Mbi ndarjen e së majtës

Ka kaq kohë që ndjekim ndarjen e së majtës në PS dhe LSI nëpërmjet kronikave, deklaratave të ndryshme për njëra jetrën, transferimeve kohët e fundit nga LSI te PS të militantëve apo grupeve të militantëve të caktuar, apo edhe kalimeve në LSI të ndonjë socialisti të njohur të djeshëm. Në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit i pamë të demonstrojnë kundër qeverisë të ndarë në dy sheshe të ndryshme në orë e forma të ndryshme. Por ndërkaq, kam përshtypjen se ka pak përpjekje nga këto parti (por edhe nga shtypi) për të bërë transparencë të plotë mbi këtë ndarje gjë kjo tejet e nevojshme pasi partitë, si instrumente të ndryshimit të realiteteve, lipset të bëjnë transparencë per çfarë ndryshimesh premtojnë të përçojnë në vend, lidhur ngushtë këto edhe me interesat e shtresave të ndryshme të elektoratit shqiptar.
Përgjithësisht e majta në Evropën Perëndimore në periudhën e sotme karakterizohet nga ndarjet. Shkaqet kryesore të këtyre ndarjeve lidhen, më së shumti, me qëndrime të ndryshme ndaj sistemit neoliberilist, veçanërisht triumfues pas ndryshimeve të viteve ‘90. E majta është ndarë përgjithësisht në një të majtë të moderuar që e ka pranuar sistemin dhe kërkon brenda tij të bëjë kujdestarin më të mirë të interesave të elektoratit më të brishtë, por duke shkuar gjithsesi drejt qendrës dhe në parti të majta me qëndrime më radikale që kërkojnë ndryshime më radikale në emër të ëndrrës së vjetër socialiste dhe vlerave të saj të barazisë, solidaritetit etj. Tema të reja, po ashtu, kanë ndarë të majtën perëndimore më radikale nga ajo e qendrës siç janë ato të qëndrimit ndaj emigrantëve, të bioetikës, të ambjentit, etj. Po ashtu akuza që i bëhet më së shpeshti partive të mëdha të qendrës së majtës perëndimore nga ato më radikalet, kur synohet të shpjegohen humbjet e saj përballë të djathtës, është se ato synojnë të bëjnë politika të djathta duke zhgënjyer elektoratin bazë si dhe duke bërë që elektorati në përgjithësi të preferojë origjinalin (e djathtë) më mirë sesa kopjen.
Asgjë e tillë nuk mund të thuhet për ndarjet në të majtën tonë duke përfshirë të gjitha partitë e ashtuquajtura të majta. Jo vetëm nuk gjen ndonjë dallim përsa i përket atij që mund ta quajmë vizioni për botën, sipas të cilit ato do të duhet të synonin të plazmonin edhe Shqipërinë, por ndoshta, pikërisht edhe për këtë, vështirë të gjesh ndonjë ndryshim midis këtyre dy partive në disa çështje që, sipas meje, janë çështje themelore që kërkojnë politika ndryshe nga ato që po ndjek qeveria e sotme e djathtë Le të përpiqem të rendis disa prej këtyre çështjeve.

Nuk dëgjon të jenë pjesë e dabateve midis dy të majtave tona problemet e polarizimit të shoqërisë midis një grushti të pasurish dhe masës së varfër, midis padronëve të rinj me të ardhme të siguruar dhe pjesë tjetër që jeton në varfëri e pasiguri. Janë debate që lidhen me sigurinë e jetës dhe të punës, me nevojën e sindikatave, me politikat sociale, me plitikat e rishpërndarjes së parasë etj., etj..
Nuk janë objekt debatesh problemet e ambjentit po ashtu. Thuajse asnjë zë nuk dëgjohet për projektet monstruoze që qeveria Berisha ka për ta kthyer Shqipërinë në një vend të kolonizuar nga të huajt, terren ku ata të vendosin industritë e tyre energjitike që nuk ua lejojnë popullsitë vendase në vendin e tyre. Asgjë për Petroliferën në Vlorë, për monstruozitetin eolik në Karaburun, për termocentralin me qymyr në Durrës si pjesë të një projekti gjigant që, po u realizua i tëri, do të thotë shkatërrim jo vetëm i së ardhmes së cilësisë së jetës në këto zona, por edhe shkatërrime në Devoll, Vjosë. Drin etj etj.. Asgjë nuk thuhet për kushtet e kontratave të këtyre projekteve që janë një nënshtrim total tek të huajt. Thuajse asgjë fare për gjashtë fabrikat e çimentos në zonën Durrës Lezhë.
