Ne fushen me lakra degjohet nje piano- Ese per Bilal Xhaferrin (1937-1987)


Nga Roland Gjoza

Ishte vjeshte e trete me qiej blu gjer ne mesnate dhe me shume gjon qe kendonin kur e kur trishtem. Mund te mos i ndizje dritat dhe te shkruaje prane dritares me nje qiri ne pezul. Tutje diku shtrihej fusha me lakra, qe kishte zene bryme dhe ne skaje ku vershonte lumi ngrihej lirishta e kuqe. Atje ne mes te asaj fushe ishte nje kasolle, ku punetoret e komunales linin kazmat dhe lopatat. Ne ate kasolle pa drita shkruante Bilal Xhaferri, i cili priste cdo nate te dilte hena. Ajo ishte nje hene e kalter me nje drite te dridhshme sikur dilte nga nje piano. Ishte ora kur miku i tij Bedri Myftari hapte radion, njeqind hapa me tej dhe ai degjonte sonaten Drita e Henes, te Ludvig Van Bethovenit. Cdo nate, pas lajmeve te fundit, Radio Tirana transmetonte muzike klasike. Gjysme ore piano. Gjysme ore hene e plote dhe ai qe shkruante papushim ne mes te fushes me lakra te mbuluar me nje bryme te kalter qe kerciste.
Atij ia kishin prere dritat dhe ujin, ia kishin marre trisken e frontit, pra, nuk kishte te drejte te votonte, ishte njeri qe dilte naten, shkruante naten, flinte diten, punonte ne ndermarrjen Rruga -Ura, ne viset me te largeta, ne mes te maleve, larg, larg, sa me larg, qe te mos perzihej me njerez, po vetem me arinj, ujqer dhe vetmi, sa me shume vetmi. Brenda ne nje bufe me rrjete, ne vend te bukes mbante librat e Tolstoit, Hygoit, Eseninit, Pushkinit, Lermontovit, revisten Nentori ku kishte botuar tregimin Ruge dhe fate, dy tri gazeta Zeri i Rinise ku ishin botuar tregimet ; Largimi, Era shtyn mjegullat e mbremjes, librin me tregime;Njerez te rinj, toke e lashte, qe kishte bere buje. Lirishtat e kuqe, vellimin me poezi, qe ishte bere karton, ia kishin vjedhur.
Vjeshta e trete do te mbaronte me te fundmit shtergj ne qelqe qe ai do t'i percillte duke i prekur me gishterinj, ashtu pandehte, ndersa ato fluturonin mbi lirishte, mbi lume, pa harruar te pershkonin dritaret e tij pa drite, me ate flakez te holle qiriu, qe gjithsesi ishte nje shenje. Ai i prekte me molleza teksa ato fluturonin ulet mbi fushen me lakra te mbuluar me bryme, nen tingujt e pianos, qe pas pak do te pushonin dhe bota perqark do te binte ne fashe e qetesi.
Ikja e shtergut te fundit i linte nje mbrese te trishte, sikur te gjithe po e braktisnin, te gjithe pa perjashtim, po kjo nuk zgjaste shume, se atij i vinin sinjale te cuditshem, qe e benin te ngrihej dhe te endej neper nate, neper naten e tij. Te pakten kishte naten ne nje fushe me lakra dhe ne nje lirishte te kuqe, buze nje lumi qe vershonte drejt detit. O c'nate! Nje njeri qe kishte patur dite, po e kishin shtyre dhunshem dhe perbuzshem ne nate. Mos u shfaq. Ky ishte urdhri i fshehte. Ai shkelte me kujdes neper lakra dhe shikonte tutje diku shtepite me drita. E kishte harruar si duhet te ishte aty brenda, nuk i kujtonte me ato hollesi qe s'i kishte patur ndonjehere gjate, stufen plot thenjgjij, tryezen e bukes, driten, oh, driten e plote per te shkruar i qete, i rrethuar nga frymet, ngrohtesia, pse jo dhe nga e dashura qe i rri gjithmone prane, nga femijet, qe duan t'i ulen ne preher. Kur botoi librin me tregime, ajo, ajo gruaja e bukur i erdhi ne kasolle, mblidhte floket e gjate me duar dhe i peshperiste, sic di te peshperise nje grua qe dashuron; dua te jetoj me ty, dua te rri ku rri ti, ku vuan ti, ku shkruan ti, ti lexoj e para ato qe shkruan ti. . Dua te rri me ty dhe te vdes me ty. . . Ai e la te fliste, i dashuruar marrezisht pas saj, po i deshperuar tej mase, ngaqe nuk mund t'i pergjigjej ashtu sic donte, se ai ishte njeriu, qe nuk duhej te realizonte me asgje. Kjo ishte pjese e urdhrit te fshehte. E nxorri te pragu i deres; Shiko, i tha, kjo eshte nje kasolle, madje nje kasolle e braktisur, kjo qe shikon perpara eshte nje fushe me lakra foragjere, qe do ta hane lopet, une jam nje i denuar pa bere ndonje faj, po nje i denuar, ama, qe duhet te jetoje vetem, se edhe i vdekuri para se te vdese, do qe te rrije vetem. . s'flet, s'ha, s'do te shikoje njeri me sy. Ky jam une, ti, e dashur je tjeter gje, e re, e bukur, shume e bukur, le te mbetesh nje vegim per mua, nuk mundem te bej te palumtur.
