ninulla Celine (pjesa I)

ninulla Celine (pjesa I)

...skandal që s’ka ndal!
      

Udhëtimi selinean tej skajnatës mbetet unikal në historinë e shkrimit.
Skandal i së Keqes dhe Mjerimit Total, pllakosur sheshit jo si befasi të udhës, por si kanun kushtetues i ekzistencës dhe zembereku i vetë qenies, të cilit hipokrizia e dekorit të jargavitur moralist nuk i lëviz dot as qimen.

Roman Pikaresk…! Ky është përcaktimi, tinëzak dhe i cunguar, me të cilin enciklopeditë e rëndomta dekorojnë rrugëtimin e pasosur për në tjetrën anë të jetës. E meqë termi pikaresk kategorizon romanet në trajtë narrative autobiografike me udhëtarë hokatarë, tek ironizojnë dhe i zvjerdhen shoqërisë shtypëse, i bie që udhëtari Celine të jetë përkrah me Don Kishotin, Tom Jonesin e Fieldingut, Robinsonin e Defoes; pranë Guliverit apo Shvejkut - ikonave të përjetësisë së romanit. Por ja që është edhe s’është ... 

Se enciklopeditë  - këto depo publike ku kurtizanet e kritikës me shërbim inteligjent pushteti u shkordhin rebelimin të paudhëve mendjeçelë - ia kanë gjetur vendin domethënies së hollë të kryeveprave, duke e fshehur nëpër gallatën groteske. Mandej, në vlerësim të talentit gajasës të heronjve e autorëve, tek na i shfaqin si çaprazë të lezetshëm, kujdesen për saktësinë, honoret e homazhet në përkujtim të ditëvdekjes apo lindjes, a thua kanë vendosur t’u anulojnë përjetësinë!

Po ku djallin ta sistemojnë lakenjtë ngashënjyes të mallkuarin Celine, që të prehet e pushojë një herë e mirë?!
U shkau nga duart në fund të natës, asokohe kur deheshin në pushimin mes luftash, ndërsa gjeniu klithi “atë ç’ka zërat duan të thonë, e nuk e thonë kurrë”. Dhe ja, nisi të interpretojë arien e Vdekjes që zë t’i shkulë edhe ata nga ofshama e jetës ku janë dergjur. Si meteorët që përshndritën verbërinë, burgun, ekzilin, posaçërinë e çmendinës, nën emrat: Baudelaire, Dostojevskij, Nerval, Rimbaud, Van Gogh, Wilde, Poe, Kafka, Joyce, Artaud, në shpërthim të ideve që ata përflakën në trajta shenjtërie drejt qiellit... të prehen e argëtohen me të dielën e yjeve.

Autobiografik... i bien shkurt, saktë e në kokë edhe odisesë selineane nikoqirët enciklopedikë. Duke e kapitulluar qysh në germën e parë të alfabetit, tek rreken të sqarojnë automatikisht rastet e biografive njësh me veprën.

Ka shumë  fantazi në rrungajën e kritikës volumetrike. Saktësisht, e kundërta e përrallave. Gjeniu pat marrë mëri me këso shkencërash kur thërriste shfarosjen nga faqja e dheut të referateve që mbajnë në këmbë ngrehinën e Shtëpisë së Njeriut.

Se strehimi nëpër enciklopedi është ende çështje publike. Trajtohet sipas biografisë e s’ka të bëjë vetëm me atë ç’ka shkruan, por edhe ç’bën në-për kohën që shkruan, bile-bile çfarë bluan mendsh kur luan me zjarrin dhe çfarë bluan... tek luan mendsh ndër kohë. Kësodore, shqyrtohet herë biografia e heroit dhe herë e gjeniut të tij.

Si ta lyp nevoja. Zaten, vetë e ka gatuar. Në mos njërën, tjetrën. E për të qenë brenda pa e pasur brenda, e kapitullojnë në aneks. Mend ta quajnë roman nate pa shkëputje nga puna. Nënshtrimi ndaj vesit të zhgërryerjes nëpër enciklopedi mund të shpjerë në faqen e mëpasme, ku s’është çudi të kenë shpikur termin …autoroman.

