Një urim për fundvitin dhe atë që do të vijë...


Një urim për fundvitin dhe atë që do të vijë...
Ardi Stefa

Të vish kur unë nuk do të të pres,..., kur të kem hequr armaturën për t’u larguar nga luftërat...
Të vish e të më gjesh të papërgatitur.. Si një furtunë pranvere... Nuk do të vrapoj të fshihem... Do të heq rrobat dhe do të të lejoj të më përqafosh...
Të vish si një e kuqe që diçka dashuroi nga grija ime...
Të vish si ëndërr e gjumit të mesditës... Të ma kthesh jetën përmbys dhe të dashuroj çdo çast të saj...
Të vish duke kërkuar gjithçka, por pa lypur asgjë...
Të vish si festë… Më muzikë, me buzëqeshje, me dehje... Duke thyer një gotë të prihesh dhe të më japësh të pi paksa nga plaga jote...
Të vish si natë... Me misterin, me vetminë dhe ëndrrat e frikshme të tua...
Të vish ashtu siç je... Pa lajka e naze, thjesht duke hedhur dy pika arome të së vërtetës në qafën tënde...
Të vish, pa shpresuar asgjë... Por e gatshme të rrezikosh çdo gjë...
Të vish, jo për të shijuar qetësinë e portit... Por për të shijuar rrezikun e dallgëve e furtunës...
Të vish sepse e di se nuk do të bëhej ndryshe.. Të takohemi dhe të besosh tek fati...
Të vish si varg i rimuar në vetë të dytë që kërkon thelbin e tij...
Të vish të mësosh se si është të dashurosh largimin...
Të vish, jo si stol ku s’ulet askush... Jo si klloun pa vështrimin e trishtuar... Jo si dy sy pa pasion...
Të vish,... jo si letër dashurie pa asnjë varg... Jo si festë ku askush nga të ftuarit nuk erdhi... Jo si aparat fotografik pa fotografin..
Të vish... Të vish...
Të vish ashtu siç je...
Kur unë nuk do të të pres...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).