Neo-liberalizmi, utopia (që po realizohet) e shfrytëzimit të pakufijshëm

Neo-liberalizmi, utopia (që  po realizohet) e shfrytëzimit të pakufijshëm

Pierre Bourdieu 

A është me të vërtetë  bota ekonomike, siç do të na bindë diskursi dominant, një rend i pastër dhe perfekt, që shtjellon sistematikisht logjikën e pasojave të veta të parashikueshme dhe duke përndjekur me saktësi çdo devijim nga rregullat e veta përmes ndëshkimeve që ajo ushtron, qoftë automatikisht, apo në raste të veçanta, përmes agjentit të vet të armatosur, FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtar) dhe OECD-së (Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) dhe politikave drastike që ato imponojnë – zvogëlimin e çmimit të punës, reduktimi i shpenzimeve publike dhe një treg ‘fleksibël’ pune? Çka nëse kjo do të ishte, në realitet, thjesht implementim i një utopie, atë të neo-liberalizmit, të transformuar në program politik, por një utopi e cila, me ndihmën e teorisë ekonomike në të cilën ajo mbështetet, arrinë ta shoh vetën si përshkrim shkencor të realitetit?

Kjo teori kujdestare është një fiksion matematikor, i bazuar, qysh nga e para, në një abstraksion gjigand, i cili, në kundërshtim me mendimin e atyre ekonomistëve që mbrojnë të drejtën e tyre për abstraksione të detyrueshme, nuk mund të reduktohet në efekt – atë që përbën çdo projekt shkencor – të konstruksionit të objekteve si një kuptim qëllimisht selektiv i realitetit. Ky abstraksion, i bërë në emër të një kuptimi strikt dhe të ngushtë të racionalitetit, i identifikuar me racionalitetin individual, përbëhet nga kushtet ekonomike dhe shoqërore të dispozicioneve racionale (dhe në veçanti të atyre dispozicioneve racionale që aplikohen në çështje ekonomike, që është baza e pikëpamjes neo-liberale) dhe të strukturave ekonomike dhe shoqërore që janë parakusht për ushtrimin e tyre, apo, më saktë, të prodhimit dhe riprodhimit të atyre dispozicioneve dhe strukturave. Që të vlerësohen përmasat e kësaj mangësie, duhet të merret si rast sistemi arsimor, i cili kurrë nuk merret parasysh si i tillë kur luan rol vendimtar në prodhimin e produkteve dhe shërbimeve dhe në prodhimin e prodhuesve. Nga kjo mangësi thelbësore, i gjetur në mitin Walrasian të ‘teorisë së pastër’, rrjedhin të gjitha mangësitë dhe mungesat e disiplinës së ekonomisë, dhe të kokëfortësisë me të cilën ajo ruan kundërshtitë arbitrare që vetë i shkakton, me vetë ekzistencën e vet, midis logjikës specifikisht ekonomike – të mbështetur në konkurrencën dhe në ngritjen e efiçiencës – dhe të logjikës shoqërore, që i nënshtrohet parimit të ekuitetit.

Pavarësisht nga kjo, kjo ‘teori’ e desocializuar dhe e dehistorifikuar ka, tani më shumë se kurrë më parë, mjetet për ta bërë vetën të vërtetë, empirikisht të falsifikueshme. Kjo për arsyen se diskursi neo-liberal nuk është diskurs si çdo tjetër. Sikur diskursi psikiatrik në azilin për të çmendur, të tillë siç e përshkruan Erving Goffman, ai është ‘diskurs i fortë’, i cili është aq i fortë dhe i vështirë për t’u luftuar sepse i ka mbrapa vetës të gjitha fuqitë e një bote të relacioneve të fuqisë, që i ndihmojnë asaj të jetë ashtu siç është, veçanërisht duke orientuar vendimet ekonomike të atyre që dominojnë marrëdhëniet ekonomike dhe kështu duke ia shtuar forcën e vet, specifikisht simbolike po atyre marrëdhënieve të fuqisë. Në emër të një programi shkencor të dijes, po ndiqet një operacion enorm politik (i mohuar, sepse bëhet tërësisht në negativ), që synon të krijojë kushtet për realizimin dhe operacionalizimin e ‘teorisë’; një programi metodik për shkatërrimin e kolektiviteteve (ekonomia neo-klasike njeh vetëm individët, qoftë kur ka parasysh firmat, sindikatat apo familjet).

