Mure që bien. Mure që ngrihen.

Mure që bien. Mure që ngrihen.
 

Arbër Zaimi

Para njëzet vjetësh u rrënua muri që ndante Berlinin Lindor nga ai Perëndimori. Këto ditë bota feston me ritualet e saj të zakonshme, fishekzjarre, festa, koncerte në sheshe, alkool, shkrime të cekëta nëpër gazeta dhe spektakle televizive. E kam fjalën për botën e rëndësishme, atë botë që ia vlen të merret parasysh, pra botën anglofone dhe Europën Perëndimore, se në pjesën tjetër ose nuk duan të festojnë, ose nuk kanë mundësi të festojnë. E në të dyja rastet pjesa e mbetur pak rëndësi ka, kështu që nuk ia vlen të merremi. Pra bota perëndimore feston me të drejtë ngadhnjimin e sistemit të demokracisë liberale ndaj përbindëshit të madh të kuq, heqjen e barrierës së fundit gjeografike e mendore, zhdukjen e diktaturave gjakpirëse, prurjen e mirëqenies në vendet e varfra ish-komuniste, e mbi të gjitha prurjen e lirisë. Bashkë me botën perëndimore festoj dhe unë, një shqiptar që kam jetuar vetëm nëntë vjet nën enverizëm, këtë regjim që, siç është rënë dakord tashmë, mjerë ata që e provuan.

Na ishte një herë...

Kur u shemb muri i Berlinit isha shtatë vjeç, dhe mbaj mend se lajmet, edhe pse propaganda autoritare shungullinte, mbërritën të transmetonin një lloj shprese deri edhe tek një fëmijë. Një shpresë mistike, një ndjenjë të diçkaje gjigande, të lirë, të ndritshme që po krijohej diku në mes të Europës, po që nuk do të vononte të përfshinte dhe vendin tonë, për ta nxjerrë nga mizerja bashkë me njerëzit që kish brenda. Nënvizoj për të kushedisesatën herë, që shembulli dhe ideali mistik, libido politike e të gjithëve atyre që kishin televizor, ishte që Shqipëria të bëhej si Italia ose si Jugosllavia. Më saktë si kanalet e tyre televizive (është shkruar gjatë dhe në detaj për ndikimin televiziv, sidomos atë italian në psyche-n kolektive të shqiptarëve të asokohe). Sot kjo mund të duket budallallëk provincial, por mjaft të lexosh pak më shumë për të marrë vesh se në kushte të ngjashme kanë qenë me miliona banorë të tjerë të bllokut lindor, që të lodhur siç ishin nga propaganda totalitare, krijuan ngrehinat e dëshirës ekzistenciale mbi atë që ofronin televizionet perëndimore, apo kinematografia, duke besuar se mediat perëndimore thoshin gjithnjë të vërtetën, pasi ato kurrë s’mund të ishin aq mizore sa propaganda diktatoriale vendase. Në njëzet vjetët e ardhshëm mësuam të kritikojmë mediat perëndimore, dhe krijuam tonat mbi shembullin e tyre. Sot kemi mësuar të kritikojmë dhe tonat. Por gjithnjë mediat janë shumë hapa para sa i përket makinës së sofistikuar të marketingut e teknikave të marrëdhënieve me publikun, sajë miliardave e sajë pushtetit që gjeneron ky biznes fitimprurës (mediat). Këto media rrallë sjellin të vërtetën, dhe kur e sjellin e sjellin të veshur me shtatë palë lëkurë, të lyer e të zhgrryer me bojëra elektorale. Në vend të ta thonë informacionin, këto media ta përplasin fytyrës. Një mori posterash, billboardsesh, ekranesh, fëmijësh që shpërndajnë broshura, inxhinjerësh dhe teknicienësh të bindjes së njeriut janë përditë të angazhuar për të ngritur mure mes komunitetit dhe informacionit, duke e bërë këtë të fundit gjithnjë e më të përpunueshëm në favor të pak krerëve që përfitojnë.