Bodlerit, te germa fill pas të parës, me siguri do t’ia kenë lënë jashtë verdiktin e vjetër:
“Poeti gëzon atë privilegj të pakrahasueshëm që i jep mundësinë të jetë, sipas qejfit, ai vetë apo dikush tjetër”.
Mbase një përcaktim i tillë, sipas kodit të enciklopedisë do ishte me vend të kishte vend në doracakun e kodeve të drejtësisë. Ky i fundit ka edhe kompetencat ta marrë seriozisht në dorë rebelimin tepër të poetit qejfli, dikushit apo sozisë.

Celine në indeksin e tij  përkon pranë Cervantesit, në lojë inicialesh alfabetike.
Ce-Ce; si mizat që s’bëjnë shaka, pickojnë për vdekje. S’e kanë shpikur kot alfabetin enciklopedik, veçse për të kapitulluar simbolet dhe për të qethur nëpër kapituj mishërimin e teprisë gjeniale.
Nuk ka rend më tinëzar – përçor – barazitar – rendor, se ai alfabetik në dorën e përndjekësve të devotshëm e dobiçsjellës, sa hartuesit e saj të përkorë.

Për çudi, edhe jetët Celine e Cervantes, mbi tre shekuj larg njëra-tjetrës, përqasen açik për nga rrasja në luftë, në burg, në frymën mbytëse pas kthimit në vendet e tyre, zhgënjimin, mjerimin dhe shprazjen e përvojave ndër kryevepra madhështore. Prapë se prapë ...autobiografik. Sepse rasti Celine nuk duhet assesi të përgjithësojë. Tek e fundit, u bëka fjalë për eksperienca personale udhëtimesh të rastit. Përcaktim cinik e kategorik, pështjellë nën trajtim enciklopedik.

Përnjëmend, gjenisë Cervantes do t’i kenë lënë shumë hapësirë strehimi, se me kryeromanin e kohërave ka zënë radhën qysh prej shekullit të shtatëmbëdhjetë. I takon edhe oborri, ngase tok me gomarin bëhet vetë i tretë. Veç kësaj, Kishoti, kumbisur nëpër satirë me aq kujdes kritik, u duhet atyre pse shëmbëllen bëmën e vet aq të dështuar, si një rast tipik. Tashmë, mëria e tij ndaj padrejtësive, mundi i kotë për të drejtuar drurët e shtrembër të pyllit është zbehur krejt dhe s’ka rrezik. Kështututje, epiteti ‘donkishot’ i ngulet njëherë e mirë dështakëve demode, të rebeluar nga kjo botë. Tekembramja, u jepet edhe një titull fisnik, si shkëmbesë e hakmarrjes së shpirtit poetik. E nëse s’heqim dorë prej veskut bjerramot alfabetik, Don Kishotin mund ta hasim përsëri në shkronjën pasardhëse. Dhe rastësisht,  krah...
Dostojevskit ...aq romantik.

Do-Do; Si ninulla që largojnë gjumin e thërrasin zgjumthin.
S’është çudi, që me të mbyllur kapitullin e Don Kishotit, duke e përgjumur me ndonjë trill hokatar të Rozinantit të vet gomar, të na e çelin atë të Dostojevskit me zgjimin e ndonjërës nga gafat e tij të rastit, si për shembull:
“Gomari është një njeri i mirë dhe i dobishëm”.

Megjithëqë  Joyce na e vuri në vesh se “gjeniu nuk bën gabime dhe gafat e tij janë të qëllimshme e janë dyert e mëdha të zbulimit”, përkujdesja enciklopedike s’do prapsej pa na e bërë të qartë, prerazi, se Dostojevski ia ka dedikuar atë shprehje gomarit Rozinant, që i madhi Cervantes e bëri të flasë si njeri, pa qenë hiç fare shfrehje ndaj racës së gomerëve në përgjithësi, nëpër gjithësi. Përndryshe do e  kish shkruar në shumës, si Celine kur përshkruan shumësin e anonimatit të “qenve që dinë të kujdesen për veten dhe u përgjigjen lehjeve”. Sjellja e këtij është goxha ndjellakeqe, se bëhet gjithëpërfshirëse, sado i trajton kafshët me mirësi. Mirë gomari që na ngordhi, po s’të lenë as mizat.              

