Një Zot për Ajnshtajnin

Marrë nga 'Einstein' prej W. Isaackson
Përktheu Fatma J.Kristo

Në vogëli, Ajnshtajni e kishte pasur shumë të vështirë të mësonte të fliste. "Prindërit e mi ishin aq të shqetësuar - kujton ai më vonë, - sa që u konsultuan me një mjek." Madje edhe mbasi kishte filluar të përdorte fjalët, vetëm mbasi kishte mbushur dy vjeç, me mënyrën se si fliste e kishte bërë shërbyesen e familjës t'i vinte nofkën 'der depperte' (leshko). Sa herë kishte diçka për të thënë ai e pëshpëriste me vete më zë të ulët derisa i dukej mirë ta thoshte më zë të lartë. "Çdo fjali që do të thoshte - kujton e motra e tij më e vogël - pavarësisht se sa e zakonshme dhe e përditshme të ishte, ai do ta përsëriste me vete më zë të ulët duke lëvizur buzët. Ishte e ankthshme, ai kishte aq shumë vështirësi me gjuhën sa të gjithë ne trembeshim se nuk do të mësonte kurrë të fliste"
Krahas zhvillimit të ngadalshëm, Ajnshtajni ishte njëkohësisht kundërshtues e i paturpshëm ndaj autoritetit, gjë që e bëri njëherë një mësues ta dëbonte nga shkolla kurse një tjetër të shprehej se ai kurrë nuk do të kishte rezultate në mësime. Këto tipare e bënë Albert Ajnshtajnin kampionin e fëmijëve të prapambetur në mësime nëpër shkolla. Por ndërkaq edhe e ndihmuan, siç ka supozuar më pas ai vetë, të bëhej gjeniu më krijues në shkencën e kohëvë modernë. Përçmimi i tij i fortë ndaj autoritetit e bënte Ajnshtajnin t'i vinte në dyshim dijet e marra në një mënyrë të tillë që askush nga asistentët e mësuar mirë të akademisë nuk e kishte menduar kurrë.
Dhe sa për zhvillimin e ngadaltë të të folurit, ai mendonte se kjo e kishte lejuar të vëzhgonte me kërshëri fenomenet e përditshme që të tjerët i merrnin të mirëqena. Në vend të përqëndrohej mbi sende misterioze, ai e bënte këtë mbi të zakonshmet. "Kur pyes veten-ka shpjeguar njëherë Ajnshtajni- si ndodhi që zbulova teorinë e relativitetit, mesa duket ka ndodhur në këto rrethana: Të rriturit asnjëherë nuk e lodhin kokën më problemet e kohës dhe hapësirës. Për këto gjëra ata kanë menduar kur kanë qenë femijë. Por unë u zhvillova aq ngadalë sa që më ndodhi të zhbiroj për kohën e hapësirën kur isha tashme i rritur. Për pasojë u thellova më tepër në këtë problem se sa mund ta bënte një fëmijë. "
Në një prapavështrim duket logjike që kjo ndërthurje e adhurimit dhe kundërshtimit (awe and rebellion) e bënë Ajnshtajnin të jashtëzakonshëm si shkencëtar. Por, cfarë është më pak e njohur, këto dy tipare i dhanë formë gjithashtu përvojës së tij shpirtërore dhe përcaktuan natyrën e besimit të tij. Rebelimi përkon me fillimin e jetës së tij: ai flaku tej së pari laicizmin e prindërve të vet e më pas edhe konceptet e ritualeve fetarë si dhe konceptin e një Zoti të përveçëm që ndërhyn në punët e përditshme të botës. Ndërsa adhurimi përkon me të pesëdhjetat e tij kur paqtohet me një deizëm të bazuar në cfarë ai e quante "manifestim i shpirtit në ligjet e universit" dhe me një besim të sinqertë në një "Zot që shfaq vetveten në harmoninë e gjithçkaje që ekziston".
Të dy prindërit e Ajnshtajnit rridhnin prëj tregtarësh të vegjël çifutë të cilët që prej dy shekujsh bënin një jetë të thjeshtë në zonën fshatare të Swabia-s në juglindje të Gjermanisë. Për çdo brez ata përthitheshin më tej në kulturën gjermane, që e pëlqenin apo u dukej se e pëlqënin. Megjithëse çifutë nga përcaktimi kulturor dhe instikti i përkatësisë ata kishin fare pak interes për fenë në vetvete. Në vitet e tij të fundit Ajnshtajni tregonte një shaka të vjetër për një ungjin e vet agnostik i cili ishte i vetmi antar i familjes që shkonte në sinagogë. Kur atë e pyesnin se përse shkonte ungji përgjigjej: "Ah, po ku i dihet kësaj pune". Nga ana tjetër prindërit e Ajnshtajnit ishin "tërësisht jofetarë". Ata nuk ndiqnin dietën çifute (kosher) as shkonin në sinagogë kurse, sipas një farefisit të tyre, Hermani, i ati Ajnshtajnit, i përcaktonte ritualet çifute si "bestytni të vjetra".
Për pasojë kur Ajnshtajni mbushi 6 vjeç dhe duhej të shkonte në shkollë, prindërit e tij nuk u bënë merak që nuk kishte ndonjë shkollë çifute aty afer. Kështu që ndoqi një shkollë katolike. Si i vetmi çifut midis 70 nxënësve të klasës së vet, ai mori edukimin standard katolik duke mbetur fort i kënaqur.
Përkundër laicizmit të prindërve ose ndoshta për atë shkak Ajnshtajni papritur pati një zell dhe emocion të madh për judaizmin. Siç ka thënë e motra e tij, "Ai ishte kaq i zjarrtë në këtë pasion saqë i studjoi kufizimet e fesë çifute në detaje. "Nuk hante mish derri, ndiqte dietën fetare dhe zbatonte rregullat e Sabbath-it. Bile kompozoi edhe himne që i këndonte vetë kur kthehej nga shkolla në shtëpi.