Asnjë ndryshim nuk gjen midis PS dhe LSI në qëndrimet për diktaturën enveriste dhe viktimat e saj. Dënohet me terma të përgjithshme diktatura, por, kur vjen puna për të nderuar viktimat e saj, për të riabilituar, për të dëmshpërblyer ish të persekutuarit, për të dënuar ish persekutorët, për të rishkruar historinë e asaj kohe, për të hapur muzeume etj. mbretëron heshtja dhe mosdallimi midis dy të majtave tona.
Asgjë të ndryshme nuk gjen për sistemin mediatik që në vend se pushtet i katërt është shndërruar në rrip transmisioni i pushteteve të partive kryesore. Asgjë, po ashtu, për kulturën surrogate berluskoniane që përhapin mediat tona.
Asnjë ndryshim për sistemin arsimor privat dhe publik, madje që të dyja, ndonëse të majta, mburrin privaten në dëm të publikes.
E njëta gjë për sistemin shëndetsor publik dhe privat.
Asgjë të ndryshme në qëndrimet për krizën që po kalon vendi në kuadrin e krizës botërore, për politikat e gabuara në industrinë e ndërtimit etj.
Asnjë ndryshim për luftën dhe paqen, për Irakun, për luftën në Afganisatan paçka se në SHBA Obama po paralajmëron erë tjetër. Të gjithë njëlloj të lumtur për hyrjen në NATO që ka zëvendësuar, në fakt, demagogjinë e pjesëmarrjes së lumtur në Kampin Socialist dhe Traktatin e Varshavës.
Për këto çështje e shumë të tjera as që bëhet fjalë për programe alternative ndaj qëndrimeve të qeverisë apo ndaj të majtës tjetër. Edhe nëse ekzistojnë ndryshime diku në ndonjë sirtar dhe janë thënë ndonjëherë në ndonjë media ato nuk godasin trurin e zgjedhësit, siç mendoj se do të duhej ta godisnin, përditë, për të përcaktuar edhe identitetin ndryshe të njërës së majtë nga tjetra.
Ajo që bije në sy në raportin midis këtyre dy partive është një përpjekje e PS, si partia më e madhe (mund ta quajmë edhe partia mëmë), për kthimin në shtëpi të djemve plangprishës duke e reduktuar ndarjen në shkaqe meskine të përmbledhura në fjalën “mllef” të Ilir Metës së LSI, kundër Edi Ramës së PS. Kjo kombinohet me akuzën se LSI po bashkëpunon me Berishën duke i marrë vota të majtës. Gjithsesi kemi të bëjmë me një armiqësi apo urrjejtje të përmbajtur nga interesi dhe kalkulimi pragmatist, do të thoja, që synon demonizimin e liderit kryesor dhe rikthimin e gjithë të tjerëve në shtëpi.
LSI, nga ana e saj, akuzën kryesore e ka lidhur me bashkëpunimin e PS me Berishës për arësye se lideri i saj Rama është i kapur nga Berisha si dhe pasi këto dy parti, në bashkëpunim, duan të heqin qafe çdo forcë tjetër politike për të ndarë të qeta pushtetin deri në përjetësi. Gjithsesi ajo që vihet re është se edhe akuzat e LSI përsëri përmblidhen kryesisht në akuza ndaj liderit kryesor të partisë socialiste dhe ambicieve apo interesave të tij personale.
Nëse do të kërkojmë të përfytyrojmë elektoratin të cilit i drejtohen të dy palët kuptohet qartë se lufta bëhet për të tërhequr në krahun e vet sa të jetë e mundur më shumë pjesë të elektoratit të majtë, atij të stabilizuarit, që ka votuar përherë të majtën si dhe të rinj që, më shumë se çdo tjetër, duket se i tërheq drejt këtyre partive origjina familjare, pra vazhdimësia e të njëjtit elektorat. Ajo që dominon është mbi të gjitha përpjekja për ta bindur këtë elektorat se kush është vërtet me Berishën dhe kush jo, kush po bën lojën e tij dhe kush jo. Ky elektorat trajtohet sikur nuk ka asgjë tjetër në kokë përveçse një urrejtje patologjike për Berishën. Është një elektorat që, edhe nëse e quan thjesht dhe vetëm enverist, nuk gabon shumë pasi intuitivisht do të thoja se 90% e tij nuk ka ndonjë mllef për regjimin enverist, përkundrazi, këtë të sotmin e mendon si vazhdimësi e tij përsa i përket pushtetit.
