Një orë mësimi (Xheke)

shqiptare.jpg

Një orë mësimi                                                                                   nga XHEKE 

Atë buzëmbrëmje ishim bërë dru me marihuana. Drures - thonte Vin Boli, që çdo fjale i vinte nga një mbaresë latine. Čanim shtigjet dredharake të liqenit dhe gajaseshim me më të kotat fjalë që na rrëshqisnin nga goja. Bëheshim kund nja pesë vetë, shokë të vjetër shkolle, tash me profesione të ndryshme. Kishim mbaruar orarin e punës atë të premte, kur papandehur Vin Bolin na kishte dërguar nga një sms:

“A shkojmë nga liqeni të hamë ndonjë kile mollë?”  “Dhe bëhemi drures”.

Ishim takuar aty tek reparti i Gardës, ku vigjëlonte një ushtar i vogël dhe pak më tej dukej një ushtar që çmallej me prindërit, dhe më larg një tjetër që blinte misra; pra ishim takuar pas shumë kohësh, si shokë të vjetër shkolle e kujtimesh të përbashkëta.
Vin Boli kishte filluar punë në Policinë e Shtetit. Gjithmonë kishte dashur të punonte në struktura të tilla, por me rrokullimën e qeverive më shumë pa punë se me punë kishte qenë. Profesionet e tjera të grupit ishin, financier, nëpunës, inxhinier, madje njëri nga ne ishte mjek tek urgjenca. Quhej Ormir.   
U takuam si larg e larg pa ndonjë eufori të madhe. Vin Boli mbante një trastë në dorën e majtë dhe me tu ngjitur së përpjetës që i shkon gardës tërthorazi na tha:
“Hajde merrni mollë çuna, mi ka sjellë një polic nga Peshkopia”
Vërtet ishin të prarura dhe gjithë lëng, aqsa goja na u mbush me shkumë të ëmbël. Me skeletet filluam të shënjojmë në koshat e plehërave anash rruginës. Ishte një pasdite shtatori pa koordinata. Mund të ishe i lirë, pse jo!
Mollën e fundit e mori Ormiri i cili duke e rrotulluar në dorë si top tenisi u hodh e tha:
“Vino, hë pra na e dridh një cana”
“Ja aty tek stoli” - bëri me kokë Vin Boli. U ulëm të gjithë në gjelbërimin vende-vende rreth stolit, dhe ja ngulëm sytë procesit të harruar të dredhjes së barit. Të gjithë u solidarizuam me pështymën e Vin Bolit që ngjiti më së miri letrën pështjellëse të barit magjiplotë.
Më në fund ai e ndezi produktin hand-made me një sqimë të veçantë. Aroma e njohur pushtoi ajrin dhe më krijoi një nostalgji të frikshme. Mezi prisja të më vinte radha dhe të bëja një pompë të fuqishme. Cana kaloi dorë më dorë si minë me sahat, dhe në çastet e fundit sosi tek gishtat e Ormirit. Si molla. Ai i dha edhe nja dy pompa dhe e hodhi në bar. Vazhduam të ecim.
Pasi kishim qeshur shumë po na dhimbin brinjët dhe na ishin mpirë nofullat. Befas ishim bërë seriozë. Kishte filluar të ngrysej dhe endeshim nëpër shtigjet me copëra gazetash të liqenit.
Vin Boli na printe tashmë dhe po më dukej se ai na kishte në dorë dhe na kontrollonte. Figura e tij, papritur kishte fituar një autoritet të skajshëm dhe këtë po e ndjeja tek të gjithë shokët e mi, të cilët i bindeshin atij si bagëtia.
Mbante në dorë një thupër dhe herë pas here pasi kthente kryet nga ne, thërriste: “ecni, ecni shpejt, jeni drures”. Dhe i binte kaviljes me thupër. Në fund të rrjeshtit vinte Ormiri i gjatë.
S’di sesi, por u gjendëm brinjazi Amfiteatrit të Gurtë. Dëgjuam Vin Bolin që na urdhëroi:

“Uluni nxënës, nëpër vende!” 
Zumë vend në ndenjëset e gurta, por më shumë ishim ngurtësuar vetë ne nga ky mësues i rreptë dhe nga kjo orë mësimi pa kuptim. E kisha patur Vin Bolin shok bange për 4 vjet në gjimnaz, por kurrë se kisha kuptuar këtë mani të tij për dhënë mësim.
Doli në skenë gjithë autoritet.

“Sot do të bëjmë gjeografi. Të shohim, a jeni përgatitur?!”

Filloi ti binte kaviljes me një ritëm të ngadaltë dhe të hetonte fytyrat tona të mjera.

“Ngrihu ti Ormir” -  oshëtiu.
Ormiri i gjatë u ngrit në këmbë menjëherë.

“Po mësues”
“Pa na rendit kronologjikisht periudhat gjeologjike”

E dija se Ormiri nuk do të përgjigjej pasi ai nuk e dinte përgjigjen. Vin Boli me siguri do më ngrinte mua. Ai kishte qenë as në gjeografi dhe ne të tjerët na linte pas me vite në këtë lëndë. Prandaj po na torturonte. Të gjithë kishim shkëlqyer në karrierat tona. Ai mezi kishte filluar punë në polici.

Ormiri mbeti si hu gardhi duke belbëzuar.
“Ulu… katër”

“Ngrihu ti (mu drejtua mua ish-shokut të bangës)
U ngrita në këmbë me një frikë të madhe.

“Pa na thuaj …” - më drejtoi një pyetje të thjeshtë, por që unë nuk e dija.
“Jo për gjë, por vjen ai prindi yt dhe ankohet, ja hani notën djalit e më the të thashë. Shumë dobët katër”
U ula i turpëruar. Veshët po më digjnin nga përskuqja.

“Ngrihu ti ….”
…………………
…………………
Tortura vazhdoi fiks 45 minuta. Në minutën e 45-të, Vin Boli pa orën, flaku thuprën tej, na hodhi një vështrim gjithë dashuri dhe filloi të qeshë me të madhe.

2 Komente

Do kisha preferuar që autori të më linte ta gjeja vetë psenë e sjelljes së Vin Bolit, po prapë më pëlqyen shumë rrëfimi, emrat, gjetja e kanës. Falemnderit!

Pse ç'pe në sjelljen e Vinit ti akëll?
Vërtet pe ndonjë gjurmë cmire/inati/zilie? smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).