Me “Fshesën” e “tolerancës zero”...

Me “Fshesën” e “tolerancës zero”...
Ardi Stefa
Kthesa negative e grekëve kundër emigrantëve, ashtu siç u konstatua nga sondazhi i Public Issue, na bën që të jemi melankolikë dhe të kemi në vetvete mendime jo edhe fort optimiste. Shifrat gjithmone kanë qenë me anën e të ashtuquajturve ideologë të racës së pastër. Edhe në periudhat “asnjanëse”, po qe se supozojmë se ka të tilla, sondazhet greke ose edhe ndërkombëtare, zbulojnë se poshtë retorikës së “Mikpritjes së famshme greke” gjithmonë fshihej pakënaqësia, frika, agresiviteti, injorimi, kundërshtimi, kundrejt të huajve. Me një fjalë, poshtë retorikës së mikpritjes, fshihej ksenofobia e racizmi...
Në vitin 2005 po në një sondazh ndërkombëtar, Greqia renditej e para në Europë, përsa i përket përqindjes së banorëve të saj (84.73%) që i konsideronin të huajt si një rrezik social...
Dhe mos harroni, se në atë periudhë, partia e Karyxhaferrit nuk ushtronte ende hegjemoninë e saj ideologjike, ashtu siç po e ushtron këto muajt e fundit, kur ka kapur peng gjithë politikën greke dhe i ka ngritur çështjet e emigracionit, qoftë klandestin, qoftë të ligjshëm, në krye të axhendës politike qeveritare dhe të opozitës së majtë.
Megjithatë, si Karaxhaferri, ashtu edhe forcat më obskurantiste të Klerit, kultivonin klimën ksenofobike e raciste, nën pretekstin e “Greqisë së pastër e të Greqisë greke!”...
Dhe mesazhin e Karaxhaferrit, për fat të keq e kuptuan së prapthi si Demokracia e Re në pushtet, ashtu edhe PASOK-u i të moderuarit, J. Papandreu.
Rezultatet e zgjedhjeve për në Parlamentin Europian, si kryeministri Karamanlis, ashtu edhe J. Papandreu, i kuptuan si një linjë që duhet të ndiqnin, duke u adaptuar me linjën e Karaxhaferrit, për të mos humbur elektorat.
Dhe linja politike e Karaxhaferrit, i detyroi dy liderët kryesorë të jetës politike greke që të deklaronin se ndaj emigracionit klandestin do të ndiqej politika e “tolerancës zero”!...
Supozohet, se termi “Tolerancë zero” i përdorur nga dy liderët e moderuar ka të bëjë ekskluzivisht me emigrantët klansdestinë. Por në Greqinë “mikpritëse”, edhe i ligjshmi shumë kollaj mund të konsiderohet nga një nëpunës shtetëror si i paligjshëm dhe të deportohet!...
Paguan e paguan me mijëra e mijëra euro për të qenë i legalizuar, paravola, ensima, përkthime e legalizime dokumentash, por legalizimi i emigrantëve varet nga oreksi, apo edhe ideologjia e ndonjë burokrati...
Ose edhe tjetra, kur me operacionet “Fshesa”, kaq të shumta këto javët e fundit, kur policia grumbullon e “fshin”, kaq “mbeturina njerëzore”!
Përsëri pengje të ideologjisë së Karaxheferrit dhe të mitropolitit Anthimos...
Natyrisht, shoqëria fshin e pastron ato mbeturina që nuk i shërbejnë dhe i prishin estetikën...
Por nuk është forcë dhe as krenari, as edhe kulturë, as edhe “mikpritje legjendare” t’i grisësh dokumentat një fakir fukarai nga Afganistani, apo Pakistani, apo Afrika...
Dhe pastaj fakir fukarai të pushojë së ekzistuari, pa dokumenta, pa idenditet, pa emër, pa punë..., pa, pa... pa atdhe..., pa të ardhme...
Sikundër nuk është as krenari për Greqinë “mikpritëse” që fëmijtë e emigrantëve, fëmijtë e lindur, të rritur e të shkolluar këtu, fëmijtë që nuk njohin atdhe tjetër veç Greqisë, t’i lerë pa nënshtetësi, të palegalizuar, pa të drejta të barabarta si me vandasit...
Flijohen të drejta themelore demokratike në “Ideologjinë” e frikës kundrejt emigrantëve që “kërcënojnë” vendasit...
Dhe shumica e grekëve nuk dëshirojnë të shohin se shkaqet që i detyrojnë emigrantët të largohen nga vatrat e tyre po nuk u përballuan edhe me mirëkuptimin dhe tolerancën e vendasve, muret që ngrihen me “Fshesën” dhe ksen ofobinë e Karaxheferrit nuk do t’i mbrojnë...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).