Militantë dhe votues

Normal 0 false false false MicrosoftInternetExplorer4 /* Style Definitions */ table.MsoNormalTable {mso-style-name:"Table Normal"; mso-tstyle-rowband-size:0; mso-tstyle-colband-size:0; mso-style-noshow:yes; mso-style-parent:""; mso-padding-alt:0in 5.4pt 0in 5.4pt; mso-para-margin:0in; mso-para-margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:10.0pt; font-family:"Times New Roman"; mso-ansi-language:#0400; mso-fareast-language:#0400; mso-bidi-language:#0400;}

Militantë dhe votues.

Andi Kananaj

Votuesit normal i interesojnë nga pak të gjithë, ndërsa militantit vetëm partia e vet - për të cilën ai mund te bëjë sakrificat që bën me shpirt vetëm një ultras i Tironës. Votuesi normal ka grafik të ndryshueshëm humori, ndërsa militanti ka vullnetin e vet të hekurt, dhe disiplinën.

Herë i vendosur e herë i tronditur, votuesi i thjeshtë parashtron idetë e tij… herë me entuziazëm e herë me pesimizëm, kapriçio këto në varësi të plotë të faqosjes intriguese të gazetave, apo të muzikës imponuese të edicionit të lajmeve të orës tre. Votuesi i thjeshtë sfidon çdo program partie me cinizmin e tij dyshues, që shpërblehet me agresivitet jo vetëm në muajin para zgjedhjeve. Muaj ky i krahasueshëm me Muajin e Madhnueshëm të Ramazanit, sa i përket perceptimit shpirtëror të votuesit të thjeshtë. Zoti ka vëmendje maksimale, si për të ashtu dhe për qenin e tij, që më shumë se qen ngjan si mi langaraq. Votuesi i thjeshtë dallohet në çehre. Ai ndihet i lire, si adoleshent që po zgjedh të dashurën e tij ideale. Lëviz si pa të keq, duke u hedhur si ketër, nëpër faqe gazetash "armike" nganjëherë vetëm e vetëm që të jetë në bisedë… pa menduar se miku i tij militant ka kaluar natën duke mbuluar murin kinez me foto kandidatësh (burra). Duket që s’e ka seriozisht, se shpesh herë kapet në flagrancë tek faqja e fundit, ajo sportivja. Kush pyet nga militantët për Gatuzon në kohë zgjedhjesh, kur vraponjë çunat, të paktën 5 herë më shumë, e sharrojnë pa mëshirë çdo njeri me top posterash ne lagjen e tyre? Votuesi mund të heqë dorë nga vëzhgimi nga afër i situatës, duke bërë të tronditet botën virtualo-elektorale, vetëm e vetëm se nuk i vjen për mbarë të kalojë nga kioska e gazetave.

Militanti s'mund t’ia lejojë vetes lluksin e zgjimit në orë të vonë. Ai kafen e parë duhet ta pijë me shefin e vet në orën 7 e 30 të mëngjesit. Po s’e kapi i pari, ters dita… Shefi, si shefi, kërkues, i rreptë, po i drejtë, nuk ta ha hakun - thonë sa herë i pyet. Kur takohesh me militantin e dallon menjeherë… se dhe kur s’e njeh, ai të qorton pse nuk je zgjuar që pa gdhirë, ka apo s'ka arsye.

“Hë vëlla, do bëjm' ndonjë punë?” - është komunikimi mëngjesor. Më presin shumë angari,.. tunduni… Duhet durim dhe vetëkontroll absolut të durosh militantin, kur për fatin tënd të keq, të ka lidhur ndonjë punë me të. Kur ja arrin të mbijetosh dhe ti shkon në fund "gjësë" që do bëje, nuk është se ndihesh më mirë në fakt. Përpjekje për tu shmangur, nëse mundesh.

