Mbi “Kuotat e Grave” që menaxhohen nga Burrat

Mbi “Kuotat e Grave” që menaxhohen nga Burrat

Arbër Zaimi

Ka disa muaj që kur u miratua prej Parlamentit Shqiptar modeli i “kuotave rozë” (quhen rozë, sepse ndoshta në fantazinë e liderrave të politikës gratë janë rozë. Fatmirësisht unë njoh shumë syresh që janë krejt të kuqe!). Sipas logjikës sime, nisma për të ndihmuar gratë që të jenë më prezente në politikë (në legjislativ e në administratë) është pozitive në frymë, duke marrë parasysh historinë botërore, dhe mënyrën se si janë ndihmuar komunitete të margjinalizuara politikisht të rifitojnë territorin e merituar sa i përket përfaqësimit të tyre. Se që gratë janë të margjinalizuara politikisht këtë e tregon përqindja që zënë ato në parlament, përshembull, rreth 7%. Është e vërtetë se 7% janë më shumë se LSI e se G99 së bashku, po nga ana tjetër gratë meritojnë më shumë, se janë ende komunitet më numerik se sa banorët e Skraparit, apo profesionistët e rinj që punojnë nëpër OJQ e që kanë mastera e doktoratura. Pra unë do të doja që prania e tyre në jetën e përditshme, në të gjitha nivelet, të reflektohej në mënyrë përfaqësuese edhe në parlament. E duke qenë se strukturat politike synojnë të ngurtësohen, modeli i derimëtashëm, i kalcifikuar e i ndryshkur nuk po e lejonte këtë përfaqësim, kështu që njëlloj si gjetiu, le të aplikohen kuotat (kuotat natyrisht që kanë dimensione të kritikueshme, por unë mendoj se përbëjnë një korrektim të sistemit të deformuar, të toleruar nga një kulturë amorfe sidomos sa i përket të drejtave të njeriut).

Mirëpo ditët e fundit, të përfshirë në ethe paraelektorale liderët e partive të mëdha e të vogla, qeveritare e opozitare i ka kapur ankthi i madh. Në forumet drejtuese të partive, e madje deri brenda në kafkën e kryetarëve kumbon pyetja “Ku do t’i gjejmë gratë për të kandiduar?”. Pyetje shumë me vend, duke qenë se duhen gra të bindura, gra që nuk e kthejnë llafin, gra bashkëpunuese, shkurt muhabetit, gra që të mos jenë shumë ndryshe nga paloburrat krah të cilëve do të ulen në parlament. Kanë plasur ofertat sa lart poshtë, e nuk është për t’u habitur nëse listat e parlamenti i ardhshëm do të ngjajë më qesharak se ky i sotmi. Arsyet janë këto. Së pari, listat e partive ndjekin rregullin e përgjithshem të preferencës mashkull – mashkull. Pra kryetarët në përgjithësi vendosin në vend të parë një burrë, në të dytin sërish një burrë, e vetëm në të tretin një grua, sa për të plotësuar kuadrin e ligjit. Kjo minimizon shansin që 30% i kuotave në lista të pasqyrohet në parlament. Së dyti, vetë gratë që kandidojnë në më të shumtën e rasteve vijnë nga eksperienca që pak kanë të bëjnë me politikën, apo me ndonjë angazhim të rëndësishëm qytetar. Kryesisht janë ato që kanë dhënë provat e bindjes së verbër, ose ato të sapokthyerat nga shkollat, të gatshme për të bërë shumë gjëra për të ngjitur shkallët e karrierës (por fatkeqësisht iu mungon koha që të kontribuojnë substancialisht në zhvillimin i çfarëdogjëje). A do të jenë këto vajza në gjendje të përfaqësojnë femrën shqiptare? Po shoqërinë në përgjithësi? Rrethin prej nga vijnë? Dyshoj. Po të ishte kështu, ato do t’i ngjisnin shkallët e politikës jo me katapultë, por një nga një (dhe këtu nuk kam ndërmend ngjitjen e shkallëve duke u bërë konkubinë e burrave të ndryshëm, por kontributin dhe lidershipin e nisur nga komunitete të vogla e kështu me radhë).

