Ninulla Celine

Ninulla Celine*

(pjesa II)

Krenar Zejno

Ani mora rrugën... 

Të mbathim këpucët për këmbë të ndjeshme e ta ngasim shtegun pas hijes së gjeniut, ndryshe mbetëm pas dhe do përhumbemi nëpër qorrsokak.

Ku do vallë të mbërrijë e të na shpjerë i paudhi Celine, kësaj udhe mbi thëngjij të ndezur, me stacione vdekjeje drejt fundnatës? 

Qysh në  nisje dorëzon përgjegjësinë e tij për çka mbart udhërrëfimi pa shpallur pafajësinë e dëlirë (nuk i do aktet e kulluara), por fajësinë e përbotshme.

Kështu zuri fill kjo punë. Të qe për mua, unë s’kisha thënë kurrgjë. Hiç. Ishte A... shoku im, që më bëri të flas {...} ngjau pas darkës. Ai diç do të më flasë. Unë e dëgjoj {...} ç’të rrimë jashtë {...} edhe unë tok me të brënda{...} ende këmbë njeriu në rrugë{ ...} pisku i vapës, as makina, gjë prej gjëje.

Fjala – Koha – Njeriu! Trinia e Metaforës Selineane. Trikëndësh metafizik, në të cilin gjeniu ka ngjeshur simbole, për ta shpërthyer prej zanafillës drejt një vizioni apokaliptik. Triptik natësor zhytur në errësirën primordiale si tharmi i çdo materie dhe thelbi në pahun e territ zanafillor. Pjesët natësore të gjërave, vëren Ciorani, janë më thelbësore se ato të ditës.  Celine e di ç’kërkon, e di që vetëm ai ka të drejtë, dhe na e thotë: nuk do më të vijojë të vdesë. “Ndoshta vëtëm këtë kërkojmë në jetë, asgjë tjetër veç dhimbjes për t’u bërë vetvetja para se të vdesim”.

Rrugëtimi i tij nuk mund të mbetej vetëm si rrëfim ku del në shesh dhe njihet e liga.

Të vrisnin e të vriteshin dëshironin, me gjithfarë mjetesh, dhimbje të vjetra, mizerje të reja, urrejtje pa emër, për sa nuk kishin luftën mizore që përshpejton gjërat”.

Kjo do të  ishte shumë pak. Po të ishte për kaq, Celine as nuk do të paralajmëronte që po i dorëzonte njerëzimit një nga dosjet madhore, ku i padituri është po ai të cilit i drejtohet për të shqyrtuar akuzën dhe për përmasat e së cilës ishte i vetëdijshëm paraprakisht.

Për ta kryer këtë mision, do kishte mjaftuar e vetme, retorika e stërgjatur e Volterit një shekull përpara: “A besoni ju që njerëzit janë vrarë e janë prerë gjithmonë me njëri-tjetrin siç bëjnë edhe sot, që kanë qënë kurdoherë gënjeshtarë, dinak, të pabesë, mosmirënjohës, kusarë, të dobët, të lëkundshëm, të poshtër, ziliqarë, grykës, pijanecë, kopracë, ambiciozë, gjakatarë, shpifës, të hurit e të litarit, hipokritë dhe budallenj?”
Për Celinin ‘udhëtimi është njohja e hiçasgjësë’. Kryhet si udhëtim imagjinar. Nuk është thjesht eksperienca e tij jetësore, por kërkimi kah një gërmëzimi tjetër, gjuhëzimit të përditshëm, modernitetit. Prandaj, e urta gjuha jonë, më e para skriptum, fjalës eksperiencë i thotë përvojë. Kështu na e kthjellon kuptimin se si përvojtje ajo s’mund të mëtohet nga jashtë në eskursion, si eksperiencë ekstra e zgjedhur nga udhëtari, por si përvojë–përvuajtje dhe pre e shtyrjes në udhën pa krye. Po ashtu, rrafshi kuptimor i udhëtarit të gjuhës shqipe, që prej baladave e gjer sot e kësaj dite, na e përcjell drejt e në lëkurë ndjesinë e lidhur me detyrimin për të marrë udhët nga e keqja apo me të shtyrë, e jo si voyage i dëshiruar apo soditës. Ekzistencializmit të Sartrit i është dashur ta shprehë: “Vetë na bëni të bëjmë atë ç’ka nuk do të donim, pastaj na detyroni të përgjigjemi për atë që bëjmë ”

Rrallë zhargoni dhe format idiomatike e mahisin brumin gjuhësor sa në letërsinë selineane, për t’i shpëtuar skematizimit të mendimit duke shfaqur non-sensin e gjithë çka ekziston, disfatën ekzistenciale. Shumë rrallë teknikat e shkrimit mund t’ia mbërrijnë të prodhojnë një aritmi të tillë të thekshme brenda ritmit tensionues, sa t’i japin narracionit kaq spazma trallisëse. Plazmimi stilistik unikal, siç i ka hije mjeshtrit të madh të stilit, vjen drejtpërdrejt me goditje akute, i çartikuluar por solid, me ngarkesa tepër të forta emocionale të ndjenjës së tragjikes dhe ndjesisë së groteskut, e me temporitëm që e ruan të njëjtin tonus përgjatë gjithë udhërrëfimit. Tejzgjahu i shkrimit punon mbi tre shtresa kuptimore, njëkohësisht. Në tre pista leximi shkrirë në njëra-tjetrën. 3 x 1. Thurur në një kompozim triptik.