Për pjesën tjetër të shoqërisë duket se nuk shqetësohen shumë. Rama mjaftohet me thirrjen se duhet të bashkohen me PS “përtej të majtës dhe të djathtës”. LSI duket se nuk i drejtohet ose pse e konsideron pjesë stabël të elektoratit të djathtë ose pse ka bindjen se pjesa që përbën elektoratin e lëvizshëm të zhgënjyer nga PD-ja në pushtet, do s’do do, do të votojnë për ta, jo për PS.

Në këtë lojë politike brenda së majtës më e avantazhuara sipas meje është PS. Paaftësia e partive të reja më të vogla për të prodhuar ide të reja për t’iu përgjegjur situatave të reja mban më këmbë dy partitë e mëdha pasi rrënjët e tyre janë më thellë në elektorat. Të dyja i kanë rrënjët kryesisht në dy gjëra. Së pari, i kanë rrënjët në diktaturën komuniste. PS, megjithë makiazhet, është kryesisht parti e persekutorëve kurse PD, edhe pse me ish komunistë të konvertuar në krye, pa antikomunizmin e ish të persekutuarve zor se do të ishte parti masive. Së dyti, të dyja gjatë kohës që kanë qëndruar në pushtet kanë ndërtuar edhe klientelën e tyre, njerëz që luftojnë të vijë njëra parti apo tjetra në pushtet sepse kjo është e lidhur me interesat e tyre të biznesit apo punësimit. Përballë këtyre dy faktorëve partitë e tjera mbeten parti liderësh që i mban në këmbë vullneti dhe karizma e ndonjë lideri dhe klientelizmat shumë më të vogla që mund të krijojnë gjatë kohës së pushtetit fatin e të cilave e kemi parë tashmë me parti si ajo e Cekës, Gjinushit, Mediut, Pollos etj. LSI pa Ilir Metën mund të imagjinohet lehtësisht e shkrirëshme në PS kurse një PS pa Edi Ramën mund të imagjinohet se mbetet në këmbë - madje mund ta thërriste edhe Ilir Metën në krye të një bashkimi. Po ashtu është më e avantazhuar PS-ja sepse kur e gjithë loja politike shndrrohet në luftë për pushtet midis grupimesh të ndryshme, pa asnjë dallim vizionesh dhe shtresash të cilave u drejtohesh, por thjesht me thirrjen për eliminimin e kundërshtarit që është në pushtet, atëhere prirja e elektoratit është të shkojë tek më i forti. Po ashtu LSI ka edhe një disavantazh tjetër. Ajo duket se kërkon të luajë rolin e partisë që lëviz shigjetën e rezultatit majtas apo djathtas me shpresën e një rezultati do t’i lejonte të vinte kushtet e veta. Kjo e bën të mos shpallë koalicione paraelektorale, ndonëse le hapur mundësinë e një koalicioni, paselektoral, me PS. Por kjo na çon në një variant të Dushkut. Sepse, përgjithësisht, partitë serioze koalicionet i përcaktojnë përpara dhe jo pas zgjedhjeve. Nuk mundet LSI t’i flasë tërë kohës elektoratit për armikun Berisha, me të cilin po bashkëpunon armiku Edi Rama, dhe pastaj, pas zgjedhjeve, t’i thotë PS se po nuk u realizuan kërkesat e saj do të bëjë qeveri me Berishën. Argumenti i saj është se ajo kërkon të dijë se sa vota do të marrë një herë pastaj të vendosë, në raport me këto, se çfarë do të bëjë. Por, ndaj këtij argumenti, sipas meje është më i fortë argumenti se LSI, ashtu siç e ka bërë plitikën deri më sot, duhet ose të shpallë një koalicion paraelektoral me PS, me kushte të paracaktuara, ose të deklarojë se, në çdo rast, do të mbetet parti opozitare ndaj dy të mëdhave ndërkohë që një deklaratë e tillë pas shumë gjasash do t’ia mrrudhte elektoratin.
Si përfundim do të thoja se ndarja e së të majtës sonë mbështetet në politika plot bizantinizëm që, sido që të ndodhë, më shumë sesa ndryshime pozitive, do të na ofrojnë vazhdimin e politikës së vjetër të luftës thjeshtë për pushtet midis klaneve më të forta që zotërojnë vendin. (Korrieri, 24 mars 2009)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).