Maqina e Kohës (Koncert në fund të Verës)

Maqina e Kohës (Koncert në fund të Verës)

Andi Kananaj, Arbër Zaimi

Ishim në Shkup. Learti ishte shtrirë sa gjatë gjërë, siç i takon një komandanti. Ishim tre meshkuj në dy metra katrorë. Kondicioneri nuk punonte, por edhe kur punonte e hidhte gjithë ajrin në kokën e Arbër Zaimit, që kërkoi aulinë nga ato të Andit. Një mizë pellazge, krenare, nga ato të çarshisë ndalonte herë pas here tek faqet e secilit, duke i përmendur nga meditimi i gjatë mbi asamblenë e PS-së me dyer gjysëm të mbyllura. Dera trokiti tre herë. Përtuam ta hapnim. Por nuk e kishim mbyllur me çelës, dhe recepsionisti e hapi ndërkohë që në korridor kaluan disa vajza të një orientimi paralel. Recepsionisti foli me një zë mistik “A nuk është trend i ri, i ëebsiteve që realizojnë logjikën e The Truman Show?”. Ai dëshironte të fliste për soditjen e munguar freudiano-lacaniane, me shembuj se si shndërrohet objekti soditës në fetish, por ne e injoruam totalisht. Pasi i lëshoi disa rënkime false krejt të panevojshme, i vendosur që të na trondisë me se s’bën roja deklamoi që nga pragu i derës, duke shkaktuar një përmbysje të kësaj situate tragjikomike. Me një zë si të Besnik Bares, por me sytë prej skifteri të Gramoz Ruçit, dhe me shpejtësinë e Erion Braçes, recepsionisti tha: “Kam kasetën Makina e Memorjes të Ardit Gjebresë. Thonë që kush e dëgjon bezdiset aq shumë sa udhëton në kohë për t’i shpëtuar vuajtjeve”.

Atë natë nuk arritëm të flinim. Pimë birrë. Pimë verë. Pimë vodkë. Gjithçka ishte e kotë. Data shënonte 27 shtator. Një ditë më parë ndoqëm përgjysmë koncertin madhështor në fund të verës, ku shkëlqyen dy solistët, çifuti i Ramës dhe kinezi i Andit ( i cili po ikën nga shtëpia me qera).

Kishte ndodhur ajo që të gjithë e prisnim. Sipas oroskopit të dhënë në orën 06:03 minuta në TV Klan, tranziti i Uranit në yjësinë e qenit pa bisht do të sillte sukses të paevitueshëm të të vetmit kandidat që premtonte croissants për të shoqëruar kapuçinot socialistë në mëngjeset me brymë të një kryeqyteti, atij lideri që në programin e tij parashikonte ditë për ditë aktivitet golfi, tenisi, yachtingu për fëmijët e varfër të socialistëve, atij që premtonte më shumë eunukë për të masazhuar gishtat e këmbëve të Kol Ballës, të cilit do t’i hapin një televizion paralel në mënyrë që tek njëri tv të lërë syzet, dhe tek tjetri të dalë vetë. Fitoi Maqua, alter egua e çdo shqiptari të thjeshtë, me sloganin e tij Hitchcock-ian “Më mirë të kesh miq, sesa armiq”, dhe paradigmën e tij “car je est un autre. Si le cuivre s’eveille de clairon, n’a rien de sa faute”.

Fitorja e Maqos nuk ishte si e Pirros. Po të fitonte Malaj do ishte si e Pirros. Po të fitonte Blushi do ishte si e Pirros. Po të fitonte Pirrua, do ishte si e Maqos. Në mënyrë plebishitare, socialistët e thjeshtë e shpallën Maqon dyfishim simbolik, shumësi të pastër të qenies, dhe e votuan njëzëri, duke nxjerrë përfundimisht jashtë loje Edi Ramën, ish-basketbollistin e talentuar të viteve 80. Maqua përshëndeti sallën, në veçanti Etienin me një këngë rock, ndërkohë që nga mesi i sallës dëgjoheshin klithma përshëndetëse. Citojmë disa prej tyre:
“Shoku Maqo, pa ty ne do të ishim turmë e paintegrueshme qenësisht, konfiguracione të zbrazëtisë.” kumbonte zëri prej nimfe të ujërave të Jonit, të bregdetares krenare, Elisa S. Ngeshëm, që nga llozha, Lenini, një qytetar socialist nga Lushnja, filloi aty për aty të bënte llogaritë e qeverisjes të rrjetit botëror nga Maqua, po meqë nuk e kuptonte tamam tamam, filloi të merrej me sistemin e bankave qendrore. Lenini lushnjar i briti Maqos: “Detyra jonë është t’ia shkundim gjymtimet kapitaliste këtij aparati të shkëlqyeshëm. Ta bëjmë më të madh, më demokratik, e më gjithëpërfshirës”. Menjëherë brofi në këmbë Auron T., i cili këto fjalë do të kish dashur t’i thoshte vetë, por Lenini e dogji në kthesë, dhe e la thatë.