Enciklopedia sakaq, duhet të mbetet e vetme për nga (për)masat e (për)fshirjes, kot s’ia ka vënë vetes këtë emër e kësoj barre patetike. Kush rrëmon te E-ja, ka të ngjarë të bëhet me dije se emri i vjen ngaqë është e stërmadhe, ciklopike, e jo sepse vëren vetëm me një sy. Vetëkuptohet. Përsaqë ciklopin te c-ja e kishin, dhe mu aty po të lypsej e bënin me dy sy. Mjaft që te faqja e numrave, faqe më vete kjo, të shpallnin se njëshi paskej qenë dysh në gjuhën antike.

Floberit po ashtu, te germa në vijim, me gjasë nuk do t’ia kenë përtypur kollaj mllefin ndaj përmasave të injorancës pa shërim. Sido që papagalli i tij Lulú, që gjithaq u gjegjej lehësve, nuk përgjithëson se s’është anonim. Ashtu si zonja Bovari, bëmat e së cilës nuk është se cenojnë dhe aq madamat e tjera përtej. Kritika tok me klerin, kushedi pse u turrën për ta ndëshkuar e rrënuar Floberin. Mbase nga doktor Charles që mjekonte gratis sëmundjet e mizerjes së mjerë, siç do të bënte edhe Bardamyja i Celinit ca më matanë.
Të dy, me po atë përkushtim ndaj çrrënjosjes së mikrobeve nga bartësit e tyre humanë. 

Në fakt, teksa vetë njerëzia s’ta fal gafën e shërbimit falas dhe gjenerozitetin, merret me mend sa ta lejojnë këtë privilegj shenjtësh, dogmat të cilat e mbajnë si atribut të vetin.
Aq më  pak, vesin e rrezikshëm për të ndryshuar botën. (Sainte-Beuve, një tip shef dekori i kritikës së zakoneve, ka nxirë ndoca faqe edhe kundër “faqenxirit” Flaubert dhe personazheve hiç pozitivë e asfare happy të cilët ligështojnë njerëzinë tek shtyn rrotën).

Por lumturia, edhe sikur të mos ish një mani mediokre siç e shpalli Floberi, s’ka si kushtëzohet prej bollëkut të saj nëpër letër. Se paskëtaj, turravrap drejt lumturisë prej letre, plot e përplot dengje kartash me manira letraro-ekonomiqare... gjer në sharrimin e drurit të fundit. Dhe prapë që prapë, në të njëjtën qafë. Poshtë e përpjetë. Hiçgjëkundit. Nga lartë teposhtë! Si Sizifi? Po ky i nëmuri ja mbërriti së pari ta merrte vesh se ç’ishte si njëra dhe tjetra faqe te lumturia. Sido ta sheqerosin testamentin e Kamysë - “duhet ta imagjinojmë të lumtur Sizifin ” kartat e velura nga shkërimtaria.

Gide, të cilin shkrimtarët e pasluftës e quanin mjeshtër dhe ekzistencializmi i detyrohet jo pak, e ndjeu se mitin e Sizifit do ia përdornin Kamysë me qëllime fitimi çarqet kritizere. Dhe kur qe tashmë plak, i moçmi Andre ia behu të thotë: “Sizifi do bënte mirë të binte rehat e të marrë frenat e situatës në dorë, duke i hipur sipër shkëmbit të tij” dhe t’i jepte fund kësaj afere. Ashtu si pat pikasur ndër të parët edhe kundërsulmin e kritikës mbi turrjen e letërsisë së Celinit drejt të vërtetës, nëmos vetë mësymjen e të vërtetës autentike në letërsi: “realiteti i përshkruar nga Celine është aluçinacioni që provokon vetë realiteti”

Gjenitë, gjithë e më shumë, po e dinin samirë që vetë nuk ishin shembulli për t’u ndjekur, por pse-ja për ta kërkuar. Jo më kot, qysh herët në muzg, Don Kishoti i shpjegon Sanços se të lashtët, Homeri e Virgjili, nuk i përshkruanin personazhet ashtu siç ishin, por si lypsej të ishin: shembull i virtytit për brezat. Po asokohe, shembulli bëhej vërtet virtyt dhe virtyti shembull i vërtetë.

