Nga letrat e panisura të një piktori - 2

Jam i lodhur. Ti më pyete pse je bërë i mbyllur si murg? Ja, kjo është arsyeja. Pse nuk del me shoqëri, the. Sepse jam bërë shumë buzëhollë, ka ca kohë. Bota ime u rrëgjua në origjinë, organizëm njëqelizor, ku bërthama jam vetë, ndërsa rrethinën citoplazmë e përzgjedh me kujdes, poret hyrëse të membranës i kam imtëzuar fare. Lëkurëhollë. Osmoza ime le shumëkënd përjashta, fare pak depërtojnë muret kufitare me bedena privatësie, shumë mbesin në ushtat-gardh të kotnisë sime, jo pak plagosen pa shpëtim tek bien në hendeqet e thellë të moskuptimit tim. Kaloj andej dhe shoh ndonjëherë ca kufoma shumë të bukura. Për të cilat me ngërthen një peng i çuditshëm, i zbrazur nga thelbi i hidhur, thjesht lëvozhgë humbje dhe shkreti lidhëzash, parafjalësh, pasthirrmash, hm, e pra, domethënë, kështu pra, si luspa dinosaurësh. Të tjerë patàksen nga behja e beftë e bindjeve të mia, të cilat nuk shfaqen në dritën botore, por si lakuriqë nate të frikshëm, vetëm në mugëtira të sinqeritetit. Ikin të zhgënjyer prej meje dhe jo prej përvetimeve të tyre të gabuara. Më mbajnë përgjegjës për pritshmëritë e tyre.
Tabloja e fundit që bëra irritoi jo pak njerëz, ftohu disa miq të vjetër, të cilët ndërkaq ishin bërë si thëngjij të shuar, por tashmë u bënë edhe thëngjinj të mbuluar. Jorgani i hirit është më mashtruesi. Ti e di, i hirit me të dyja kuptimet.
Habitem nga fakti që atje poshtë, në qendër të bërthamës së unit, në ato rrashte e rreshta nukleotidesh, në bërthamat brenda bërthamave pandorike, ku has në truall të fortë shkëmbi amnor pas tërë mbishtresave të dheut, argjilave ngjitëse të kujtesës dhe rërave rrëshqitëse të harresës, habitem që atje pra, çdo gjë bëhet aq e thjeshtë, pristine, asnjë orendi, asnjë rokoko mobiliare, vetëm një stol i zhveshur interesi, domethënë egoizmi, froni i vërtetë sundues i botës, ku dhe gdhendjet e hershme i ka fshirë koha që shuan gjithçka, edhe veten në fund, dhogë e vjetër, pakohse, çaçkë e shogët që s’ndjen asgjë, kërc i gurëzuar, ku ulesh vetmitar. Ku ikën të gjithë?
Kupton që je, medet, si një klub besnikërie, “loyalty program” nga këta të tanishmit, një organizëm thelbësisht ekonomik, me antarë hierarkik të platintë, të florinjtë, të argjendtë, me kandidatë për anëtarësi të mundshme, që të braktisin vazhdimisht, deri sa ngelet ajo bërthama e të përbetuarve gjer në vdekje, pas vetëzgjedhjes, xhungë e mezitretur në solucion kohe, që kërkon mbretërim, jo në kuptim të sundimit, por të shpërblimit, royalty në atë kuptimin e dytë bërë më i rëndësishëm se i pari; bërthamë që vazhdon sidoqoftë procesin e braktisjes dhe të vetshthurjes, veçse me ritëm të ngadaltë. Një betejë e vazhdueshme entropike. Mos vallë braktisja është tik evolucionar për ruajtje integriteti? A (s’)është vetmia gjendja më e qëndrueshme e qenies?
Nuk të thashë, ajo pyetja jote mu duk sikur tërthorazi më ftonte të kalonim më pak kohë bashkë. Më kujtoi atë thënien e Çehovit, të jemi hëna që nuk shfaqemi përditë në qiejt e njeri tjetrit. I trembesh rutinës, qoftë edhe qiellore. Nuk e di se rutina mund që është spiranca më e sigurtë ngulur në rërat tona?
Ndërkaq duhet të pohoj që gjithashtu kap veten gjysëm të dehur, me dokëndisje alkooli si hìle e lirë, duke nëpërdhëmbur ankimin për bakshishin e pamerituar, trajtimin pa klas, klientelist, teksa braktis netëve pa kthim klube dritëzbehta besnikërie të të tjerëve.