Ajo iku duke qare neper fushen me laker dhe bryme. Ishte bije gjenerali. E cmendur pas shkrimeve te tij. Iku. Ai s'e pa me.
Takimi me Vath Koreshin nje dite rastesisht ne Gjegjan te Pukes, nje dite te vrenjtur kur kishin shtruar rrugen me zift, atje te klubi i vogel, qe gelonte nga punetoret, do te ishte vendimtar per te ndryshuar dicka ne jeten e tij. Vathi i foli me fjalet me te mira per tregimet e tij. Do te marr me vete, i tha, do te vish me mua, tani qe te gjeta s'te leshoj me. Edhe une kam qene punetor shpimi ne mal, e di si ta marr lejen per ty. Me ne fund ai perfundoi ne nje nga zyrat luksoze te Komitetit Qendror ku ndodhej redaksia e gazetes Zeri i Rinise. Do te merresh me qafe, Vath, mua nuk me botojne me. Vath Koreshi e uli ne nje tryeze prane dritares, nje tryeze me rimeso te ndritshme dhe i tha se do ta kycte brenda, e pas kater oresh do te kthehej per te marre reportazhin, nje reportazh cfaredo, nga puna ne kantjer, ose nga rruget e veriut. I tregoi celesin. Qofte me fat, i tha, per te dy, po me teper per ty.
Kot e ke, Vath, i tha Bilal Xhaferri, ty do te degdisin ne ndonje humbetire, ne rastin me te keq, ndersa mua do te me rrasin brenda. Do ta bej, tha Vathi, ndoshta s'ndodh asgje, ti boton dicka shume te bukur, ndersa une, pasi ha nje dru, rri aty ku jam, po ama jam i lumtur se kam botuar dhe i kam hapur rrugen shkrimtarit me te madh. .
Pas dy oresh Bilal Xhaferri, mbylli stilografin dhe e vuri ne kapesen e xhepit te brendshem te xhaketes. U rehatua ne karrige dhe beri nje sy gjume. Po kishte fjetur gjate. Ishte bere nate. Reportazhi ishte zhdukur. U ngrit ne kembe dhe u soll rrotull ne erresire. Pas pak erdhi Vathi dhe i vuri perpara nje flete sherbimi. Firmose, i tha. Ai firmosi. Vathi i vuri ne dore tri mije leke, nje rroge pesembedhjetediteshi. Reportazhi u cua per shtyp, i tha Vath Koreshi. Mico Verli e kaloi pa e lexuar, ishte shume i lodhur. . te shohim neser. Faleminderit mik, me dhe nje kenaqesi te madhe qe te kisha kaq prane dhe bere ate qe te thashe. Faleminderit edhe njehere qe bera dicka per ty dhe ti me lejove, ti, shkrimtari i madh, qe te gjithe duan te te shikojne, te te prekin, te flasin me ty. . Tani kam dhe dicka tjeter; do te flesh sonte te hotel Cajupi ne qender, aty ku te pelqen ty te shkruash nganjehere, ta kam porositur dhomen, eshte shume vone per t'u kthyer ne shtepi. Ne mengjes, ose nga dreka me prit se do te vije te takoj. U ndane si dy miq dhe Bilal Xhaferri pa thene asnje fjale u fut ne naten e vet.
Te nesermen kryeredaktori mitik i Zerit te Rinise, Mico Verli, nje verdhacuk me syze miopi, kur pa emrin e Bilal Xhaferrit ne gazete, i ra ballit me dore, thirri menjehere Vathin; O mashtrues, i tha, c'me bere, me more me qafe, po ai eshte armik, more naiv, more, s'me nxe goja te them te fundit;nga humbetira erdhe, atje do te te mbije dhe bari, o faqezi! C'na bere, c'na bere!
Priten gjer ne dreke reagimet nga Komiteti Qendror, po asgje nuk ndodhi, asnje telefonate, asnje shenje se po afrohej ndonje gjeme, nga ato qe ta shnderrojne karriken e thjeshte prej druri, ku ke vene te ndenjurat, ne karrike elektrike, qe te shkrumbon e te nxin per gjithe jeten.
