Më kish zënë shqipja keq

Korrespondenca e Fan Nolit me afro 330 letra jep dorë për një vështrim më njerëzor të atdhetarit, peshkopit dhe intelektualit laik. Nga vetëbesimi i viteve të para i ndikuar prej Niçes, tek dietat me pilaf kikirikësh që i rrëfen Bernard Shoë-t. Në 44-vjetorin e vdekjes, një lexim të epistolarit me studiuesin Nasho Jorgaqi

Ka ngazëllime nga çaste leximi që i zbulojnë personazhet autoritarë me përmasën e tyre njerëzore. Sepse vetiu njeriu (lexuesi) është i shtyrë të gjejë pak solidaritet.

Në letra, kjo përmasë njerëzore nuk mund t'i fshihet lexuesit i cili bëhet edhe njëfarë letërmarrësi në një marrëdhënie ku fictioni mendohet të jetë i përjashtuar.

Më 1947 një figurë e himnizuar siç vazhdon të jetë Fan Noli, i shkruan këtë letër gazmore prej fëmije 66-vjeçar, dramaturgut G. B. Shoë:

"Patriarku im i dashur,

Së pari, më lejo të shpjegoj titullin që po të jap. Ti je patriark në paraqitje me mjekrën e nderuar dhe je më tepër i tillë në shpirt, në kulturë dhe arritje.

Deri vonë e kam konsideruar "Shën Joanin", veprën tënde më të mirë. Tani kam ndruar mendje meqë mendoj se kryevepra jote më e madhe është letra që më shkruaje.

A nuk mendon se i detyrohesh njerëzimit që të më lejosh ta botoj? E pranoj se motivet e mia janë egoiste sepse letra jote do të më ndihmojë të shes disa kopje të librit.

Pa dyshim ti e di se amerikanët tanë janë nga ana kulturore aq poshtë sa edhe anglezët dhe përsa i përket muzikës akoma më poshtë. Kështu meqënëse praktikisht nuk ka treg për këtë lloj lënde, mua më duhet të paguaj për botimin e tij.

Në shpërblim të këtij favori, unë do të lutem për ty ditë e natë - na fakt kam filluar të lutem. Të djelën e parë pasi mora letrën tënde bëra një predikim për ty.

Teksti ishte: George Bernard Shoë - kryqtari i madh kristian. Përsëri edhe kjo ishte egoiste. Djemtë dhe vajzat në kishën time të Bostonit duhet ta mësojnë kush je ti dhe të blenë librin tim që e keni bekuar ju.

Predikimi do të përsëritet në kishën time të Nju Jorkut dhe në një formë pëfundimtare edhe në Filadelfia ose Detroit. Kjo është mënyra se si veproj me predikimet e suksesshme. Mund të të dërgoj një kopje nëse e gjykoj të vlefshme për ty.

Çfarë ha ti që je aq i mprehtë? Sepse unë për vete jam vegjetarian, po s'të arrij dot. Në se ke ndonjë recetë sekrete, të lutem ma dërgo. Të premtoj se nuk do të tregohem egoist dhe do t'ja jap recetën edhe besimtarëve të mi.

Me shumë falenderime për letrën tënde të mirë dhe urimet më të mira për Vitin e ri e të tjerë më pas.

Mbetem
Yti me Krishtin
Peshkop F. S. Noli"

Pak muaj më vonë, Noli i shkruan hollësisht dramaturgut të shquar për dietën e tij me fruta të freskëta dhe zarzavate të gjalla, për eliminimin e bukës dhe zëvendësimin e saj me oriz, grurë, misër të zjerë ose patate të pjekura dhe për gjellën e preferuar - pilaf kikirikësh.

Janë me dhjetëra letrat njerëzore si këto të Fan Nolit (1882-1965), pjesë e serisë së fundit të korpusit prej gjashtë vëllimesh.