Kështu shtresa e parë e endjes, më në pah, është veçse baza për të hedhur dy të tjerat.
Ndërsa e dyta do të qëndiset përmes një implikimi metaforik të parreshtur, duke ngarkuar me peshë simboli edhe aktet që rrjedhin prej veseve të shndërruara në natyrë njerëzore, pothuaj të pavetëdijshme, madje të paevitueshme, ndaj edhe të shoqëruara hap pas hapi me gromësima, teshtima, vjellje, përmjerje, e shkarkime fiziologjike gjithësojshe.

Në të tretën shtresë, edhe pse krejtësisht transhendentale, qesëndiset përqiellja e tokës dhe e ardhmja që gris të tashmen.

Askurrë, faqet e mureve prefabrikat që gatit betonierja e teorizmave nuk janë trandur e krisur, gërmuar e gërmëzuar, sa nga matrapiku i sintaksës së markës “Celine”.

Stili Celine! I përsosur, i papërsëritshëm! As nuk e kemi atë aftësi për ta përshkruar. Aq më tepër që për stilin e tij, me ç’dëgjohet, nuk është se mungojnë referatet. Kështu, pikërisht, fashitet thelbi i asaj çka shpall gjeniu, për t’i mëshuar gjatë, vetëm latimit të formës. Por krijimi përbind i Celinit nuk mund të fshihet duke u marrë vetëm se me ç’lloj stili është kryer akti i mbarrsjes së kësaj pjelle unikale. Sepse do të ishte sikur, me të kuptuar diç nga bota, të na varnin shpalljen funerale:

MOS VRISNI MENDJEN KU SHKON
ME QEFININ NEN SQETULL I PAUDHI CELINE,
PO SHPEJTONI TE CUDITENI
ME STILIN SE SI KRIMBI I MENDAFSHIT
E KA ENDUR MENDAFSHIN MORTOR PER QEFIN!!

Vallja apokaliptike e vdekjes (njeriut ndër vdekje) është aq vitale sa ndjehet si një organizëm i gjallë, në një natë pus ku ritmi aritmik i zemrës së sëmurë përndjek krejt leximin. “Kjo është jeta. Një bisht drite që fundoset ndaj nate. E brenda saj njerëzit që herë-herë dalin nga errësira e zënë të flasin, por nuk u duhet besuar. Pastaj i përpin sërish nata. Nata që përpin zërat, pastaj hiçi”.

A nuk duket se Nata ushqehet me zërat që sikur i kafshon e mbyt, i tret në  copëra zhurmash dhe qit heshtjen, asgjënë?

Rruga e natës  selineane do të ishte si një urë lidhëse midis modeleve të udhëtimit pikaresk në autorët e romanit klasik dhe atij të udhëtimit në errësirën e qenies, rrotull vetes e brenda saj, në letërsinë moderne. Një version për trion magjike të kësaj letërsie do ta shihnim të ndërtuar prej romaneve:

Në  kërkim të  kohës së humbur - UliksiUdhëtim në fund të natës.

Proust - Joyce - Celine.

I pari - me një udhëtim të vërtetë zbulimi, duke na e ngarë  udhën jo drejt kërkimit të vendeve të reja, por... syve të rinj. 

I dyti - duke stërholluar e shtrirë petat e mendimit në hapësirë  e kohë si askush         tjetër, përmes eposit të përditjes së Uliksit të tij, brenda një qyteti çfarëdo dhe një dite të vetme dosido.

Celine - me një mërgatë të pashpresë veçse për t’i ikur vendodhjes, duke u endur nga një natë në tjetrën, nëpër copëra errësire që edhe kur grisen e shqyhen, mbeten si zhele terri në skaj të Natës së Madhe. 

Kur gjenitë  e dhimbjes e ngrenë këtë gjer në kupë të  qiellit dhe, sidoqë e tillë, e çpojnë me satirën e mprehtë  që t’i dalë e keqja, ata afrohen mes tyre në luftë ndaj luftës, mizerjes, kolonializmit, heroizmit vëllavrajës si Kaini me Abelin. 

A nuk e hedhin bashkë edhe Vallen e Vdekjes Varrezave, duke i vozitur tejendanë?