Një tjetër hall i madh që mbahet edhe si shkaktar kryesor i rënies së shteteve autoritare në Europën Lindore ishte dhe kriza ekonomike. Ekonomia e vendeve europianolindore që prej fillimviteve shtatëdhjetë përjetonte rënie të vazhdueshme, dhe investimet ushtarake të imponuara prej garës marroke të luftës së ftohtë rëndonin edhe më shumë ekzistencën e lindorëve. Nga fundi i të tetëdhjetave kriza mbërriti kulmin, varfëria tashmë qe ekstreme. Si duhet kuptuar kjo varfëri, pa u futur në emocionalizma. Tepër thjesht, varfëria e asaj kohe ishte paaftësia e sistemit për të kënaqur nevojat bazë të individit për të mira e për shërbime. Njeriu shkonte në dyqan, dhe raftet i gjente thuajse bosh. Të gjithë punonin, e të gjithë paguheshin, strehimi, shëndetësia dhe arsimi bazë ishin të siguruar dhe falas, pra nuk ishin paratë që mungonin, po shpeshherë mungonin mobiljet, veshjet, madje edhe ushqimet. Nuk ka asnjë justifikim për këtë situatë të krijuar, padyshim që politikanët europianolindorë e planifikuan dhe e menaxhuan keq ecurinë ekonomike të vendeve të tyre. Nga ana tjetër vijonte të ekzistonte imazhi i bollëkut që përcillej nga mediat e nga filmat perëndimorë, një imazh që në sytë e mi si fëmijë, vinte nëpërmjet reklamave të televizioneve italiane. Unë i dëshiroja ato lodra, veshje e ëmbëlsira, por në Shqipëri nuk mund t’i kisha, e për këtë e dija mirë se kush e kishte fajin. Njëzet vjet më vonë vendi im i vogël, ashtu si gjithë orienti i kontinentit është mbushur me hipermarkete e supermarkete, stërmbushur me produkte të markave e çmimeve të ndryshme, të ndara nëpër rafte e departamente sipas takatit të blerësve. Kush ka më shumë, shkon në një departament më të shtrenjtë, kush ka më pak, do blejë mall turk a kinez, e kështu me radhë. Po të paktën dyqanet janë plot. Nga perspektiva ime prej shtrese të mesme, situata është përmirësuar goxha. Se sa është përmirësuar ma tregoi realiteti, disa javë më parë në një hipermarket në periferi të Tiranës, ku në dyndje e sipër të njerëzve më zuri syri një familje të veshur disi keq. Dukej që ishin të varfër, po nuk më ranë në sy për këtë, se shqiptarët në përgjithësi vishen keq. Ishin dy prindër dhe një vajzë e vogël, vajza mbante në dorë një rreth flokësh, që duket se sapo e kishte blerë. Ishin tek kasierja, dhe po përpiqeshin të paguanin 500 lekë, me një monedhë 50 lekëshe (që në gjuhë të përditshme përkthehet si pesqind lekë të vjetra). Ngatërrimi tregonte mirë dhe shtresën ekonomike të cilës i përkiste familja. Pasi kontrolluan xhepat, të dy prindërit vunë re që kishin vetëm 470 lekë, e lanë rrethin e flokëve në tavolinën e kasës dhe ikën kokëulur, me një siklet që e përjetova pothuaj sa ata. Kjo është një histori, po të tilla ka plot, po të analizosh të ardhurat e shqiptarëve. Sipas të dhënave zyrtare rreth 13% e popullsisë jetojnë me më pak se 100 lekë në ditë, dhe rreth 18% me më pak se 200 lekë në ditë. Shtresa e mesme ekonomike në fakt është latente, krejt e papërfillshme po të shohësh orteqet e varfërisë që janë rrasur në zgëqet e periferive të qyteteve, në barrakat e romëve, në shtëpitë e thjeshta të malësorëve që kanë zbritur prej veriu e jugu në getot qytetare. Pale pastaj po të marrësh parasysh ata që nuk e patën mundësinë të zbresin... E vërtetë, muri ra para njëzet vjetësh, ne hymë në botën e konsumit, dhe tashmë po përjetojmë “fundin e historisë”, momentin më të rehatshëm të mundshëm. Dikur kishim para e nuk kishim ç’të hanim. Sot ka se ç’të hamë nëpwr dyqane, po nuk kemi para. Efektivisht ka një mur ekzistent, që bëhet përherë e më i lartë aty, në mes të individit dhe objektit të domosdoshëm për të kënaqur nevojën e tij. Mur që ngrihet mbi themelet e nepsit dhe të tahmasë, mbi parimet e fitimeve të shfrenuara, liberalizimit ekonomik, mbështetjes së biznesit dhe lënies pas dore të pjesës tjetër të shoqërisë.