Disa ditë më parë, i ftuar në promovimin e “Fjalorit Enciklopedik të Gruas Shqiptare” nga dr. Zenepe Dibra, u gjenda në një ambient disi surprizues. Në një shtëpizë të rregulluar me shije të thjeshtë e komode, diku pranë rrugës së Kavajës ishin mbledhur rreth 40 gra, intelektuale, të moshave të ndryshme, ndërkohë që të vetmit meshkuj prezentë qenë i shoqi i dr. Dibrës, i biri (që na kish ftuar mua e Leartin si kolegë), një violinist, nja dy kameramanë, si dhe unë e Learti. Ishte një qendër e një organizate grash, e me thënë të drejtën, nuk do të kisha shkuar në këtë aktivitet po të mos qe për ftesën e kolegut tim, Blendit. Skepticizmi im nuk kishte të bënte me ndonjë lloj seksizmi, po thjesht me mërzinë që më shkaktojnë promovimet e librave në përgjithësi, këto pritje snob që shpeshherë s’janë gjë tjetër veçse grumbullime analfabetësh të famshëm që pinë ndonjë gotë verë e kthehen nëpër shtëpi me një libër të marrë dhuratë. Libër që fatkeqësisht destinohet të luajë rolin e mobiljes zbukuruese, në rast se përputhet me shijet e arredimit.

Nuk ishte rast i tillë. Njerëzit e pranishëm ishin më së tepërmi të këndshëm. Ishte një rast më tepër për të bindur veten se shprehja “muhabet grash” ngjyrimin sarkastik e ka marrë nga ndoca burra disleksikë. Por edhe më interesant ishte libri. Kjo përpjekje për të hedhur në letër një Enciklopedi të Gruas Shqiptare ishte tepër interesante, në të 760 faqet e saj. Duke u endur mes zërave të shumtë, nga të cilat mbi 300 janë zëra të shkruara rishtaz nga dr. Dibra, pra, nuk ekzistojnë në ndonjë fjalor të mëparshëm enciklopedikë, njeriu ka ç’të mësojë mbi një pjesë substanciale të historisë së kombit të vet, mbi gratë e shquara, që duhet thënë se kanë hedhur hapa tepër të rëndësishëm, për të cilat mund të jenë krenarë jo vetëm ndaj burrave, e ndaj grave të vendeve të tjera, por edhe ndaj vetes (gjë që s’mund të thuhet me siguri për bëmat mashkullore të historisë sonë). Ky libër i mbushur plot me histori artistesh, intelektualesh, mësuesesh, luftëtaresh, aktivistesh, politikanesh, sportistesh etj. i botuar mes vështirësish logjistike, infrastrukturore e ekonomike natyrisht që përbën një burim interesant për kë dëshiron të ketë një horizont më të plotë mbi popullin shqiptar. Natyrisht që ka disa difekte (Enciklopeditë në përgjithësi autorësohen nga ekipe shkencëtarësh, e më pas rishikohen nga të barabartët e tyre, por këto proçese dr. Dibra me keqardhje pohon se nuk ka mundur t’i iniciojë, pasi pamundësitë ekonomike i kanë stepur bashkëpunëtorët e rishikuesit e fushave specifike. Ajo vetë e ka ndërmarrë vullnetarisht këtë iniciativë të vështirë). E megjithatë, për mua mbetet një libër që meriton një vend në raftin e preferuar të bibliotekes time personale.

Shihni se cilat janë disa nga gratë shqiptare që kanë guxuar të thyejnë tabu:

Kushe Micja ka hapur shkollën e parë femërore në Shkodër, në 1862, Sevasti Qiriazi ka hapur shkollën në 1881 në Korçë. Persefoni Treni ishte drejtuesja e parë e një shkolle për vajza, në Pogradec në 1917, Urani Rumbo hapi shkollën e parë femërore në Gjirokastër në 1920, dhe në 1923 bëri kërkesën në konferencat e grave që meshkuj e femra të shkolloheshin së bashku. Hajrie Kraja është mësuesja e parë në një shkollë shtetërore, në Shkodër në 1920. Kanë thyer tabu dhe të gjitha vajzat që u regjistruan në shkollat e para të hapura nga zonjat e lartpërmendura. Ndërsa Polikseni Luarasi është nxënësja e parë e regjistruar në një shkollë djemsh, në Korçë në 7 mars 1887.