Nxitja më e madhe intelektuale Ajnshtajnit i erdhi nga një student i varfer i cili darkonte me familjen e tij një herë në javë. Ishte një zakon i vjetër çifut të ftohej ndonjë student i fesë në nevojë për të shijuar së bashku gatimet e bëra për Sabbath. Ajnshtajnët e ndryshuan këtë traditë duke pritur të enjteve një student të mjekësisë. Ai quhej Maks Talmud(*) dhe vizitat e tij javore filluan kur ai ishte 21 vjeç ndërsa Ajnshtajni vetëm 10.
Talmud i solli Ajnshtajnit libra të shkencave e midis tyre edhe një seri të ilustruar me karakter popullor të titulluar “Libra Popullorë për shkencat e natyrës”, "të cilën do ta lexoja me një frymë", do të thoshte më pas Ajnshtajni. Të 21 volumet e serisë ishin shkruar nga Aaron Bernstein, i cili theksonte lidhjet midis biologjisë dhe fizikës dhe paraqiste në detaje të shumta eksperimentet e bëra në atë kohë, veçanërisht në Gjermani.
Talmud e ndihmoi gjithashtu Ajnshtajnin të zbulonte magjinë e matematikës duke i dhenë një tekst gjeometrie, lëndë të cilën Ajnshtajni do të mund ta mësonte në shkollë vetëm pas dy vjetësh. Kur Talmud vinte të enjteve, Ajnshtajni kënaqej duke i treguar problemet që kishte zgjidhur gjatë javës. Fillimisht Talmud ishte në gjëndje ta ndihmonte por shpejt nxënësi ia kaloi atij. "Për një kohë të shkurtër, rreth disa muaj, ai i kishte vajtur librit në fund. Shumë shpejt më talentin e vet në matematikë ai shkoi aq larg saqë nuk mund ta ndiqja më"- kujton Talmud.
Ekspozimi ndaj shkencave dhe matematikës shkaktoi te Ajnshtajni një ndryshim të beftë në moshën dymbëdhjetë vjeçare, pikërisht kur po bëhej gati të kremtonte konfirmimin si çifut (bar mitzvah). Ai hoqi dorë papritur nga judaizmi. Ky vendim nuk dukej të kishte ardhur i ndikuar nga librat e Bernshtejnit, sepse ky e kishte bërë të qartë se nuk shikonte ndonjë kundërshti midis shkencës dhe fesë. Bernshtejn shkruante se: "Prirja ndaj fesë gjendet në atë zonë të paqartë të ndërgjegjes së njerëzve sipas të cilëve gjithë natyra, përfshirë dhe njerëzit, nuk është aspak një lojë e rastit, por një akt që i bindet një ligji dhe se ka një shkak thelbësor për gjithë ekzistencën. "
Ajnshtajni më pas u gjend afër këtyre sentimenteve. Por në atë kohë ai e braktisi fenë në mënyrë radikale. "Duke lexuar libra popullarizuese për shkencën shpejt arrita në bindjen që shumë nga historitë e biblës nuk mund të ishin të vërteta. Pasoja ishte një shpërthim fanatik i mendimit të lirë përzjerë me përshtypjen se rinia ishte duke u mashtruar qëllimisht me gënjeshtra prej shtetit; ishte një ndjenjë dërrmuese. "
Sidoqoftë Ajnshtajni ruajti nga kjo fazë fëminore fetare një besim të thellë dhe nderim për harmoninë dhe bukurinë e asaj që ai e quante mendja e zotit të shprehur në krijimin e universit dhe ligjevë të tij. Rreth moshës pesëdhjetë vjeçare filloi të artikulojë më qartë në esse të ndryshme, intervista e letra, ndjenjën që thellohej në besimin tek zoti ndonëse jo tek një zot si qenie e veçantë. Një mbrëmje më 1929, vit kur mbushte plot pesëdhjetë, ai dhe gruaja e tij ishin në një darkë në Berlin ndërkohë që një i ftuar foli për besimin e vet tek astrologjia. Ajnshtajni e quajti këtë qesharake, një bestytni të paster. Një tjetër i ftuar ndërhyri dhe u shpreh me përçmim për fenë. Besimi në zot, kishte theksuar ai, është po ashtu i ngjashëm me një bestytni.
Por ndërkaq i zoti i shtëpisë duke dashur t'i mbyllte gojën i kujtoi se edhe vetë Ajnshtajni ishte i afërt me ndjenjat fetare. Kjo është e pamundur, kishte thënë i ftuari mosbesues dhe ishte kthyer nga Ajnshtajni për ta pyetur nësë ishte vërtetë besimtar. Ajnshtajni ishte përgjigjur qetësisht: "Po, mund të më quani të tillë. Provo të depërtosh me mjetet tona të kufizuara të fshehtat e natyrës dhe do të gjeni se, pas gjithë lidhjeve e ligjeve të njohura, gjithmonë mbetet diçka e paqartë, e pakapshme dhe e pashpjegueshme. Nderimi për këtë forcë mbas gjithçkaje që ne mund të kuptojmë përbën fenë time. Në këtë kuptim në fakt, unë jam fetar. "
Pa kaluar mjaft kohë pas 50 vjetorit të vet, Ajnshtajni dha një intervistë të famshme në të cilën zbulon më mirë se kurrë ndonjëherë me parë, ndjeshmërinë e vet fetare. Ishte George Sylvester Viereck që intervistoi njeriun e madh. Ky kishte lindur në Gjermani dhe zhvendosur që fëmijë në Amerikë, ku kalonte kohën duke shkruar poezi erotike gjithë lajle e lule për një shije të rëndomtë. Ajnshtajni pandehte se Viereck ishte çifut. Në fakt ky kishte ndërtuar gjenealogjinë e familjes së vet duke vënë në dukjë lidhje me Kaiser-in dhe më pas do të bëhej simpatizant i nazistëve e do të burgosej në Amerikë gjatë Luftës së Dytë Botërore për propagandë në favor të gjermanëve.
Viereck e fillon intervisten duke e pyetur Ajnshtajnin nëse e ndjente veten gjerman apo çifut.
"Mund të jem njëkohësisht edhe gjerman, edhe çifut"-i përgjigjet Ajnshtajni. "Nacionalizmi është një sëmundje foshnjore, si lija e fëmijve, për racën njerëzore. "