Një fshatar i takuar para pak ditësh nga Edi Rama tha: “Në ato kushte njeriu normal joshet të ringjallë të vjetrën, të përbuzurën, dialektikën marksiste gjysëm të harruar të forcave prodhuese dhe të marrëdhënieve të prodhimit”. Por Maqua nuk e hante atë tekë... Maqua premtoi nga podiumi që do të merrej vetëm me mbrojtjen e pronës intelektuale të Ardian Civicit, dhe me garantimin e pranisë televizive të Erion Veliajt, që kishte munguar prej disa kohësh në ekranin e ngushtë, si pasojë e një sëmundje të rëndë në sqetulla. Maqua i tha sallës “është njëlloj sikur ju të dëshironi revolucion pa revolucion, ashtu sikur ish përgjigjja e jakobinëve ndaj atyre që bënë kompromisin zhirondin”. Për emisionin e Ahmet Shqarrit, “nga njëra ndeshje në tjetrën”, Veli Rada transmetoi rezultatin tronditës, tetë me dy, për Maqon, nga 1500 vota të mundshme. Pjesa më e madhe e votuesve, rreth 1492 syresh nuk ishin në sallë në momentin e votimit, pasi kishin ngrënë lakrorin e Maqos, një lakror subversiv ku u gjendën shumë dylekësha. Vetëm ngastra e Ramës nuk kishte dyleksh. Rama tepër i shqetësuar tha që s’ka bir kurve që ta gjejë atë dyleksh në lakrorin tim, apo në xhepat e mi, dhe kur them të mitë nënkuptoj Dash Pezën. Madje s’ka as kurva”.

Learti filloi të gërhasë, por ende nuk e ka futur marshin e tretë...

Sipas analistit kadareian Andrea Stefani, ato ditë të vjeshtës së parë, Maqua kish lënë të kuptohej se nuk qe aq i papërgatitur saç pritej nga një burrë i tillë, që kurrë nuk është shquar për aftësi seksuale. Andrea Stefani kishte dyshimet e tij legjitime që Maqua kishte vjedhur programin me njëmijë peta të Ramës. Siç dihet Rama vuan nga vesi i zemërbutësisë (sipas mendimit kantian kjo zemërbutësi në të cilën është lehtë të shohësh një jehonë të largët të reagimit të Leninit nga Lushnja - pas dëgjimit të appasionatës së Bethovenit - njeriu nuk duhet të dëgjojë muzikë të tillë se e bën më të butë dhe papritur dëshiron t’i përqafojë armiqtë e vet, në vend të shkatërrimit të tyre të pamëshirshëm”. Pas zgjedhjeve Rama vinte vërdallë duke kërkuar Blushin dhe Malajn që t’i përqafonte, ndërkohë që Maqua, që nuk kishte teprica të tilla të sentimentalitetit psikopatologjik, përfitoi nga situata për të rrëmbyer programin elektoral “Përtej të Majtës dhe të Djathtës”, duke shpikur byrekun rrumbullak, i quajtur rreth vicioz, pa kahe evidente. “Du kannst, denn du sollst” i tha Maqua vetes atë mëngjez korriku. Gjithsesi Rama nuk bëri asnjë ese reflektive mbi leshin e humbur në zonat pubike (pra nuk e rruajti) për vjedhjen e programit nga Maqua, duke zgjedhur mes dy vdekjeve atë më të voglën.

Learti fut marshin e dytë, sapo është futur në malore...
Rama, duke e ditur se çfarë programi të leshit kishte vjedhur Maqua, filloi t’i kërkonte llogari publikisht kryetarit të ri të PS-së, shokut Lakrori. Bile për këtë Rama propozoi një klauzolë në statut, ku kryetari që fiton zgjedhjet largohet nga partia. Rama deklaroi për gazetën INTERVISTA zhvendosjen e tij psikologjike drejt kishës së Shnanoit në Laq. Rama deklaroi që nuk ka fat fare, po humbet gjithçka, madje ka humbur dhe qipsat në TexasHoldemPoker. Rama e braktisi PS-në në duar të Lakrorit pikërisht sepse ka thërritur kongresin e përgjithshëm të Facebookut. Ai është gati t’i shohë në sy kundërshtarët...

