Nga letrat e panisura të një piktori - 6

S’u bëra i gjallë ngaqë gjithë pasditen dhe mbrëmjen e kalova me një shokun tim të hershëm që është pothuaj artist, më pothuaj filozof dhe edhe më pothuaj i çmendur. Ka kohë që s’para i afrohet njeri, ndërsa mua nuk më bën përshtypje shkarja e tij. Ngulmoi të më ftonte për drekë, kështu që zgjodha lokalin “Captain D’s”, një vend i lyrshëm, vrasës kolesteroli, me gra lipodermike, dhe prandaj i lirë. Morëm diçka që kishte qenë peshk para tjetërsimit. Diskutuam në fillim mbi varfërinë e shenjave të pikësimit, mungesën e presjepikës; ai i udhëheq gjithnjë temat e bisedave tona. Pastaj papritur kaloi te paraadoleshenca e vet, e vetmja moshë kur mund të duash pastërtisht tha, siç pati dashur dhe ai një lloj teddy bear që i pat mbetur në mendje. Më habit me këto kërcime kështu, kurrë nuk e di njeriu ç’vjen në fjalinë e mëpasme të tij, nga shenjat imagjinare të pikësimit kërceu tek lodra kukull me të cilën flinte kur ishte fëmijë. Po këmbëngulte mbi nevojën e pikëmossinqeritetit që do i popullonte tekstet më shumë se gërma “e” si dhe për domosdoshmërinë e pikëmospërfilljes si plotësuese e pikëçuditëses dhe pikëpyetjes, dhe bash kur une prisja zbërthimin e pikëmosbesimit ndoshta, ai tha befas që dashuria e tij e parë kishte qenë një kukull. Ndoshta gjithë dashuritë e para janë kukulla, vazhdoi. Një lloj preludi i merituar për farsat e ardhme, nukë?
Kapi dyshim-mospranimin në sytë e mi dhe kjo e ngacmoi.
Unë mund të dashuroj, OK? tha me një ndërkryerje të lehtë. E kam atë aftësi!
Kukulla e tij ishte një panda e kuqe, e ngjashme me pandat e zakonshme, por e kuqërremtë dhe e vogël si dhelpër. E kish blere në një dyqan dhuratash në kopshtin zoologjik dhe e quajti Redi.
Dashuri e plotë, puro, tha. Redi e mbronte nga frikërat e natës, nga krijesat që mund të hynin nga dritarja, përmes derës harruar hapur, nga musandra me skelete shpatullash prej kremastari. Redit i besonte sekretet e mëdha, nga ato që të mundojnë ngaqë nuk i ndan dot me njeri. Por edhe Redi bënte të njëjtën gjë. Pëshpërimat e tyre mbushnin ajrin e natës si xixëllonja vere. Kur kthehej nga shkolla në shtëpi, me vrap shkonte të takohej me Redin që e priste dhe ndante të rejat e ditës. Redit i tha për shembull zbulimin e madh që prindërit nuk ishin të përkryer siç kish kujtuar deri atë kohë. Trishtimi i kish pllakosur të dy gjithë atë ditë.
Më vonë, teksa rritej, vuri re me shqetësim se njerëzit e shihnin me një farë ngërçi afërsinë e tij të vazhduar me Redin. Më pas ngërçi u bë qeshje shpotitëse. Standardi dyfish i botës e dokëndisi. Një këngëtar i njohur i mbante 50 lodrat kukulla të fëminisë me vete, kudo që shkonte nëpër turnè. Kjo quhej “cool”. Njëra nga ndjekëset e shumta madje i shkruante “dua të jem teddy bear-i jot”. Ndërsa për Redin e tij talleshin. Kish dëgjuar edhe për koleksionistë të fandaksur kukullash e barbish pafund, që ishin gati të paguanin shuma të padëgjuara për një kukull të rrallë. Ndërsa dashuria e tij për Redin ishte ndryshe, jo dashuri e ftohtë koleksionisti, as llastim e kotni rock stari. Madje ajo nuk ish as si dashuria e njerzve për kafshët e tyre të zbavitjes, e cila në një farë mënyre ishte shpallje e dështimit të dashurisë njerëzore, brendallojore, dhe dëshirë e pafre për dominim. A nuk është kjo arsyeja e vërtetë pse jo pak burra evropianoperëndimorë parapëlqejnë gra aziatike? Ketu ai foli për sindromën “Pinkerton” sipas tij, dhe në fund këndoi “Butterfly... Butteeerfly” nga “Con onore muore”. Bujtësit e “Captain D’s” kthyen kokat. Pastruesja e tryezave erdhi dhe pyeti mos dëshironim diçka... gjalpë për shembull. Atypëraty shoku im filloi t’i fliste asaj mbi dobinë e sarkazmës në komunikimin me klientët; ajo e dëgjoi e shastisur, por kur ai përmendi fjalën “eufemizëm”, ajo befas u zgjua si nga një ofezë dhe u largua gjithë zemëratë. Njerëzit kanë probleme me këtë fjalë, tha shoku pasi pastruesja u zhduk pas banakut. Një herë, në një fast food të aeroportit të Filadelfias… Të lutem, e ndërpreva butë fare. Mbaroje historinë me Redin.
Ai u turbullua përsëri. Kur u njoha nga afër herën e parë me një gocë, tha, ndjeva helmin e tradhëtisë, i ëmbël që të hidhëron në fund, si ca kumbulla të pabëra zemërkuqe. Ishte gjëja e parë që nuk i tregova Redit. Asaj vajzës ia tregova punën e Redit. Më kuptoi; sepse edhe ajo lozte ende me kukulla dhe në shkollë e mbanin pak a shumë si “tjetërlloj”. Ndoshta nga ky shkak u bashkuam. E ke vënë re se si bashkohen leshterikët që deti i nxjerr përjashta ngaqë nuk i do? Apo guackat e molusqeve të vdekur që grumbullohen në një pikë? Është i njëjti parim. Të shtyrë në anët e oborrit të shkollës nga valët e nxënësve që luanin me njeri tjetrin, ne u gjendëm befas afër. Ajo ishte tradhëtia ime e parë dhe e vetme. Redi e kuptoi.
Tani kur vija nga shkolla, nuk lozja më me Redin si më parë. Ama shikimet mbetën njësoj. Kuptoheshim me një të parë. Doja t’i shpjegoja se si gjërat ndryshojnë, se edhe pse nuk i flisja ashtu si dikur, ai nuk duhet të më keqkuptonte. Por si t’ja thoshja? Nuk mund t’i rezistoja atyre dy syve të xhamtë të errët, me sinqeritet sintetik. Më mirë t’ia shkruaj, thashë me vete. Dhe i shkrova për barazinë e gjendjeve. Bëra disa kopje, njërën ia lashë Redit dhe të tjerat i mbaj në xhep. Këtë po ta jap ty.
Nxori nga xhepi një letër të palosur më katërsh, e shpalosi dhe para se të m’a jepte, e lexoi me zë:

“Mbi barazinë e gjendjeve – sqarim Redit.

Barazia është vetëm një gjendje mendore, bijë e intelektit. Kur themi që objekti A është i barabartë me objektin B, ne shpallim nën zë se objektet janë në fakt të ndryshme. Nuk njëjësohen identitetet e tyre, këta vetëmse krahasohen. Barazimi është relacion, jo njëjësì, pasi asgjë nuk përsëritet dot dy herë. Çdo objekt duhet mbërthyer me kthetrat e kohës, për t’i shquar gjendjen. Dhe këtu vijmë tek tirania e errët predatore e kohës, te kthetrat feline të çastit. Sepse tekembramja, ç’është një çast? Ç’pjesë e sekondës? Drejt zeros mund të shkohet pambarim. A nuk thërmohet kështu edhe çasti pafund?”

Këtu pastruesja kaloi prapë afër nesh duke bërë sikur nuk shikonte, por mundimi i të dëgjuarit ia këputi qafën. Shoku vazhdoi:

“Ndërkaq, a nuk merr kuptim koha si e tillë, vetëm në raport me ndryshimin e gjendjes së materies? Njësia bazë e kohës, tej së cilës nuk mund të shkohet më pa ia cënuar asaj konceptin, një atom kohe pra, është segmenti më i vogël i mundshëm, përgjatë të cilit materia, domethënë edhe qenia, ndryshon gjendje, qoftë edhe si koordinatë hapsinore. Nëqoftëse elektronet lëvizin me kërcime, atëhere një kërcim i tillë përbën çapin më të vogël që duhet të përshkojë materia për të ndryshuar gjendjen e vet në rrafshin më elementar. Nën këtë segment kohor, ndryshimi është i pamundur.Unë nuk po guxoj të zbres në nivele më të thella se kaq, ku ka gjithfarë nëngrimcash të përçudshme e stringe të cilat më shumë se realitete janë përfytyrim i edukuar. Gjithnjë kam patur frikë nga llagëmet dhe themelet e lagështa, nga bodrumet shumë të thella. Nuk i dua pra, as bodrumet e materies ku Zoti dhe Moszoti janë aq pranë dhe aq të shkueshëm e të përkëmbyeshëm.”