Pastaj u botua nje tregim me dashuri, qe u prit mjaft mire dhe asgje, vetem heshtje nga lart dhe entuziasem nga poshte. Ata qe e moren vesh se ku rrinte Bilali i shkuan te Cajupi, i cuan shkrime, fruta lule, Faik Ballanca i coi fiq te medhenj nga kopshti i vet te keputura heret ne mengjes. Ata e pane nga afer idhullin e tyre, nje djalosh tejet te thjeshte e te mbyllur, nje punetor zifti, qe e kishte shnderruar punen ne kult. Kam nje roman neper duar, u tha, i kam vene titullin Puna. Jane shtegtimet e mia, njerez qe kam njohur, filozofia e punes.
Ky roman ka humbur. Ai e quante ate romanin e jetes. Pastaj erdhi ajo nata e paharruar te Lidhja e Shkrimtareve, korpusi i dyte i Teatrit Kombetar. Do te diskutonte Bilal Xhaferri per romanin e famshem (ne ate kohe ) Dasma te Ismail Kadarese. Nuk e harroj ate nate te jashtezakonshme. Miku i ngushte i Bilal Xhaferrit, Bedri Myftari me kishte marre me vete. Nuk e ka pelqyer romanin, me tha, do ta hedhe poshte. Ka shkruar mbi 50 faqe kritike. Prandaj ka kaq shume njerez, do te flase Bilali. Ve re; nje pjese e shkrimtareve dhe artisteve kane ardhur me grate, ato cmenden pas prozes se Bilalit, duan ta shohin nga afer.
Ishin gra te bukura te veshura me shije te holle, gra te ngopura me jeten, u pelqenin sensasionet, mezi prisnin te dilte ne podium shkrimtari i ri i mahnitshem, misterioz, qe kishte probleme me biografine dhe jetonte i vetmuar, krejt i vetmuar, punonte per shtrimin e rrugeve dhe shkruante aq bukur. Ato, grate e ketij salloni hiqeshin ngapak, ashtu kembe permbi kembe dhe perpiqeshin te merrnin pamjen e duhur e serioze, se nuk kishin ardhur te shikonin veshje apo stringla, po prisnin te ndodhte nje duel i perkore i mendjeve te bukura. Gjithashtu e ndjenin me nuhatjen e tyre te holle prej djallushkash te salloneve, se ate nate do te kishte duel te vertete, me te gjalle e te vdekur. Rimeli i zi te syte kishte spikame tronditese, ndersa i kuqi i buzeve ishte terratises, tejet i ndritshem, gati rrezellites si plage. Keshtu me dukej ate nate, ndersa shikoja gruan e nje piktori te njohur qe e kisha ngjitur, e cila i ngjante aq shume nje kokete te Molin Ruzh. O c'gallate do te kemi sonte, po duhet te hiqemi, jo te shfaqim hiret joshes, po seriozitetin e seres dhe rangut. Atje ne radhe te pare ishte Dhimiter Shuteriqi, Fadil Pacrami, Milto Sotir Gurra, me aparat prostati, kete detaj s'e harroj dot, sepse aty flinte, aty dilte e zbrazte qesken. Ishte shume i moshuar, gerhiste dhe fliste kur e kur per gjera qe s'kishin lidhje me diskutimin.
Romani u ngrit lart per brendine e shendoshe dhe novatorizmin ne forme. Pastaj e mori fjalen Bilal Xhaferri dhe menjehere u be heshtje. Ishte nje podium i thjeshte nga ata te konferencave, ngjyre bezhe e hapet. Ai e analizoi romanin shume imtesisht duke u ndalur ne te gjitha elementet, po ngaqe kahja e tij ishte teresisht kritike, filluan mermerimat e para, madje ngritja e Milto Sotir Gurres per te zbrazur qesen, u komentua me humor per t'i prere hovin Bilal Xhaferrit, i cili bente sikur nuk vinte re asgje. Kadareja ishte ne vendin e pare. Ai e degjonte me vemendje dhe asnjehere nuk shfaqi shenje nervozizmi, padurimi, apo kundershtimi. Kadareja dukej jashte mase i qete, ndonese nuk e priste gjer ne ate cak kritiken. Dhimiter Shuteriqi tha se duhej te behej pak pushim se, me sa dukej, fletoret e Bilalit s'kishin fund. Kete e tha si me shaka. Pastaj shtoi se ne pjesen e dyte Bilali mund t'i permblidhte mendimet ne pak faqe, se asnje s'kishte kohe te tepert.