A duhet të provojnë çifutët që të asimilohen?
"Ne çifutët kemi qenë shumë të ethshëm të sakrifikojmë tiparet tona të veçanta që të përshtatemi. "

Në c'masë jeni i ndikuar nga krishtërimi?
"Si fëmijë kam marrë mësime edhe nga Bibla edhe nga Talmud-i. Jam një çifut por jam i tërhequr pa masë nga figura e ndritur e Nazareth-it "

Ju e pranoni ekzistencën historike të Krishtit?
"Pa dyshim! Askush nuk mund ta lexojë ungjillin pa ndjerë praninë aktuale të Krishtit. Personaliteti i tij pulson në çdo fjalë. Në asnjë mit tjetër nuk ka kaq shumë jetë "

Besoni në Zot?
"Nuk jam një ateist. As nuk besoj se mund ta quaj veten panteist. Problemi është shumë i gjerë për mendjet tona të kufizuara. Ne jemi në pozitën e një fëmije të vogël që hyn në një bibliotekë stërmadhe mbushur me libra të shkruara në shumë gjuhë. Fëmija di se dikush duhet t'i ketë shkruar këto libra, por se si, nuk e di. As nuk i kupton gjuhët, në të cilat janë shkruar këto libra. Femija ndjen një dyshim të paqartë se ka një rregull të mistershëm në mënyrën se si janë renditur librat, por nuk shkon dot më tej. Kështu është, siç më duket mua, edhe qëndrimi i qenieve njerëzore më inteligjente ndaj zotit. Ne shohim gjithësinë të rregulluar në mënyrë të mrekullueshme dhe që i bindet disa ligjeve por vetëm në mënyrë të vagët i kuptojmë këto ligje. "

A është ky koncepti çifut për zotin?
"Unë jam determinist. Nuk besoj në vullnetin e lirë. Kurse çifutët besojnë në vullnetin e lirë. Ata besojnë se njeriu e përcakton jetën e vet. Unë nuk e pranoj këtë doktrinë. Në këtë pikpamje nuk jam pra, një çifut. "

A është ky zoti i Spinozës?
"Jam i mrekulluar nga panteizmi i Spinozës, por adhuroj akoma më shumë kontributin e tij në mendimin bashkëkohor, sepse ai është i pari filozof që e shikon shpirtin dhe trupin si një të vetëm dhe jo si dy sende të ndara"