Parashqevi Qiriazi ka organizuar shoqatën e parë të gruas, në Korçë në vitin 1909, e së bashku me Sevastinë, kanë botuar të parën revistë për gratë, “Ylli i Mëngjesit” në Boston në 15 janar 1917. Këto motra të famshme hapën dhe të parën shkollë të mesme për femra në Kamëz, Institutin Kiriaz, në vitin 1922. Ikbal Çika ka qenë e para pronare femër (botuese) e revistës ekonomike-letrare “Java”, në 1937.

Motrat Qiriazi kanë qenë krijueset e të parës parti shqiptare femërore, “Partia Politike Shqiptare”, krijuar në Worcester. Presidente e parë qe Sevasti Qiriazi, e para drejtuese e një partie politike që pati aktivitet te dendur për disa vjet. Parashqevi Qiriazi, si e dërguar e kësaj partie dhe përfaqësuese e diasporës së SHBA ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, në 1919-20. Po ashtu kanë thyer tabu të gjitha gratë dhe vajzat që organizuan shoqatat e para femërore, si Motrat Qiriazi (Korçë, Tiranë), Urani Rumbo (Gjirokastër), Shaqe Çoba (Shkodër), Marigo Pozio (Vlorë).

Ka qenë Parashqevi Qiriazi autorja e parë e një abetareje në shqip, ndërkohë që Sevastia autorësoi “Gramatikën Elementare për Shkollat Fillore”.

Natyrisht që kanë thyer tabu të gjitha gratë e vajzat që guxuan të shkruanin e të botonin në shtypin e kohës, si Motrat Qiriazi, Kaliopi Plasari, Afërdita Erbapi, Emine Toptani, Shaqe Çoba, Urani Rumbo, Ikbal Çika, Marigo e Fereniqi Pozio, Musine Kokalari, Selfixhe Broja, Xhemalije Gjylbegu, Luçije Serreqi, Ollga Pëllumbi etj.

Kanë thyer tabu gratë dhe vajzat që hoqën perçet, dhe dolën në parakalime për të kërkuar heqjen e ferexheve në qytete të ndryshme në vitin 1929.

Kanë thyer tabu të gjitha ato që shkuan të shkolloheshin jashtë shtetit, si Kushe Micja, Tome Radoja, Terezë Bërdica, Tina e Nikës së bashku me 11 vajza të Shkodrës e Dukagjinit (shkolluar në kolegjin Stigmatin të Firenzes rreth 1860), Sevasti e Parashqevi Qiriazi (Stamboll, Turqi), Agni Todri (Graz, Austri) Motrat Muzhani e Motrat Deragjati nga Shkodra (Dubrovnik, Kroaci), Kristina Koljaka (Leçe, Itali), Marie Kraja (Vjenë, Austri), Tefta Tashko Koço (Montpellier, Paris, Francë), Jorgjia Truja (Romë, Itali), Xhamfize Frashëri Basha (Boston, SHBA), Androniqi dhe Sofia Zengo (Athinë, Greqi) e shumë të tjera.

E kështu vazhdon kapitulli i tabuve, me artistet e para, ekspozitat e para, garat sportive, aktivizmi politik, lufta antifashiste, përfshirja në regjimin komunist, ose dhe oponenca ndaj këtij regjimi. Krahasimisht me gratë e rajonit, por edhe më gjerë, historia e grave shqiptare nuk ka asgjë mangut. Ndoshta me përjashtimin e këtyre momenteve të fundit. Pse e them këtë?

Kuotat e Grave në politikë, edhe pse i shoh si të nevojshme, madje të domosdoshme i shoh si të keqmenaxhuara. Në rast se këto kuota synojnë vërtet të ndihmojnë gratë që të jenë më të përfaqësuara (siç e meritojnë padyshim) në nivelet e larta të politikës, prej nga do të kenë mundësi që të korrigjojnë një kulturë të tërë maskiliste që zbret në çdo nivel e në çdo detaj të organizimit shoqëror, atëherë përse nuk ua lënë vetë grave që t’i menaxhojnë këto kuota? Përse u dashka që kuotat të menaxhohen sërish nga kryetarët prepotentë, që gjithsesi do të zgjedhin të bindurit e tyre servilë e të gatshëm për t’u abuzuar? Ç’janë këto kuota grash që u menaxhokan nga Berisha, Rama e Meta, në një vend ku gratë kanë treguar që dinë të bëjnë kaq shumë gjëra, e të jenë kaq të guximshme?

