Një ministri për dinjitetin

Një ministri për dinjitetin

Ermira Danaj

Vera politike 2009 në Shqipëri ende s’ka mbaruar dhe mesa duket do të kemi edhe një vjeshtë po aq politike e më tej, ndoshta edhe një vit të tërë shumë politik, me ngjarje të njëpasnjëshme. Por, sic thotë një miku im, gabimi ynë shpesh është se ne merremi vetëm me ngjarjen dhe jo me vazhdimësinë dhe me procesin të cilin harrojmë ta analizojmë dhe ta vemë në pikëpyetje. Ndërsa përsa kohë merremi vetëm me një ngjarje, e shumta pas një jave ajo harrohet, del një tjetër, dhe njerëzit në këtë mënyrë nuk lejohen ti shkojnë analizës në fund, po mbahen vetëm në sipërfaqe, ne nivelin e shkëmbimit të opinioneve.

Në rreshtat në vijim do të doja të filloja një analizë dhe diskutim për ta vazhduar dhe më tej, sepse është një cështje që nuk na prek vetëm sot dhe ca ditë mbas sotit, por që ka kohë dhe që me sa duket ka tendencë të vazhdojë të na prekë e bëjë keq. Le të themi që emrat e qeverisë Berisha ishin një nga ngjarjet politike më të ethshme këtë verë, pas ditës së zgjedhjeve, pas aleances PD-LSI, pas Asamblesë së PS, etj. Dhe emrat u bënë publikë, përsëri sic pritej shumë burra dhe vetëm një grua. Në fakt për këtë pikë dua të flas shumë pak në këtë shkrim sepse dua të ndalem diku tjetër, por vetëm sa për ta ritheksuar edhe njëherë se ishte shumë e pritshme që kështu do ndodhte. Mjafton të shohësh se si politikanët drejtues të cilët u përbetuan një vit të tërë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë, për kalim e tejkalim kuotash, mezi arritën të conin në 15% shkallën e pjesëmarrjes së grave në parlament.

Por, nuk ishte kjo që më shqetësoi gjatë prezantimit të emrave. Ishte më shumë fakti se përsëri Ministria e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të drejtohet nga një përfaqësues i minoritetit grek në Shqipëri. Nuk kam asnjë problem me etninë e dikujt, qoftë ky edhe ministër apo tjetër drejtues, dhe nuk dua as të paragjykoj punën e dikujt që emërohet ministër për herë të parë. Respektoj cdo etni dhe përfaqësues etnish. Por, ajo që më shqetëson më shumë është se kryeministri Berisha e prezantoi këtë pozicion duke thënë se në këtë mënyrë po bën përfaqësimin e komunitetit minoritar grek në qeveri. Në fakt, nëse do ecnim me logjikën e përfaqësimit dhe të përqindjeve të komuniteteve, do të duhej që “komuniteti i seksit femër” në Shqipëri të kishte gjysmën e posteve ministrore. Ose të paktën të ishte krijuar një Ministri e posacme që të mund të merrej me cështjet e barazisë gjinore, e jo të vazhdojmë të kemi vetëm një drejtori në Ministrinë e Punës, e cila drejtohet ose nga aleatët e vegjël ose nga përfaqësues të minoriteteve.

Por le të shkojmë prapë më tej. Të gjithë i mbajmë mend me qindra mijëra emigrantë të cilët u larguan me anije nga Shqipëria në Mars të 91. Të gjithë i mbajmë mend me qindra emigrantë që kanë kaluar shpesh edhe më këmbë kufirin me Greqinë, mes malesh e mes borës. Dhe që prej ‘91 e më tej janë tashmë pothuajse një e katërta e popullsisë shqiptare që ka emigruar (një e katërta ndoshta në mënyrë zyrtare sepse në realitet janë edhe më shumë). Dhe u bënë disa vite që dëgjojmë gjithnjë e më shumë në formën e premtimeve elektorale se do të sigurohet vota e emigrantëve, se emigrantët do kenë mundësi të përfshihen më shumë në jetën politike shqiptare etj. Kjo gjë nuk ka ndodhur, dhe mesa duket gjasat janë të vogla që të ndodhë. Por, ajo që është shumë më e trishtueshme është se për 19 vjet me rradhë, asnjë qeveri shqiptare nuk arriti dot të formësojë dhe të realizojë idenë e krijimit të një ministrie për komunitetin e stërmadh të emigrantëve shqiptarë. Një Ministri e cila do të ngrinte zërin për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në të gjithë botën, në bazë të të gjitha konventave dhe protokolleve që i mbrojnë këto të drejta dhe që do të kordinonte të gjithë punën dhe informacionin mbi të gjithë komunitetin shqiptar nëpër botë, qoftë duke filluar dhe nga numri i saktë i tyre. I duam emigrantët të vijnë të votojnë në Shqipëri, për këtë apo atë parti, i duam edhe për gjithë lekët e derdhura në Shqipëri që vazhdojnë të mbeten një ushqim i mirë për ekonominë shqiptare, por ama nuk i duam për tu marrë e për tu shqetësuar për ta, për të mbrojtur të drejtat e tyre, sic do ishte në rastin e një ministrie të posacme për shqiptarët jashtë Shqipërisë.

