në emër të popullit

Çdo gjë që thua do të përdoret kundër teje
Prej teje
Deri sa heshtja të jetë i vetmi gjak i patrazuar ndër deje.
“E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.”
Ndonëse në përfundim të proçesit gjygjësor
Ku është ankimuar dëshmia e lëshuar nga Autoriteti
Subjekti mund të dalë i “pastër”
Ai praktikisht e ka humbur shansin për tu zgjedhur.
 “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia”
Akush nuk është i pafajshëm, as i falur, as i pafalshëm.
Me kokën në kosë
Rrëshket nëpër bar
Mëngjesi teh i ftohtë
Ajri qelibar.

  
Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës me punë të ligjshme.
Kusht thelbësor moral për vetëdijen e shëndoshë publike.
Në emër të popullit je nën arrest kardiak të karakterit shterues
35 shkopinj. Cënimi i ndalimit të dënimit më shumë se një herë për të njëjtën vepër.
Për të cilën ke dhënë ose na e jep jetën. Shto 12 shkopinj dhe 1 në mend
13 raste të shkeljes flagrante në majat e gishtave të këmbës.
Mos merr asgjë me vete. Gjithçka do të duhet është akomoduar
Karrigja dhe fleta e nënshkrimit
Nënshtrimit. Verifikimi figurativ i pastërtisë së figurës.
Urgjent. Votëbesimi duhet për mbledhjen e së mërkurës.
Do të ketë trishtim
Në dritaret e tua me harqe
Në harqet e tua në sy
Në sytë e tu të mbyllur
Kyç.

  
Asgjë nuk bëhet pa vullnetin tënd. Vullneti yt dy herë më i lirë
Se faqja jote e nxirë. Faqja jote në anën e padritë të botës.
Mendo se larg enden
Në trajektoren e një ylli
Gjurmët e një mundësie
Rikrijimi.

  
Populli është i varfër. Në interes të tij të paguhet avokati.
Në emër të tij,
të kushteve kushtetuese
subjekt i kësaj urdhërese
            dhe i njëfarë takti
moslogjika e të cilit buron nga fakti
se sytë hynë e dalin nga katarakti
Njëherë shohin qartë e thellë në kujtesë
Tjetërherë verbohen dhe ky, ky është fati.

Synxirë mbi kaleidoskop
Vezullimet zbehen, ciklop
Rregullsia e ngjyrave, miop
Në një renditje tjetër më nuk të ngop.
Në emër të popullit
flasin të tjerë Unë
me qiellin mbi shpatulla
me dheun nën gjunjë.

______________________
u përdorën materiale nga kushtetuta e RSH dhe ankesa e PSSH per shpalljen e ligjit mbi verifikimin e figurës antikushtetues.

2 Komente

floro, duhet naj repist i mire per ta recitu kte, n`zemer te popllit smiley

korrigjim. rrepist me diplome juridiku e letersie. part-time  :-D

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).