NJË PORDHË SI AJO

5 Komente

nuk ka mundesi te shfaqet i plote artikulli? nuk mund ta shikoj ne blogun origjinal per hir te kufizimeve nga IT.

faleminderit.

(Pothuajse ashtu siç ma ka treguar regjisori Dh.A.)

Trysnia në sallë rritej me shpejtësinë e parakalimit të skenave të filmit. Në të vërtetë, shumë nga të pranishmit e kishin parë atë që në tavolinën e montazhit dhe pavetëdijshëm shqiptonin dialogët një çast përpara se ti dëgjonin nga aktorët në ekran. Ndokush tinëz hidhte sytë të kapte ndonjë mesazh në lëvizjet e shokut Gaqo Bakalli. Ishte gjykimi i tij që prisnin të gjithë.

Jashtë, nëpër korridoret e Studios nuk ndihej asnjë zhurmë. Punonjësit e dekoreve ecnin në majë të këpucëve, ndërsa pastrueset, kur u duhej të kalonin para derës së sallës së projeksionit, hiqnin pantoflat dhe çapiteshin duke ngritur shpatullat. Vetëm skenaristi Koço Peleshi, mbante shënimet e rastit. Qarkullonin fjalë se atë e kishin nxjerrë si shkrimtar të lirë jo më fort për krijimtarinë e tij se sa për të patur kohë tu shkruante letra shokëve të Komitetit Qendror për ato çka fliteshin poshtë e përpjetë, nga Kinostudioja, Shtëpia Botuese, Lidhje a Shkrimtarëve…

Tani, sipas llogaritjeve nuk mbeteshin më shumë se dhjetë minuta për të mësuar cili do të ishte fati i mëtejmë i filmit. Drejtori i Studios përpiqej të dukej sa më i qetë, por një çast, kur shoku Gaqo, mori të pastrojë syzet, ai ktheu menjëherë kryet nga regjisori, që ishte ulur diku nga fundi i sallës. Mbeti i shastisur dhe mbuloi fytyrën me duar. Ai kishte varur kokën në anë të shpinores dhe po flinte. Tani i mbetej atij të jepte shpjegime për shpërthimin që nuk do të vononte.

Teknikët e filmit, ç’është e vërteta nuk e quanin shpërthim, por përdornin eufemizmin efekt zanor. Dhe e gjitha kjo për të mos quajtur me emrin e vërtetë atë çka të gjithë e prisnin pothuajse me ankth; zhurmën e sikletshme të një pordhe, që regjisori kishte këmbëngulur të ishte e pranishme në atë film.

Tamam te ajo pordhë i kishte varur shpresat skenaristi Koço Peleshi. Besonte shumë se ajo do ta hidhte filmin në erë. Regjisori tij kurrë nuk kishte denjuar qoftë edhe të lexonte ndonjë nga skenarët që i kishte dhënë ai.

Teknikët nuk gaboheshin shumë kur pordhën në fjalë e cilësonin efekt zanor, se nuk qe fjala për diçka të vetvetishme. Ata kishin provuar të ishte e tillë, natyrale, por realizimi saj kishte qenë i pamundur. Aktori Aristidh Arapi me gjysmë zëri kishte pranuar që një operator zëri ta ndiqte me mikrofonin nga pas, por pa asnjë rezultat të dukshëm. Përdorimi i mikrofonave tepër të ndjeshëm dinamikë në vend të atyre elektrostatikë, të aftë të diktonin edhe zhurmat që nuk e kapte veshi i njeriut, nuk ndryshoi gjë. Ato nuk është se mungonin, por Aristidh Arapit i dilnin nga goja. Në të rrallë kishte edhe ndonjë që dilte nga ai sektori tjetër anatomik, por çështja ishte se mjetet e duhura, pra mikrofoni, nuk ndodhej asnjëherë në kohën e duhur në vendin e duhur.

Në kushte të tilla, ekipi i teknikëve dhe inxhinierët e zërit ishin interesuar të gjenin në rrethin e tyre ndokënd me probleme të sigurta gastro intestinale. Dikush kishte folur për një teton e tij në azilin e pleqve që kishte problemeve aerofagjike, për shkak të të cilave të shoqit i kishte ardhur në majë të hundës dhe e kishte ndarë nja dyzet vjet më parë. Shkuan ta takojnë dhe i shpjeguan problemin. Ajo u gëzua shumë. Por pastaj kishte kërkuar një pagesë, të cilën shefi i llogarisë kishte refuzuar ta nxirrte nga arka. Në librin e llogarisë nuk kishte asnjë zë që ta përligjte si shpenzim. Atëherë as tetoja nuk kishte lejuar praninë e ndonjë mikrofoni nën batanijet e saj.