25 Komente

Sol, pervec nje korrigjimi te vogel te dates se hapjes te shkolles nga Sevasti Qiriazi, per artikullin s'mjaftojne yjet.  Por duhet t'i ndash me dr. Dibren smiley

lapsus calami, 1881

Monda, te gjithe emrat e ngjarjet besoj eshte e kuptueshme qe i referoj tek libri i dr. Zenepe Dibres smiley

Pesh!

Ne keto artikujt qe flasin per grate s'shkruan asnje(ose shume pak dhe pergjithesisht jane femra), ne ato qe flasin per Salen dhe zgjedhjet u grine kush e kush te jape mendimin i pari dhe ta marrin boten mbare e prapsht qe nga prehistoria e deri me sot.Reagimi i lexuesve te peshkut (perveç femrave)ndaj gjithe ketyre temave eshte pak a shume dhe ai i njerezve ne Shqiperi : E??!!Ehu!!

Pergezime dr. Zenepe Dibres smiley

Sol, te flasesh per problemin e menaxhimit te kuotave nga Berisha, Rama e Meta si problemin kryesor, duket sikur te gjitha te tjerat jane vaj. Ti harrojme per nje moment zgjedhjet e ketij viti, mqn jane shume afer dhe detyrimi i 30% eshte hera e pare qe testohet (e mund te na shohin syte cudira).

Pyetja eshte: Sa e veshtire (apo e lehte) eshte per nje femer, qe deshiron te angazhohet ne politike, te futet ne kete ambient? Dhe nuk e kam fjalen per kandidimin si deputete, po flas per fazen e fillimit fare (nese duam ti bejme gjerat tamam duke ngjitur shkallet nje e nga nje sic e the edhe vete). Cfare mund te behet per te lehtesuar aksesibilitetin ne politike te gjithe atyre (femra e meshkuj) qe deshirojne vertete te angazhohen ne te?

 

 

E goditur kjo Arber.

Pyetja ime eshte pse 30% dhe jo 50%? Gjithesesi, mendoj se kuotat (qe jane te nevojshme) mbeten artificiale. Nese grate kane mbetur tek 7% mendoj se kjo nuk ka qene per shkak te ndonje burrri apo grupi burash qe i kane ndaluar te dera. Mund te jem gabim por me duket mua se grate kane zgjedhur te mos merren me politike per shkak se politika eshte dominuar nga nje fryme se ciles grate kane patur problem t'i rrijne afer. Deri sot politikanet shqiptare (jo te gjithe por shume syresh) jane 'te forte" jane "tipa" - qe ketej bejne ligje, andej shkelin ligje... Edhe grate qe "e kane ngrene" politiken deri tani zoterojne te tilla karakteristika, ose ate bindjen qorre. Por nuk me duket se mund t'ia mveshim fajin tre vetave - kryetare. Dakord, nuk duhet te mbetet ne dore te ketyre se cilat gra zgjidhen per perfaqesi - po cilat gra duhet t'i zgjedhin shoqet? keto 7% qe jane tani do sjellin 23% te tjera si vetja - kjo nuk do ishte kushedi ce si arritje. ka icik me shume pune puna. E prap mua kuotat e perfaqesimit nuk me pelqejne. Kush ka kellqe le te arrije. Se keto grupet qe perfaqesohen ne parlament automatikisht ne baze te perqindjes qe zene ne shoqeri sesi me duken. Po analfabetet a duhet te kene perfaqesuesit e tyre? Po te burgosurit etj etj.. per te dhene ca shembuj vulgare pa dash ta vulgarizoj.

"...me duket mua se grate kane zgjedhur te mos merren me politike per shkak se politika eshte dominuar nga nje fryme e ndyre te ciles grate kane patur problem t'i rrijne afer. Deri sot politikanet shqiptare (jo te gjithe por shume syresh) jane 'te forte", kurvare, rrugecer, tipa qe ketej bejne ligje, andej shkelin ligje..."

 

Ja e gjetem pse femrat nuk merren me politike smiley. Po meshkujt qe deshirojne te merren te jene kaq te papergjegjshem valle? Apo te sigurte se mund ti rezistojne "te keqes"? smiley

I ka bere ca referenca te drejta te shkrimi Soli per c'tipa jane keta qe merren. A nuk themi perdite qe jemi te zhgenjyer nga politika? Nuk jane vetem grate qe i qendrojne larg politikes per ato arsyet qe permenda, por shume njerez te mire. Ajo qe thoashe per grate, sipas mejtimit tim vlen edhe per burrat, por meqe ishim ne temen e grave.

