Mbi evolucionin e homo albanicus në erën postmoderne

Mbi evolucionin e homo albanicus në erën postmoderne

nga Arbër SHTEMBARI

Ikën dritat dhe ne, për një çast,nuk u pamë e dashur. Në fakt ne s’kemi nevojë për energji elektrike për tu parë kur mbrëmja bie. Jemi mësuar, tashmë kemi imunitet, se dritat kanë vite që kanë shkuar e s’janë kthyer. Ato, dritat e shpirtit të këtij kombi. Por ja ku jemi, gjallë ne të dy. Si i mbijetuam kësaj errësire social-politike gjithë këto vite? Sakrificat ekonomike po i marr si të pranueshme në emër të asketizmit tonë intelektual. Një mbrëmje tjetër si të tjerat në terr. Nëse do të nisja të shkruaja një manual mbi këtë çështje, do të këmbëngulja fort tek ruajtja e baterive të ngarkuara me një të atillë energji që do të mund të krijonte një shëndet neuronal të qëndrueshëm. Si mund të ruhet kjo energji ? Si mund të ngarkohen bateritë e shpirtit? Parashtoj dy alternativa që paraqesin një rëndësi të veçantë:

Së pari, kjo ruajtje energjie të brendshme mundësohet nga kontakti i vazhdueshëm me Tjetrin, nga dialogu dhe bashkëbisedimi me të. Kam krijuar përshtypjen që ne jo vetëm nuk shihemi më (informacion shqisor), por qoftë dhe symbyllurazi në këtë errësirë sociale, ne nuk po flasim më me njëri-tjetrin. Terr total, terr mendor, diktatura e territ. Shqiptarët nuk po komunikojnë më me njëri tjetrin dhe ne po rrezikojmë të humbim gjuhën tonë si pasojë e përdorimit sistematik prej/të mjeteve të informimit (dhe aktorëve që ata shërbejnë) që përdorin një fjalor të cekët, të vrazhdë dhe të huazuar nga gjuhë të tjera. Si mund të kuptoj një popull të zgjedhurit e tij, kur ata nuk flasin të njëjtën gjuhë? Duket sikur kemi zëvendësuar shqipen tonë me newspeak (gjuha e re) e Oqeanisë së Orwell’it. Gjuha’re shqiptare me simbolet e saj sa absurd dhe tragjik që nga parakalimi i mercedesave e deri tek zvarritja e bebeve në mes të Bllokut, kanë krijuar tashmë një realitet të pranuar nga të gjithë, një gjuhë bazike dhe akedike e pamjaftueshme për të pasur një Lidhje sociale midis nesh. Një nuance është për tu shënuar: konstatojmë që bashkëbisedimi është shpërngulur në botën virtuale (mund të veçojmë disa blogje). Por ndoshta shprehja e lirisë së fjalës në kushtet e një lirie virtuale (blogje, forume etj) janë një mënyre makiavelike e sistemit për të shtypur fjalën e lirë dhe zhvillimin e saj në botën reale?!

Dhe së dyti bateritë e shpirtit mund të ngarkohen nga hapja e horizontit intelektual duke u informuar sa më shumë, por kjo gjithmonë nën kujdesin e një logjikë formale të bazuar tek dëshifrimi i simboleve të një gjuhe të pasur me to dhe më e rendësishmja kuptimi dhe interpretimi i këtyre simboleve. Ti falemi Logosit platonik që do të ndihmonte gjithkënd për të mos rënë pre e kurtheve mediatike apo e hallkave të caktuara të pushtetit në kërkim të mbjelljes së injorancës në masë. Këtë të fundit nuk e them nisur nga ndonjë paranojë personale, por vetëm e vetëm duke u nisur nga konstatimi i gjendjes së rënduar në vend, për të cilën fajin kryesor e mbart klasa politike shqiptare.

Që prej ’90 e këtej ka ndryshim sigurisht. Do të ishim shpirtkazëm po të pohonim të kundërtën. Le të themi që shqiptarët u përshtatën me sistemin të cilin po e klasifikoj si një mutacion pervers të sistemit kapitalizmit. Shqiptarët ju përshtatën këtij mutacioni. Ata që s’u përshtatën dot, morën rrugët e mërgimit, të tjerët, një pakicë infime vendosi të Antigonizohet. Në fakt kjo përshtatje më sjell ndër mend, në terma kohor shumë të reduktuar sigurisht, teorinë e Darvinit mbi evolucionin, ku një nga bazat për evolucion ishte më konkretisht përshtatja e specieve me ambjentin ku jetonin. Pra, në gati dy dekada “demokraci”, në 2009, individët që mbijetuan, faktojnë si rezultat I përshtatjes me të gjitha kushtet që krijoi mutacioni i sistemit kapitalist. Një nga kushtet për mbijetesë gjatë këtij mutacioni politik ishte përforcimi i egocentrizmit deri në shfrenim. Pas kësaj, përse duhet ende të habitemi që tek ne nuk ekziston sot për sot reagimi qytetar ndaj padrejtësive sociale? A nuk ishte diktatura rezultat i egocentrizmit të një njeriu të vetëm? Cfare sistemi është ky ku të gjithë janë shndërruar në egocentrik për të mbijetuar (sipas evolucionit të Darvinit në mikroskopin kohor)?