Problem në vete përbënte edhe tipizimi i efektit zanor në fjalë. Ndryshe nga sa qe përfolur në fillim, ai nuk do të ishte pjesë e rolit të një personazhi negativ, por pozitiv Bile shumë pozitiv. Ishte një punëtor që do të pirdhte pasi drejtori të shprehte disa dyshime në lidhje me realizimin e digës së një hidrocentrali. Punëtorit, që interpretonte Aristidh Arapi, do ti hiqej përgjigja që i jepte drejtorit ne versionin e parë të skenarit, pra do ti hiqje fjalia: qeni qepët ta haje, ne do ta ndërtojmë digën, dhe në vend të saj do të dëgjohej një pordhë. Dhe aq.

Por pordha e një personazhi pozitiv ngrinte edhe një sërë problemesh të natyrës parimore e teknike, përveç atyre të tipizimit që përmendëm. Në fillim problemin e kishte kapur kryetari i Bashkimeve Profesionale të Kinostudios, i cili kishte thënë se edhe nëse do ti kërkohej një punëtori të pirdhte, pordha e tij duhej të kishte një ndryshim thelbësor nga pordha e një personazhi negativ. Nuk duhej lejuar që ajo ti ngjante gazrave të barkut të dikujt të mbarsur me mbeturina borgjeze. Teknikët u dëshpëruan, se vërtet, po të kishte qenë fjala për një pordhë të një personazhi negativ, gjithçka do të ishte më e thjeshtë. Pa mëdyshje ajo duhej të ishte disi e mbytur, tinëzare, pastaj duhej të vinte duke gurgulluar dhe në fund duhej të kishte fërshëllimën e një gejzeri, nga ato të shkëmbinjve sulfurikë që kujtesës olfatike të spektatorëve do ti sillte menjëherë ndërhundë erën e keqe të një veze të prishur. Të diçkaje të qelbur, madje të kalbur, sikundër klasa që mbajtësi apo lëshuesi i saj i përkiste.

Ndryshe ishte puna me pordhën e një personazhi pozitiv, aq më tepër të një përfaqësuesi të klasës në fuqi. Ajo duhej të ishte e tipizuar në përputhje me natyrën e mbajtësit të saj. Pra rregulli në fjalë e kërkon që kur flet një metalurg, shkrimtarit i duhet të mbledhë cilësitë e të folurit të nja tridhjetë metalurgëve, dhe pastaj ato cilësi t’ia veshë personazhit të tij. Tani që ishte fjala për një pordhë të dikujt që përfaqësonte një ndërtues hidrocentralesh si rregull kërkohej të dëgjoheshin pordhët e nja tridhjetë punonjësve të tillë. Pra me të arritur te veshët e spektatorëve ajo duhej doemos të ngacmonte përfytyrimin popullor për atë ngasje të fundit të barkut njerëzor dhe i zoti i veshëve duhej të mendonte menjëherë se ishte fjala për një pordhë ndërtuesi hidrocentralesh dhe jo e një ndërtuesi oxhaqesh, p.sh.

Me kërkesa të një niveli të tillë, në studion e re të zërit nisi një punë rraskapitëse në kuptimin e vërtetë të fjalës. Efekti zanor në fjalë, nuk duhej të niste aspak me tone të ulta, shprehje e një lloj ndrojtjeje, apo mungese sinqeriteti. Ai as nuk duhej tu ngjante atyre pordhave që nuk i dëgjonte askush e që merreshin vesh me shumë nga era se nga zhurma. Një gjë e tillë qe përjashtuar që në fillim. Natyrisht as që pritej të qe diçka me brio, si një pordhë zonjushesh. Teknikët porositën tu sjellin goma të ndryshme, komardare biçikletash, pompa , dyshekë plazhi, topa llastiku. Me mjete të tilla në dorë ajo u realizua si një shpërthim akustik i fuqishëm, por i përmbajtur, gjithsesi pa gjysmë tone të dyshimta. Gjithçka luhej në pjesët më të sipërme të oktavë, diçka mjaft e perceptueshme dhe dinamike.