Kjo lëvizje drejt një utopie neo-liberale të një tregu të pastër dhe perfekt, e mundësuar nga politika e derregullacionit financiar, ndodh përmes transformimit dhe, duhet të thuhet, aksionit shkatërrimtar të të gjitha masave politike (rasti më i fundit është MAI, Marrëveshja Multilaterale për Investime, që mbron kompanitë e huaja nga qeveritë nacionale) që synojnë kontestimin e të gjitha strukturave kolektive që mund të jenë pengesë për logjikën e tregut të pastër: fillimisht shtetit, të cilit hapësira për manevrim dalëngadalë shkon drejt ngushtimit; punës kolektive, si për shembull duke individualizuar rrogat dhe karrierat në bazë të performancës individuale dhe të atomizimit të punëtorëve; kolektiveve që mbrojnë të drejtat e punëtorëve – sindikatave, shoqatave dhe kooperativave; madje edhe familjes që, përmes segmentimit të tregut në grupe moshore, humb kontrollin e vet mbi konsumin. Duke nxjerr forcën e vet shoqërore nga forca politike dhe ekonomike e atyre, interesat e të cilave ajo i mbron – aksionarëve, operatorëve financiarë, industrialistëve, politikanëve konservatorë apo social demokratëve të konvertuar përmes një kapitulimi të ngrohtë ndaj laissez-faire, zyrtarëve të lartë të ministrive të financave, që janë tepër të vendosur në imponomin e një politike që nënkupton vetë vetën e tyre si tepricë të panevojshme sepse, në dallim prej ekzekutivëve të sektorit privat, ata nuk ndjejë riskun e pasojave të vendimeve të tyre – programi neo-liberal në përgjithësi favorizon separacionin midis ekonomisë dhe realiteteve sociale dhe kështu konstrukton, në realitet, një sistem ekonomik që përkon me përshkrimet teorike, me fjalë tjera një makinë logjike, që paraqitet të funksionojë si një varg pengesash për akterët ekonomik.

Globalizimi i tregjeve financiare, në kombinacion me progresin e teknologjisë informative, siguron një mobilitet të paprecendent të kapitalit dhe i jep investitorëve (apo aksionarëve) të preokupuar me interesat e tyre imediate, me fjalë tjera profitabilitetin afatshkurtër të investimeve të tyre, mundësinë e krahasimit të vazhdueshëm të profitabilitetit të kompanive më të mëdha dhe të dënimit të dështimeve të tyre relative. Vetë kompanitë, të nënshtruara ndaj një kërcënimi të tillë permanent, duhet t’i përshtaten gjithnjë e më shpejt kërkesave të tregut, nga frika e ‘humbjes së besimit në treg’ dhe me të besimin e aksionarëve që, me sytë e drejtuar kah profitabiliteti afatshkurtër, janë gjithnjë e më shumë në gjendje t’ia imponojnë vullnetin e tyre menaxherëve, të parashtrojnë korniza të punës përmes departamenteve financiare, dhe t’i formësojnë politikat e tyre të rekrutimit, punësimit dhe shkallës së rrogave. Kjo çon në sundimin absolut të fleksibilitetit, me rekrutimin në bazë të kontratave afatshkurtëra apo në baza të përkohshme dhe të reduktimeve të përhershme në personel (downsizing), si dhe të krijimit, përbrenda vetë kompanive, të konkurrencës midis qendrave autonome të profitit, midis ekipeve, që detyrohen t’i kryejnë të gjitha shërbimet e veta të nevojshme, dhe përmes individualizimit të marrëdhënies së rrogës. Kjo bëhet përmes caktimit të objektivave indviduale; intervistave individuale të vlerësimit; bonuseve dhe nxitjeve personale të bazuara në punën individuale; individualizimit të karrierës; strategjive të ‘përgjegjësimit’ që sigurojnë vetë-eksploatimin e disa menaxherëve që, përderisa mbesin të punësuar me rrogë të nënshtruar ndaj një hierarkie të fuqishme autoriteti, megjithatë mbahen përgjegjës për shitjen e vet, për produktet e veta, për degën e vet, shitorën etj., sikur të ishin ndërmarrës ‘të pavarur’; kërkesa për ‘vetë-vlerësim’ që zgjeron ‘pjesëmarrjen’ e punonjësve, sipas teknikave të ‘menaxhimit participues’, përtej nivelit ekzekutiv – të gjitha metodat e kontrollit racional që, megjithëse imponojnë një tej-investim në punë, dhe atë jo vetëm në postet me përgjegjësi, dhe të punës nën presionet e urgjencës, kombinohen për t’i dobësuar apo shkatërruar referencat kolektive dhe të solidaritetit.

