Në litar qenat!

Në litar qenat! Ardit Rada

I kapën, i vunë prangat dhe i shoqëruan në komisariat. I pyetën, i dhunuan verbalisht dhe i lanë brënda. I nxorrën pastaj të lirë, i vunë kushte, i ofenduan, i thërritën sërish e sërish i lanë të lirë se do i thërrasin prapë. U munduan ti gjenin krahasim por s’mundën. I dëgjuam në media po s’e ngritëm zërin se s’kishim vepruar si ata. Na dhimseshin por s’flisnim dot se druheshim mos mbanim anën e gabuar. Na sollën ndërmend filma shqiptarë, histori të frikshme më spiunë, nazistë e fashistë, me osmanë e sllavë por prapë s’e kishim takatin t’i dilnim zot. Na u kujtua Kosova, Çamëria, bashkimi kombëtar por s’ramë dakort në mendime se na dukej ëndërr e largët e aventurë. Por ata guxuan. Guxuan jo si Kreshnik Çollaku në posterat e tij elektoralë e as si Erion Veliaj me G99 e tij. Nuk guxuan as si Barak Obama e as si Themistokli Gërmenji.

Ata guxuan si Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili. Sado që ti bëjmë hesapet në kurriz të tyre, s’na del llogaria si do shteti se atdhetaria nuk njeh shtet por kombësi. Edhe shteti nuk është se e vret mendjen për atdhetarinë por nejse. Kjo është histori tjetër. Atdhetaria nuk njeh Enver, Ramiz, Salinjë e Fatosër por gjuhë, zakone, flamur e tokë. Njeh dije, zhvillim e identitet e jo bollanizëm, Spiro Kserën e PD-së e Vorio Epir. Atdhetaria e sotme përfaqësohet nga dy djem që bukën e gojës e nxjerrin në arë e ndaj u dhimbset toka. Ata se nxjerrin bukën e gojës në pazare ndërkombëtare e me sekserë boshnjakë si Fazliç e ndaj u duket dheu flori. S’u është dhënë mundësia të zinjve te ndërtojnë rrugën Durrës – Kukës. Po ky s’është faji i kombit në fund të fundit.

Atyre u dhimbset nëna e baba. U dhimbset fshati e qyteti, u dhimbset flamuri e jo kolltuku. Jo s’e nuk u ka pëlqyer po s’u është dhënë mundësia ta provojnë këtë të fundit dhe pse e meritojnë më shumë se Bollano.

Marrëzi! Po, po marrëzi të protestosh kundër politikës, kundër neo-greqizimit e shovinizmit modern. E kush do u dali zot? Dy duar për një kokë është shprehje e dalë nga moda për qeverinë. Po s’i nuk u kish vajtur haberi deri në Toç të Tepelenës se greku është më i fortë, më i bukur, më i pasur, më i madh, më i mbrojtur e me më shumë shokë? Po është krim more të uruar ajo që bëtë. Ç’prisnit të bënit më shumë? Të këndonit: “Në mos kini armë gjeni, ja rrëmbeni atij qeni!”?

S’e dinin Orgeni dhe Luani se fqinji i ka krahët më të ngrohta se kurrë në Shqipëri? Epo nuk shpjegohet ndryshe që dolën me flamur shqiptar në dorë në tokën e tyre në mes të ditës. Po ç’dinin ata? Që shqiptarët për më shumë se 120 vjet kanë përjetuar vuajtje, vrasje - bile masakra - dhe dëbime nga trojet e tyre për arsye të politikës shoviniste të shteteve fqinj e tani s’ja vlen barra qeranë “t’i bëjmë shurrën bahçes”?

Epo gabim e paskëshit ditur mor të uruar. S’është e vërtetë hiç! As ka qënë dhe as do të jetë kështu. Shqiptarët s’kanë prona në Greqi, s’kanë heronj. Skenderbeu është një herë i grekut , një herë i serbit e një herë në 10 vjet edhe i gjeorgjianëve po të jetë nevoja e kështu me rradhë.

E ka thënë vetë politika: Nuk është çliruar Shqipëria nga gjermanët se këta të fundit ikën vetë. Nuk kemi 28 000 dëshmorë e nuk jemi çliruar më 29 nëntor.
Po më mirë se Saliu e Dashamir Shehi e di ti o Orgen? Po ç’je ti? Një copë fshatar që kullot dhentë e një herë në vit kur të vjen shpirti në majë të hundës e të plas buza nga fukarallëku, merr dhe flamurin në dorë se shuka parash s’ke që t’i shtrëngosh!

Ike o Luan ike! E more dhe Orgenin në qafë. Edhe në litar t’ju varin, nuk ngopet prokurori. T’ju kalbin brënda se vetë e kërkuat. T’ju kalbin siç bënë me gjuhën, emigrantët e flamurin. E ç’keni më shumë ju? Një copë tokë dhe dy duar të forta. Shumë guxim e burrëri dhe aspak servilizëm. Ja këto jeni ju; Dy të rinj që u ka marrë koka erë. Që kërkoni të dilni mbi shtetin a thua se nuk e di ky i fundit se ç’duhet të bëjë kur u vritën emigrantët, kur u shahet kombi e kur u griset flamuri. Në litar, atje e kini vendin ju se jeni heronj modern e politikanëve po u zini vendin që duan të kenë në histori.

3 Komente

Shkrimi i bukur. Ai gjyq ishte farsa e rradhes dhe shenje e paster e permbysjes se vlerave dhe injektimit te antivlerave. 

 

(PS: Tek saktivista emision i ri GAZ 51 i dates 9 dhjetor 2008 sapo u vendos online. )

Shkrim i bukur Ardit, bravo!

 Flm çuna.

Kemi akoma per te bere ne lidhje me keto dy heronjte modern!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).