 Nuk jane kuotat qe keqmenaxhohen nga burrat ne fakt, por jane burrat qe keqmenaxhohen nga grate. Burrat jane nen varesine e grave gjithe jeten, po grate s'e perdorin kete ne favor te tyre.Ndoshta shpesh s'e kane idene e pushtetit qe kane .A nuk jane grate ato qe edukojne femijet??  A nuk jane mamate te parat qe bejne diferencimin femer mashkull ne shtepi? Qe nga momenti qe  caktojne disa pune si femerore a nuk ndertojne nje njeri qe mendon qe gruaja duhet te beje punet ne shtepi gjithnje?? E nese kjo grua duhet te beje punet e shtepise, sa kohe i ngelet te merret me zhvillimin e ideve te saj???

 Do doja shume te shikoja sa i afte do ishte nje mashkull, te merrej me femijet, te organizonte gjithshka ne shtepi e ti ngelej koha per te mare pjese ne mbledhjet e partise.Ne kete menyre humbasin ato gra qe kane talent dhe deshire per tu mare me politike, vetem sepse disa paraardhese te tyre u kane ngulitur ne koke qe femije si femrave dhe meshkujve qe detyrat jane te ndara.

Në rast se këto kuota synojnë vërtet të ndihmojnë gratë që të jenë më të përfaqësuara (siç e meritojnë padyshim) në nivelet e larta të politikës, prej nga do të kenë mundësi që të korrigjojnë një kulturë të tërë maskiliste që zbret në çdo nivel e në çdo detaj të organizimit shoqëror, atëherë përse nuk ua lënë vetë grave që t’i menaxhojnë këto kuota?

 

Sepse nuk ekziston struktura e nevojshme per ti zgjedhur; ti po propozon dicka qe eshte praktikisht e pamundur per tu realizuar smiley Ne kete drejtim shkrimi pavaresisht se eshte i drejte bie ne gracken e mungeses se nje zgjidhje me te mire.

Shume i dashuri Ll. per te cilin na ka marre malli!!!

Une nuk shoh asgje te keqe, as te pamundur, nese partite politike do te vendosnin qe kuotat femerore te menaxhoheshin nga vete grate brenda ketyre forcave. Kjo do te ishte me se e drejte, ne pikepamjen time (te kujtoj qe une e kundershtoj qe prej fillimit centralizimin, e perqendrimin e pushtetit ne nje dore te vetme). Shkrimi nuk bie ne gracken qe thua ti nese lexon me kujdes. Ne fakt, nuk bie ne asnje greacke nese lideret e partive vendosin qe grate te jene te perfaqesuara denjesish (pra jo te tretat neper lista), dhe nese kuotat lejohen te menaxhohen nga forumet e grave (se cdo parti o i dashur Llukan, ka nje forum gruaje, me perjashtim te partive te vogla si PSD, PBDNj, PDS, AD, G99 etj.

 

Sa i perket asaj qe thote Blendi, pra a do te kene analfabetet perfaqesine e tyre, nuk mund t'i them Blendit asgje tjeter pervecse po! Analfabetet do ta kene perfaqesine e tyre, e me shume mundesi kjo perfaqesi do te jete prej nje force te cilen Blendi ndoshta e ka qejf. Dua te them qe analfabetet ne pergjithesi ne Shqiperi i perkasin brezit te ri, dhe jane pikerisht ata qe mashtrohen me lehte nga ndonje master apo ndonje retorike qe tingellon e bukur edhe kur eshte bosh.

 

Megjithate, ndoshta eshte vendi per te shpallur nje liste krejtesisht te pavarur, qe do te perbehet nga 50% gra, nje liste qe do te premtoje qenien e vet ne opozite, pavaresisht forces qe do te fitoje. Behet fjale per nje liste te majte, nje liste qe nuk mund te jete me Berishen apo me Polin e Lirise, po natyrisht qe nuk mund te jete me biznesin familjar te Metes, apo me koalicionin pertej gjithckaje qe ka bere Rama. Lista jone do te jete lista e opozites te sigurt e te argumentuar, nje liste qe nuk do te beje kompromis me keta kundershtare te lagur (sic jane aleatet e PS, PD apo LSI).