Instituimi praktik i një bote darviniane në të cilën fryt i përkushtimit ndaj vendit të punës janë pasiguria, vuajtja dhe stresi padyshim nuk do të kishte sukses kaq sistematik sikur të mos përfitonte nga kolaborimi i një habitusi të destabilizuar, të prodhuar nga pasiguria dhe nga ekzistenca – në nivelet e hierarkive, edhe më të larta ekzekutive – të një armate rezervë të punëtorëve të bërë docil nga pasiguria e punës dhe nga kërcënimi permanent i papunësisë. Baza themelore e këtij rendi ekonomik të vendosur nën slloganin e lirisë individuale është në të vërtetë dhuna strukturale e papunësisë, të punës së pasigurt dhe të frikës së provokuar nga frika e humbjes së vendit të punës. Kushtet për funksionimin ‘harmonik’ të modelit individualist mikro-ekonomik dhe të parimit të ‘motivacionit’ individual në punë varen, përfundimisht, nga ekzistenca e një dukurie shoqërore, nga ekzistenca e armatës rezervë të të papunëve – edhe pse termi ‘armatë’ është i papërshtatshëm, sepse papunësia izolon, atomizon, individualizon, demobilizon dhe zvetënon solidaritetin.

Dhuna strukturale po ashtu vlen edhe për atë që quhet kontratë pune (qëllimisht të racionalizuar dhe derealizuar në ‘teorinë e kontratave’ [në disiplinën e ekonomisë neoklasike]). Diskursi i korporatave nuk ka folur kurrë më shumë se tani për mirëbesimin, bashkëpunimin, lojalitetin dhe kulturës së korporatës, tani kur përkushtimi i të punësuarit përfitohet me heqjen e të gjitha garancave kohore (tri të katërtat e të punësuarve të rinjë [në Francë] hyjnë në marrëdhënie pune me kontrata afatshkurtëra, proporcioni i punëve të pasigurta është në rritje, kufizimet mbi tepricat individuale hiqen). Përkushtimi është, për më tepër, domosdo i pasigurt dhe ambiguoz, pasi që kazualizimi i punës [puna në baza të përkohshme dhe pa garanca kohore], frika nga shndërrimi në tepricë dhe nga reduktimi i personelit, sikur papunësia, po ashtu nxisin ankth, demoralizim apo konformizëm (probleme që literatura menaxheriale identifikon dhe sheh si të dëmshme). Në këtë botë pa inercion, pa një parim imanent të kontinuitetit, ata në rangun e fundit të shkallës sociale janë sikur krijesa në një univers kartezian: ata mbesin të varur nga një fuqi të përgjegjshme për ‘krijimin e vazhdueshëm’ të ekzistencës së tyre – siç shihet dhe konfirmohet nga kërcënimet për mbylljen e fabrikave, disinvestimit dhe bartjes së mjeteve prodhuese në vende tjera.

