Mbi turizmin mediatik

Se çfarë ndikimi do kenë në Shqipëri zgjedhjet amerikane, këtë është herët ta thuash, ndonëse s’duhet diplomë Harvardi për të kuptuar se rrota e historisë botërore mund të marrë një kthesë te re nga data e sotme – varësisht se kush merr çelësat në zyrën ovale. Por ja që ne në Shqipëri – një vend i varfër, pa ndikim, i vogël dhe pothuajse i parëndësishëm për nga kualiteti i gazetarisë që ofrojmë në tregun global – po zhvillojmë së fundi edhe një nga paradat më donkishoteske që mund të ketë parë historia kryesisht e medias vizive por e ndjekur këmba këmbës edhe nga disa pinjoj të kamur, të llastuar dhe të vetëkënaqur të shtypit të shkruar. Kjo është parada, apo më mirë gjuetia e destinacioneve mediatikisht ekzotike. Ka një garë të ethshme deri në migrenë për të imituar gjithçka që bëjnë mediat e mëdha, ato, artileritë e rënda, byrotë mediatike ku punon Kristianë Amanpuri apo Timoti Garton Eshi. Shqipëria mund të mos ketë mbase CNN apo BBC por ama ka edhe ajo miniaturat e veta të Anderson Kuperit të famshëm të CNN-it apo Alan Xhonstonit korrespondent nga Gaza i BBC-së. Një televizion që ka mendim të mirë për vetveten në Shqipëri, nuk quhet i tillë nëse nuk është në gjendje që pavarësisht kostove marramendëse financiare, të dërgojë njeriun e vet aty ku është syri i ciklonit. Por e gjithë kjo histori nuk është edhe kaq e simplifikuar. Ka edhe ajo ndërlikimet e veta. Syri i ciklonit, vendi i ngjarjes, vëmendja e botës, bën mirë të bjerë në ndonjë shtet me tingëllimë moderne, ndonjë qytet i kualifikueshëm për të dërguar atje jo gazetarin e thjeshtë, atë që gris këpucët nëpër konferenca shtypi në Tiranë apo në ndonjë zonë të humbur elektorale kur ka zgjedhje në Shqipëri. Jo. Destinacioni i turizmit mediatik është zakonisht Amerika, ose Franca ose Brukseli, ose Old Trafordi ose Grand Prix of Formula 1. Turisti mediatik është zakonisht kryeredaktori ose vetë drejtori që shndërrohet në ekspert të gjithçkaje. Dhe ja ku mbërritëm si pa e kuptuar nga shkolla e “analizmit” të Bar Westit të vjetër tek ish-Blloku, direkt e në raportimin live, via satellite nga gjellëtorja përbri hotel Uotërgejtit. Sepse, ti s’futesh tek kasta e zgjedhur nëse ti si minimum s’po interviston ndonjë shofer taksie tek lulishtja 500 metra larg Shtëpisë së Bardhë në të njëjtën kohë kronometrikisht ekzakte kur edhe Kristianë Amanpuri po interviston brenda vetë Zyrës Ovale vetë Obamën të cilin fshehtaz, gjithkush nga “korrespondentët e luksit” ëndërron ta çarmatosë një ditë prej ditësh gjatë intervistimit me kundërmimin e vet të parfumit, me orën firmato apo qoftë edhe me aksentin e shkujdesur të anglishtes. Për të justifikuar pastaj gjithë këtë kotni euforike pa bereqet, mbërrijnë edhe ato gjysmë-raportime gjysmë-analizat të cilat nëse ka ndonjë shqiptar që ka interes për zgjedhjet amerikane, hiç s’ka pse lodh kokën me klonet shqiptare, por i ndjek nga vetë origjinali CNN apo FOX news. E gjithë kjo përndjekje informative alla filmat western, më kujtoi mua kohën kur duke jetuar në Shtetet e Bashkuara gjendesha shpesh viktimë i hiper-mbulimit mediatik, super-raportimit të çdo hollësie, nga çdo kënd, të çdo detaji të çdo ngjarjeje që ty mund të të rrente mendja se s’kishte ndonjë ndikim për jetën tënde. Por teksa i mbijetoja heroikisht bombardimit që të ofronte bollëku i ultra-kualifikuar mediatik që udhëheq sot botën moderne të shtypit, mbërrinte pas pak edhe ideja qetësuese se kjo ishte Amerika, vendi i madh, konkurrenca e fortë, potenciali global ekonomik, intelektual dhe ushtarak, ndikimi në fatet e botës. Një babëzi e tillë mediatike, tok me faturën e vet financiare, e kish sigurisht edhe një arsye. Zakonisht njerëzit që dalin në televizor nuk para shohin televizor ngaqë televizori janë vetë ata. Por në Shqipëri televizorët shohin televizora dhe jo vetëm i shohin, por nëse televizori që shohin kap ndonjë stacion amerikan, italian, francez a britanik, ata nisin e reflektojnë pamjen që shohin. Ky s’është ndonjë malinjizim i punës vërtet simpatike që bëjnë shumë kolegë që sjellin për publikun shqiptar formate të suksesshme të provuara në mediat ndërkombëtare. Por kjo është një parodi për gjithë atë zell të pajustifikuar, absurd dhe deridiku hipokrit për të imituar rrjetet ndërkombëtare me një papagallizëm që është kokë e këmbë dhe kurrgjë tjetër veçse, qesharak.

Gazeta "Korrieri", 6 Nentor 2008

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).