Por, nuk janë vetëm gratë dhe emigrantët e ikur pas ’90 të cilët përfaqësohen vetëm në nivel drejtorie, gjithnjë brenda strukturës së Ministrisë së Punës që prej disa vitesh drejtohet nga përfaqëuses të minoriteteve në Shqipëri. Qeveritë shqiptare deri më sot mardhëniet me shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi i kanë trajtuar gjithnjë si “punë të jashtme”, ashtu si mardhëniet më këdo shtet të huaj në cdo cep të botës. Asnjëherë nuk është pranuar ideja se mardhëniet me pjesën tjetër të kombit shqiptar mund dhe duhet të ngrihen shumë më tepër sesa në nivel sektori apo drejtorie qoftë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Aq më tepër sot, kur kjo mardhënie është jo vetëm shumë e fortë nga ana politike por edhe ekonomike dhe sociale. Cfarë të keqe do të kish Shqipëria nga një Ministri e posacme për cështjet e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë? Përvecse rezultate positive nuk do të kish asgjë tjetër, përvec forcimit të identitetit tonë asgjë tjetër, përvec bërjes së Shqipërisë një shtet më të rëndësishëm dhe strategjik asgjë tjetër. (Por jo vetëm kaq, jo vetëm që në gjirin e qeverive të mëparshmë apo të kësaj qeverie nuk është pranuar kurrë ideja e një ministrie të posacme për shqiptarët jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë, por kjo nuk ekziston as në nivel partish, ku mardhëniet me shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni, janë gjithnjë të konsideruara ose si pjesë e mardhënieve me jashtë, ose si njohje personale të kryetarëve.)

Pra, në qeverinë e sapopropozuar ne do të kemi një ministër që përfaqëson komunitetin grek prej 3 përqind sipas statistikave të CIA-s. Dhe gjithashtu kemi një komunitet emigrantësh shqiptarë që me shifra zyrtare është 25% e popullsisë shqiptare, dhe kemi gjithashtu një “komunitet” të grave dhe vajzave që përbëjnë rreth 50% të popullsisë. Të dya këto komunitete përfaqësohen në nivel drejtorish brenda ministrisë që do të drejtohet nga përfaqësuesi i minoritetit grek. Dhe gjithashtu kemi shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë të cilët gjithashtu përfaqësohen në nivel sektori apo drejtorie, si cdo popull tjetër në një vend cfarëdo të botës, dhe jo si pjesa tjetër e kombit shqiptar. Pra, ne jemi gati që për interesa apo konjuktura të caktuara të sigurojmë përfaqësimin e komunitetit grek në nivel ministrie, por kurrsesi të sigurojmë të njëjtin përfaqësim për komunitetit e grave dhe vajzave shqiptare dhe komunitetit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Që në thelb do të ishte një ministri e dinjitetit kombëtar. Dhe duke përfunduar këtë analizë më kujtohet emri i bukur i një ministrie të qeverisë Berluskoni: Ministria e italianëve në botë!!

(Ky shkrim do të publikohet në të përjavashmen GAZETA, numri i parë i së cilës del në treg të mërkurën, më 16 shtator)

22 Komente

 Autorja nuk e ka keq, por ç'e do se Buall Mavria nuk ndigjon mire nga ai vesh. 

S'e lexova dot shkrimin, sapo fillojë logjika që meshkujt duhet t'i japin femrave gjysmën e ministrive e lashë. Sa parti janë për interesat e grave? Sa kandidate kanë nxjerrë këto parti? Sa përqind të votave morën? Po ta kishin bërë provë dhe të mos i kishin lejuan burrat të merrnin votat në mënyrë të lirë, po, përndryshe vazhdim i politikës së qylit është. Për emigrantët është paksa ndryshe se e kanë më të vështirë të marrin kartat e identititeti e të votojnë, por përsëri, nëse s'kanë mundësi të mblidhen si parti dhe të mbledhin vota është e kotë. Për minoritarët grekë thuaj ç'të duash por megjithëse janë në numër më të vogël, një parti e kanë e ca vota i marrin (se si i marrin pastaj është punë tjetër).

tashi nese nuk e ke lexu shkrimin mos jep mend te pakten. se ate ministrine qe do marri greku nuk po e merr prej partise se vet, po prej PD-se. pra berisha po kujdeset qe t'i beje qejfin grekeve duke vene minister kosta barken apo spiro kseren, qe jane anetare te PD-se (jo dhe aq te shquar). arsyet merren me mend...

