Mbi mitet në Ballkan.

Banues për shumë vite në shtetin fqinj jugor të Shqipërisë, kam patur mundësinë të ndjek debatet rreth identitetit kombëtar të tyre në të gjitha trajtat e medias vizive dhe të shkruar. Pa u thelluar në bindjet kombëtare të grekëve, mitet, ideologjinë mbështetëse, po përqëndrohem në një aspekt tjetër alternativ në përqasjen identitare –pikërisht bloget e shumta në hapësirën kibernetike të Greqisë.

Diçka që dallon me pamjen e parë të tyre është tentativa për revizionizëm të historisë, apo hapësirë më e madhe për parashtrimin e mendimit ndryshe. Paralelisht e njëjta gjë vihet re në Shqipëri me pena të njohura që kërkojnë çmitizimin e shumë miteve të mbartura nga historia.
Ka diçka të ngjashme që më bën përshtypje mes të dy vendeve. Kryesisht revizionizmi apo çmitizimi bëhet prej atyre njerëzve që konsiderohen si elita liberaliste, filoevropiane, apo më mendjehapur e analistëve. Në hapësirën shqiptare tentohet të diversifikohen disa mite apo vlera kombëtare simbol – si psh rasti i Gjergj Kastriotit. Duke ofruar kështu alternativa të ndryshme mbi origjinën e tij, rëndësinë e rolit në histori dhe pozicionimit ideologjik të heroit kombëtar. E njëjta gjë me heronjtë grekë të pavarësisë (shembull për hir të argumentit), analistët blogistë gjysëm zyrtarë flertojnë me identitetin kombëtar të heronjve, me moralin, vendin në histori, virtytet apo mëkatet e tyre.
Besoj se më të goditur prej çmitizimit të heronjve duhet të jenë serbët, nëse marrim parasysh dhe përfundimet e luftës së fundit në Kosovë që nuk ishte gjë tjetër veç luftë me mitet. Mgjse për këta të fundit nuk kam të dhëna dorë e parë që të mund të shprehem me sigurinë të paktën e experiences që më jep leximi i gjendjes së miteve në Greqi apo Shqipëri.

Çfarë po ndodh realisht? Pse ballkanikët u kanë shpallur luftë miteve të tyre? Dhe pse në këtë mënyrë?
Mbetet monumentale shprehja e Çurçill se “Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë”. Përtej klishesë së shprehjes: Ne ballkanasit kemi prodhuar vërtet shumë histori veç tani po e teprojmë në konsumimin e saj. Nuk është e lehtë të tretet çmitizmi i heronjve, përkatësisë kombëtare dhe figurave ndërtuese të tij. Mgjse mbi këtë çmitizim ngrihet për mendimin tim një tjetër çështje. Në thelb ballkanasit janë të pakënaqur në lidhje me gjendjen e tyre sociale, ekonomike dhe shpirtërore. Një formë shprehjeje e kësaj pakënaqësie është dhe shfryrja mbi mitet historike.

Nuk është e vështirë të dallohet diferenca midis mënyrës së jetesës evropiane dhe asaj shqiptare, apo greke. Ndryshimi gjithsesi qëndron se vërtet, këto vlera kulturore në vendet e Evopës janë përftuar nëpërmjet evolimit natyral që normalisht përfshin dhe dhunë historike, por jo dhunë kulturore. Ndërsa në Ballkan ndodh e kundërta. Pothuajse të gjitha proceset historike evoluese janë përshkuar dhe nga dhuna kulturore. Besoj se saktësia e pohimeve të sipërme nuk do vihej në dyshim nëse marrim parasysh historinë e 60 viteve të fundit.
Në përqasjet çmitizuese, analistët refuzojnë të shohin natyralitetin dhe normalitetin e identitetit (kulturor) të përftuar evropian. Ata përgjithësisht dëshirojnë që bashkëkombasit e tyre ballkanas të arrijnë ato vlera në pak vite, kur Evropa ishte përfshirë në proces krijimi vlerash, tradite dhe ndërtimi të tyre. Po asesi thjesht në reklamim, siç ndodh rëndom në Ballkan. Kështu që ky proces i çmitizimit të historisë, nuk mund të jetë natyral. Për më tepër nëse dallojmë karakteristikat e shumicës së popullsisë që u drejtohet. Çmitizimi në një pellg injorance dhe edukimi të pamjaftueshëm të vetmin ndryshim që do prodhonte,do ishte zëvendësimi i miteve të mëparshme me të tjera mite.
Dhe mite të tjera presin pas dere…ato të fanatizmit fetar, të thellimit dallues midis krahinave dhe tribalizmit, akoma dhe përkatësia politike mund të marrë formë mitike. Do duhet të pohoj më tej se jo vetëm që ne nuk kemi fituar imunitet ndaj miteve të tjera alternative, por jemi në një gjendje shumë delikate në përballjen me ta.

Një karakteristikë tjetër që vihet re, është entrovertiteti i gjithë procesit çmitizues. Kryesisht pra, po ndodh një prishje e ndërtimit ideologjik të mëparshëm në vend të zëvendësimit të tij natyral me një ideologji apo mënyrë të menduari më të përshtatshme. Shembuj të ndryshëm historikë nga ky i sotmi ka –Ai i Rilindjes psh ku idetë dhe idealet mbrujteshin duke marrë shkas dhe ndikim, prej ideve të iluministëve evropianë. Edhe vetë idetë komuniste rezultuan të jenë prurje ndikimesh filozofike të socializmit nëpër gjithë Evropën.

Ka një ndryshim mes asaj Evrope dhe Evropës së sotme. Atëherë (në të dyja periudhat e sipërpërmendura) Evropa ideologjike ishte në lëvizje ndërsa kjo e sotmja në stanjacion. Madje për mendimin tim ky është shkaku i introvertizmit çmitizues ballkanas: Evropa nuk ka mundësi të na japë ide të reja dhe për këtë arsye do duhet të gjejmë reflektime te vetja.
Dhe mënyra më e mirë që kemi gjetur për të parë veten, i ngjan asaj gojëdhënës të plakut që qëndronte majë malit dhe ngrohej vetëm duke parë zjarrin në malin përballë.
Po sikur zjarri në malin përballë të shuhet, atëherë çfarë mund të ndodhë? (bëni tentativë për tu përgjigjur vërtet, nëse keni mundësi).

Se cila është mënyra më e mirë për të parë veten, nuk di ta them akoma. Po ky stresim i pamasë kundrejt miteve nuk më duket rruga e duhur. Një alternativë ndryshe, do të ishte si fillim njohja më shumë e vetes dhe e tjetrit. Ndërsa analistët çmitizues, çalojnë pikërisht në këtë pikë. Madje kjo e parë nëpërmjet dy këndeve konfliktualë dhe krejtësisht të kundërt. Si fillim duke rrëzuar vlerat shqiptare dhe nga ana tjetër duke ngritur në qiell vlerat evropiane. Në këtë ekuacion nuk përfshihen vlerat e popullit shqiptar, por dhe problemet me të cilat përballet sot Evropa. Nëse ekziston një diferencë në botkuptim, atëherë duhet gjetur një pikë e përbashkët takimi. Pak a shumë, rol më i nderuar do të ishte ai i përkthyesit. Të një përkthyesi shqiptar, si ky shembull. Detyrimisht një përkthyesi të tillë, do i duhet t’i dijë dhe njohë mirë të dy gjuhët e komunikimit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).