Learti më në fund futi marshin e tretë. Makina e memorjes vrapon në kujtime. Në çastet e jetës që rendëm të dy. Kënga mbaron... Kemi boshllëk shpirtëror. Është sërish gusht. Miza na rri përballë e çuditur. I kanë thënë që ka fituar Maqua. Këtë informacion paraprak ka për ta paguar shtrenjtë me një goditje të shpejtë të pëllëmbës. Sa vlen një mizë e çuditur pas kongresit...?

9 Komente

një lakror subversiv ku u gjendën shumë dylekësha

smiley

Sipas analistit kadareian Andrea Stefani, ato ditë të vjeshtës së parë, Maqua kish lënë të kuptohej se nuk qe aq i papërgatitur saç pritej nga një burrë i tillë, që kurrë nuk është shquar për aftësi seksuale. Andrea Stefani kishte dyshimet e tij legjitime që Maqua kishte vjedhur programin me njëmijë peta të Ramës. Siç dihet Rama vuan nga vesi i zemërbutësisë (sipas mendimit kantian kjo zemërbutësi në të cilën është lehtë të shohësh një jehonë të largët të reagimit të Leninit nga Lushnja - pas dëgjimit të appasionatës së Bethovenit - njeriu nuk duhet të dëgjojë muzikë të tillë se e bën më të butë dhe papritur dëshiron t’i përqafojë armiqtë e vet, në vend të shkatërrimit të tyre të pamëshirshëm”. Pas zgjedhjeve Rama vinte vërdallë duke kërkuar Blushin dhe Malajn që t’i përqafonte, ndërkohë që Maqua, që nuk kishte teprica të tilla të sentimentalitetit psikopatologjik, përfitoi nga situata për të rrëmbyer programin elektoral “Përtej të Majtës dhe të Djathtës”, duke shpikur byrekun rrumbullak, i quajtur rreth vicioz, pa kahe evidente. “Du kannst, denn du sollst” i tha Maqua vetes atë mëngjez korriku. Gjithsesi Rama nuk bëri asnjë ese reflektive mbi leshin e humbur në zonat pubike (pra nuk e rruajti) për vjedhjen e programit nga Maqua, duke zgjedhur mes dy vdekjeve atë më të voglën.

smiley

smiley

5*

Sol-o, kur lexoj pasazhe si ky me siper them "me te tille djem, gjynah te lengoje ky truall" smiley

Detaji i apasionates eshte me shume se mjeshteror! Skena e Rames qe po i kerkonte vrime me vrime kundershtaret e vet me i perqafu eshte nga ato qe stampohen ne menyre te pakthyeshme ne tru. smiley

 

Edhe nji para se t'a myll: Kanti ka pas qen vetem 1.57 m i larte. A ka naj paralel te qellimshem fizik, se un s'i njof kto figurat qe permenen ktu. (Pervec Rames, natyrisht)

Paska qene tamam udhetim ne kohe, nje vit te tere udhetim...

Data shënonte 27 shtator.

Është sërish gusht.

Nderkaq edhe lakrorit te Maqos i ka dale fundi, por Maqoja me siguri qe pyet veten "Kush ma hengri lakrorin?" smiley

 

Ana, me kujtove nje kaptine prej librit "Liza ne boten e cudinavet" (gegnishtja ktu nuk esht prej Mesulit, por ngase versioni i pare i librit qe kom lexu ka qene nje perkthim i perkryer - i paraluftes n'mos gaboj - qe ishte gegnisht); kaptina titullohej "kush i vodhi biskotat"?  smiley

PS mbase me behet mua, por paragrafi qe kom shkeput me lart, eshte i nje niveli te tille qe nuk e kam has ne asnji shkrim te gjithe gazetar(uc)ise tone te ktyre viteve.

Kapelaberesi i Marre ( Soli) bashke me Tuidelldine dhe Tuidelldane kishin ftuar per caj Beni Banin ( A. Stefanin) dhe i recituan ate poezine e bukur te lakrorit qe fluturoi si me magji nga tepsia e Maqos... Une, Liza dmth. u ndodha rastesisht aty dhe me veshet ngrehur perpiqesha te kuptoja dicka nga biseda e atyre te rriturve te konklavitur dhe nderkaq haja biskota. Biseda qe aq e merzitshme, sa mua me zuri gjumi dhe as e kisha kuptuar fare qe biskotat kishin qene magjike dhe une kisha perfunduar ne kopshtin e Mbretereshes se Zemrave, ( kete s'ta them se kush eshte) smiley 

Sol, me fal?! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).