Pak rëndësi ka se pse dhe kujt po ia jep karrigen Berisha. Po deshe demokraci, formo parti dhe mblidh vota, po deshe të bëjë dikush sipas qejfit, ke modelin e lypjes para Berishës.

ashtu e, ne demokraci qenka e ndalume kritika, funksionoka vetem llogjika po s'te pelqeu sic e bej une, perpiqu ta besh vete?

Kritikë bëj sa të duash, por në demokraci s'ka: "unë bëj pjesë në një grupim që përbën X% të popullsisë, prandaj na takon një ministri". Pastaj ç'të keqe ka me "po s'te pelqeu sic e bej une, perpiqu ta besh vete"? Ky është një nga themelet e demokracisë. Është nga arsyet bazë pse njerëzit hedhin kandidatura për pushtet, është dhe arsyeja pse republikanët humbën pushtetin në ShBA.

or, ajo që më shqetëson më shumë është se kryeministri Berisha e prezantoi këtë pozicion duke thënë se në këtë mënyrë po bën përfaqësimin e komunitetit minoritar grek në qeveri. Në fakt, nëse do ecnim me logjikën e përfaqësimit dhe të përqindjeve të komuniteteve, do të duhej që “komuniteti i seksit femër” në Shqipëri të kishte gjysmën e posteve ministrore.

Kjo llogjike eshte OSMANE! Kjo duhet te te shqetesoje me teper.

Ja dhe na doli seksi komunitet. Pra komuniteti seksit mashkull, komuniteti seksit femer, komuniteti seksit te nderthurur, dhmth, partia meshkujve, partia femrave, partia homove etj. Debillleqe.

Komentet ketu perhere e me teper i perngjajne efekteve te acidit

Ne kete artikull ne fakt nuk theksohet ndonje komunitet politik, perkundrazi, kritikohet rendesia e pamerituar e minoritetit grek, qe edhe pse ka nje parti perfaqesuse qe nuk mori pjese ne koalicionin fitues, vazhdon te kete perfaqesues ne qeveri, nepermjet PD-se. Nderkohe qe po kjo parti nuk ka asnje lloj ndjeshmerie per grupe me te medha, me te rendesishme e me perfaqesuese, fjala vjen camet etj etj.

zonja perndryshe esht anetare e kryesise se ps, thjesht per informacion

zonja perndryshe esht anetare e kryesise se ps, thjesht per informacion

Nqs kjo eshte e vertete, ky eshte maskarallik!

Nqs do sillni artikuj politike nga do fare antare kryesish, antare komitetesh drejtues,  duhet me e vone mu ne balle ose ne fund si disclaimer! Qe neve te nuk e dime permench listen e antareve te njones apo tjetres byro ta dime qe po lexojme vjersha politike!

P.S.

Per artikullin, ASNJI PIKE!!!  

 

mrroklla, seriously honey?  Dmth aq e rendesishme eshte ajo pune sa te hidhet poshte i gjithe artikulli si maskarallek?  Do ndiheshe me mire ti sikur ne vend te disclaimer per perkatesine politike te vihet disclaimer i tipit: autorja  ka shkruar apo ka kontribuar ne x, y, z artikuj per ceshtje te barazise gjinore?  (Pyetje pa asnje tendence apo ngjyrim politik.)

Personalisht, me nja dy sygjerime ne artikull nuk jam dakort, por jam dakort me kendveshtrimin e autores.  

Toots

Seriously (but not too much, lest they say we're arguing)! smiley

Komenti im profund ishte "a two-prongs one" smiley

1. Maskaralliku nuk ishte i drejtuar autores. I drejtohej administrates se Peshkit, qe ben nje cike "steering" ideologjik duke mos vene ate disclaimerin qe po kerkoja une.

2. "Asnji pike" i drejtohet artikullit/autores. Kjo per kete dy arsye.

a. Si mund te shkruash nje artikull per qeverine e vendit tend, ne lidhje me shtetas te vendit tend dhe t'i referohesh CIA-s per statistikat e popullsise se vendit tend?

b. Si mund te heqesh paralele te natyres: Greket 3% kane perfaqesues, emigrantet 25% dhe nuk kane perfaqesues (quoting loosely here)? Grate 50% kane nje ministre vetem? Again loosely!