Kurrë të mos çohet nëpër mëndje, se militanti besnik mund të guxojë të pijë "çaj anglez" në një oborr tjetër partie, se kjo do ta hidhte fishek, si Promete të zinxhirosur në listën tradhtare. Për të pabesët, s'ka mëshirë, vetëm përbuzje të përcjella me anë thashethemesh plot mimike. Militanti është i detyruar, të eci, të zvarritet, të lëngojë mes njollave të bojës dhe shijes se sprajit që llangos ndërtesa të pafajshme votuesish. Kuq-Blu-Roza e pashlyeshme nga trikot e leshit janë medalja e tij; pluhuri i rrugës është gëzofi që e mban ngrohtë netëve të këqija kur "zëra-tundues" i afrohen më shumë. Militanti nuk sheh kurrë nga yjet, por beson në horoskop. I di shenjat në majë te gishtave, dhe gjen vendstrehime zonjash te njohura per t "pamen e filxhanit". Prekja e shefit mbi sup, është energjia PERPETUM. Buzëqeshja e shefit është patenta për punën e re. Horizonti bëhet konkav pas saj. Idhuj te huaj - shporruni nga rruga, se s'më blini dot. Selia e partisë ngelet në jetë të jetëve, shkolla më e mirë, universiteti i vërtetë i jetes. Parajsa artificiale. Rruga drejt xhenetit politik është e mbushur me errësirë dhe tundime, por militanti e di, ndaj ecën symbyllur. Ai nuk tronditet dhe nuk befasohet, se nuk i duhet të zgjedhë asgjë. Di se çfarë e pret në fund, dhe di se vetëm atë ditë mund ta lëshojë veten.

Ndërkohë që votuesi mund të ngatërrojë sallën e votimit, militanti është i qartë se ku do të shkojë. Ndërkohë që votuesi bezdiset dhe rri në radhë vetëm e vetëm që të mos kthehet më mbrapsht, militanti qëndron dhe pasi ka votuar kokëulur e modest. Ai pret me shpresë, ndonjë konflikt fatmadh, ku të koleksionojë goditje sa të mundet… ah sikur… sende me cepa mbi kokën e tij të paepur. Votuesi mendon që duke votuar, ka ndikuar në prosperitetin dhe zhvillimin e demokracisë. Militanti e di që votuesi ja fut kot, qesh me duar në ije, se vetë voton sa herë qe i jepet mundësia. Hedh në koshin ku grumbullohen votat, ç'të mundi. Dhe letra të ndyera me vaj picash, se estetika nuk ka qënë asnjëherë pengesë për t’u marrë në konsideratë nga miltanti.

Do të kthehej mbrapsht votuesi nëse një i panjohur i madh si dollap, pa asnjë dokument prezantimi, do ti komunikonte sigurisht pa takt, se zonën ja kishin ndërruar? Patjetër, pa nxjerrë tingull nga kordat vokale, veçse për falënderim. Militanti e di mirë që s'duhet ta humbe kët' shans pa votuar dy herë… dhe sikur t’i duhej të këpuste një gisht për të fshehur bojën spiune. E nëse do të mundej, gishtin për të fyer kundershtarët do ta ruante si sytë e ballit. Sidoqoftë militanti e di që me një të lëpirë boja ikën, prandaj rri i ftohte si një vrasës me pagesë, ndërsa votuesi do ish zverdhur nëse ajo (boja) zbehej papritur.

Personalisht nuk e di nëse më mirë është të jesh votues apo militant. Sidomos po ta shohësh situatën një ditë më pas. Nuk është parë e dëgjuar asnjëherë, që një militant të ketë dalë i zhgënjyer, siç kanë dalë disa miq të mitë nga shkolla e berë me shumë mundime në perëndim.

Kjo sa për teori, se në praktikë e kemi të vështirë ta gjejmë nëse jemi votues të thjeshtë, apo militantë me tuta antiplumb.