Karakteri i veçantë i ndjenjës së thellë të pasigurisë mbi vetën dhe të ardhmen e vet që afekton të gjithë të punësuarit të nënshtruar ndaj kazualizimit rrjedh nga fakti se parimi i ndarjes midis atyre që i bashkohen rangut të armatës rezervë dhe atyre që mbahen në punë është kompetenca e garantuar akademikisht, e cila është po ashtu baza e ndarjes, përbrenda kompanisë ‘teknikisht të avancuar’, midis ekzekutivëve dhe ‘teknikëve’ dhe të punëtorëve të uzinës, të dëbuarit e rinjë të shoqërisë industriale. Gjeneralizimi i elektronikës, TI-së dhe standardeve të cilësisë, që kërkohen të mësohen nga të gjithë të punësuarit dhe ushtron brenda ndërmarrjes atë që është ekuivalente me provimin shkollor, ka tendencë që ta afirmojë ndjenjën e pasigurisë me atë të pavlefshmërisë së vetëvetës, që kultivohet qëllimisht nga hierarkia. Bota e profesioneve, dhe rrjedhimisht tërë universi shoqëror, duket të jetë e bazuar në një renditje në bazë të ‘kompetencës’ apo, edhe më keq, në bazë të ‘inteligjencës’. Më shumë se manipulimi teknik i marrëdhënieve të punës dhe të strategjive posaçërisht të dezajnuara për përfitimin e nënshtrimit dhe dëgjueshmërisë që janë në fokus të vëmendjës konstante dhe të inovacionit të përhershëm, më shumë se investimi në staf, kohë, hulumtime dhe në punën që presupozohet nga rishpikja konstante e formave të reja të menaxhimit të ‘resurseve humane’, është besimi në hierarkinë e kompetencave të garantuara akademikisht që ngërthen rendin dhe disiplinën në kompanitë private dhe po ashtu, gjithnjë e më shumë, në sektorin publik. Punëtorët manual – të dënuar me pasiguri të punës dhe të kërcënuar me kthim në rendin jodinjitoz të të papunëve, të detyruar që vetëvetën ta definojnë në relacion me shtresën bujare të dalur nga shkollat e rangut më të lartë dhe të destinuar për komandimin e posteve, dhe të bujarisë më të vogël të nëpunësve dhe teknikëve, të cilëve u jepen detyrat e implementimit dhe nga të cilët vazhdimisht kërkohet që ta dëshmojnë vetën – mund ta formojnë vetëm një imazh çmagjepsës të vetëvetës dhe grupit të tyre. Dikur objekt krenarie, që kishte rrënjë në traditë dhe të kultivuar nga një trashëgimi e tërë teknike dhe politike, punëtorët manual si grup – nëse vërtetë më ekzistojnë si të tillë – tani i janë lënë demoralizimit, zhvleftësimit dhe zhgënjimit politik, që shfaqet në krizën e aktivizmit apo, edhe më keq, në ndjekjen e dëshpëruar të vlerave të një ekstremizmi kuazi-fashist.

Mund të shihet si utopia neo-liberale ka tendencë të mishërohet në realitetin e një makine skëterrore, nevoja e së cilës ndjehet edhe nga vetë dominuesit – nganjëherë të shqetësuar, sikur George Soros, apo të ndonjë menaxheri të fondeve pensionale, nga ankthi i efekteve shkatërrimtare të fuqisë që ata kanë në dorë dhe që çojnë në veprime kompenzuese, të frymëzuara nga po e njëjta logjikë që ata duan ta neutralizojnë, sikur me aktet bamirëse të Bill Gates. Sikur marksizmi i një kohe të mëhershme, me të cilën, në këtë pikëpamje, ajo ndan shumë veçori, kjo utopi gjeneron besimin tepër potent, ‘besimin në tregun e lirë’, jo vetëm tek ata që rrojnë nga ajo materialisht siç janë finansierët dhe biznesmenët e mëdhenj etj., por edhe tek ata që nga ajo nxjerrin justifikimin për ekzistencën e vet, siç janë punonjësit e lartë civil (publik) dhe politikanët që hyjnizojnë fuqinë e tregut në emër të efiçiencës ekonomike, që kërkojnë heqjen e barrierave administrative dhe politike që mund të pengojnë pronarët e kapitalit nga orvatja krejtësisht individuale e profitit maksimal individual, të instituuar si model racionaliteti, që duan banka qendrore të pavarura, që flasin për nevojën e subordinimit të shtetit ndaj kërkesave të lirisë ekonomike dhe të të zotëve të ekonomisë, me eliminimin e të gjitha rregullacioneve mbi të gjitha tregjet, duke filluar nga tregu i punës, me ndalimin e deficiteve dhe inflacionit, privatizimit të përgjithshëm të shërbimeve publike dhe të reduktimit të buxhetit shtetëror me destinime publike dhe sociale.