Kushti tjetër, që u mbajt parasysh ishte që bashkë me forcën e brendshme të karakterit ajo do të shprehte edhe një aspiratë delikate që parafliste fitoren e afërt të personazhit të cilit i përkiste. Dhe mbi të gjitha u bë shumë kujdes që akti i mbylljes të mos kishte zhurmën pa dinjitet të një tullumbaceje që shfryhej. Diçka si bërrrr…

Në sallë dukej sikur skenat e fundit kalonin me ritme të çmendura ndërsa frymëmarrja e të ftuarve bëhej më e rrallë. Erdhi një çast kur disa prej tyre ndjenë zëmrën që iu ngjit te gryka,ndokush doli jashtë, se nuk duronte dot, ndërsa të tjerët mbyllën veshët, meqë nuk dinin ç’të bënin gjësendi tjetër, dhe… bam!

Për habinë e të gjithëve, pas një shpërthimi të tillë, tensioni në sallë ra menjëherë! Të gjithëve iu duk si të ishin çliruar së brendshmi, si të kishin qenë vetë ata që kishin ndjerë barkun tu shfryhej. Teknikët kishin punuar mirë. Efekti zanor i shumëpërfolur, fliste qartë, më saktë bubullonte qartë kundër burokracisë dhe ia kishte mbyllur gojën drejtorit.

Megjithatë në sallë mbajtën frymën ku shoku Gaqo, u përkul pak nga Drejtori. Ky i fundit, ngriti dorën dhe i bëri shenjë teknikut të ndalonte shfaqjen e mëtejshme të filmit. Dritat u ndezën dhe atë çast dikush kërkoi që komunistët të qëndronin në sallë, të tjerët duhej të dilnin jashtë.

Me të rënë heshtja regjisori kishte hapur sytë dhe vetëm atë çast pa se shumë nga ata që ishin ulur pranë tij në fillim të filmit, ishin larguar si me marifet dhe ai ndodhej fillikat.

Shoku Gaqo e ndjeu se vështrimi i të gjithëve ishte drejtuar nga ai. Ktheu kokën të sigurohej se brenda në sallë kishin qëndruar vetëm njerëz të besuar dhe hapi duart. Për një çast askush nuk po dinte si ta merrte atë veprim. Atëherë ai tha se problemi që kishte ndeshur aty i tejkalonte pak kompetencat e tij.

- Pra filmi nuk do të ndalohet? - pyeti dikush.

- Do të vë në dijeni shokët lart dhe shumë shpejt ju do të merrni përgjigje, - tha shoku Gaqo, i kënaqur që nuk pati pyetje me të bezdisshme.

Sapo mësoi përse bëhej fjalë, Drejtori i Drejtorisë së Propagandës, shoku Miti, kishte menduar të mblidhte inspektorët e drejtorisë dhe në sytë e të gjithëve do të hidhte çelësin nga dritarja e do ti njoftonte se askush nuk do të dilte pa i dhënën përgjigje problemit të shuar në bazë. Por puna nuk erdhi fare deri aty. Pra nuk u shtrua pyetja nëse duhej lejuar të gjëmonte një pordhë në sallat e kinemave me emërtim të tillë si Partizani, Brigadat, Punëtori etj. Problemi u ngrit në parim: gazrat në fjalë duheshin cilësuar si pjesë e formës apo e përmbajtjes së një vepre artistike të realizmit socialist. Se si formë edhe mund të diskutohej, por si përmbajtje askush nuk mund të hiqte të drejtën klasës punëtore të mbante një qëndrim të tillë ndaj burokracisë.

Kjo e kishte detyruar shokun Miti ta shtynte mbledhjen për më vonë dhe sapo u ndodh vetëm ai i bëri një telefon kritikut Allaman Xhamaxhiu. Kritiku që i mbante gjithnjë nën dorë ato librat e tij me përkthime nga rusishtja, ndeshi një fenomen të tillë te një poezi e Majakovskit. Por në të poeti i dëgjuar sovjetik vetëm se përshkruante fenomenin dhe nuk i jepte përgjigje pyetjes në fjalë, pra cili do të ishte rroli i gazrave të kësaj natyre në artin e realizmit socialist. Ai kërkoi ca kohë, por koha nuk priste.

