Nga letrat e panisura të një piktori - 5

Doja të tregoja këtë që vijon, s’mund t’a mbaj, edhe pse s’është kryesore, e rëndësishme dhe as … in-dis-pens-ablë. Dua të tregoj për një vagon treni, kohë më parë, në epokën karboniferohormonale puçrrore, kur dëshira uluritëse për seks për herë të parë m’u shpalos e prekshme tek kthehesha nga Jugu i vendit, adoleshent, moshë me ereksion të pabindur, problematik. Ishte një arixhije, reth 25 vjeç, që s'para e kishte mendjen te unë, me ca forma trupi që po shkrinin brendinë e vagonit si një copë kauçuk pranë zjarrit. Dritaret u shtrajtuan, drejtëzat po kullonin poshtë, muret u bënë ngjitës, amorfë dhe treni lëkundej e bashkë me të edhe vithet e saj..... isha gati të bëja gjithçka sikur një çikëz çik të më hidhte, një shenjëz t’më bënte. Do t’a ndiqja der’ në fund të botës, atje ku çdo shinë mbaron në greminë. Nuk di se si zbrita në stacionin tim që erdhi brutalisht shpejt si një bujtës i padashur. Ai tren që u nis pastaj me arixhijen brenda sikur mori ca rropulli të mijat me vete, zvarrë. Aty e kuptova që kjo puna e seksit nuk (do) ishte muhabet filmash e as poezi, por djegëse, çjerrëse, me rrezikshmëri tigri. Përgjonte si tigri në savanë, me dhëmbët kaninë që e tradhëtonin pas gëmushave, me ereksion bezdisës e kokëfortë, pothuaj avdall, natyrisht ku e kur s’duhej, në provim, te dentisti, në shi e në të ftohtë ... turpb-o-siklet... në autobuz, kur pa dashje ndonjera të cikte me ndonjë pjesë më të nxjerrë të trupit edhe gjej vend e futu... shyqyr që është çanta e shkollës për t’a vënë përpara, si maskim, si mburojë të hekurt mesjetare kundër ushtës tënde, ose edhe më keq, në plazh, duke bërë banjo dielli përmbys, nga halli, përcëlluar kurrizi, barku borë i bardhë... po merrni edhe ca rreze nga përpara, mër djem... ballancojeni mër çuna bronzin, ballancojeni një çikë. Kjo ishte kontradikta e vërtetë antagoniste, dhe jo ato që na mësonin në shkollë. Në isha borgjez, proletari i vërtetë bëhej seksi, revolucionar që donte të ma bënte varrin, si varrmihës që ishte.
Kam patur çaste me duele kësisoji edhe më parë; fillimisht një mëngjes në qytetin verior Sh, pas një nate në hotelin kryesor, e cila si magnetofon me bobina u bë “replay” vazhdimisht tek një pjesë e refrenit që supozohej të ishte e bukur. Kur më në fund dola, i mpirë, por jo “comfortably”, nuk dalloja dot ngjyrat e qytetit. Ajo vajza e atëbotëshme ishte pjesë dhembshurie, filizi i së cilës u përpoq më kot të çante truallin terracotta të mpirjes sime. Ai qytet që edhe pa këtë ishte aq intrigues, me dialektin vetmor që tokëzonte çdo marrëzi, u bë arenë koloseumi, ku seksi me fytyrë Akili sapo fitoi dhe gjindja fytyrëgri e ekzaltuar ulte mijëra gishta të mëdhenj poshtë. E allora giù, senza bussare... Seksi ka diçka nga pistonat e motorëve me djegie të brendshme. Me avull. Me qymyr... që të ze. Qerthull i Karnoit. Përsëritja, siç bën me fjalën, e kishte bjerrur nga çdo kuptim atë natë që shkoi.
Dritaret e Sh., të të gjitha llojeve, të ndërlikuara e të thjeshta, kolibesh apo rezidencash të vjetra, vitrina të vobekta me pikëllim vertikal xhami, penxhere të verbra zyrash apo dritare të vrara autobusësh më shihnin si hutime. E ku vete, a seksvrarë!

Ndërsa sot dritaret flinin in town. Perdet mbyllur si kapakë sysh në gjumë.