Ekonomistët, edhe pse nuk ndajnë medoemos të njëjtat interesa ekonomike dhe shoqërore të besimtarëve të vërtetë, kanë interesa të mjaftueshme specifike në fushën e shkencës së ekonomisë për ta dhënë një kontribut vendimtar, pavarësisht nga reaksionet emocionale që kanë ndaj efekteve ekonomike dhe shoqërore të utopisë që ata mbështjellin me petkun e racionalitetit matematikor, për prodhimin dhe riprodhimin e utopisë neo-liberale. Të shkëputur nga bota reale ekonomike dhe sociale për shkak të tërë ekzistëncës së tyre dhe të trajnimit intelektual teorik, ata janë, sikur të tjerët në kohë të tjera në fushën e filozofisë, jashtëzakonisht të prirur që sendet e logjikës t’i ngatërrojnë me logjikën e sendeve. Me besimin që ruajnë për modelet që praktikisht kurrë nuk kanë pasur nevojë t’i nënshtrojnë ndaj verifikimit eksperimental, me tendencën për t’i shikuar me përçmim konkluzionet e shkencave të tjera historike, në të cilat ata hetojnë vetëm pastërtinë dhe transparencën kristale të lojrave të tyre matematikore dhe nevojën reale dhe kompleksitetin e thellë e të cilave ata shpesh nuk kanë aftësi me i kuptue, ata marrin pjesë dhe kolaborojnë në një transformim enorm ekonomik dhe shoqëror që, edhe pse disa nga pasojat e saj mund t’i tmerrojnë (disa prej tyre mund të jenë edhe aderentë të Partive Socialiste dhe të këshillojnë përfaqësuesit në nivelët më të larta të vendosjes), nuk i shkëndjellin krejtësisht, pasi që, me disa ‘lajthitje’, që i atribuohen asaj që ata quajnë ‘zjarrmi spekulative’, ata vazhdojnë me tendencë që t’i japin realitet utopisë ultra-konsistente (sikur disa forma të çmendisë) ndaj të cilës ata ia kushtojnë jetën.

Por megjithatë, bota është këtu, me efektet menjëherë të dukshme të implementimit të utopisë neo-liberale: jo vetëm të varfërisë dhe vuajtjes të një pjese gjithnjë e më të madhe të popullatave të vendeve ekonomikisht më të avancuara, rritjes së jashtëzakonshme të disparitetit në të ardhura, zhdukja progresive e fushave autonome të prodhimit kulturor, të kinemasë, botimeve etj., e me këtë, përfundimisht, edhe të vetë produkteve kulturore, për shkak të ndërhyrjes gjithnjë e më të mëdha të konsideratave komerciale, por gjithashtu dhe mbi të gjitha shkatërrimin e të gjitha institucioneve kolektive që kanë kapacitete për t’iu kundërvënë efekteve të kësaj makine të ferrit – në radhë të parë shtetit, deponisë të të gjitha ideve universale të lidhura me idenë e publikut – dhe të imponimit, gjithkund, në nivelet më të larta të ekonomisë dhe pushtetit, apo nëpër kompani, të një lloj darvinizmi moral i cili, me kultin e ‘fituesit’, etablon luftën e secilit kundër të gjithëve dhe cinizmin si normë të të gjitha praktikave. Dhe ky rend i ri moral, i mbështetur në përmbysjen e të gjitha rendeve të vlerave, shfaqet në spektakël, shpërndahet qetësisht përmes mediave, përmes të të gjithë atyre përfaqësuesve të lartë të shtetit që abuzojnë me dinjitetin e postit të tyre duke iu përkulur bosëve të firmave multinacionale, Daewoo apo Toyota, apo që shtyhen se cili po tregon më shumë sharm karshi Bill Gates-it, me buzëqeshje dhe gjeste të komplicitetit.