 

Ne nuk pretendojme pushtetin. Ne pretendojme drejtesine!!!

Arber,

Ti e di me mire se une qe grate qe drejtojne forumet e grave brenda partive jane zgjedhur nga po keta kryetare partie qe ti i gjykon si te paafte/padenje. Rrjedhimisht, keto gra do te kene domosdoshmerisht detyrimin e pare ndaj ketyre kryetareve, dmth s'do te kene asnje shtyse qe te zgjedhin gra te tjera sic i kerkon ti. Gracka mbetet fatkeqsisht sepse s'ka si te jete ndryshe brenda strukturave te tanishme.

Ll.

P.S. Nese s'te bind dot teorikisht atehere hajde rreshtojme emrat e grave qe drejtojne forumet femerore brenda partive, kush i ka zgjedhur, dhe nese mendojme apo jo se do ishin dot te pavarura.

P.S.2 Pse re kaq shpejte te mori malli ty e? Prit ene ca dite te pakten smiley

I perndershem, praktikisht po me thua qe forumet e grave nuk e menaxhokerkan dot kete barre kaq te madhe? Ky eshte paragjykim. Jepjua te drejten qe ta menaxhojne ato kuoten, e do shohesh se si menjehere neper parti grate do te faktorizohen, e do te ndikojne me se tepermi ne zhvillimin e debateve te brendshme (se parti pa debat si keto tonat s'ke c'i do). Gjithashtu nese grate marrin ne dore nje pushtet te tille, pra te menaxhojne kuotat, ato marrin dhe nje arme ne dore per te bere presion ndaj kryetarit, nuk kane per t'iu nenshtruar aq lehte. Shembull analog (deri ne nje fare pike): Mendohej se zezakerve dhe kur t'u jepej pushteti (qytetaria), arsimi e liria ata do te mbeteshin po aq te varur ndaj ish-pronareve te bardhe dashamires...

Je neser per kafe me kananin e me mua?

Sol,

Shembulli s'qendron; udheheqesit e afro-amerikaneve s'i kishin zgjedhur te bardhet por kishin dale ne pah fale perpjekjeve te tyre per te miren e bashkevuajtesve. Kryetaret e forumeve jane zgjedhur nga kryetaret e partive dhe rrjedhimisht do te sillen sic urdherohen. Rrethi eshte vicioz dhe i mbyllur.

Ll.

P.S. Natyrisht qe jam, e leme nga mbasditja?

Ll!

Qe thua ti, prandaj thashe qe eshte shembull analog deri ne nje fare pike. E megjithate duhet te kuptosh qe per sa kohe te bardhet kishin pushtetin, ishin pikerisht disa syresh qe vendosen te arsimojne disa te zinj. Ishin disa prej tyre qe shtruan te paret ceshtjen e te drejtave te zezakeve. Jam dakord qe ne nje moment te caktuar zezaket filluan betejen e tyre per te drejta, po keto kane ndodhur te kombinuara, dhe ne menyre te gershetuar. Sepse perndryshe qarku i mbyllur nuk do te lejonte ndryshimin...

Besoj e kupton qe te drejtat nuk i perkasin vetem nje shtrese, apo vetem nje klase. Keshtu dhe per te drejtat e grave, ato i perkasin si grave te pasura, ashtu dhe me te varfrave. Si intelektualeve, ashtu dhe budallaqeve. Si grave elitare, ashtu dhe atyre popullore. Grate vete nuk jane nje shtrese, apo grup qe te mund te mbarte domethenie politike, ato perbejne nje mase heterogjene. Une nuk mendoj qe ka vend per parti feministe, apo per agenda te tilla. Ama, realiteti eshte realitet, dhe une shoh qe nuk jane te pranishme ne politike. Pse? Mos jane te mangeta menderisht, fizikisht, iu mungon gje deshira apo pasioni? Jo. Dhe guxim kane sa te duash. Iu mungon aksesi! Meqenese ky akses u vendos te jepet nepermjet kuotave, atehere le te menaxhohet nga to, perndryshe nuk eshte kurrfare aksesi. Eshte e vertete, qe jo te gjitha ato qe do te shkojne ne parlament do te jene gra te mira, por kjo pak me intereson. Do jene te partive te ndryshme, do zihen me njera tjetren, keshtu do shkoje. Por si fillim DUHET te jene aty!