 

 

Us arguing?  Hudher, hudher smiley.

1.  Nqs do kishte precendente kjo praktike, (dmth ajo e disclaimer) atehere do te te jepja te drejte nqs ketu psh s'eshte vendosur, me apo pa qellim.  Gjithesesi, te pakten nga historiku i peshkut, ndodh shpesh qe nje shkrim nuk merret seriozisht, apo hidhet poshte, me gjithe idete apo disa ide qe ia vlejne per t'u diskutuar, vetem duke u nisur nga emri i autorit, apo pozita/opozita etj.

2/a: Kur eshte bere censusi i fundit i popullesise shqiptare, nga shteti shqiptar?  CIA world-book, World Bank etj, referohen rendom per statistika.  Better then wiki smiley.  

2/b: Me duket se kendveshtrimi i autores eshte bazuar ne thenien e km-se ne lidhje me nevojen e perfaqesimit te minoritetit grek ne qeveri.  Ne kete vije llogjike atehere eshte shtruar argumenti.  Not out of thin air.  Duke u nisur nga ai jystifikim atehere mendoj qe eshte e drejte te ngrihen shqetesimet me lart.  Sigurisht qe ne menyre te pavarur (nga thenia e km-se) keto ceshtje mund te ishin trajtuar ndryshe.     

m'fal qe po hyj kshu si pyke  dhe pa e lexu artikllin.

por nqs kjo zonja i ka marre te dhenat nga james bond-i, per mua tingellon i cike si goxha karshillek, duke qene se zoja ka punu gjere e gjate ne Institutin e Statistikave (INSTAT), mos te them qe mbase ishte kjo qe i bonte censueset se ket se di me siguri smiley  . Eshte tashti qe s'punon vete mo aty, por punojne kta te tjeret.........................................................

smiley

a m'kuptove

Aha, ok Tushe smiley.  Nuk e njoh fare znj. ne fjale, bile as ciles parti i perkiste.  Nqs INSTAT ka statistikat e veta te perpikta per keto pune dhe s'u eshte referuar per nje qellim apo tjeter, atehere me mire akoma qe s'punon me aty. 

Thjesht u nisa nga disa artikuj qe ka shkruar per problematiken e gruas ne Shqiperi. 

ermira danaj ka punuar 4 muaj per praktike ne instat, ma tha vete ne facebook.

Nje ministri e tille do te ishte e dobishme. Artikulli sjell nje nevoje reale. Gabim te nenvleresohet. Promovimi i imazhit te Shqiperise, turizmit, asistence ekonomike apo legale emigranteve ne nevoje, sportele info per ke deshiron te investoje ne Shqiperi, sportel info per emigrantet mbi ligjet apo normat e reja administrative qe mund te kene interes per emigrantet. Ne bashkpunim me Min. te Jashtme, rrjeti i ambasadave mund te ofronte lokalet. Per kete do te duhej personel i pergatitur.

Një Ministri e cila do të ngrinte zërin për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në të gjithë botën, në bazë të të gjitha konventave dhe protokolleve që i mbrojnë këto të drejta dhe që do të kordinonte të gjithë punën dhe informacionin mbi të gjithë komunitetin shqiptar nëpër botë, qoftë duke filluar dhe nga numri i saktë i tyre.

Shume, shume e drejte.

P.S. 4 *

AM-TR,

pse kam pershtypjen se je vetem nje thashethemexhie. Dje po perflisje per djalin e Jozefina Topallit si rrugac, sot qe autorja eshte anetare e kryesise te PS (e pastaj?). Te jesh thashethemexhi ne vetvete s'eshte fundi i botes, po te pakten thuaje nje gje tende.

po perflisja? e ke te faqja zyrtare e ps! pastaj ti kush je, bodiguardi i cunit ksaj tipes? po ne fund te fundit, un sthashe se teksti nuk esht ok, thash 1 +info per autoren. sa per tekstin, mendoj se esht shkruar mbi baza logjike

Ku qendronte baza e argumentit ad personnae?

Po, Mira eshte (ende) kryetare e Forumit te Gruas ne PS. I ka hyre ne hak njeriu? Apo politika eshte e keqe, harrova fare une...

une nuk e di ne paguan taksa kjo artikullshkruesja por do te proferoja qe taksat qe paguaj cdo vit,  te shkojne ne pjesen me te madhe per edukimin e femijeve qe bredhin rrugeve se sa te shkonin ne xhepat e lukunise partiake te kolltukezuar respektivisht cdo 4 vjet, 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).