A besoni në pavdekësinë?
"Jo. Dhe një jetë është mjaft për mua. "

Ajnshtajni u përpoq t'i shprehte këto ndjenja qartë, për vetveten dhe për gjithë ata që donin prej tij një përgjigje të thjeshtë në lidhje me besimin e tij. Kështu në verën e vitit 1930 midis meditimeve të veta në Caputh ai kompozoi një kredo të titulluar "Çfarë besoj" që e regjistroi për një grup të të drejtave të njeriut dhe më pas e publikoi. Kredoja përfundon me një shpjegim se çfarë nënkupton kur e quan veten fetar: "Emocioni më i mrekullueshëm që ne mund të përjetojmë është e mistershmja. Kjo është ndjenja thelbësore që qëndron në djepin e gjithë arteve të vërteta dhe shkencës. Ai, për të cilin kjo ndjenjë është e huaj, ai, që nuk mund të habitet më dhe nuk mbetet i mahnitur, ai është si një i vdekur, sytë e tij janë të errët.. Ka qënë përvoja e së mistershmes, qoftë edhe e përzjerë me frikën, krejt zanafilla e fesë. Dijenia për një ekzistencë të cilën nuk mund ta penetrojmë, perceptimet tona për arsyen më të thellë dhe për të bukurën më të mahnitshme, të cilat vetëm në formën e tyre më primitivë janë të kapshme nga mendja jonë: kjo është dija dhe ky është emocioni që përbëjnë besimin e vërtetë.Në këtë kuptim dhe vetëm në këtë, unë jam një fetar i devotshëm. " …
Njerëzit e pëlqyen dhe u ribotua në mënyrë të përsëritur në një sërë përkthimesh. Por, gjë që nuk ishte për t'u çuditur, nuk i kënaqi aspak ata që donin një përgjigje të thjeshtë e të qartë nëse besonte apo jo në zot. "Rezultati i këtij spekulimi të dyshimtë e të mjegullt mbi kohën dhe hapësirën është një maskë nën të cilën fshihet një paraqitje e frikshme e ateizmit." - ishte shprehur kardinali Bostonit William Henry O'Connell.
Ky denoncim publik i kardinalit nxiti udhëheqësin e njohur të çifutëve ortodoksë të Nju Jorkut, rabbi Herbert S. Goldstein t'i dërgonte Ajnshtajnit një telegram fare të drejtpërdrejtë :
"A besoni ju në zot? Pikë. Përgjigja e paguar. 50 fjalë."
Ajnshtajni përdori vetëm gjysmën e fjalëve që i ishin vënë në dispozicion dhe që u bë versioni më i famshëm i përgjigjes që ai e jepte shpesh:
"Besoj në zotin e Spinozës që e shfaq veten në harmoninë e çdo gjëje që ekziston, por jo në një zot që merret me fatin dhe bëmat e njerëzimit. "
Disa çifutë fetarë reaguan duke vënë në dukje se Spinoza ishte nxjerrë jashtë komunitetit çifut të Amsterdamit pikërisht për këto pikpamje dhe ishte dënuar gjithashtu nga kisha katolike. "Kardinali O'Donnell do kishte bërë mirë të mos kishte sulmuar teorinë e Ajnshtanit- shkruante një rabbi nga Bronks. - Kurse për Ajnshtajnin do ishte më mirë të mos kishte shpallur mosbesimin e vet në një zot që shqetësohet për fatet dhe veprimet e njerëzve. Me deklaratat e tyre, të dy janë jashtë fushave të tyre. "
Por gjatë gjithë jetës së vet Ajnshtajni e kishte kundërshtuar përcaktimin që i bënin si ateist. "Ka njerëz që thonë se nuk ka zot", i thoshte një miku, "por ajo që më bën nervoz është se më citojnë mua në përkrahje të këtyre ideve." Dhe ndryshe nga Sigmund Freud, Bertrand Russell apo George Bernard Shaw, Ajnshtajni kurrë nuk e ndjeu nevojën t'i përçmonte ata që besonin në zot; në të kundërt tentonte ta bënte këtë me ateistët. "Ajo që më ndan mua nga të ashtuquajturit ateistë është ndjenja e të qënit i përulur ndaj të fshehtave të pakapshme të harmonisë së kozsmosit", sqaronte ai.
Në fakt Ajnshtajni prirej të ishte më kritik me mosbesuesit që talleshin duke iu munguar ndjenja e përunjësisë apo e adhurimit, se sa me besimtarët. "Fanatikët ateistë ", shkruante në një letër, "janë si skllevër që akoma ndjejnë peshën e zinxhirëve që kanë hedhur tej pas betejave të vështira. Ata janë krijesa që, në mërinë ndaj fesë tradicionale si 'opium për popullin' nuk e ndjejnë muzikën e trupave qiellorë."
Më pas Ajnshtajni do të bënte të qartë pikpamjen e vet për marrëdheniet midis shkencës dhe fesë në një konferencë të Union Theological Seminary në Nju Jork. Objekti i shkencës, sqaronte ai, ka të bëjë me përcaktimin e fenomenit, por jo të vlerësojë mendimet dhe veprimet njerëzore se si duhej të ishte ky fenomen. Feja ka mandatin e kundërt. Megjithatë përpjekje të përbashkëta kanë funksionuar herë pas here.
"Shkenca mund të bëhet vetëm nga ata që janë plot frymëzim ndaj së vërtetës dhe të të kuptuarit të gjërave. Por ky burim frymëzimi sidoqoftë vjen nga sfera e fesë." Fjala e tij pushtoi faqet e para të shtypit dhe përfundimi i tij aforistik u bë i famshëm -"Situata mund të shprehet me një metaforë: shkenca pa fenë është e çalë, feja pa shkencën është e verbër."
Por Ajnshtajni do të theksonte se është një koncept fetar që shkenca nuk mund ta pranojë: një zot tekanjoz që fut hundët në punët e krijimit. Ai argumentonte se: "Burimi kryesor i konflikteve të sotme midis sferave të shkencës dhe fesë gjendet në konceptin e një zoti të përveçëm." Shkencëtarët kanë për qëllim të zbulojnë ligjet e pandryshueshme që drejtojnë gjithësinë dhe duke bërë këtë atyre u duhet të hedhin tej konceptin që vullneti hyjnor, apo për këtë aspekt edhe vullneti njerëzor, luan një rol që mund të cënojë shkakësinë kozmike.