Përdorimi i domosdoshëm (i sadopaktë) i logjikës

Historinë e bëjnë fituesit – thotë një proverb i pranuar gjerësisht, që si të gjithë analogët e tij (cliche-të e tjera të pranuara gjerësisht) bazohet në logjikë defiçiente. Në fakt proverbi e shpjegon më së miri se si në një periudhë të shkurtër kohore forcat politike që marrin pushtetin legjitimohen duke kundërshtuar dhe duke shtrembëruar paraardhësit e tyre të afërt, e duke glorifikuar ndonjë paraardhës më të largët që shërben si shembull e ideal për masat e qeverisura. Por në një këndvështrim më të gjerë historik, zhvillimi i shoqërisë njerëzore në linja dialektike tregon se nuk ekzistojnë fituesit absolutë, vijueshmëria historike është plot ndërprerje, hope, rikthime, reagime, revolucione e kundërrevolucione që e bëjnë të pamundur teorizimin e një zhvillimi linear historik, përkundrazi bën të qartë që zhvillimi është i segmentuar e ndjek një mori vektorësh të kaheve e planeve të ndryshme. Si pasojë të besosh që historinë e bëjnë fituesit, apo akoma më keq të justifikosh që historinë duhet ta bëjnë fituesit është idiotësi dhe injorancë.

Natyrisht që unë, si i majtë, nuk mund e nuk dua të jem nostalgjik për një sistem të dështuar, siç qe komunizmi totalitar europianolindor. Nuk mund të mbroj izolimin dhe viviseksionimin e shoqërisë njerëzore nëpërmjet mureve, apo terrorin e luftës së ftohtë. Por nuk mund të mos bëj të njëjtën analizë kritike edhe për të tashmen. Mijëra lypës europianolindorë trafikohen në rrugët e Londrës, Madridit apo Parisit, mijëra prostituta detyrohen të skllavërohen për të kënaqur epshet e sëmura të një kulture që konsumon gjithçka, dhe këto “rastësi” denoncojnë ekzistencën e Murit të Skllavërisë. Miliona të papunë e të pastrehë popullojnë Europën Lindore, njerëz të nëpërkëmbur që nuk arrijnë dot të ushqejnë, të veshin e të shkollojnë fëmijët e tyre, që nuk arrijnë të paguajnë ilaçet për prindërit e tyre pleq, dhe këto “ngjarje” demaskojnë Murin e Varfërisë që lëshon hije të ftohtë mbi “demokracitë” tona. Qindra miliona njerëz në Europën Lindore nuk mund të zhvillojnë potencialin e tyre shpirtëror apo material, ata nuk mund të ndjekin talentin si sportistë, artistë apo nuk mund të arsimohen sipas prirjeve shkencore pa patur një mik, a pa paguar lekë (që rrallë i kanë). Shumë njerëz përjashtohen nga mundësia e ushtrimit të profesionit të tyre nga disa profanë që edhe pse s’dinë të bëjnë asgjë, kanë mbështetjen e duhur. Këto “rastësi” denoncojnë Murin e Madh të Korrupsionit, Klanizmit e Nepotizmit. E kështu mund të vazhdosh me ata që shtypen, vriten, dhunohen, vdesin urie apo vdesin së ftohti, apo ata që çensurohen, ata që ridikulizohen, ata që paragjykohen, apo gjykohen me standarte të shumëfishta. Këto mure nuk vijnë prej pamundësisë kulturore të europianolindorëve për të aplikuar sistemin e ndritshëm demikratikoliberal, përkundrazi, këto mure vijnë të importuara bashkë me këtë sistem dukshëm keqfunksionues edhe në “perëndimin” klasik.

Kemi rrëzuar Murin. Kaluam nga një sistem ku pushteti ishte i përqendruar në duar të nomenklaturës, në një sistem ku pushteti është i përqendruar në duar të fare pak klaneve. Kemi kaluar nga një regjim që keqpërdorte propagandën, në një regjim që të përmbyt me marketing, reklamë e me aplikime PR. Kemi kaluar nga një regjim që çensuronte shtypin dhe intelektualin, në një regjim që shtypin e blen, bashkë me intelektualin. Dhe po nuk u ble, ia gjen anën. Kemi kaluar nga një regjim varfërie në një regjim të mizerjes. Sëmbojnë pyetjet, a e kemi rrëzuar Murin, apo thjesht i kemi gërvishtur suvanë? A rrëzohej dot Muri vetëm njëanësisht, me rënien e diktaturave lindore, apo duhej riparë edhe një herë ky i bekuar “sistem perëndimor” që kaq shumë e duam? Dhe një pyetje edhe më urgjente, mos po na shesin sapunin për djathë me këto festimet e ditëpërditshme të përvjetorëve të ardhjes së demokracisë e me ankthin e vazhdueshëm që sjell kërcënimi i rikthimit të maktheve të së shkuarës, diktaturave apo i terrorizmit?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).