6 Komente

Emo, e di c'me kujtoi kjo? Paolo Coelho-n dhe Luftetarin e Drites, ku flet per pikellimin ose hidherimin. Mes te tjerash ai thote:

" Disa njerez, ne ankth e siper per te ndertuar nje bote ku nuk mund te depertoje as kercenimi me i vogel nga jashte, perpiqen te mbrohen sa me shume ndaj botes se jashtme, ndaj njerezve te huaj, vendeve te reja, pervojave te ndryshme, dhe boten e brendshme e lene te pambrojtur. Dhe duke filluar qe aty, Hidherimi fillon te shkaktoje deme te pakthyeshme."

dhe me poshte:

"Problemi i madh i helmimit nga Hidherimi qendron ne faktin qe nuk shfaqen me as pasionet - urrejtja, dashuria, deshperimi, entuziazmi, kersheria. Pas njefare kohe, njeriut te goditur nga Hidherimi, nuk i mbetet me asnje deshire. Nuk ka me deshire as te jetoje, as te vdese, kjo eshte ceshtja."

Kam pershtypjen se njerezit gjithnje e me shume po mbyllen ne vetvete, po behen "te hidheruar kronike" sic thote Coelho.

Pershkrim shume i bukur dhe i imte ndjesish, Emo.

 smiley aida pse me zhgenjen keshtu ? me te vertete te pelqen Cohelio ?(Shaka)

une deri vone e kam quajtur veten fare pa shije kur degjoja te flitej me superlativa per te,  nderkohe qe une e kisha alergji

 

Flok, ka caste ne jeten e njeriut qe lexon per t'i dhene nje kuptim gjerave qe mund t'i ndodhin dhe une me thene te drejten, ne ate periudhe nuk lashe liber te tij pa lexuar. Sorry qe te zhgenjej, smiley por ca prej tyre jane vertet shume te bukur.

aida, ndjese duhet te te kerkoj une smiley, nuk jam tip paragjykues, por kur vjen puna tek Cohelio, as vete nuk e  di pse behem keshtu, te besosh Cohelion ne ato perrallat e tij te sheqerosura eshte njelloj si te hidhesh nga aeroplani pa parashute, ke parasysh ate reklamen; nuk me duhet parashuta se po enderoooj... sorry again...

 

 

Floknaje, s'ka nevoje per ndjese, e dashur, dhe nuk e mora as per paragjykim... Nuk eshte se une i besoj, por nje naivitet dhe ndjesi e brendshme feminore ( nga i cili, per dreq, refuzoj te heq dore, se me ndihmon te perballoj jeten me lehte, gje qe ndoshta me ben enderrimtare edhe atehere, kur duhet te jem me kembe ne toke), me shtyn te mendoj "sa mire do te ishte sikur..."  Tamam sic thua ti, nuk me duhet parashuta, po enderrooj... dhe bam, pastaj! Klecka eshte tek ringritja pas perplasjes dhe atehere kur lexoja Coelhon isha perplas... dhe keq fare, madje! smiley Jo se ai me "nxorri nga terri", "me ndryshoi jeten" sic mund te shprehen ca... ja, me dha ate grimce enderrimi qe kisha humbur. smiley

p.s. mund ta thuash dhe qe po vazhdove keshtu, prape ke per t'u perplas... smiley E pranoj, por s'ndryshoj dot. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).