Besimi i tij në konceptin e përcaktueshmerisë shkakësore ishte i papajtueshëm me konceptin e vullnetit të lirë njerëzor. Teologët çifutë ashtu si edhe ata të krishterë përgjithësisht kanë besuar që njerëzit janë të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Ata janë të lirë të zgjedhin, siç thuhet edhe në librin e biblës, të mos i binden zotit, pavarësisht që kjo është në kundërshtim me besimin që zoti është i gjithëditur e i plotfuqishëm.
Nga ana tjetër Ajnshtajni besonte, ashtu si edhe Spinoza, që veprimet e individit janë të përcaktuara në të njëjtën mënyrë si edhe ato të gurit të bilardos, të yjeve apo planeteve. "Të menduarit, të ndjerit dhe të vepruarit e qenieve njerëzore nuk janë të lira, por të kushtëzuara nga shkaqe ashtu si dhe yjet në lëvizjen e tyre" - ka deklaruar Ajnshtajni në një takim në Spinoza Society më 1932. Gjithashtu është edhe një tjetër koncept që ai e ka realizuar duke lexuar Schopenhauer. "Çdo njeri vepron jo vetëm nën trysninë e faktorëve të jashtëm, por gjithashtu edhe në përputhje me nevojat e brendshme. " - ka shkruar në kredon e famshme.
"Thënia e Schopenhauer-it se 'Një njeri mund të bëjë atë që do, por nuk mund të jetë dot ai që do' (A man can do as he wills, but not will as he wills(**)), ka qenë një frymëzim real për mua që nga rinia; ka qenë një ngushëllim i vazhdueshëm përballë vështirësive të jetës, times dhe të të tjerëve dhe një burim i pagabueshëm tolerance"
Ky determinizëm i Ajnshtajnit ishte zhgënjyes për disa miq si Max Born, i cili mendonte së një koncept i tillë minonte themelet e moralit njerëzor. "Nuk e kuptoj dot si mund të kombinoni një gjithësi krejtësisht mekanike me lirinë e etikës individuale." -i shkruante ai Ajnshtajnit. "Për mua një botë deterministike është tejet e neveritshme. Ndoshta ju keni të drejtë dhe bota mund të jetë kështu siç thoni. Por sot për sot ajo nuk duket e tillë në fizikë dhe ca më pak për pjesën tjetër të botës."
Për Bornin papërcaktueshmëria kuantike jepte një rrugëdalje të dilemës. Si edhe disa filozofë të kohës ai ngujohej në papërcaktueshmërinë që është thelbësore në mekanikën kuantike për t'u liruar nga "mospërputhja midis lirisë etike dhe ligjeve të ngurta të natyrës."
Borni ia kishte shpjeguar këtë cështje Hedvigës, bashkëshortes së tij, e cila ishte gjithmonë e etur të debatonte me Ajnshtajnin. Ajo i kishte thënë Ajnshtajnit se ashtu si ai edhe ajo " e kishte të pamundur të besonte në një zot që luante me zare." Me fjalë të tjera, ndryshe nga i shoqi, ajo nuk e pranonte pikpamjen e mekanikës kuantike që gjithësia të ishte e mbështetur në papërcaktueshmërinë dhe probabilitetin. Por vazhdonte më tej ajo "as nuk mundem të imagjinoj atë që ju besoni, siç më ka thënë Maksi, që 'tërësia e ligjeve' tuaja do të thotë se gjithçka është e paracaktuar, për shembull që femija im do të vaksinohet". Dhe ajo i vinte në dukje se kjo do të thoshte fundi i moralit.
Ajnshtajni i përgjigjej që ta shikonte vullnetin e lirë si diçka të dobishme, në fakt të domosdoshme, për një shoqëri të qytetëruar sepse i bënte njerëzit të përgjegjshëm për veprimet e tyre. "Unë jam i shtrënguar të veproj krejt sikur vullneti i lirë të ekzistonte", i shpjegonte ai, "sepse nëse dua të jetoj në një shoqëri të qytetëruar atëherë më duhet të veproj në mënyrë të përgjegjshme." Sipas tij mundet bile t'i konsiderosh njerëzit të përgjegjshëm për të mirën apo të keqen e tyre, përderisa kjo është një qasje njëkohësisht pragmatike dhe e ndjeshme për jetën, ndërkohë që intelektualisht duhet të besosh se veprimet e gjithsecilit janë të paracaktuara. "Unë e di që filozofikisht një vrasës nuk është përgjëgjës për krimin e vet, por nuk do të më pëlqente të pija ndonjë caj me të ", thoshte ai.
Ai besonte se themelet e moralit ngrihen përtej asaj "thjesht personale" për të jetuar në një mënyrë që njerëzimi të përfitojë. Ai iu përkushtua kauzës së paqes në botë dhe, mbasi u përpoq të inkurajonte SHBA-të të ndërtonin bombën atomike për të mposhtur Hitlerin, punoi me zell për të gjetur rrugë që kjo armë të ishte e kontrollueshme. Punonte për të gjetur fonde për të ndihmuar refugjatët, fliste për drejtësi raciale dhe mbajti qëndrim publik pro viktimave të makartizmit. U përpoq të jetonte me një humor, përulësi, thjeshtësi dhe mirësi bile edhe atëherë kur u bë një nga figurat më të shquara të planetit.
Për disa njerëz mrekullitë shërbejnë si evidencë e ekzistencës së zotit. Për Ajnshtajnin ishte mungesa e mrekullive që pasqyronte providencën hyjnore. Fakti që kjo botë është e kuptueshme, që ecën në bazë ligjesh e bën atë të denjë për adhurim.