Ne holl gjate pushimit, qendruam te tre, Bilali, Bedriu dhe une. Ai ishte shtatmesatar, i veshur me nje kostum te vjeter te mbajtur jo aq mire, ngjyre gri te celur si ne te kalter, ne qafe kishte shternguar nje kravate te gjere mItalice njolla. Kishte nje fytyre te gjere, te zymte aspak miqesore, po pa asgje te keqe ne te, qe te bente pershtypje. Ajo qe vura re dhe me shqetesoi ishte fytyra e tij e mbushur me lunga. Ne balle, ne faqe, ne qafe. Lunga te kuqe dhe te qelbezuara, qe binin shume ne sy. Keshtu do te vazhdosh?, e pyeti Bedriu. Tani fillon, u pergjigj ai.
Grate e bukura e veshtronin me adhurim dhe me njefare sfide, sepse burrat e tyre te fuqishem se kishin pelqyer aspak kete talent te dyshimte qe kritikonte Kadarene, ngaqe donte te dukej. Sa me shume e mburrnin grate, aq me teper ata gelonin nga nje urrejtje e fshehte. Kjo dukej ne veshtrimet e tyre tallese dhe provokuese.
Filloi pjesa e dyte. Bilal Xhaferri e quajti Dasmen roman reaksionar dhe me nivel medioker. U ngrit ne kembe Fadil Pacrami dhe tha se keto fjale nuk i shkonin djalit te nje armiku te pushkatuar nga partia. Bente mire ta linte kete diskutim. E ke shume te gjate, o djale, i tha Dhimiter Shuteriqi, te thashe te mblidhje mendjen, se shiko ti, kemi dhe metoda te tjera. . ne!. Jo, tha Kadareja, te vazhdoje. Ra nje grimehere heshtje. Gruaja e piktorit, ngjitur me mua, u trand nga gezimi, ajo ishte kaq e ndezur ne fytyre sikur t'i ishte paraqitur fare rastesisht rasti me i bukur ne jete per nje akt dashurie me njeriun qe donte. Zbuloi kofshet e kolme pa e patur mendjen te kjo vogelsi seksi dhe veshtronte si e shastisur heroin e ri. Ne salle u shfaqen, ata, sigurimsat, qe zune vend ne te dy anet, ca burra me pardesy dhe me duart ne xhepa. Ishte nje situate e rende, tejet e ankthshme. Lere tani, mos u bej kokeforte, thirri Fadil Pacrami. Mbylli dhe shko, e keshilloi Dhimiter Shuteriqi. Kadareja tha ; O zot, c'behet keshtu, lereni Bilalin te vazhdoje.
Dhe Bilal Xhaferri foli dhe nje ore pa perfillur zhurmat dhe komedine qe filluan ta komentojne, te Milto Sotir Gurres, ketij rilindasi te fundit, qe ngrihej kohe e pa kohe per te zbrazur qesken me urine. Kete here ai tha; Po me pelqen ky djale, me nxjerr mallin e vjeter. . mos fillo, te lutem, sa ta zbraz kete te uruar. Kaq u desh qe salla te shperthente ne te qeshura.
Perfundoi gjithcka me tension, nervozitet, thirrje kur e kur nga salla, per te treguar se nuk ishin te nje mendjeje me Bilal Xhaferrin. Me ne fund ai i beri shuk shenimet dhe pershkoi sallen me qetesi. Kur doli jashte dhe u fut ne naten e vet, gruaja e piktorit leshoi nje psheretime, e kenaqur plotesisht me Kadarene e kritikuar aq rende dhe e tmerruar me fatin tejet tragjik qe e priste shkrimtarin te ri. Do ta fusin brenda. E kane arrestuar. Mire ia bejne, c'i duhet te shaje nje roman qe e ka levduar partia. Keto peshperiteshin, ose me shume ndjeheshin kudo. Grate shprehnin keqardhje te vertete. Gruaja e piktorit gati sa s'qante. Po t'i paraqitej rasti do ta kish marre ne mbrojtje. I gjori shkrimtar, po sa i guximshem dhe sa fatkeq!
Fusha me lakra po mbytej nga drita e henes. Gjoni kendonte, pastaj gjithcka binte ne fashe. Ate nate nuk ndodhi asgje. Ai u kthye ne kembe ne kasolle. Ra ne shtratin prej derrase, vuri duart pas kokes dhe priti te vinin ta merrnin. Nuk i flihej. U ngrit dhe doli. Piano. Binte nje piano. Miku i tij Bedri Myftari kishte gjetur neper stacione kete piano. Ajo, Drita e Henes, sonata e tij. Te lumte, Bedri, tani jam fare i qete, i pres te gjitha, vetem kjo piano te mos pushoje ne fushen me lakra.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).