Letërkëmbimi, edhe ky i përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi, sot, në përvjetorin e 44 të vdekjes (13 mars 1965) të një prej figurave më të rëndësishme të shek. XX të historisë dhe kulturës shqiptare, përmban të rejat më pak të komentuara në krahasim me veprën e tërë.

Janë 339 letra të shkruara në vitet 1906-1965, dërguar dhe marrë nga katër kontinente. Nga këto, 1/3 janë të pabotuara.

Por sipas të dhënave që prof. Jorgaqi ka nga Kisha e Bostonit e cila administron trashëgiminë e Nolit, ruhen tek kjo kishë mbi 12 mijë letra. Studiuesi për njëzet vjet i veprës së Nolit, thotë se vetëm letërkëmbimi i diktatorit mund t'ia kalojë në numër, por shton se mbetet epistolari më i pasur i botuar deri më sot.

Jorgaqi ia sheh pasurinë kësaj korrespondence si tek momentet historike për të cilat letrat marrin vlerën e një burimi apo dokumenti historik, por sidomos tek vitaliteti biografik, i pajisur me rrëfime personale e cila reflekton dije për kulturën e njerëzimit, reflekton gjendje shpirtërore të intelektualit ndërmjet qiejve dhe humnerave.

Këtë marrëdhënie epistolare me botën, studiuesi ia quan mjet dhe armë.

"Duke qenë shkrimtar, publicist dhe duke patur pozita drejtuese në lëvizjen kombëtare po edhe në mërgimin politik, i është diktuar kjo formë komunikimi dhe lidhjeje." Për nga stili, Jorgaqi është i mendimit se faqet më të mira të korrespondencës janë letërsi dhe "që të kujtojnë letrat e Floberit".

Nuk është vetëm përmbajtja ajo që i bën me vlerë të veçantë. "Duke ndjekur stilin anglosakson, ai di të ekonomizojë fjalën.

Aty është i huaj proliksiteti, deskripsioni dhe ka një sens mase të lavdërueshëm. Kanë nëntekst dhe njëherësh thjeshtësi sugjestive, zbavitëse, komunikuese, nuk ka arratisje filozofike.

Ajo që e bën Nolin të kapshëm është qartësia gati kristaline. Në korrespondencën 60-vjeçare, deri disa ditë para se të vdiste, gjen letra që mund të bëjnë jetë në vetvete si vepra letrare që përshkruajnë ngjarje historike, që tregojnë psikologjinë e tij."

Nisur nga kjo lloj vetvete që ai shfaq, studiuesi veçon sidomos letrat që i ka dërguar Milto Gurrës ku në çaste dëshpërimi bën një bilanc të jetës. Këto janë letra të rrudhura, të shkurtra. Ndërsa kur është i gëzuar është lakonik. Në letrat e tij më të mira ai di të shfaqet i përmbajtur dhe racional.

Sigurisht që është një anë që s'ka të bëjë me letrat e hershme dërguar Thanas Tashkos ku gjejmë një Fan Stilian Noli "të hapur, që nuk e censuron veten. Ka një vetëbesim, e quan veten shqiponjë, i ndikuar nga Niçja, ka një vetëvlerësim pa asnjë lloj kompleksi".

Ja një letër që ilustron vëshgimin e mësipërm:

"Politika është një gjë e panjohur përmi shqiptarët. Po me "ashtu s'dua" s'bëjmë gjëkafshë. "Zbutni ca pak bre derra!" Të tërë duan të duken trima për marrëzirat e tyre. Po unë, ju them, që vetëm unë marr vesh nga këto punëra. "Unë jam Shqipëria". "Cosi parlava Zaratustra".

"Po, më ka lezet gjuha, bre, kur bëhem mukajet dhe flas. Dhe herë-herë më vjen ashtu ta puth vetëhenë.

Dhe sa më pëlqen kur hap muhabet me shpirtin tim dhe me shqiponjë mendjen time, se më ka ënda të kuvendonj me njerës të mençim."

