Manual përdorimi për orën e koprifuokos

Nuk kemi kohë. Këtë fillimvit, këtu përmblidhet gjithë kredoja politike e kombit. Opozita është e shqetësuar rreth pamjaftueshmërisë së kohës për t’u marrë shenjat e duarve gjithë votuesve. Mazhoranca thotë se kemi humbur shumë kohë duke i lënë kaq gjatë në detyrë zyrtarë të drejtësisë me duart të përlyera në “komunizëm”. Nikollë Lesi nuk ka kohë për të humbur me ministra të paaftë të cilët thotë se i ka votuar po vetë. Deri edhe Eduard Shalësi thotë se koha për realizimin e tërë atyre projekteve për Tiranën, skadoi, ngaqë Berisha dhe Meta i ngulën thikën buxhetit të Bashkisë.

Në përgjithësi, ne si shoqëri shqiptare kur na kap ndonjë moment i rrallë kthjellimi mendojmë se, netëve mes grackash dhe batakçillëqesh të vogla që pamë në rrugën e pafundme deri këtu, shumë kohë kemi humbur me këtë tranzicionin. Njëzetë janari, thonë, ishte dita më e trishtuar e historisë, kriza ekonomike që pak vetë e kuptojnë po na gllabëron, dimri është i ashpër dhe në përgjithësi të gjithë kanë një ndjenjë pesimizmi për jetët e çuara dëm në pritje të një dite të bardhë që s’erdhi kurrë.

Gjithkush në mënyrën e vet, përtej nevojave personale nga ato më proletaret për bukë, ujë e drita e deri tek shqetësimet intelektuale që mezi shpjegohen, ndjen këto ditë një si mungesë kohe. I vetmi në këtë vend që duket se nuk e ka problem kohën pa kthim është Skënderbeu dhe kali i tij, që sivjet festuan me një indiferencë prej bronxi deri 541 vjetorin e asaj vdekjes që u garantoi atyre përjetësinë.

Kjo psikozë frike për mungesë kohe, nuk është më një gjë e re për shqiptarët. Si rregull kjo ndodh sa herë që proceset zgjedhore janë në prag. Në qarqe të kalitura militantësh por edhe zgjedhësish – nga ata lehtësisht të manipulueshmit - atmosfera e “koprifuokos” politike është thuajse një stil jetese për të cilën në kohëra paqeje ka deri deri nostalgji. Shumë njerëz kanë mall për adrenalinën që të jep rreziku, suspansën si në filmat hollivudianë dhe në përgjithësi, të jetuarit nën alarm.

Por vërtet, teksa thellë në shpirt të gjithë shqiptarët normalë ëndërrojnë që më në fund të kemi ato zgjedhjet e vërteta të lira, të drejta, pa asnjë cen dhe pa asnjë arsye ku të kapen kundërshtuesit e rezultatit të tyre, a mos është gjithë kjo frymë nxitimi që po na proklamojnë në televizor, thjesht një parapërgatitje për skenarë që të gjithë u druhemi?

Ku ka vullnet gjendet një rrugëzgjidhje, thonë të mençurit. Nëse qëllimi ynë final është të zhvillojmë gjallë a vdekur një palë zgjedhje që të mos kenë të sharë, atëherë çdo vendim, proces apo afat institucional do të duhet ta lërë peng përkohësisht sublimitetin e vet. Arsyeja është madhore.

28 qershor? Dekret presidencial? Afat kushtetues? Po ç’janë këto pallavra. Ne që Kushtetutën e kemi shndërruar në topth plasteline edhe për çështje absolutisht banale, a thua e quajmë atë një tabu të paprekshme për një motiv ekzistencial? Si fjala vjen, nëse vjen puna për të ndryshuar datën e zgjedhjeve po u shndërrua në një pengesë që këto zgjedhje të jenë sipas atij qëllimit kryesor që thamë në fillim. Dhe të mos dalë njeri e të na thotë, ne, shqiptarëve që lamë peng 18 vitet e fundit të jetës sonë mbi altarin e iluzionit për dritën në horizont, se agonia jonë do të zgjatet për shkak të një hollësie administrative. Sepse, e thamë: ku ka vullnet politik, do të gjendet një rrugëzgjidhje institucionale.

Ja sesi edhe alarmi se s’kemi kohë të mjaftueshme për të bërë zgjedhje të mira është kallp dhe gjithë kjo klimë false tensioni e induktuar në mendjet e shqiptarëve për t’i bindur ata se zgjedhjet e lira mund të na shkasin prapë për duarsh, është fund e krye artificiale.

E përçarë, e dobët, e paqartë dhe kompleksive, e majta shqiptare përbën në këtë teatër, shëmbëlltyrën e atyre personazheve që në festivalet e filmit marrin zakonisht çmimin “aktori më i mirë jo-protagonist”. Një alternativë që duhet të gjenerojë shpresë dhe të rizgjojë ëndrrat e humbura të një kombi, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë vetes rolin e tellallit të fatkeqësive. Jo demokraci me çdo çmim. Jo shansi i fundit i shqiptarëve për të shpëtuar nga e keqja – e cila jo domosdoshmërisht ka një emër frymori por që sigurisht është një mënyrë inferiore të menduari. Në kushtet e tanishme, hiq “vallen e shpatave” Rama-Meta, e majta në këtë vend duket se preokupim kryesor ka krijimtarinë e një terminologjie të re tek e cila më parë ka nevojë që të nisë të besojë vetë ajo.

Por kurrë s’është vonë për të qëmtuar mes rreshtave kaotikë të urgjencave të ditës mesazhin e palëvizshëm të aspiratave që kanë njerëzit e tu. Nëse ka barriera për t’u kapërcyer dhe sfida për t’u vënë gjoksin, nuk është koha ajo që përbën problem për një popull të duruar si yni që e ka çuar dëm atë edhe për marrëzira e jo më për shpëtimin e vet. Nëse ekziston një aspiratë që ka sot nevojë për artikulim, është pikërisht kjo. Për çështje të mëdha që na kanë bërë ta humbim kohën në trajtën e saj më tragjike të shprehur në jetë njerëzore, shanse që s’kthehen më, lumturi të varrosura një herë e përgjithmonë dhe një gjeneratë pa shpresë e rrugëdalje, të dashur njerëz që kurdisni orën e kombit, ne s’e kemi luksin e të mos paturit kohë.

Gazeta "Shekulli" 21 janar 2009

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).