Kjo do te sherbente dhe per te kufizuar zerat e ligj qe flasin per nje parlament ku erotizmi grek mbizoteron marredheniet love-hate mes politikaneve.

Neser po te tel nga dreka qe ta leme

Sol,

Perfytyro nje cast nje parlament me 30% te femrave te zgjedhura nga Jozefina (si shembull e gruas me te spikatur ne politike). Une sinqerisht nuk besoj se do ndryshtonte fare nga nje parlament me 30% te femrave te zgjedhura nga kryetaret e partive. Kjo eshte ceshtje pikpamjeje, do na duhet te biem dakort qe s'biem dakort smiley

Ll.

P.S. Ok

Sol, a ka mundesi te me japesh nje perkufizim te "listes se majte"? 

Per keto kuotat tip "affirmative action" me urdher nga lart, me kujtohet nje artikull i t_red, dhe faktit qe asnje bashki (persa i perket edhe decentralizimit) nuk ka per kryebashkiake nje femer.  Merren me mend te tjerat.

PS: sa per yjet, ngaqe dhashe shume shume, te thashe qe mbase s'e ke bezdi t'i ndash me dr. Dibren.  Vleresimi eshte i dyaneshem smiley

Une pese te vura. Force zakoni, gjuhe e rrjedhshme, teme e bukur, trajtim i drejte, arsye kam plot d.m.th.

Ama edhe Guxholli e guximshme eshte. Edhe Mesila Doda marshallah. Edhe Mona Kyemadhi, edhe Xhozi. E sa per gjera te mira qe dine te bejne grate (apo femrat, si te doni), shembuj kemi plot, qe nga Elisa, Erisa, Ajola, Juela, Marinela, e kompania me radhe. Kur nje Arber tjeter te shkruaje per kete problem pas 50 vjetesh, ketyre femrave do iu referohet ai.

Kuotat e grave...Hej c'na gjeti!

Pa cituar veten, paragrafin e dyte ia kushtoj ketij fenomeni. Nuk shprehem ndonjehere qe mjafton te jene te guximshme, dhe hallall buka qe hane. Per mua eshte me se e rendesishme qe te kene dhe kontribute (pikerisht kjo ka bere qe te linde ankthi neper parti, se nuk po gjejne femra me kontribute). Jo se s'ka te tilla, ka patur, ka dhe do kete. Por politika i mban larg per arsye qe i permend ne shkrim (keshtu ndodh dhe me meshkujt xhanem). Lista qe mora nga libri i gersheton te dyja dimensionet, guximin per nisma, por dhe kontributin shoqeror.

vetë gratë që kandidojnë në më të shumtën e rasteve vijnë nga eksperienca që pak kanë të bëjnë me politikën, apo me ndonjë angazhim të rëndësishëm qytetar. Kryesisht janë ato që kanë dhënë provat e bindjes së verbër, ose ato të sapokthyerat nga shkollat, të gatshme për të bërë shumë gjëra për të ngjitur shkallët e karrierës (por fatkeqësisht iu mungon koha që të kontribuojnë substancialisht në zhvillimin i çfarëdogjëje). A do të jenë këto vajza në gjendje të përfaqësojnë femrën shqiptare?

Qe pozita e gruas ne Shqiperi eshte ne pike te hallit eshte e padiskutueshme. Nuk kane hapesire per manovrim as ne ekonomi as ne familje. Gjithashtu kam pershtypjen qe  edhe ato gra qe jane kthyer ne persona publike nuk interesohen shume per fatin e gjinise te tyre.

Megjithate, para se te interesohemi per gruan, duhen hapur hapesira per to qe te levrijne. Vendi eshte i vogel, ekonomia mizerabel. Edhe ne ShBA nuk kishte vend per manovrim deri ne L2B kur rekrutimi i mashkullit ne ushtri dhe ekonomia e luftes u hapi rrugen grave te punojne. The rest is history.

Mbetem pesimist per kete teme. Ne Shqiperi nuk mund te flitet dot per emancipim (nga latinishtja do te thote akti i lirimit te skllavit). Sidomos ne nje shoqeri ku anetareve te familjes u mvishet etiketimi "ROB shpie"

 

Shkurt fare, ne shqiperi jo vetem femra, por edhe mashkulli i shtresave te poshtme sociale eshte ne gjendje teper te keqe, ne kuptimin politik, social dhe ekonomik. Brazilifikimi i shoqerise ka bere qe keto shtresa te poshtme te jene teper te medha numerikisht, duke u zhdukur shtresa e mesme (duke mos u krijuar asnjehere me sakte).