Kërshëria e pastrueses u bë aq e fortë, saqë ajo erdhi për të rimbushur ato gotat plastike të stërmëdha me pijen e gazuar, megjithëqë ato tonat qenë pothuajse plot. Kureshtja e saj u derdh shkumëzuese nga buzët e gotave mbi syprinën me një lyrë sipërfaqsore, “çasti” i së cilës vazhdonte i gjatë sa vetë jeta e zinxhirit të lokaleve “Captain D’s”.

“Duke zbritur poshtë fare, tek shkëmbi amnor i materies dhe qenies, është e pamundur të gjesh dy atome hidrogjeni njësoj. Madje, nuk mund të gjesh një atom hidrogjeni të njëjtë në dy çaste të ndryshme. Sepse pastaj nuk do kishim çast si të tillë. Identiteti i elementit më të thjeshtë të botës ngrihet mbi themelet e lëkundshëm të ndryshueshmërisë. Identiteti është një kompromis harrese mbi ndryshueshmërinë që na bezdis si e pavolitshme për përkufizimet tona të botës. Ja pse lindi derivati në matematikë. Që të ngrijë ndryshimin. Jemi të detyruar ta harrojmë atë, ta mënjanojmë me kurriz të dorës si një insekt bezdisës në tryezën e drekës.”

Një insekt i çuditshëm hundëgjatë u afrua vërtet, ndoshta joshur prej lëngut të errët të gazuar që formoi një deltëz mbi tryezë. Por atë insekt nuk e largoi kush.

“Ndërkaq asgjë nuk mund të funksionojë më tej pa ndryshimin. Bashkëlidhjet midis elementëve mund të kuptohen vetëm kur këta ndryshojnë. Që A të ndikojë B, duhet që A pikëmësëpari të ndryshojë vetë. Pa ndryshuar vetë, ajo nuk mund të shkaktojë asgjë.
Ja këta jemi ne, Redi. Qenie të ndryshme në kohë të ndryshme. Dhe vetëm duke ndryshuar mund të kemi një lidhje, një shoqëri, o Redi, o shoku im më i mirë. Në asnjë “çast” ne nuk jemi e njëjta personë. Ne jemi seri kohore, Redi, dhe ne vetëshkaktohemi. Ne jemi të sëmurë me çastin, ne na ze koha.”

Ai më pa në sy dhe unë e kuptova që aty mbaronte traktati i tij, drejtuar një kukulle. Pas ca “çastesh” heshtje, ai po shpjegonte historinë me fast food në aeroport të Filadelfias, por nuk e dëgjova më. Në kthim i rashë sa më gjatë për në shtëpi. Në xhep kisha letrën e shokut që vërtet ishte çmendur, të paktën krahasuar me “gjendjen” e herës së fundit që e kisha parë. Qesha hidhët ngaqë e kapa veten duke folur me terminologjinë e tij. Koha është në vetvehte një gjendje mendore. Çasti është një abstragim po aq rrënqethës sa numrat, po t’a mendoje thellë.
Gjethet kërcisnin thekshëm nën hapat e mi të çakërdisur me një tingull çuditërisht miratues. U bëra mirefilli më konkret. Përfytyrova viruset e kohës, “çastet”, duke na sulmuar, një aradhe e panumurt, kudo përmbi lëkurë. Kisha parë diku procesin e infektimit me virus, që i ngjante një injeksioni. Virusi vërtet kishte një gjëlpërë enzimatike me të cilën shponte membranën e qelizës, ngulej, dhe pastaj derdhte brenda ADN-në e vet si një shiringë proteinike. S’ish çudi që ADN-ja e kohës shpesh ishte infektive. Molepsur njerëzit me “kohë” si me gripin e llojit të fundit. Në fakt ishte çështje kundërtrupash që të mos molepseshe nga koha. Çështje sistemesh imunitare. Por kishte edhe ADN “të mira”, viruse të dobishëm, lloj lloj bakterofagësh, dhe kjo e ndërlikonte gjithë mozaikun me epidemi të kohës.
Ndoshta një nga arsyet që e takoja shokun e vjetër ishte kjo dehje haluçinante që pasonte bisedat me të. Teksa i afrohesha shtëpisë mu bë se i kapa për një grimë (s’guxoj të them “çast”) vetjet e mia të copëtuara nga koha ne njësi çastesh, tek kërcenin në njëra tjetrën me hope si elektronet, vetja paraardhëse shumë e ngjashme, por jo e njëjtë me vetjen e këtij...”çasti” dhe u drodha nga fokusi i vetëtimtë mbi thelbin e qenies sime, i cili u mjegullua “në çast”. Pasi iu desh të fokusohej saora përsëri në tjetrën gjatësi vale, atë që sheh qartë jetën e përditshme, dyert, kolegët, biznesin, lokalet e preferuar aq larg lyrës kolesterolike të “Captain D’s”.