Homerin e kanë nderur gjatë e gjerë nëpër enciklopedi. Nuk është, dhe s’ka përse, i racës së rebelëve. I përkiste dhe i mban anën fitimtarëve. Aq bukur i këndon luftës, në perla vargjesh të tëra. As kryegjeniu s’mundi ta hamendte se njerëzinë do ta mbyste e keqja, sa ta shndërronte edhe madhështinë e luftës në kuplara të të marrëve. Dhe se kauza belike bën të fshihet, sot e gjithë natën, pas shpatullave të tij të gjera. 
Më tej, në do të lindë nevoja, kushedi, më t’i kthehen dhe atij vetë e ta quajnë luftëcytës.
Siç i shkrehen edhe kësaj iliade selineane. Kjo s’këndon epikën e burrërisë dhe besës homerike, por vajton kujën e shekullit të paburrërisë e pabesisë epike.

Nga Cervantes te Celine, zemërata e heronjve pa mirësjellje higjienike shoqëron procesionin e ligësisë njerëzore me sentencat kanonike dhe personazhet në pah ashtu si nuk duhet të ishin, por ja që ashtu janë... 

Hë për hë, le ta ndërpresim me kaq, e të mbeten veç si copëra nga mozaiku i Rrenajës së Madhe. Anipse një vërë në ujë, në ato ujëra të zeza të asaj të tëre që Celine e ka pagëzuar: “fantazi borgjezo-bizantine zbukuruar me keqdashje”.

Kuptimi kësaj të fundit, për ta nuhatur kollaj në rast nevoje si rasti ynë, do shprehur, nëmos bukur, hapur:
Duhet t’i përziejmë mirë e mirë, vazhdimisht, plehrat e kohërave me jashtëqitjet në vijim, dhe ju do shihni sa lehtë e me shpejtësinë e erës përhapet epidemia; për të ndjerë e vlerësuar kësisoj, efektin e hapeve kundër mërzisë e dizenterisë, teksa na i shpërndan gratis, përkujdesja dhe bamirësia.
Post scriptum  Nëse ndonjë shprehje histerike, rri pa dashje bukur, shpërhapur si vaji në lulelakrën akademike, autorësia i përket vetëm asaj: fantazisë epidemike.
E ky barok kurrsesi s’mund të reshtë këtu, e aq më pak prej meje, kur bën vaki të më zërë nata natën, udhës mb’udhë... 
Vijon
_______________________________
*Ese në  vend të parathënies mbi kryeveprën  “Udhëtim në fund të natës” e Luis Ferdinand Celine,

15 Komente

Cili poet e ka shkruar kete dhe cila enciklopedi po derrmohet ketu? smiley

ah lexova dhe post scriptum. Mire!

S'u gjet ndonje autor dhe studiues i huaj i Céline-it per te folur per te, apo hajt e ta shtrijme ego-n tone gjer te trotuari tjeter? Ka mbetur gjekundi ndonje sens mase o njerez?! smiley

P. s. Me pelqen titulli: Skandal s'ka ndal!  

Ne fakt, po te shihnim mire shkrimtarin Celine, do te gjenim ca gjera turbulluese :

Romani "Udhetim ne fund te nates" eshte nje roman, une do ta quaja, majtisto-anarkist, dhe qe ne pamje te pare duket krejt humanist. Madje keshtu e mbante veten Celine, si humanist. Kur tregon dhe pershkruan Ameriken e punes-ne-zinxhir, ne uzinat e automobilave, duket qarte se ai eshte i mbushur plot urrejtje per klasen kapitaliste (mbase me te drejte, megjithese "urrejtje" eshte disi e forte). Dhe mendoj se kjo eshte dhe arsyeja qe Celine eshte "analizuar" ne kete shkrim te nje gazete te majte, per mua, altermondialiste.

Por ama, nuk duhet harruar se Celine ishte nje humanist, nje pacifist i bindur (ngaqe kishte pare tmerrin e Lufte se I boterore), thjesht per te vetet. Sepse, duket dhe ne roman kjo, ai ka nje perbuzje te tmerrshme per pasaniket, deri ne simbolizimin e kesaj klase pasanikesh nga Cifutet. Nga ku rrjedh dhe antisemitizmi i tij i terbuar.