Por duke bërë dallimin nga gjuha e pamëshirshme e Faik Konicës kur prek marrëdhëniet e shqiptarisë dhe të shqiptarëve me punët e kombit , prof. Jorgaqi kategorikisht pa mëdyshje thotë se gjuha e Nolit edhe në këto letra është e njeriut që e do marrëzisht Shqipërinë, që e lidhi fatin me një vend që s'kishte as pavarësi, as shtet, as kulturë.

Dhe pse? "Më kish zënë shqipja keq!", citon ai.

"Lidhjen shpirtërore që Noli që ka pasur me vendin e vet e kam kuptuar kur kam takuar bashkëfshatarët e tij. Gjuha e epistolarit të tij është gjuha e komunitetit shqiptar në një vend të humbur siç qe Traka. Aty ndjehet muzika e shqipes".

Shtoi lidhjeve të kësaj natyre me Shqipërinë, edhe etikën, dhe ja ku dalim tek ai që prof. Jorgaqi e quan "antipodi i Konicës". "Noli i donte njerëzit dhe kjo del sheshazi në epistolar."

Vepra në fjalë - për kuriozitetin e lexuesit përmendim se përmban edhe mjaft letra dërguar Enver Hoxhës, letra panegjirike dhe më vonë letra kundër regjimit - nuk jep megjithatë marrëdhëniet e Nolit me gratë.

Asnjë letër dërguar ndonjë gruaje apo anasjelltas. Për themeluesin e kishës autoqefale në gjuhën shqipe, për kryeministrin jetëshkurtër dhe për peshkopin që kryesoi delegacionin për futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, kjo është pjesa më e panjohur.

Do të thotë se ka terren për të kërkuar. Ekzistojnë në arkivin e tij në Boston letrat e një "flokëkuqeje" në vitet 1930-1939 dhe histori të tjera për të cilat nëse dalin në dritë, prof.

Jorgaqi thotë se do ta bëjnë të duket shumë retorike ajo që pat thënë: "Jam martuar me Shqipërinë."

Marre nga Shekulli

3 Komente

Av, e lexova te Shekulli kete artikull dje, dhe do e postoja te ppu, por me nevrikosi "pak" titulli, ndaj e lashe.  Rrofsh per prurjes, sidomos me kete titull, vs Letra jo dhe aq patriotike.

 Ne fakt, te gjith njerzit (figurat) qe jane marre me politik, ekonomi, me studimin e ngjarjeve,  mendimet me te shkelqyera dhe pasionante per fushen e studimit, i kane shkruar ne Letra derguar kolegeve, drejtuesve te organizatave, partive, shteteve te ndryshme, se sa ne libra qe kane shkruar. Keshtu qe besoj se dhe ne Letrat e Nolit, duhet te kete mendime te vyera dhe te çiltera.

 ""Politika është një gjë e panjohur përmi shqiptarët. Po me "ashtu s'dua" s'bëjmë gjëkafshë. "Zbutni ca pak bre derra!" Të tërë duan të duken trima për marrëzirat e tyre. Po unë, ju them, që vetëm unë marr vesh nga këto punëra. "Unë jam Shqipëria". "Cosi parlava Zaratustra". 

"Po, më ka lezet gjuha, bre, kur bëhem mukajet dhe flas. Dhe herë-herë më vjen ashtu ta puth vetëhenë. 

Dhe sa më pëlqen kur hap muhabet me shpirtin tim dhe me shqiponjë mendjen time, se më ka ënda të kuvendonj me njerës të mençim."
Më kish zënë shqipja keq!
 

Jam martuar me Shqipërinë."

Noli per pershtatesit(shqiperuesit, perkthyesit) eshte i paarritshem...lexoni "Rubairat" ne gjuhe te ndryshme dhe krahasojeni me pershtatjen qe i ka bere ne shqip...Omar Khayyami te shkon mendja se e ka shkruar ne shqip ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).