Prandaj s’u bëra i gjallë.

8 Komente

Une jam qenia qe shtrihem ne hapsire

jam rrjedhje ne kohen qe me rremben.

vdes ne cdo cast qe iken

dhe ringjallem ne cdo cast qe vjen

duke mosqene ai qe  isha

dhe duke mbetur ne thelb  ai qe jam.

Jam boshi mes dy casteve pa te tashme:

atij qe sapo iku dhe atij qe sapo vjen.

Çdo objekt duhet mbërthyer me kthetrat e kohës, për t’i shquar gjendjen. Dhe këtu vijmë tek tirania e errët predatore e kohës, te kthetrat feline të çastit. Sepse tekembramja, ç’është një çast? Ç’pjesë e sekondës? Drejt zeros mund të shkohet pambarim. A nuk thërmohet kështu edhe çasti pafund?”

Teksa i afrohesha shtëpisë mu bë se i kapa për një grimë (s’guxoj të them “çast&rdquosmileyvetjet e mia të copëtuara nga koha ne njësi çastesh, tek kërcenin në njëra tjetrën me hope si elektronet, vetja paraardhëse shumë e ngjashme, por jo e njëjtë me vetjen e këtij...”çasti” dhe u drodha nga fokusi i vetëtimtë mbi thelbin e qenies sime, i cili u mjegullua “në çast”.Pune te madhe ke hapur Emo me kete filozofim per identitetin, dallimin, qenien, kohen,

Pune te madhe ke hap Emo me keto filozofime per qenien, identitetin, ndryshimin ,kohen dhe  levizjen.

Une jam ai qe s ka qene dhe s do te jem ai qe  jam-tha dikur XH.Spahiu ne nje poezi dekadente dhe desh e hengri me ca vite spac.

Dikur kur lexonim ksi arsyetimesh mbi kohen, levizjen, identitetin dhe dallimin ishte vertet zbavitse dhe ajo qe te tmerron dhe mrekullon njekohesisht eshte konstatimi sesa spekulative eshte mendja e njeriut.

Eshte nje vazhde e tere perpjekjesh per te kuptuar keto paradokse duke fillu nga Epikuri, Aristoteli e deri tek modernet, Kanti, Bergson, Sarter e  ndoshta akoma te tjere me moderne qe ecin ne kete hulli.

Copezimi i kohes ne caste (dhe matematikisht ne pika) me kujton paradoksin e shigjetes se leshuar nga harku e cila asnjehere nuk mbrin ne destinacion. Sepse levizja e saj "ngrin" ne cdo cast qe shperbehet. Kshu eshte apo jo?

Kjo e tashme qe ne deshirojme te njohim si te vetmin realitet te kohes na cfaqet si nje qenie e pakapshme,si nje cast matematik 1,2,3 ...Kshu e tashmja kthehet ne nje fiksion te kulluar pa shtrirje egzistenciale.E TMERSHME E?

Perfityroj ate mikun e narratives tende i cili kur kupton paradoksin ekohes dhe mosegzistencen e tij si e tashme , nxjerr revolverin te asgjesoje veten dhe ti per ta qetsu i kujton: COGITO ERGO SUM! Duke dyshuar te tashmen ti provon se je/egziston sepse cdo dyshim eshte nje mendim dhe te menduarit ka vetem nje te tashme smiley

 Shume pershkrim i bukur, Em, nuk po me vijne ne mend pjeset e tjera por kjo vertet eshte shkruar mjeshterisht.

