Në trokitjen tjetër, është ora që të buzëqeshësh



Në trokitjen tjetër, është ora që të buzëqeshësh
Për sa kohë ende do ta torturosh mendjen tënde? Për sa kohë do të vraposh pas kujtimeve të së kaluarës? Mos vallë ke shumë pamje që nuk do t’i kujtosh? Dhe kjo buzëqeshje që vijëzohet në fytyrën tënde të trishtuar deri kur do të vazhdojë të fshehë lot që janë gati të derdhen. Ende më kujtohen sytë e tu të përmbytur që u fshehën pas reve të tymit të cigareve. Një tavëll duhani e mbushur me bishta cigaresh në një festë, ku u gjende rastësisht.
Ç’bëjnë dy qerpikë të trishtuar të mpleksur në festat e të tjerëve? Të jesh atje dhe të jesh tjetërkund. Supe të përqafuar të hiqen në një vallëzim të tyre të çuditshëm dhe ti të kesh nostalgji një sup të sigurtë në vallëzimin e një valsi të trishtuar.
Në një tango argjentinase, që luan gramafoni, të duash të hapësh zemrën dhe shpirtin tënd dhe ai të luajë këngë refugjatësh të shkruara nga të tjera psherëtima.
Nën tingujt e lëvizjet epshndjelëse të një tukale ti të fshehësh turpin tënd. Në një valle dehëse zeibetiko të ecësh e dehur nga vera që pive këtë mbrëmje. Merre sonte ti defin dhe bjeri sipas ritmit të të tjerëve. Bjeri fort që të duket se sonte edhe ti po merr pjesë në çoroditjen dhe gëzimin e të tjerëve. Jepe ritmin tënd dhe bëhu një me hidhërimin e të gjithë atyre që sonte vallëzuan me dhembjen e tyre. Të hidhëruarit vallëzojnë më tepër dhe muzikantët mbështete në dhembjen e tyre. Ik për pak kohë më larg dhe qaj me shpirtin tënd, por ler që të t’i fshijë lotët dikush që të ndien.
Kthehu mbas dhe jep porosinë tënde. Për një këngë, për një valle. Ke edhe ti të drejtën që të vallëzosh me dhembjen tënde si një dervish i ekzaltuar që rrotullohet rreth vetes. Mbështille dhembjen tënde fort, rreth e përqark qafës dhe trullose. Çmende në rrotullime, duke u epuar ku e ku, duke t’u marrë këmbët ku e ku dhe, dikur do të gjesh rastin ta hedhësh larg. E vetmja gjë që duhet të bësh, është të vallëzosh me të. Të vallëzosh, të rrotullohesh, të përqafosh, të kapësh, të shtrëngosh, derisa në fund të arrish të qeshësh. Një qerasje do të të presë në trokitjen e gotave të kërcura. Në trokitjen tjetër të gotave do të jetë ora të qeshësh. Në trokitjen tjetër, do të jetë ora të qash. Në trokitjen tjetër do të jetë ora, do të jetë çasti që përsëri të qeshësh. Në trokitjen tjetër të gotave, d të jetë çasti që të ikësh. Në trokitjen tjetër ora do të jetë ende shumë shpejt.
Në trokitjen tjetër ka ardhur ora që të ngrihesh të vallëzosh përsëri. Në trokitjen tjetër do të jetë ora që të kapesh pas një dore. Në hapin tjetër do të jesh përsëri në vallëzim.
Hapat e parë do t’i drejtojë dehja që rrjedh në damarët e tu, por hapat e tjerë do t’i drejtojë mendja jote e trullosur.
Qëndro atje ku je tani dhe mbaje vallen. Në anën tjetër dikush do të të mbajë fort shaminë dhe gramafoni tashmë do të luajë vetëm për ty.
Buzët e shtrënguara tani do të çlirohen dhe buzëqeshja jote tani do të jetë përsëri e vizatuar në fytyrën tënde, në fytyrën e princeshës që fshihje kaq vjet brenda vetes.
Ke të drejtë ta jetosh përrallën dhe sonte ke mundësi që ta ndërtosh të mbështetur në skenaret e një shpirti që nuk mundi të shprehet asnjëherë ashtu siç dëshironte.
Vallëzo sonte që vështrimet janë sipër teje dhe largohu nga “dëshirat” e të gjithëve atyre që deri tani u shërbeje. Vallëzo sonte që mundesh të tregosh se një femër e bukur di të marrë ato që i përkasin. Vallëzo sonte që je kaq e bukur dhe lere ritmin e duarve që përplasen n dëshirën e çmendur të të përqafojnë, të të përkëdhelë veshët.Vallëzo sonte dhe në fund të këtij kërcimi merre me vete duartrokitjen e kësaj nate si hajmali. Sonte, në rast se të mungon një përqafim, mundet që ta kesh. Ndoshta do të jetë po aq e dehur sa edhe ti, por ajo që ka rëndësi është se do të jetë atje të të mbajë. Një përqafim i dehur, një përqafim dehës, i mbushur mirëkuptim për të vazhduar ç’ka lanë në mes fjalët dhe vallëzimi. Një përqafim dehës, në një festë, që gjithmonë do të ketë shansin e vet për të ardhur përsëri.

a. stefa

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).