Res publica jonë është kthyer vërtet në një Gjë të rëndomë. S’ka kontratë sociale do thoshte Ruso, në emër të ligjit dhunohet qytetari ose në të kundërt në emër të egos “qytetari” dhunon ligji. Por trupi fizik nuk mjafton për tu quajtur qytetar, por duhet dhe angazhim në jetën politike. Kjo është demokraci. Përveç kësaj në shoqërinë tonë mungon virtyti, mungon një drejtësi e pastër dhe një ndërgjegje qytetare për të përbashkëtën, shoqërinë shqiptare, elementin që na bashkon. “Njih vetveten” sokratike fillon nga njohja dhe observimi i hapësirës ku jetojmë. Kjo shoqëri nuk duhet perceptuar thjesht në aspektin e saj fizik,me ajër më të pastër, rrugë më të mira, shërbime shëndetësore më njerëzore, ndërtesa sociale për të pastrehët, por kjo shoqëri duhet perceptuar në terma filozofik (dashuri për urtësinë). Por që një e tillë harmoni të ekzistoj, duhet dashuri dhe për këtë duhet të jemi të paktën dy. Dhe është pikërisht kjo dashuri që do ç’rrënjosë përfundimisht apatinë popullore, se energjia e një populli çlirohet nga dashuria që lind mes njerëzve të tij.

imazh nga Francis Bacon

9 Komente

Dhe është pikërisht kjo dashuri që do ç’rrënjosë përfundimisht apatinë popullore, se energjia e një populli çlirohet nga dashuria që lind mes njerëzve të tij.

---------------------------

reflektim i mençur, por sa larg ADN tone smiley

do veçoja pikerisht ato rreshta qe ka veçuar xheni...

muk dua te besoj qe jemi pa shpresa po qe jemi tmerresisht me adn te traumatizuar kjo eshte e vertete.

Ky shkrim duhet botuar  ne te gjitha vendet me te gjitha format, mbase i fut pak shqiptaret ne procesin e meditimit e te reflektimit.

Nrdryshe @kemi">s'kemi  shprese..  

 

Good piece !

smiley

 

Falimenderit per komentet. nuk besoj se kemi ndonje adn te paracaktuar per te qene keshtu. moment "i vockel" ne historine e nje kombi. (po na ra ne per pjese hehe) por te jemi optimist, une besoj, shpresoj, qe gjerat do rregullohen.

Ooo, bukur Arber!

Ka nje shkeputje midis dy paragrafeve te fundit me te paret, por thyerja eshte krejt e pranueshme (ndoshta ngaqe simetrike).

Urime! (po bej nje gje qe e bej rralle shume, po votoj!)

... non posso fare a meno di fare i complimenti all'autore per l'articolo!

con tutto che l'Albania uccide ogni mia speranza ogni volta che vi torno mi riempio poi di gioia e speranza a leggere un tale pezzo... trovato un po' per caso navigando su internet cercando articoli di Lubonja! complimenti ancora!

... magari il giorno che riusciremo ad avere un'ampia classe intellettuale, caratterizzata dallo stesso spirito che attraversa l'articolo, riusciremo a combattere il "famlismo amorale" di cui siamo prigionieri...

 

Shume faleminderit melissa. 

 

Shume faleminderit, Melissa. Eshte hera e pare qe e mora vesh arsyen pse nuk mora vesh asgje. Heret e tjera, megjithese shqip, rri e vras mendjen 2 ore pas leximit qe pse nuk i rashe ne te shkrimit. Them me vete: "po ishte shqip more derdimen, c'ben keshtu?".

Dhe pastaj, 5 sekonda pas ketij 2-oreshi, kam nje mendim gjenial vetetimthi: "mos u merzit, fjalia qe sapo i the vetes, ne fakt nuk ishte per ty, por per autorin". Dhe pastaj fle nen batanije, very happy.

ma dai... smiley

allora me kete do thuash qe kete radhe nuk pate  nevoje per 2 oreshin e reflektimit? beh meglio di così...

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).