Titulli dhe sqarimet që pasojnë janë të përkthyesit.

(*)Talmud, ose Talmey siç e quante ai veten më pas, kur punonte në New York.

(**)Sipas Shopenhauerit njeriu është i motivuar vetëm nga shtysat e veta bazike ose siç e quante ai "vullneti i jetës"("Wille zum Leben", "will-to-life", shkurt "will"). Ky vullnet është i paqëllimtë, i privuar nga arsyeja dhe intelekti, për pasojë duke e përgjithsuar, kështu është edhe veprimi i njerëzimit i marrë si një i tërë. Njeriu kurrë nuk mund t'i përgjigjet pyetjes se cili është shkaku i jashtëm i ekzistencës së tij.
Vetë Shopenhaeuri është shprehur: "…çdo njeri ka qëllime dhe motive të përhershme me të cilat ai drejton sjelljen e vet. Ai gjithmonë mund të japë një arsye për veprimet e veta të veçanta. Por nëse i shtrohet pyetja se përse e ka vullnetin për të jetuar, ose në mënyrë të përgjithshme, përse ekziston vullneti për të jetuar, ai nuk mund të japë përgjigje; vetë kjo pyetje atij do t'i dukej pa asnjë kuptim. Pikërisht kjo do të ishte shprehja e vetëdijshmërisë së tij që ai në vetvete s'është gjë tjetër veçse një vullnet; një vullnet që qëndron në vetvete e që mund të motivohet vetëm për veprimet e veta individuale në çdo pikë të kohës… Në përputhje me këtë, kur njeriu të jetë i ndricuar nga dija, do të dijë gjithmonë përse do të jetë në secilën pikë konkrete të kohës e të hapësirës, por kurrë përse në përgjithësi; çdo veprim i veçante i Vullnetit të tij ka një fund, por ky Vullnet si një i tërë nuk do të ketë asnjë fund. Ashtu si çdo fenomen i veçante në natyrë është i përcaktuar nga shkaqe të mjaftueshme për t'u shfaqur në një moment të dhënë në kohë e hapësirë, por forca që manifeston vetveten në atë (fenomen) nuk ka ndonjë shkak të përgjithshëm, por përbën një send-në-vetvete (thing-in-itself), një vullnet pa mbështetje. I vetmi shembull i vetë-njohjes së të qenit si një e tërë, është ideja e së tërës, e tërë bota e perceptimit; është objektifikimi, shfaqja, pasqyrimi i të qenit.

9 Komente

Avocados, flm per prurjen. Ka gjera interesante, jo vetem per pikpamjet e Ajnshtajnit, po dhe per ceshtjet ne vetvete.

