Nga sheshi i Gajdes tek Luçiferri

Nga sheshi i Gajdes tek Luçiferri

Të kaloja nga rruga e firmave më ishte bërë si cigarja. Kaloja nga Fasulja, merrja Bananet dhe drejt e tek Firmat. Secila me nga një shesh përpara.
Atë ditë u gjenda tek sheshi i Gajdes. Gjëmonte sheshi nga defi dhe gajdja. Në shesh kërcenin ca romë. Pastaj të tjerë, shumë të tjerë. Të bardhë, të zinj, të verdhë, bile dhe të kuqë. Kërcenin. Kërcenin cmendurisht. "Paguan Gajdja", - thoshin. Hodha sytë nga hyrja. Emblema ishte një def dhe nje gajde natyrale, nga dilnin tingujt e këngës "Dhamë e dhamë" e stilizuar sipas një ritmi rrok:

Dhamë e dhamë,
dhamë more dhamë.

Duart, që luanin, nuk dukej se të kujt ishin. Njeriu ishte i mbuluar nga gajdja. Po kështu për defin. Njerezit kërcenin e kërcenin. Qull në djersë.

-Kur mbaron? - pyeta
-Kur të thotë Kopetenti, - më thanë.
-Kush është Kopetenti?
-Kopetenti është Kopetenti, - morra përgjigjen.
-Po si e ka emrin?
-Kopetenti, pra. Dhe këput qafën se na çave ..., - më shfryu një figurë e frikshme.

Hodha sytë nga emblema. Defi ishte zhdukur. Gajdja ishte shfryrë. Ç'kishte ndodhur...?

Vazhdova rrugën e firmave. Më tej ishte Luçiferri. Nëpërmjet një portreti të madh, presidenti i firmës rrezatonte besim dhe mirësi. Njerëzit, në një varg të gjatë, i drejtoheshin grykës së një tuneli të errët.

-Kush është i fundit? - pyeta.
-Tek dalja, - më thanë.
-Po njerëzit atje dalin...?
-Marrin fitimet dhe i futin prapë, - më sqaruan.
Shkova zura radhë. Pas pak erdhi dhe Koço Devole me shokët e estradës. "Ç'farë ka? Ç'farë ka?" - pyeti ai.
Fundi i tij i keq, në një skeç për firmat, më bëri që ta lija radhën. Ika, por përsëri dilema ishte e madhe: "T'i fus? Të mos i fus?"

Nuk e di si u pengova dhe përplasa kokën në çantën e një gruaje. Ajo na qënkej plot me para. U derdhën sheshit. Unë mendova se ishin të miat dhe fillova t'i mbledh. Britmat "Hajdutët! Më vodhën! Ndihmë!" më bën të kuptoj të vërtetën. Dy policë po vinin me vrap.

Një taksi qe shpëtimi im.
-Për në Greqi! - thashë.
Nuk mbaj mend asgjë nga udhëtimi. U gjenda në një sallë të madhe.
-Do të bëhesh sekser, - më thanë, - sekser femrash.
-Ç'do të thotë kjo?
-Do të thotë të gjesh femra në Shqipëri për t'i punësuar në Greqi.
-Pse, nuk jemi në Greqi?
-Jo, jemi në Shqipëri. Je i martuar?
-Jo.
-I fejuar?
-Jo.
-Ndonjë të dashur?
-Si të them...
-Mund ta sjellësh. Ta punësojmë ne. Dhe do të paguhet mirë.
Disa vajza, që silleshin rrotull, me një veshje dhe sjellje të posaçme, më bën të kuptoj thelbin e bisedës.
-Jo, jo! - klitha. - Nuk dua.
Dhe u turra jashtë.
Çuditërisht, e pashë veten pa këpucë.
-Po këpucët? - pyeta
-Nuk dimë gjë, -më thanë.
-Njeri m'u afrua dhe më tha me zë të ulët:
-T'i ka marrë ambasadori H. Osbeik
-Ç'ne?!
-Do t'ia çoj si dhuratë zonjës Pfaifer.

Zbathur vrapova të kap një autobus. Mirëpo ai u nis. Renda pas tij. Një veturë vinte pas meje dhe i binte borisë. Rashë dhe rrotat e veturës përshkuan trupin tim. Një bori tjetër, e zgjatur, më shpëtoi nga përjetimi i mëtejshëm i asaj ëndrre të keqe.

---

Ll. K.

(C) Shënim Antiplagjiaturë: Autori ruan të gjitha drejtat e të gjithë shkrimeve në këtë blog. (All rights are reserved. Please do not plagiarise; do not copy or take any text from this blog, without the author's permission.)

Page copy protected against web site content infringement by Copyscape

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).