Duhet t’i biesh qark vetë natës, aq kohë e këmbë duhen për t’i ardhur rrotull varrezës”. Me sa duket pëshpërima e të vdekurve u thotë atë çka ajo e të gjallëve gjithmonë e fsheh. Diç duan ende të mëtojnë gjenitë prej mortit të errët ndër varre: 

Joyce e fundon rrëfimin “Të vdekurit” në një pllajë varresh, ku as bora nuk e zbardh dot terrin; Becketti sodit epitafet në varrezën e “Dashurisë së parë”; Stainbeck, në varrezat e “Lagjes Tortila”, ku banorët nën uturimat e sirenave humben në errësirë, secili më vete; Faulkner, me shpurrën që përcjell arkën e vdekjes për në banesën e fundit duke rrëfyer, secili në vetën e parë, njeriun “Ndërsa vdes”. Conradi përpara tyre, po me sirenat e kobshme të anijeve, i jepte fund novelës emblematike “Zemra e errësirës”. Celine e mbaron udhëtimin e terrtë nën fishkëllimën e rimorkjatorit që zvarris vdekjen. Për të na e sjellë në titullin e veprës që do pasojë “Vdekje me kredi” dhe duke e mbjellë sërish qysh në rreshtat e parë. E më pas, Camus apo Cioran, do t’i dorëzoheshin po ashtu errësirës së varrezave.

Nata - moti - fuqitë natyrore! Meteorologjia metaforike që Celine e përdor përsosur për të tensionuar vizionin e tij të universit, dhe për t’i theksuar pulsionet irracionale dhe bazike të njeriut. Edhe romani i sapopërmendur çelet nën një stuhi aq të fortë sa tregimtari Celine lutej ta shkulte e ta zhdukte edhe shtëpinë. A nuk e patën rënduar sinoptikën edhe baballarët e stilit modern? Melvili në gjuetinë e metaforës me dimensionet më të mëdha alegorike –balenës “Moby Dick” apo Conradi tek nis Marloun dhe heronjtë e vet për te “Zemra e errësirës”, nën retë që mbulojnë qiellin, në përballje me forcat okulte të natyrës që sikur duan të ndërpresin çdo projekt njerëzor e t’i dalin përkundër njeriut për të anulluar çdo sens drejt arritjes. A thua se njeriut nuk i mjafton vetja për një gjë të tillë!

Tejshkrimin e natës celiniane brënda natës së madhe, si raport i pjesës me të tërën, do ta shquajmë pikërisht përmes elementëve si errësira, moti i acartë, verbëria, varrezat, portjerët dhe postoblokët, trikëndëshat, shishet e verës, deri te ‘qirinjte e vegjël që rregëtijnë gjithë jetën në një univers të frikshëm’; soba e zjarrit që nuk ngroh, në kulm të çdo shtëpie rrethuar nga ata, vetëm prej të cilëve duhet patur frikë, njerëzit!
Ku është  mirësjellja, mirënjohja!? “Nuk duhet kërkuar. Nuk janë. Sapo shfaqen ndëshkohen pamëshirshëm, egërsisht. Njerëzit hakmerren për shërbimin që u kryen!.
 
Është për t’u çuditur që ky përcaktim, në pikun e epërm të së keqes, bëhet njësh me një kategorizim gati në formë ligjore të Proustit, që në të njëjtën gjuhë shprehet: 

“Varfëria e largon egërsisht altruizmin dhe mirësjellja ndëshkohet pamëshirshëm”. 

Shih! A nuk ngjajnë si dy pika uji?! Pikë e zezë! Ndoshta, kush e di, në një cak të tillë si prej fundi mesianik të historisë, letërsia nuk të gjegjet dot më, dhe hordhitë e imagjinatës gjeniale mbërrijnë e trazohen në të njëjtën pikë ku më s’mban, dhe nisin të fjalosin njësoj! E meqë fraza na shkau drejt humnerës, udhës së Celinit, le ta ndriçojmë me ca dritë nga e të ngjashmit të tij, Camus: “Veprat e disa shkrimtarëve formojnë një të tërë ku secilës i jep dritë e tëra dhe të gjitha shikojnë njëra-tjetrën”. Sidoqoftë, me durim edhe pak, në shkrimin tonë duhet t’i mbetemi në besë ashpërsisë së Celinit, që iluminizmin e tij ka zgjedhur të na e përçojë përmes errësirës, duke përshkruar pa dritë biseda epidemike: “fjalë që vuajnë nga sëmundje; epidemitë rreshtin kur mikrobet nuk i duan më toksinat. Është më e ndërlikuar dhe më e mundimshme se jashtëqitja përpjekja jonë mekanike e bisedës”.
Vijon
_______________________________
*Ese në  vend të parathënies mbi kryeveprën  “Udhëtim në fund të natës” e Luis Ferdinand Celine,

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).