Sa per kete shenim te perkthyeses mbi Shopenhauerin

(**)Sipas Shopenhauerit njeriu është i motivuar vetëm nga shtysat e veta bazike ose siç e quante ai "vullneti i jetës"("Wille zum Leben", "will-to-life", shkurt "will&quotsmiley. Ky vullnet është i paqëllimtë, i privuar nga arsyeja dhe intelekti, për pasojë duke e përgjithsuar, kështu është edhe veprimi i njerëzimit i marrë si një i tërë. Njeriu kurrë nuk mund t'i përgjigjet pyetjes se cili është shkaku i jashtëm i ekzistencës së tij.

E kisha idene, po mbase dhe gaboj, qe Shopenhaueri jo se thoshte qe jeta apo veprimet e njeriut/individit nuk kane qellim apo racionalitet, por ja atriubonte ato (pra gjente qellimin dhe racionalitetin e tyre tek) qenies, jetes ne pergjithesi. P.sh. thoshte, ne mos gabohem, dashuria si koncept romantik eshte shpikje fiktive e njerzve, nderkohe qe i vetmi qellim qe fshihet mbas gjithe letrave dhe pasthirmave romantike te shprehjes se dashurise, qofte dhe poezive dhe romaneve pa fund te shkruara per dashurine, eshte mbijetimi i qenies, dmth vazhdimi i jetes, pra qe misteri dhe njenjat e forta te dashurise, apo dhe kenaqsise seksuale si akt, kane te vetmin qellim racional (qe justifikon egzistencen e tyre) lindjen dhe rritjen e femijeve, vazhdimin e jetes pra.

Por dhe kjo pikpamje per mendimin tim jo se e zhvlefteson dashurine si koncept (apo mijra koncepte dhe rituale te tjera njerezore), pasi p.sh. kur ha nje biftek te shijshem nuk e vret mendjen shume cili eshte qellimi filozofik qe fshihet mbas urise apo aparatit tretes tendit, apo mbas biftekut; ti thjesht e shijon dhe kenaqesh. Po ashtu dhe dashurine, seksin, familjen, shoqerine, muziken, letersine, etj. smiley

Tema interesante keto gjithsesi. Shpresoj te kete me teper te tilla tek PPU.

Falenderimet shkojne tek Fatma smiley Perkthimi eshte i shkelqyer.

Vecoj:

Për disa njerëz mrekullitë shërbejnë si evidencë e ekzistencës së zotit. Për Ajnshtajnin ishte mungesa e mrekullive që pasqyronte providencën hyjnore. Fakti që kjo botë është e kuptueshme, që ecën në bazë ligjesh e bën atë të denjë për adhurim.

Mungesa e mrekullive pasqyron Providencen Hyjnore!

Per mua ky eshte themeli, rruga dhe e verteta e nje letersie te mire.

Ave Ajnshtajn!

Thanks Fatma!

Ne librin e Filip Frank, perkthyer nga R.Ibrahimi, ne parathenie thuhet;-Kjo biografi e A. Ajnshtajnit vjen me disa shkurtime, ku jemi perpjekur per te shmangur disa interpretime te papershtatshme..;

Keto shkurtime na i sjell Avocados.

Pune e paqme, flm.

Tema shume interesante! Komplimente grupit qe ka punuar mbi te.

Për disa njerëz mrekullitë shërbejnë si evidencë e ekzistencës së zotit. Për Ajnshtajnin ishte mungesa e mrekullive që pasqyronte providencën hyjnore. Fakti që kjo botë është e kuptueshme, që ecën në bazë ligjesh e bën atë të denjë për adhurim.

God is a good housewife, qe i pelqejne gjerat e vendosura ne rregull.. smiley)

 

P.S. @Xhibi, besoj se je ne te njejten linje me ate qe shkruhet me siper, sepse shembulli yt i shtrire ne planin e konceptit "Will", do te ishte "Vullneti i fshehur ne vetevete i dashurise, romantizmit etj eshte thjesht riprodhimi, vullneti i riprodhimit ekziston si pasoje e vullnetit per te mbijetuar , por askush nuk do t'i pergjigjet asnjehere pyetjes "Perse tek ne ekziston vullnetin per te mbijetuar", cfare na shtyn te kerkojme te mbijetojme. Kjo eshte ajo qe Shop nenkupton me " Por nëse i shtrohet pyetja se përse ekziston vullneti për të jetuar, ai nuk mund të japë përgjigje..."

"E pur si muove."

Qe ne kete rast do te thote se me aq sa dihet sot, ai Mjeshtri Madh i ka huq zaret, pavaresisht se mund te kete dhe gurin dhe arren bashke. Apo bota kuantike nuk eshte deterministe.

Dhe te ashtu quajtura "ligje" te natyres kane te bejne me aq sa njohim ne. Po a e njohim ne te gjithen? Sot apo ndonjehere?