Meka

Në vitin '94 nuk e dija se jeta vazhdonte dhe pas votimit për referendumin që do të na bënte të gjithëve me kushtetutë. Mendoja në atë kohë, që Metallica-t i dëgjonte dhe Remarku, prandaj i dëgjoja më fort. Isha i sigurt që badibilldingu ishte realisht kalimi i kohës për çdo evropian me dy pare mend në kokë. Shkoja der' aty sa mendoja se Schëarzenegger do të bëhej kryetar bashkie ne Kaliforni, po të donte. Isha krenar (si veteran lufte) se kisha qënë në ditën e parë që klasa ime te Petro Nini kish lënë mësimin për të vajtur tek studentet, kohe këto që kishin sjellë parajsën e përjetshme dhe Suden si i dërguari i tij/i saj. Kjo histori për një pjesë të trilluar, më kish' bërë hero tek të paktën 4 vitpariste, kështu që ngjarjes i mungonte vetëm përmirësimi me batuta për Pilo Peristerin dhe Byronë politike. Herë-herë merrja kot dhe thosha që njihja A.Imamin. Ca batuta në fakt i vidhja nga shkrimet e një ish-piktori, ish-baskebollisti, që shkruante bukur në atë kohë. Pastaj se nga humbi… në Paris thanë, si çdo bohem me shpirt artisti. Kohën e mbetur nga dita e kaloja duke dëgjuar se si shahej "Nano qorri", argument ishte fakti i pamohueshëm se Nano ishte i biri i Nexhmijes, gruas së ve te diktatorit. Kishte të pakten dy tipa në mëhallë që dinin çdo nënkalim nga blloku deri në Skrapar, ku dihej nga te "gjithë" se shkonte komiteti qendror në kohë lufte. Ledi Makbethi dhe i biri s'dalin bashkë në asnjë skenë i thashë Çim Çadrës (personazh dhe emer real) njeriut me muçmollat më me leng ne lagje, ti e ngatërron me Hamletin me duket. Ai me pa vëngër nga koka te këmbët dhe më pyeti: “Ti je pro apo kundër Kushtetutes?” Pyetje me spec. Pro, i thashë, vetëm e vetem se më pëlqente e motra dhe s'doja të prishja marrëdhëniet e mira si komshinj. Pas kësaj zënke që përfundoi ashtu si nisi, në paqe, vendosa të votoj. U nisa nga "Qëndra" pa asnjë qëllim të paracaktuar… për të parë një herë, se s’i dihet. “Voto për kë duash, vetëm mos rri pa votuar” - më tha ime më. Unë thellë-thellë doja të avotoja, po kisha frikë mos më binte reputacioni si njeri që s'bënte, si bënin të "gjithë". Fundja kush do më shohë, thashë për tu vetëjustifikuar. Qendra e botës, 21-shi ish ndarë prej kohësh në myslymanë e kaurrë, po kjo s'ishte marrë asnjëhere aq seriozisht. Të krishterët dalloheshin, ose më mirë të them tentonin, të ruanin në heshtje famën e tyre prej shkenctarësh, famë që vinte vetëm nga vetëm nga shprehje e vjetër që tregonte habi “shih shih cfarë bën kaurri”. Pas kesaj, “il nulla”.

Në lagjen time kishte të paktën 3 seli të mormonëve, dy të Bahait, dhe dy të Jehovait. Ata që kishin lënë shtëpitë me qera jepeshin si shembull pse duhej besuar tek perëndia, pa berë asnjë pyetje. Të vriste zoti. Tani më duket se lagjia është zhgjënjyer nga qeramarrësit se rendom degjoj që me zotin flasin vetë, s'u duhet as prift, as kishë.

Kjo zonë që bënte akoma gjumë dreke kur erdhi Demokracia, dhe zhurma më fortë e dëgjuar deri më atëhere ishin rreshkitjet si nepërkë, në asfalt të gomave të biçikletave kineze, dhe kercitjet e degëve te manit kur binin mbi policat e rajonit 4, tani po ndahej….seriozisht…parimisht… ne demokratë dhe komunistë. Lufta e ftohtë qëndronte si hije mes çunave të parafabrikateve, me atyre të sh'pive përdhese. Çunat e sh'pive përdhese ishin si të krishterët që e dinin sapo u kryqëzua Krishti, që ishin të krishterë, megjithëse kishin qenë çifutë deri një ditë më parë. Vetëm egjyptianët, 11 fëmijët e Karremit jepnin e merrnin mes palëve që kërcënoheshin se kishin dhe bombën e madhe. Ate të Hitlerit, po që nuk e shpiku dot ne kohë. Egjyptianet koshientë për lidhjen e gjakut të Qorrit me Makbethin ndiheshin në faj të deklaronin votën Pro-Kushtetutës. “Mehmeti qe duke na çfarros me gjithe gërrneta” - thoshte mendueshem Karremi. Sala nuk ish' prononcu akoma, por kish lënë të kuptohej se me komunistët Sudja nga xhinsi i tyre s’e kishte të gjatë.

Ato ditë, llogaritë duheshin ndarë në njerëz qe e donin ne burg Qorrin nacional, dhe ata që s'duronin dot Doktorin e egër, (por në heshtje, të gjithë kishin frike mos mbyllej Sudja). Dihet që ata që të kanë në dorë veprojnë pa pritur e pandehur. Ja shih Adamin psh. Për një mollë e hëngri, më thosh një profesor biologjie, i konvertuar papritur në të Jehovait.

Tani shembujt merren të gjithë nga e përditshmja në shkollë - i thashe - dhe u shtyva ne turmë.