Valës së parë të padurimit, në Studio kishte nisur ti linte vendin dyshimit e frikës. Gjithsesi dikur u muar vesh se problemi ishte formuluar në mënyrë të përmbledhur në Drejtorinë e Propagandës dhe sekretarja Rozavera Rozeçi ia kishte lënë mbi tavolinë shokut Foto, përgjegjës për çështjet ideologjike, në Sekretariatin e Komitetin Qendror. Ky i fundit kishte ndenjur deri në mesnatë në zyrë. Natyrisht as që kishte menduar fare për atë pordhën. Dyshonte shumë se ajo histori qe një kurth tjetër i Ramiz Alisë. Ende nuk e kishte harruar katastrofën e vizitës së tij në Gjermaninë Perëndimore. Sapo ishte kthyer ai i kishte raportuar shokut Ramiz propozimet interesante të palës gjermane për të ndihmuar Shqipërinë, por qe njëlloj sikur ti kishte folur murit. Tmerrin e kishte provuar të nesërmen kur e bija e njoftoi se në Tiranë pëshpëritej se ai Fotoja me kokë të tij kishte refuzuar çdo lloj ndihme nga gjermanët.

Pra, qartësisht, pordha në fjalë mund të fshihte diçka tepër të rrezikshme. Dhe ai u bind për këtë kur në mëngjes ra zilja e telefonit dhe njohu menjëherë zërin e shokut Ramiz që i tha: ” Sikur po bie erë e keqe andej nga zyra tënde, shoku Foto”. “Jo dhe aq shumë “, i tha ai dhe mori letrën e mbi të vuri shënimin: për kompetencë shokut Ramiz.

Në Studio u muar vesh menjëherë se problemi ndodhej tani në tavolinën e shokut Ramiz. Menduan se ishte normale të prisnin edhe dy javë, të cilat kaluan shumë shpejt. Ishte një kohë kur shoku Ramiz po pasuronte thesarin e marksizëm leninizmit me teorinë e tij të dy kecave meshkuj për çdo oxhak fshatari.

Sipas shënimeve të skenaristit K. Peleshi, punonjësit e Studios gjatë atyre javëve nuk shprehnin drejtpërdrejtë ndonjë pakënaqësi të vërtetë, por një si keqardhje. Takonin njëri tjetrin dhe nën zë thonin: Eh, tani që shoku Enver nuk është më, askush nuk ka bythë ti ndajë këto punë. Ai po, ai e priste pordhën më dysh e nuk i linte gjërat të zvarriteshin.

Në përfundim të javës së tretë blloku i skenaristit tonë nuk kishte më asnjë faqe të bardhë. Për shkak të natyrës urgjente të problemeve që ngriheshin, ai nuk e rikopjoji atë në fletë të bardha, por e futi bllokun në një zarf, priti pak sa të errej dhe shkoi dhe e la dorazi te punonjësi i shërbimit te hyrja e Komitetit Qendror.

Kështu ndodhi që shoku Ramiz mori vendim të dërgonte shokun Foto të bisedonte me punonjësit e Kinostudios. Natyrisht nuk i tha shko e bisedo një herë për punën e asaj pordhës. Ai thjesht i kishte kujtuar se drejtuesit e Partisë duhet të gjejnë kohë e të flasin gju më gju me popullin, për hallet që ka ky i fundit.

Ju tashmë do të keni dëgjuar se mbledhja që u organizua me atë rast shënoi fillimin e fundit të historisë në anët tona. Edhe të tjerat, kam përshtypjen se i dini më mirë se unë. Por vetëm kur doli nga ajo mbledhje e famshme, shoku Foto mendoi se megjithatë Ramizi ia kishte futur përsëri…

Në të vërtetë unë u nisa t’ju tregoj historinë e një pordhe dhe pa dashje ju tregova të vërtetën e fillimeve të revolucionit tonë modest dhe të përmbysjes së diktaturës. Nëse herë pas here ju shqetësoheni nga pak për erën që mban ky revolucion, tani besoj se e kuptoni se ku e ka origjinën…

i asked and I received.

thanks.  smiley

Mba pak "ere" nga  ai doku i Kombinatit ku ishte qepur kapelja e ce Guevares smiley Fantazi e bukur ! Ere qe qelb akoma Shqiprine si produkt i mbartjes se eres se PORDHE-s nga shtetaret tane. Moralin e fabules e kuptova " sipas eres, e tere shoqeria eshte e dhjere e dhitet mbi te prej shekujsh "!!!!!!... As qe marr persiper te them se vetem ky eshte morali i fabules! Kete e shtova per te sqaruar gardistet blu! smiley

 smiley Nëse herë pas here ju shqetësoheni nga pak për erën që mban ky revolucion, tani besoj se e kuptoni se ku e ka origjinën…

Idriz, mund te kete eren, por jo autoresine. Eshte e nje origjinaliteti dhe ankthi krejt tjeter, dhe shume here me te larte, kjo e Lyss. Pastaj mos harro, linja Kinostudio-Kombinat era pordhe mbante dhe mban akoma gjithe kohen.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).