Megjithate "mrekullia" mund te jete dhe qe njohim aq sa na duhet.

 

 Interesante. A di gje njeri , nese eshte botuar dhe perkthyer Spinoza ne Shqiperi.

Une s'e kuptoj kete Einsteinin burrash.. hehe, sa me prepotence tingellon kjo.

Dua te them.. kjo puna e harmonise se gjithckaje.. dmth sic thot Einsteini se gjithcka qe ekziston eshte ne harmoni me teresine.. dmth dicka ka vene ligjet e universit ne pune, ne emnrye te tille qe gjithcka te jete ne harmoni. Ok.. por kjo sikur nuk shkon me realitetin.. konkretisht po evolucioni? ne kemi mesuar se pa evolucion nuk do te kishte jete sic e njohim, por po pati harmoni nuk ka se si te kete evolucion, sepse evolucioni eshte konkurim e konkurimi nuk eshte harmoni..

gjithashtu, konkretisht, nqs ka nje Zot.. dhe qellimi i tij eshte harmonia.. atehere cili eshte.. si me e thene.. njesia.. ose gjeja.. sendi.. ose ekzistenca.. tek e cila aplikohet kjo harmoni? konkretisht.. nqs kjo njesi eshte individi.. dmth harmoni midis individeve.. cili individ? Individi Njeri apo Kafshe? Nuk ka shume rendesi, si per njerin si per tjetrin, evolucioni eshte indiferent. Evolucioni nuk pyet per jeten, ose ekzistencen e individit.. dmth evolucioni eshte nje set ligjesh, qe diktojne mbijetesen e species.. jo te individit.. mund te themi kshtu?

atehere, si mundet te jete Evolucioni.. pjese e kesaj harmonie te teresise.. (supozojme se Evolucioni te jete pjese e ksaj force te mistershme harmonie.. e jo nje mutacion gjenetik i saj.. pra supozojme se edhe ligjet e evolucionit jane te percaktuara..) por ktu ka dicka qe nuk shkon.. edhe sikur.. evolucioni te jete menyra me e mire per sigurimin e njesise se species.. ky set ligjesh vjen me nje cmim shume te larte per njesine individ!! nuk mendoni..? Dmth individi eshte i paperfillshem..! e individi s'ka se si te jete nje njesi e paperfillshme.. c'harmoni do te ishte kjo?

si i vihet verdalle ktij muhabeti atehere? kam frike se mos kto nocionet per harmoni te teresise jane shume romantike te Einsteinit.. ne nje kohe qe, (ndoshta), pesimizmi i psikoanalizes po mberthente ndergjegjen e civilizimit..

e kjo gje do te ishte fisnike nga ana e Einstein..

por ndoshta nuk jane teori romantike edhe ne fakt ne jemi thjesht teper mendjengushte per te arritur te kuptojme Einstein-in.. ndoshta ne fakt.. evolucioni eshte ne menyren sic eshte, pra ky set ligjesh konkurrues.. per shkak te natyres se materies.. dmth ndoshta eshte pikerisht natyra e MATERIES qe dikton ligjet e evolucionit..

..atehere kam pershtypjen se ndoshta Einsteini sheh ekzistencen si dicka PERTEJ materies.. dmth e sheh si ide.. dhe harmonia ndoshta qendron pikerisht ne kete njesi te ekzistences qe transhendon materien.. IDESE!

but still, this is all so fanciful..

@ Av. Felemnderit per prurjen.

@ 23  smiley   ma çove Anshtajnin për lesh...

but still, this is all so fanciful  smiley   kom vdek tu qesh

me e mundshmja eshte te mos e kuptojme dot Ajnshtajnin deri ne fund, truri yne , i njeriut te zakonshem, nuk e arrin dot ate faze komplekse si ai i ajnshtajnit, qe merrte njekohesisht ne shqyrtim shume faktore dhe nxirrte konkluzion. ne shikojme nje pjese te problemit, ai e shikonte te teren.

ndofta kyci per ta kuptuar eshte nje thenie e Ajnshtajnit ne njeren nga ato bisedat me Tagoren : " rregulli eshte atje ku elementet e medha kombinohen dhe drejtojne ekzistencen, ndersa ne grimcat shume te vogla ky rregull nuk eshte i perceptueshem" .

Individi eshte nje nga keto grimca ,kurse evolucioni  eshte elementi i madh qe drejton ekzistencen. Harmonia duhet te jete ne Ligjet e Natyres qe jane universale dhe bejne te mundur ekzistencen.Keshtu evolucioni udhehiqet po nga ai rregull qe gjejme edhe ne ligjin e Njutonit qe per cdo  veprim ka nje kunderveprim.Evolucioni shkaterron dhe rinderton vazhdimisht por gjithmone ka nje produkt.

puna eshte se 23 ka te drejte, te duket se e ke kuptuar Ajnshtajnin,po vetem te duket ama. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).