Pamja ime prej metalari plot hekura në qafë më siguroi një vend nderi në radhën plot të moshuar. Asnjë nuk fliste, se më shpallën aty për aty me Partinë Demokratike. E ke lexuar kushtetutën më pyeti një pensionist aty ngjitur, per t'ma futur. Pyetje kot - pse komunist jam unë, si ty? - iu pergjigja serbes serbes.

Une jam Ceni, komunist, po kushtetutën tuaj e kam lexuar. Mbeta si peshk. Do votoj kundër i thashë për ta marrë me të mirë. Ik lexoje - më tha, - se ke kohe, dhe pastaj hajde. U skuqa, dhe çava mes turmës që sa vinte dhe unifikohej. Ky do radhën time - thashe gati me zë.

Dikush nga brenda kishte vendosur të vononte te tjerët dhe kjo solli irritim te madh. Sa më shumë na pengoni, aq më shumë jemi të vendosur. U shtymë heroikisht nëpër shkallë, për të fituar qoftë dhe një metër. Nuk është parë e dëgjuar në asnjë vend të botës të shtyhesh për të votuar. E sata herë është që voton, e para? Je emocionuar? Jo, akoma. Kur arrij tek dera, ajo më mbyllet në fytyrë, po nuk trembem. Në fakt as nuk kam nga kthehem. Ngjitur kam një tip që bën be, që në emër te demokracisë kishte votuar dhe në dy vende të tjera… ku dhe kish rrahur paq dy pensionista. Dukeshin xhajët e dreqit që do votonin për këlyshët e kuq. Hapa sytë i çuditur, po ai e mori si aprovim. Do ti gjej dhe këtu ku janë, ti jap nja dy shpulla. S'fola. Me siguri me kish bërë pjesë të skuadrës së tij largpamëse. Isha i shpëtuar dhe për ca kohë. Pas përpjekjesh titanike, duke shtyrë pleq komunista u gjendëm brenda godinës. U bezdisa, asnjë lloj lirshmërie shtesë, brenda godinës. Në rremujë mungonin vetëm turistet japonezë që sigurisht po të ishin, do ishin duke bërë foto. Për fat atë kohë çdo shkolle ju thye çdo xham, kësisoj vapa dhe era e djersës ndihej pak me butë. Katër komunitete të ndryshme po shtyheshin si një vektor i vetëm. Ish-shitëset e bulmetit, dhe ato të sapunit, tanimë tregtarë me veshje perëndimore, po zvarriteshin bashkë me ne popullin e thjeshtë. S’i besova syve kur një i njohuri im, i fortë i lagjes (Zhora që njihej si vetmi që paguante me lekë në dorë në palestrën që ta bënte dhe dushin aty) ishte në siklet se pistoleta me një mbushje, nga ato qe prodhoheshin me dorë në Shkodër, mund ti binte në toke dhe duhet ti linte lamtumiren pastaj. Per demokracinë kjo ishte minimumi, kaq e dimë të gjithë. Pas rënies radio-televizive të komunizmit këto ishin votimet e para, dhe sigurisht mërzia prej pritjes kaq të gjatë kish bërë te veten. Grupet në heshtje donin të tregonin forcë. Tregtarët e qofteve, që me trimëri të rrallë therën çdo qen tirone, e grisën çdo libër të Dullës, thuhej se ishin finacuesit e vërtetë që Sala të fitonte. Ata ia kishin parë hajrin kapitalizmit. Po unë, çun ish-oficeri pa pension pse shtyhesha? Le të fitonte kush të donte. Po mendimi më erdhi kur isha perballë me tavolinën ku jepeshin fletët. U drodha. Nxora çertifikatën, pa u ndier. Jepi tre vota - thirri pas meje njeriu që po vinte rregull te pensionistët - është i joni. Çim Çadra bëri shenjë pohimi. U çudita, sesi nga një, u bëra tre. Ky fat pa paralajmërim me bëri të përmendesha. Une s’e kam lexuar kushteuten i thashë gruas që po me besonte 3 herë. Ska gjë, as unë. mjaft të jesh i joni.

Se di pse, nuk kam votuar më që nga ai çast… Apo ndoshta dhe kam votuar dhe kam zor ta kujtoj… Pak nga pak, më ngatërrohet memorja, se më dalin gjithmonë ata dreq japonezësh përpara, me aparate fotografikë të komplikuar…

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).