A është e arsyeshme të pritet që përmasat e jashtëzakonshme të vuajtjes të prodhuara nga një regjim i tillë politik dhe ekonomik do të çojnë në ngritjen e një lëvizjeje që do të mund ta ndalë turrin drejt humnerës? Në fakt, këtu shohim një paradoks të jashtëzakonshëm: në njërën anë, pengesat e hasura në rrugën drejt rendit të ri, atë të individit që është i vetmuar, por i lirë, tani i atribuohen rigjiditetit apo arkaizmave, dhe të çfarëdo intervenimi direkt apo koshient, të paktën kur vjen nga shteti, përmes cilitdo kanal, diskreditohet qysh në fillim me arsyetimin se ajo është e inspiruar nga punonjësit civilë që po ndjekin interesat e tyre dhe që nuk janë të vetëdijshëm për interesat e agjentëve ekonomikë dhe si rrjedhojë sugjerohet që ky intervenim të tërhiqet dhe në vend të tij t’i hapet mundësia mekanizmit të pastër, anonim të tregut (që njerëzit harrojnë se është po ashtu sferë e ushtrimit të interesave); mirëpo në anën tjetër, realisht është permanenca apo mbijetesa e institucioneve dhe agjentëve nga rendi i vjetër që tani po çmontohen, dhe të punës së ‘punonjësve socialë’, si dhe të të gjitha solidariteteve tjera shoqërore, familjare e të tjera, që ruajnë rendin shoqëror nga kolapsi në kaos përkundër numrit gjithnjë e më të madh të njerëzve të nënshtruar ndaj pasigurisë. Tranzicioni drejt ‘liberalizmit’ ndodh në mënyrë krejt të pahetueshme, sikur një rrymë kontinentale, duke fshehur kështu efektet e veta më të tmerrshme afatgjata. Këto efekte janë kështu të maskuara, paradoksalisht, nga rezistencat që ajo provokon, edhe tani, nga ata që mbrojnë rendin e vjetër duke shfrytëzuar resurset që ajo ka akumuluar, në modelet juridike apo praktike të asistencës dhe solidaritetit që ajo ofronte, në habitusin që ajo favorizonte (ndër motrat medicinale, punonjësve socialë etj.), shkurt, në rezervat e kapitalit shoqëror që mbrojnë një bllok të tërë të rendit aktual shoqëror nga rënia në anomi (një kapital që, po qe se nuk përtërihet dhe riprodhohet, do të shpenzohet, por i cili akoma ekziston).