Pacifist, po, pacifist ngaqe nuk donte qe Franca te luftonte kunder Nazisteve, dmth jo pacifist si kunder luftes ne parim, por pacifist si kunder luftes ndaj nazizmit. Shkurt, nje kolaboracionist.

Pas luftes, pas 6 viteve te kaluara ne nje mergim te çmendur, ne fillim ne Gjermani e pastaj ne Danimarke, Celine kthehet ne France ku dhe burgoset pak. Pastaj, pas burgut, ai vazhdon jeten e tij gati prej "leckamani" duke vizituar dhe sheruar njerezit pothuaj falas. E kishte ate fibren e dhembshurise ndaj vuajtjes se njeriut, por ama vetem ndaj njeriut te varfer. I pasuri, per te, dmth Cifuti (sipas tij) nuk kishte shpirt. Ndaj tij nuk ndjente kurrfare dhimbje, psh kampet e perqendrimit ishin nje pergjigje e duhur nga shushunjave çifute.

Ketu eshte dhe dyzimi i Celine, madje dhe i shume nazisteve te tjere : nga njera ane, ata mund te qanin per fatin e nje femije apo plake gjermane apo franceze, dhe nga ana tjeter ata nuk ndjenin as meshiren me te vogel per nje femije apo plake çifute. Sesi mund te rrine te dyja keto ne nje shpirt njerezor, kete mund ta shpjegoje vetem urrejtja e rropullishme.

Pastaj, keto himnet thurur Celinit neper gazeta shqiptare, keto me duken te tepruara. Ashtu siç kur pata lexuar nga perkthyesi i romanit qe Celine ishte shpirt njeriu. Po domosdo, perderisa e ke perkthyer ti.

Them se gjerat duhen pare mire, dhe te mos kapercehet trehapesh sepse keshtu falsifikohet historia. Une jam djale i mire fort ketu, por edhe une kam rrahur keq nje mace kur kam qene i vogel.

Ndoshta ky eshte nje roman shume i rendesishem por 500-600 faqe aventura jane shume per t'u lexuar. Kam filluar nje here para ca kohesh ta lexoj dhe nuk e shtyva me shume se 80 faqe. I merzitshem.

Laert,

Mbase do te dal si "apsaq" ketu por dua te te siguroj se ky roman eshte pothuaj i paperkthyeshem ne asnje gjuhe tjeter. Ky roman eshte thjesht per franceze. Ka ca vepra qe jane te paperkthyeshme. Njelloj siç eshte Finnegan's Wake i Joyce. Nuk lexohet ky roman, as ne frengjisht as ne gjermanisht, as hiç. O do anglishten alla xhojsçe, o fare.

Romani "Udhetim ne fund te nates" ka qene nje revolucion ne gjuhen frenge, sepse, siç eshte e njohur tashme shprehja, dy "perdhunues" ka pasur gjuha frenge : Rabelais e shekullit 16-17, dhe Celine e shekullit 20. E per rrjedhoje, perdhunuesit e gjuheve origjinale jane shkurt te paperkthyeshem.

Ne mund te lexojme copeza apo permbledhje apo ç'te duash ti, por ne nuk do te lexojme kurre nje Celine ne gjuhe te huaj. Shpikjet e tij te fjaleve jane te perbindshme. Gjysma jane me teper peshtyma, sperkatje. E ke parasysh kur nxehet nje njeri dhe pastaj s'di ç'flet ? Duke shpikur lloj-lloj fjalesh ? Ja ashtu ka qene Celine. Kur ta kapte delli, s'dinte ku jane kufinjte.

Eshte njelloj sikur te duash te perkthesh ate Edison Ypin ne frengjisht. E ke parasysh kur nxehet ky tipi, e kur mallkon dy faqe fletore ? Si thua ti, keto mallkime, a mund te vijne ne nje gjuhe tjeter ? Bonne chance.

Jam shume dakort me ty per punen e revolucion ne gjuhen frenge. Por shqetesimi im kishte te bente me faktin qe libri nuk ecte, nuk kishte rrjedhshmeri. Ndoshta e ka fajin dhe perkthyesi, nuk e di.

