Njerëz dhe ligje...,ligje dhe njerëz...

Njerëz dhe ligje...

 

... ligje dhe njerëz...

 

Ardi Stefa

 

Në një ndërmarrje, diku në Greqi, u mësua se njëri nga punonjësit ishte i sëmurë me virusin e AIDS (SIDA). Pronarët i kërkuan punonjësit që të largohejnga puna, të dëmshpërblehej dhe të shkonte në një vend tjetër pune, ku, me pak fjalë të ishte i izoluar dhe të mos ishte në kontakt me kolegët e tjerë.

 

Me kolegët, të cilët e shikonin dhe tmerroheshin se mos u ngjitej SIDA.

 

Punonjësi nuk pranoi të largohej, as të izolohej. Atëherë pronarët u “detyruan” që ta pushonin nga puna. Personi në fjalë iu drejtua Drejtësisë që të fitonte të drejtat e nëpërkëmbura. Në dy gjyqet e bëra të shkallës së parë, ai fitoi, dhe gjykata me vendimet e saj i detyronte pronarët që ta rimerrnin në punë dhe ta dëmshpërblenin për mundimin fizik e psikologjik që i shkaktuan...

 

Por Gjykata e Lartë, të cilës iu drejtuan pronarët, zbuti dënimin për pronarët. I dha të drejtë punonjësit, por..., edhe ai, punonjësi, duhet ta kuptonte gjendjen e pronarëve dhe dëmet e ndërmarrjes nga prania e tij atje!...

 

Kjo ngjarje nuk është trillim, është më se e vërtetë. dha ka ndodhur në vitin 2009 në Greqi!

 

Sipas ligjeve është e drejtë jo vetëm e ligjshme, por edhe politike, që njerëzit e sëmurë apo me probleme të ndryshme shëndetësore, të mos izolohen nga shoqëria dhe puna, të mos izolohen nga e drejta e të qenit pjesëtarë aktivë jo vetëm në punë, por edhe në shoqëri...

 

Por këto janë fjalë të përgjithshme. Sepse kur një i sëmurë nga SIDA, shfaqet në lagjen tonë, punën apo familjen tonë, atëherë, si me magji, bëhemi shumë herë më pak të përparuar, shumë më pak të civilizuar.

 

Atëherë kujtohemi se kemi fëmijë, shëndet delikat, apo punonjës të tjerë që duhet të kujdesemi se mos u prishet qetësia shpirtërore.

 

Të gjitha mirë deri sa gjembi të shpojë gishtin tonë.

 

Vitet e fundit, informimi në lidhje me SIDA-n, është shndërruar veçse në disa fjalime apo informacione të përgjithshme, apo shpërndarje profilaktikësh në rrugë apo me gazetat, në 1 dhjetor, kur është edhe Dita Botërore e Luftës Kundër Sida-s.

 

Me qindra, mijëra të sëmurë- informacion zero...

 

Personat e infektuar preferojnë që të “zhduken” nga kjo botë dhe të mos pranojnë se janë të infektuar nga kjo sëmundje. E dinë se deklarimi i gjendjes së tyre shëndetësore, nënkupton shkatërrimin e tyre profesional dhe “vdekjen” e tyre sociale.

 

Jetojnë një makth të heshtuar ata dhe familjet e tyre. Përveç atyre që zgjedhin rrugën e të ngriturit të zërit.

 

Dhe për mua, ky person anonim i infektuar nga SIDA, i cili kishte kurajon të ngrinte zërin, të këmbëngulte për të fituar të drejtën e tij, në të njëjtën kohë kur luftonte për të përballuar sëmundjen e tij, është heroi i heshtur i ditëve tona, heroi i vitit...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).