Morëm diçka që kishte qenë peshk para tjetërsimit.  smiley

- A nuk është kjo arsyeja e vërtetë pse jo pak burra evropianoperëndimorë parapëlqejnë gra aziatike? 

- Come again! 

Por si t’ja thoshja? Nuk mund t’i rezistoja atyre dy syve të xhamtë të errët, me sinqeritet sintetik. Më mirë t’ia shkruaj, thashë me vete. Dhe i shkrova për barazinë e gjendjeve.

Emo, nuk e merr dot me mend se sa filozofi ka ketu brenda! (Mbase dhe e merr vesh xhanem!) Kjo puna e te shkruajtures kur nuk i thua dot gjerat duhet te kete ndonje emer me vete si dukuri psikologjike. Vecanerisht kur vjen puna tek letrat e dashurise qe shkruheshin mbi dysheket e mbushur me kashte te konvikteve dhe reparteve ushtarake drejtuar Dylqinjave te Tobozes.

Kurse tek keto aresyetimet e fundit filozofike, me duket se je pershtat pak me frymen Hajgareiane qe osht bo keto kohet e funit ketu tek Peshku smiley

Mundet, PF, te jete ndikim i hajdarages, por fakti eshte qe keto si projekte kane qene ketu e nja te pakten 6 muaj para; dmth ne nje kohe kur filozofia nuk kishte msy ala n'kto nahije.

Si dul BBQ? smiley

@Spiritus: FLM shume per leximin e kujdesshem dhe komentin interesant!

 BBQ ishte e vogel, dhe e shpejte, por vrastare! smiley Kisha edhe ca pune per te mbyll me backyardin, se me c'duket javen qe vjen do na ket pllakos bora.

Fragmenti i tregimit me pelqeu ndaj e lexova me vemendje. Merita eshte e gjitha e jotja.

Fjala eshte e lemuar,e zgjedhur....Filozofime e reflektime te protagonisteve me shume ide por te hallakatuna.Per mua shkrimit i mungon boshti o ase...

Emo me pelqeu perpjekja filozofike!  Mora kohe mjaftueshem per t'iu kthyer nga dy here ca paragrafeve per te cilet nuk isha e sigurte edhe sepse e fillova 'lehtshem' leximin ne pritje te nje proze. Midis rrjeshtave lexoj (me korrigjo nese e kam gabim) nje frike tenden nga pretendimi i te zhvilluarit te mendimit filozofik, dhe prandaj me ngjan se rrefimin e ke vendosur ne kontekst letrar, si per ta mbuluar dhe thjeshtuar disi. Mua personalisht edhe proza edhe poezia jote me pelqejne shume, ama do te te inkurajoja te konsideroje mundesine e spastrimit te shkrimit nga ca fjale te teperta duke e sjelle mbase ne trajten e nje artikulli/eseje me thelb gjendjen, identitetin e kohen.

P.S Me pelqeu vecanerisht se si shoku ishte pershkruar si artist, filozof e i cmendur... a nuk ndihemi te gjithe pak ashtu here pas here?

Jo jo, nuk kam frike (shqiptar une, i hy detit me kembe sa per at pune smiley ), por puna eshte se kjo duhet pare edhe me pjeset e tjera. Kjo eshte letra e gjashte e panisur e piktorit. Ky ka qejf te flasi per ceshtje te ndryshme. Nje para kesaj (qe duket sikur nuk ndezi shume - kshu m'u duk) ishte psh ndikimi ngaterrues (confounding effect) i seksit ne gjykimin tone mbi shume gjera dhe se qendrimi yne ndaj partnereve tona (tane per gocat) eshte i kushtezuar (conditional on) nga ai faktor big time.

Aha, me interesoka e tere rubrika atehere.  Confounding effect shpjegon shume ne kerkim shkencor, statistika e eksperimente, po ne rastin e marredhenieve ne cift besoj se ka qindra confounding factors e efekti i tyre mund te jete vertete ngaterrues. Emo besoj se ky piktori s'i ka nisur ende as 5 letrat e para apo jo, mund t'i gjej pra te blogu yt?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).