Laert, ja te nxora vetem fjalet e para te romanit : ke nja dy fjale aty, me yll. Jane shprehje popullore, qe nuk degjohen me. Vetem ai i nxirrte keshtu.

E para eshte "carabin", qe do te thote ne gjuhe popullore : student ne mjekesi. Tani me gjej ti nje shprehje shqiptare, si iu themi ne ne gjuhe popullore "studenteve te mjekesise" ?

E dyta eshte oeufs à la coque. Menyre gatimi, qe nuk e zien vezen deri ne fund, dhe e kuqja rri ashtu qull. Dhe Celine e ka per te tallur ata qullacet, me sa duket. Pune e tij.

Ja shikoje :

__________

Ka filluar kështu. Unë s’kisha thënë ndonjë gjë, kurrë. Asgjë. Por është Arthur Ganate që më ka bërë të flas. Arthuri, një student, një carabin* edhe ai, një shok. Takohemi pra në sheshin Clichy. Ishte pasdreke. Do të më flasë. E dëgjoj. « Të mos rrimë jashtë ! më thotë ai. Hyjmë brenda ! » Hyj bashkë me të. Ja. « Kjo tarracë, fillon ai, është për œufs à la coque* ! Ec këtej ! » Atëherë, shohim përsëri qe nuk kishte asnjeri në rrugë, për shkak të vapës ; as makina, as hiç. Kur bën shumë ftohtë, as atëherë nuk ka njeri në rrugë ; është ai, me sa më kujtohet, që më pati thënë në lidhje me këtë : « Njerëzit e Parisit duken gjithmonë sikur janë të zënë, por në fakt, shëtisin nga mëngjesi në darkë ; dhe prova e kësaj është që, kur nuk bën kohë e mirë për të shëtitur, tepër ftohtë apo – tepër vapë, nuk i shohim më ; janë të gjithë brenda duke pirë kafe me krem dhe bardakë birrash. Ja që kështu është ! Shekull i shpejtë ! thonë ata. Ku kështu ? Ndryshime të mëdha ! përrallisin pastaj. Si kështu ? Asgjë nuk ka ndryshuar në të vërtetë. Dhe ata vazhdojnë të admirojnë njëri-tjetrin dhe kaq është e gjitha. Dhe madje kjo nuk është gjë e re. Ca fjalë, dhe prapë jo aq shumë, nëpër të, që kanë ndryshuar ! Nja dy a tre lart e poshtë, ca të vogla… » Krenar atëherë që po m’i vërtiste këto të vërteta të dobishme, kemi ndenjur aty të ulur, të kënaqur, duke vështruar shërbyeset e kafenesë.

Ne ndihme te perkthyesve te rinj

oeufs à la coque - veze e surbullt, veze rrufke

carabin, ne rastin ne fjale mund te perkthehet : kasapet

Ne ndihme te spurdhjeqerve te lashte :

- sapo hengra nje rrufke, rien de nouveau par ici.

- jo kasapet, por sharrtaret.

N'importe quoi. Arrête de faire ta mariole. Et surtout, lâche-moi les babouches, tu veux ?

Bravo cba. Thuhet edhe veze lluke, qe perdoret edhe per qullash. Mos u merr me te se ai eshte si veze lluke.

Rrufke ne fakt perdoret per vezen e skuqur lehas kur e verdha nuk eshte bere mire.

Rubinet mbaje shurren e emocionit.

Kam mendimin se kjo varet nga krahinat. Psh, ne zonat e thella malore nuk i njohin keto lloj vezesh.

De par les hautes régions montagneuses, c'est la casse des oeufs sur la tête des connards qu'on connait le mieux. Pauvre con.

Ben vaki CBA. Eshte e veshtire te perkthesh frengjishten ne gegenisht besoj. Ndaj duhet te kesh jetuar ca kohe edhe ne melting pot te Tiranes para se te pretendosh perkthimin. Nejse eshte edhe pune talenti pastaj...

E ka lexuar ndonjeri nga ju Celine (Udhetim ne fund te nates) ne shqip??

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).