Sot kur dola nga apartamenti yt përjashta më priste një errësirë që s’më njihte, nga ato që vijnë tinëz nga ca rrugë e avenu natësjellëse. Teksa ne përhumbeshim me njeri tjetrin atje brenda, kishin hapur digat që lumi i errësirës të vërshonte dhe përmbytte gjithçka. Diku në Night-th avenue. Evening-th street. Ja dhe kryqëzimi i tyre, Terr Square, me semaforë gri. Tek e tuk stërpikje varaku mbi blozat e natës. Pahitje dritash si pluhur flori çifutësh ngrënë nga monedha të vjetra. Dyqanet e mbyllur të argjendarëve të kujtonin pasuri të ndryra. Dritarja jote nxinte lart si konfirmim.
Snikërs hedhur mb’udhë, e me siguri dhe mbi drurët dhe telat; leshterikë mbi trotuare. Përmbytja dukej e përgjithshme. Asnjë Noah gjëkund. Vetëm disa kalimtarë si mutantë Marsi. Dhe shkreti nate. Dyqanthi me shitësen latine që kontrollon kartmonedhat mos i ke fallco ishte gjithashtu i mbyllur. Kjo do të thoshte se ishte vërtet vonë. Vonë për çfarë? Çfarë mund të mbetet e rëndësishme mbas një mbrëmje me seks shterrues?

Vendi ku i ulurija hënës erdh më shpejt nga ç’e prisja, por në vend të kuisjes nga gryka më doli një “O-oh darling, please believe me, I won’t do you no harm”. Pesë mijë vjet evolucion me lavdi të vdekur faraoni. Pas dashurisë me ty s’më prishte dot koha. U balsamosa, mumje shetitëse në natën urbane me piramida të panjohura, humbur çdo ind të panevojshëm, shtrydhur nga limfat, nervat tharë e retina që s’mban asnjë ngjyrë, si nata. Lodhja bërë qenie. Pas pesëmijë vjetëve ca duar kureshtare po më hiqnin fashot, më studionin, gjenin brenda viruse të pavdekur ende si dhe spore të vjetra të patrazuara nga stërkoha. Ato fasha s’qenë veçse çarçafët e shprishur të shtratit tënd, darling. Tabut tekstil, nga ata që burrat e racës sime kanë patur zakon ti mbështillnin rreth kokës... për çdo rast. Ato arkeosperma e arkeospore të pambira janë jeta e përjetshme, një farë tautologji yjesh. Pas pesë mijë vjetësh duhet të jesh një grimë më afër të vërtetës. Ajo ç’ka mbetet pas shtrydhjes së limfave, dehidratim sublim dhe eshkëzim pangjyrs, s’mund të jetë veç precipitat vërtetësie, thelb i pafjalë kuptimi si një psherëtimë.

Sot nata ripërtypte mbrëmjen: a nuk fillon metabolizmi i vërtetë vetëm pas banketit? Kur drita e shandanëve zbehet, argjendi i serviseve thinjet dhe floriri i bordurave venitet i lodhur? Kur dollitë bien përmbys si ushtarë të plagosur rëndë me baluket mbi tryezë dhe salcrat pikante kapitullojnë nëpër pja(tan)ca? Ca kufoma dhe lypës prej qilarësh artistikë si katakombe Hygoi lanë banketet e tyre t’ma kujtonin këtë. “Mirësevini në Eleusis-borough. Bardi ynë i verbër quhet Mick. Post-banquet era”. Tryeza jonë e sotme qe vërtet madhështore, liebling, dhe çdo dolli shoqërohej me fanfara. Sot e mposhtëm seksin duke iu nënshtruar plotësisht atij. Pse u desh kaq kohë për të kuptuar një gjë kaq të thjeshtë?

T’i thashë këto që të shikosh kurorën e dafinave që ndjeva sot, kur u çlirova më në fund në këtë duel të vjetër qoftë edhe për pak kohë, kur seksi ishte shtrirë si gladiator i mundur bri meje që dihatja po aq sa ai. Këtë natë evolucionare, ku angullima nën hënë pikoi në pentagram, barbaria u bë art dhe ca kuaj të egër u zbutën, ishte ndryshe. Koloseumi u shfaq përsëri, por pa humbës. Për herë të parë të pashë, me një barazpeshë të habitshme si në gjumecje, pa lentet njëngjyrëshe të seksit, dhe desh bërtita nga mahnitja (me vehten) si gjermani i madh: dritë!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).