Por këto të njëjta forca të ‘konservimit’, që janë tepër të plogshta për t’u konsideruar konservatore, janë po ashtu, nga një këndvështrim tjetër, forca të rezistencës të establishmentit të rendit të ri, e të cilat mund të shndërrohen në forca subverzive – përderisa dijmë si ta zhvillojmë luftën simbolike kundër punës së zellshme të ‘mendimtarëve’ neo-liberalë, me qëllim të diskreditimit dhe të diskualifikimit të trashëgimive të fjalëve, traditave dhe simboleve që asociohet me pushtimet historike të lëvizjeve shoqërore të së kaluarës dhe të së tashmës; me kusht, po ashtu, që dijmë si t’i mbrojmë institucionet përkatëse, ligjin e punës, sistemin social, sistemin pensional etj., nga orvatjet për t’i deroguar ato në arkaizma të trashëguara nga një e kaluar e dalur mode, apo, edhe më keq, për t’i definuar ato si perversitete të panevojshme dhe si privilegje të papranueshme. Kjo nuk është betejë e lehtë dhe nuk është e pazakontë që ajo duhet të luftohet brenda kushteve të imponuara nga kundërshtari. Të inspiruar nga një intencë paradoksale e subverzionit të orientuar drejt konservimit apo restaurimit, konservatorët revolucionarë e kanë të kollajshme që t’i definojnë si reaksionare rezistencat dhe reaksionet defensive të provokuara nga veprimet konservatore që ata i përshkruajnë si revolucionare; dhe të dënimit si arkaik dhe retrograd të kërkesave për mbrojtjen e ‘privilegjeve’ dhe revoltimeve që apelojnë në të drejta të etabluara, me fjalë të tjera që i drejtohen një të kaluare të kërcënuar nga një zvetënim apo shkatërrim nga masat e tyre regresive – shembulli më konkret duke qenë ai i eliminimit të përfaqësuesve të sindikatave apo, në mënyrë edhe më radikale, të punëtorëve më të vjetër, që janë kujdestarët dhe ruajtësit e traditave të grupit.

Prandaj nëse mund të mbahet një lloj shprese e arsyeshme, ajo është se, në institucionet shtetërore dhe po ashtu në dispozicionet e agjentëve (veçanërisht atyre që kanë pjesë e këtyre institucioneve, sikur që është bujaria e vogël shtetërore), ekzistojnë forca që, nën maskën e mbrojtjes së një rendi që po zhduket dhe të ‘privilegjeve’ përkatëse (për çka ata do të akuzohen), për t’i rezistuar presioneve, në fakt do ta shpikin dhe konstruktojnë një rend të ri shoqëror i cili nuk është i qeverisur vetëm e vetëm nga interesi vetanak dhe profiti individual, dhe i cili i krijon hapësirë kolektiviteteve që janë të orientuara drejt ndjekjes racionale të qëllimeve të definuara dhe miratuara kolektivisht. Ndër këto kolektvitete – shoqatat, sindikatat dhe partitë – një vend i posaçëm duhet t’i lihet shtetit, nacional apo, edhe më mirë, supranacional, me fjalë të tjera një shteti evropian (si hap drejt një shteti botëror), që ka kapacitet t’i kontrollojë dhe taksojë profitet e tregjeve financiare; me kapacitet po ashtu, dhe mbi të gjitha, të kundërvimit ndaj veprimeve destruktive që këto tregje zbatojnë mbi tregjet e punës, duke organizuar, me ndihmën e sindikatave, definicionin dhe mbojtjen e interesit publik – i cili, i pëlqeft kjo dikujt apo jo, nuk mundet kurrë që, edhe me manipulimin e shifrave, të prodhohet nga këndvështrimi i kontabilistit (dikush mund të thoshte edhe të ‘dyqanxhiut’), të cilën besimi i ri prezenton si formën supreme të arritjes njerëzore.

Përktheu Besnik Pula. Origjinali është botuar në Acts of Resistance: Against the Tyranny of the Market (New York: The New Press, 1998))

* Pierre Bourdieu (1930-2002), ndër sociologët më shquar francez dhe botëror, autor i 29 librave dhe monografive, studimeve dhe artikujve të shumtë, të përkthyer në dhjetëra gjuhë botërore. Punën shkencore e filloi në vitet ‘60 gjatë luftës në Algjeri, për ta vazhduar më tej në studimin e shoqërisë franceze. Ndër librat e tij më të njohur janë Essquisse d'une theorie de la pratique, precede de trois etudes d' ethnologie kabyle (1972), La distinction (1979), Homo Academicus (1984), La Noblesse d'État (1989), La Misère du monde (1993). Nga viti 1981 ishte profesor i sociologjisë në Collège de France dhe gjatë dekadës së fundit u njoh si ndër figurat më të shquara intelektuale në Francë, veçanërisht si kritik i trendeve neo-liberale jo vetëm në Francë por në tërë botën.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).