetin e Harvardit prej aftësisë së tij të jashtëzakonshme për të përllogaritur e kryer veprime matematike me shumë shifra, porse kjo dhunti gjeniale e tij rrjedh nga një patologji dhe gjendje kronike e autizmit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).