Gjeja me e thjeshte eshte te thuash se ky popull e meriton kete gjendje, pasi ka lejuar kete lloj qeverisje nga grate e burrat e shtreses se siperme. Por ne kete lloj argumentimi deshton konsekuenca. Faji nuk eshte i pesuesit, eshte i ushtruesit. Pra per gjendjen e keqe te grave ne nivelet e uleta te shoqerise, natyrisht qe e kane fajin pushtetaret. Si zgjidhet kjo? Njera prej zgjidhjeve eshte te besh me te lehte nderrimin e atyre qe jane ne pushtet, t'i besh me pak te ngurta strukturat!

 

Pra per gjendjen e keqe te grave ne nivelet e uleta te shoqerise, natyrisht qe e kane fajin pushtetaret. Si zgjidhet kjo?

Eshte e pamundur te hiqen rrokjet 'pusht' nga fjala 'pushtet'. Pastaj edhe ne perendim ku ka madje edhe ligje qe te futin ne burg per 'perdhunim martesor', barazia gjinore eshte nje farse marketingu dhe asgje me shume. E vetmja gje qe duhet bere per 'clirimin' e gruas eshte t'i hapesh hapesire ekonomike, ne menyre qe divorcet te behen me te lehta. Kuptohet kjo shthur pelhuren sociale...po c'ti besh?

Ne Torah/Bibel denimi 'verbatum' i eshte dhene gruas ne kete forme:

"Do keqtrajtohesh nga burri, por perseri do ndiesh deshire per te"

Shiko, a jane te drejta kuotat e grave, a jane te nevojshme, a zgjidhin gje, eshte tjeter pyetje. Pyetja qe shtroj ne kete artikull eshte tjeter, pra tash qe u miratuan, perse nuk lejohet te menaxhohen nga vete grate, forumet, shoqatat, grupet e tyre?

Duke e konsideruar pjesemarrjen si dimension teper te rendesishem te ketij sistemit aktual, ajo cka dua te them eshte qe grave duhet t'iu garantohet pjesemarrja. Eshte e vertete qe ne keto 7 gra qe ke ne parlament jo te gjitha jane per t'u mburrur, po ne rast se nga 7 behen 45, do te kete me shume mundesi qe perfaqesimi te jete me dinjitoz, ose te pakten me i vertete!

Askund ne shkrim nuk pretendoj qe kuotat e grave do rregullonin perfundimisht boten tone problematike. Ato thjesht ndihmojne ne rregullimin e nje situate difektoze!

Ne ps, kemi 8 anetare kryesie nga 16 gjithsej. forumi i gruas dhe i rinise drejtohen nga femra. ps ka 13 deputete femra. gjithashtu, ermelinda meksi dhe makbule ceco jane te vetmet zv.kryeministre gra shqiptare, ndersa arta dade e vetmja ministre e jashtme femer shqiptare. vali leskaj e vetmja ministre e punes femer, ermelinda meksi e vetmja ministre e ekonomise femer. ndersa administrata e bashkise se tiranes eshte 65% femra, deri vone te dy nenkryetaret kane qene femra, tani shalsi dhe njefare albaneje, 4 drejtoret me te rendesishem jane femra.

 

nderkohe ne pd kemi jozefina topallin, te paren kryetare parlamenti femer, prandaj respekte. kemi edhe majlinda bregun, e vetmja m,inistre femer aktualisht. kemi 10 deputete femra dhe 8 anetare kryesie femra nga 25. forumi rinor drejtohet nga 1 mashkull (gerti bogdani), i gruas nga 1 femer (albana vokshi ... mos ma kujto!). kaq kisha

 

e beni vet krahasimin

hmm, 10 dhe 16 eee. Dmth se bashku 26 nga 140, vetem 17% e parlamentit...

ku shkoi 30% i premtuar? apo ishte vetem nje karamele per te marre votat e femrave dhe per te ledhatuar nderkombetaret.

(sa per forumet rinore e ato te grave te partia e Rames dhe e Berishes, ato grate e ata burrat qe i drejtojne nuk kane as celesat e kashtes) 

jo

jane gjithsej 23 deputete femra, pra edhe me pak e aq

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).